Çamëria s´lypet, Çamëria merret
Epir, bëje dorën grusht dhe lëviz
O e mbijetuar e pellazge- ilirëve
Shqipëria shtrihet deri n´Prevezë!
(Atdhe GECI)
Plaku imëtak nga Çamëria, që kur në Kosovë agoi ditë e bardhë, kishte ndarë mendje e zemër të shkelte njëherë në tokën e shenjtë të Prekazit heroik. Por, kot, puna rrokullisej lëmsh. O sot, o nesër dhe nuk i vinte se nuk i vinte shtegu. Ditën që iu dha mundësia, sa s’fluturoi nga gëzimi.
-Plakë, ore e uruar, që më ke humbur si sëpata pa bisht, eja shpejt e bëmi gati rrobat kombëtare, -thirri me gjithë zë te shoqen, e cila po vraponte pas një klloçke me dymbëdhjetë zogj atje tej në fund të oborrit.
-Ah, unë korba, po ç’i paska shkrehur sot dalldia e rinisë, kur me maliherin hedhur krahut bridhte maleve dhe e luftonte hasmin nazifashist,- mërmëriste ajo, tek i kërkonte opingat me xhufka, që ishin tretur diku në fund të arkës së vjetër të nusërisë, pa të cilat nuk ecte dot.
-Për ku kështu, ore i uruar?- pyeti ajo pasi ia kishte gjetur të gjitha.
-Larg do vete, larg, në Drenicë, në Prekazin e lavdisë, në truallin e Adem Jasharit- u gjegj ai, më shumë duke mërmëritur e duke u përpjekur të shikonte fytyrën e vet të rrudhosur, në xhamin e dritares së thyer.
-Epo nuk ka lezet de, të vete ndryshe në vendin e shqipeve të trimërisë!- bënte me vete tek po hipte në makinë.
Rruga nuk qe e shkurtër, duhej kapërcyer radhë e radhë vendbanime të lashta shqiptare: katunde e qytete, fusha e male, kodra e lugje…Secili më i bukur se tjetri. Secili histori në vete…Filati, Parga, Gumenica, Konica, Arta, Parathemia, Preveza, Margëlliqi, Rrapeza, Spllanca, Kastria, Tabani, Lëkurësi, Stanova, Trikopallu, Thesprotia…
-Ore lum vëllai, ju paça për jetë të jetëve, këto vende të begata, linden njerëz të ditur e trima që të merrnin gjak në vetull, si: Akilin, Odiseun, Aleksandrin e Madh, Pirron, Papa Shën Eleuterin, Hoxhë Hasan Tahsinin, Dora d’Istrian, Muhamet Çamin, Musa Demin, Marko Boçarin, Mitrush Kutelin, Faik Konicën, Osman Takën, Bilall Xhaferrin, Qamil Buxhelin…
Kur kaloi përskaj Ardenicës, ku dikur Gjergji ynë i pavdekshëm, kishte kaluar muajin e mjaltit me Donikën e bukur, seç iu lidhën në mendje: Drenicë e Ardenicë!
Sa bukur: Drenicë e Ardenicë!
E madhërishme!
Dhe, kjo, një copë herë nuk iu shqit nga truri…
Obobo, sa e gjatë iu duk rruga nëpër trojet shqiptare.
-Po e gjatë duhej të ishte xhanëm,- i foli vetës, si me inat, duke dredhur mustakun e hollë si bisht miu, bile edhe më e gjatë do të ishte, po të mos na kishin shkurtuar të pabesët grabitqarë.
Ama këtij po i ngutej, andaj i dukej e gjatë dhe e pafund. Alpet kryelarta ende shikonin vëngër shiritin e zi që ua përthekonte shtatin me nëntë plagët e Gjergj Elez Alisë, shkaktuar nga duar të pakujdesshme…
Kur zbriti në truallin e ëndërruar, sa s’e tradhtuan këmbët. Hë, hë, dhe burrë i them vetës, bëri nëpër hundë si me inat. Një copë herë ngeli mumie e shushatur, mu në mes të rrugës. Të tjerët, që rastisen përnjëherë, moti kishin arritur te varrezat dhe po i nderonin e ky ende qëndronte i hutuar fare. Mbase ashtu edhe i pëlqente, të dehej e të ekzaltohej thellë e thellë me dhuntinë e të pavdekshmëve.
Hëpërhë, vërtet, i duhej vetmia. Po, ore, po. Ashtu do të çmallej më gjatë e më lirshëm.
Pasi pushoi pakëz dhe mori veten, u nis andej, ku edhe vizitorët veç ishin pakësuar. Rojat, dy të rinj shtathedhur, me uniforma elegante, nderonin gatitu, pa rrahur as qerpikë. I përmalluar në kulm e i zhuritur si eshka në diell, u turr drejt tyre. Aq i bënte atij për rregullat ushtarake.
