Fotoja me baben…
Jam me babain, duke i dredhë cigare,
Nën hijen e gështenjës në Malësi,
Po më patë vetëm, në shetitjen e darkës,
Të jeni të bindur se, vetëm nuk jam,
Jam me ish-nxënësit e shkollës së dashur,
Që si mallin e nënës, në zemër i kam.
Jam me barinjtë në shtrungat e vathit,
Duke mjelë delet në Shtyllë të Grisë,
Jam me minatorët e minierës së Kamit,
Udhëtoj me një skodë, Grykës Dragobisë.
Jam me babain, duke i dredhë cigare,
Nën hijen e gështenjës në Malësi,
Jam duke përkundur mbesën Rugova,
Jam në një dasëm, me kangë e sharki.
Jam në buzë detit ketë buzëmbrëmje,
Një shoqe ngacmoj për ngjyrën çokollatë,
Jam me një shok në zyrën e punës,
Ku lam përgjysëm raportin e gjatë.
I kam me vete, të gjithë që më duan,
Si fytyrën e nënës që e pret fëmija,
Zemrën time kurrë se leni vetëm,
O njerëz të mirë, o dashuritë e mia.
./.
Tiranë, vjeshtë, 1979
Marrë nga libri Hija e Vendlindjes)
Komentet