Dhe, fap njërit e fup tjetrit, iu hodh në përqafim ngashërues. Ata nuk bëzanin. As ky nuk po fliste. Lotët e gulçimit i shkonin çurkë faqeve thatake e të mërdhezura nga emocionet. Sakaq u ndal dhe ra në gjunjë përpara varrit te Komandantit. Mori një plis dheu të shkrifur, mbase nga gjaku i lirisë, dhe zu ta puthte me afsh përpirës:
-Më fal Komandant, mbase u turpërova e u ligështova, por mos ma merr për keq! Lëmshi i mbledhur kaherë në grykë për pak më ngufati. Besoj që nuk jam koritur. Si thua Ti? Kur pat vdekur Skënderbeu, patën lotuar gjithë princërit e kapedanët e Arbërisë, bile Leka i pat shkulur flokë e mjekër. Patën lotuar edhe vetë fushat e malet, aq sa u krijuan lumenj e liqeje të tërë vërshues!
Ende qëndronte ashtu, si të ishte vetëm për vetëm, pa ua venë veshin mijëra syve, që si shigjeta helmuese ishin lëshuar mbi të. Vërtet, tashmë ishte ulur ndryshe, si në odë burrash, këmbëkryq. Kishte vënë përpara kutinë e bakfanit, me duhan si këmbë sokoli, dhe çibukun e zbukuruar prej shqope, trashëguar nga i ati, i cili e mbante kujtim nga trimi i asaj ane, nga Musa Demi i Filatit.
Ashtu, ngeshëm, fët e fët, zuri të mbështjellë cigare pas cigareje, ani pse dikush, mbase të gjithë, mund ta merrnin për të krisur.
-Urdhëro një duhan të sertë nga Tahir Çapari, o komandant Adem Jashari!
-Ndale njëherë këngën dhe vallen e Osman Takës e ndize një letër, o Hamzë Jashari!
-Ndoshta nuk e pi, por për hatrin tim merre një, o mësuesi i nderuar Shaban Jashari!
-Urdhëro edhe ti o…
-Urdhëroni!…urdhëroni!…
Vonë, pasi u çmall mirë e mirë me të gjithë, i luti këmbët e mpira që ta shpinin deri te kullat e qëndresës. Atje duhet të bëhem më i fortë, i tha vetës,- duke mbledhur atë pakëz fuqi që i kishte mbetur. Ashtu e kërkonte puna. Themelet e lara me gjak lirie, që suksesshëm kishin sfiduar gjithë atë zerzele mbytëse, nuk e durojnë dot lotin. Jo, jo, kurrsesi. Në këtë vatër kurrë nuk është dëgjuar tjetër, përveç kuvendime, këngë, burrëri, trimëri. Këtë e di unë fare mirë, ore lumë vëllai. Këtu kanë luftuar e qëndruar i madh e i vogël, pleq e të rinj, burra e gra. Kanë qëndruar edhe këto mure gjysmë të rrënuara…
…Beteja ka zgjatur plot tri ditë e tri net…Këtu, përpara kullës ka qëndruar baca Shaban me pushkën e gjatë…Atje, në ballë, komandant Adem Jashari, duke dredhur mustakun e duke kënduar…Më tutje, midis dy kullave, strategu Hamzë Jashari, që me gjoks i doli tankut përpara…Brenda, në bodrum, qëndronin graria, në ballë me nënë Zahiden…shpjegonte ciceroni kujdestar para vizitorëve kureshtarë.
Por ky, kishte zënë një qoshe dhe kishte tretur thellë në humbëtirat e pafundme të mendimeve. Parasysh i vegoheshin dragonjtë, duke kamxhikosur pamëshirshëm kuçedrën shumëkrerëshe…
-Ore djalosh, dua të të them një fjalë, he ta marrsha të keqen!- iu drejtua atij, kur e pa se kishte ngelur vetëm.
-Urdhëro babëlok,- fol ai lirshëm!
-Nuk iku dot pa e pirë një kafe në truallin e Adem Jasharit!- tha me zë të prerë dhe u ul këmbëkryq në oborr, mu përballë portretit të legjendarit.
-Po, si jo, ore të lumshin këmbët!- e uroi djaloshi i papërtueshëm, duke e vënë fill xhezven në furnelë.
-Ohoho!-lëshoi plaku një si psherëtimë ngrohtësie nga thellësia e shpirtit, pasi piu hurpën e parë. Takëmin e duhanit sërish kishte vënë përpara. Çibuku zuri të nxjerrë fjollat e tymit lakadredhas. Më nuk po fliste. Ishte qetësuar. Ua hidhte sytë me radhë: kullave gjysmë të rrënuara, varrezave matanë, bunkerit atje tej në maje të kodrës, ku valëvitej flamuri kuqezi. Në fund ndali vështrimin mbi kullat e reja, ku gjallonte farë e pavdekshme e Jasharëve…
-Të lumtë e të ma bësh hallall biro,- foli me zë të ngjizur, pasi kishte mbaruar. Tash u çlirova. Ja si po marrë frymë lehtë, si nositi gjoks hapur. Edhe Zotin e pata lutur që të më falte jetë veç derisa ta plotësoja këtë dëshirë të vetme.
Kaq kisha: Ta pija një kafe në truallin e Adem Jasharit!!!
Tashti edhe mortja lë të urdhërojë kur të dojë! Po, po, kur të dojë! Unë e kreva timen: u çmalla!
Atyre që sollën lirinë, u lumtë dhe ua paçim borxh edhe jetën!
Komentet