Shtimi i kërkesës në pandemi, për bimët e çajit, boronicës dhe sherebelës nga Europa dhe SHBA, nuk arriti të shfrytëzohet plotësisht nga kompanitë, si mundësi “e artë” për fitime. Shoqata e Bimëve Mjekësore dhe eksportuesit më të mëdhenj të Shqipërisë kërkojnë ndihmën e shtetit, pasi industria vuan mungesën e investimeve në përpunim. Me investimet e tyre prej gati 30 vjetësh, operatorët arrijë të përpunojnë vetëm 20% të bimëve të grumbulluara.
Pandemia nuk e ndali eksportin e bimëve mjekësore. Pavarësisht krizës nga COVID-19, eksportet e sektorit shënuan rritje. Sipas të dhënave të INSTAT, eksportet e grupit farat vajore, bimët industriale apo mjekësore, u rritën 14,8% me bazë vjetore për 9-mujorin 2020.
Destinacioni kryesor i eksporteve është Gjermania, (më pas produktet përpunohen e shkojnë drejt SHBA-ve). Për 9-mujorin e 2020, rreth 32% e produkteve të këtij grupi u eksportuan në Gjermani dhe rreth 10% e tyre në Austri dhe Spanjë.
Eksportuesit më të mëdhenj të Shqipërisë pohojnë rritjen e shitjeve të bimëve mjekësore, veçanërisht sherebelës dhe boronicës në vendet e Europës dhe SHBA. Përdorimi më së shumti i çajeve me përmbajtje të vitaminës C në pandemi nxiti rritjen e kërkesës të tyre.
Për operatorët e tregut, mbyllja e kufijve dhe vendosja e kufizimeve të lëvizjeve me jashtë të fermerëve, rriti sasinë e bimëve të mbledhura krahasuar me vjet. Marrëdhëniet tregtare të acaruara mes Kinës dhe SHBA-së rritën kërkesën e kësaj të fundit për bimë mjekësore në tregjet e Europës dhe të Shqipërisë.
Për kryetarin e Shoqatës së Bimëve Mjekësore dhe Aromatike, Filip Gjoka, pandemia e gjeti të papërgatitur industrinë për t’u përballur me fluksin e lartë të kërkesës për eksporte. Aktualisht, kompanitë të cilat kanë potenciale grumbulluese, përpunuese dhe eksportuese arrijnë vetëm 20% e tyre të nxjerrin produkt final të përpunuar, kurse 80% e bimëve të grumbulluara nxirren bruto.
Kompanitë shqiptare e kanë të pamundur financiarisht të blejnë makineri përpunuese që kushtojnë deri në 1 milion euro, prandaj në këtë situatë kërkojnë të ndihmohen nga shteti. Në këtë periudhë, disa kompani që operojnë prej 27 vitesh, po vuajnë edhe vonesat e pagesave deri në 3 muaj, pasi bizneset partnere në SHBA dhe Europë po punojnë online. Më të dëmtuarit nga ky fenomen pritet të jenë eksportuesit e vegjël.
Rritja e eksporteve
Filip Gjoka, Kryetar i Shoqatës së Bimëve Mjekësore dhe Aromatike, deklaroi për “Monitor” se arsyet e rritjes së eksporteve të bimëve medicinale në pandemi janë: përdorimi i tyre nga kompani ndërkombëtare farmaceutike për ilaçe kundër COVID-19 dhe shtimi i kërkesës në tregjet europiane nga SHBA, për shkak të ndërprerjes së marrëdhënieve me Kinën. Sipas të dhënave të shoqatës, vetëm eksportet e bimëve mjekësore u rritën 7,5% në 9-mujorin e 2020 krahasuar me një vit më parë.
“Shumë kompani të mëdha farmaceutike në botë i kanë kthyer ambientet e tyre në laboratorë kërkimesh për gjetjen e medikamenteve për kurimin e COVID-19 dhe të vaksinës. Një pjesë e bimëve që ne eksportojmë, po përdoren për luftën kundër koronavirusit. Rritja e kërkesës është ndikuar edhe nga acarimi i marrëdhënieve të Kinës me SHBA, dhe një pjesë e mirë e tregjeve të këtij të fundit i janë drejtuar Europës dhe vendit tonë për bimë medicinale”, thotë Gjoka.
Edhe sasia e bimëve të mbledhura këtë vit ishte më e lartë se vjet, madje në pikat e grumbullimit u krijua stok. Gjergji Qose, administrator i kompanisë eksportuese “Gjedra”, shpjegoi se kjo ndodhi pasi shumë banorë të zonave rurale, në pamundësi për të siguruar të ardhurat me punë bujqësie jashtë vendit, u detyruan të punojnë në Shqipëri. Z. Qose pohon se kërkesa është e lartë nga shumë shtete, të cilat po i magazinojnë produktet medicinale edhe për 2021.
Kompania “Gjedra” eksporton 150 lloje artikujsh në Gjermani, Francë, Spanjë, SHBA, Koreja e Jugut, Itali etj. “Vetëm në Gjermani eksportuam 150 tonë murriz, e cila është lënda e parë në prodhimin e ilaçeve të zemrës. Kërkesa ka pasur edhe për boronicën që përmban vitaminën C dhe sherebelën që lufton 10 sëmundje dhe përdoret kundër virozave. Në total, në vitin 2019, eksportuam 2,500 tonë bimë mjekësore”.
Sipas administratorit të kompanisë “Albanian Herb”, Kujtim Zere, kërkesa më e lartë ishte për bimët e çajit. Edhe për të, sasia e bimëve të grumbulluara këtë vit ishte shumë më e lartë se në 2019. “Mbyllja e kufijve rriti volumin e grumbullimit të bimëve, pasi shumë individë që siguronin të ardhurat me punë bujqësi në shtetet fqinje, këtë vit punuan në Shqipëri. Avantazh për ta ishte se mbledhja e bimëve mjekësore mund të kryhet në çdo stinë dhe është burim i sigurt për të jetuar”.
Gjatë kësaj kohe, kërkesa më e lartë nga tregjet e huaja ishte për sherebelën. “Kjo është bima më e kërkuar, e cila vazhdon të ruajë trendin rritës në eksporte edhe në këtë periudhë pandemie, më pas është balsami, rrënja e zezë, shtogu, boronica, e cila po përdoret gjerë edhe nga konsumatori vendas. Vihet re rritje e konsumit të bimëve që përdoren për çaj për shkak të COVID-19. Në përgjithësi, trendi i eksporteve është pozitiv.
Parashikojmë që në total, për 2020, eksportet të arrijnë vlerën e 50 milionë dollarëve, apo 5 milionë dollarë më shumë sesa vjet. Për ne, ky nivel eksportesh konsiderohet sukses, duke marrë parasysh pengesën e hasur nga fermerët në tre muaj karantinë për mbledhjen e këtyre bimëve dhe mungesën e investimeve në përpunim”, nënvizoi Kryetari i Shoqatës.
Vonesat e pagesave
Pandemia nuk ndikoi as tek aktiviteti i kompanisë “Gjedra”. Të ardhurat në qershor të 2020 ishin në të njëjtat nivele si një vit më parë. Edhe për periudhën korrik-tetor, eksportet mbetën në të njëjtat vlera si në 2019. Të vetmen vështirësi që kompania hasi në këtë periudhë ishin vonesat deri në tre muaj të pagesave për produktet e eksportuara, veçanërisht nga partnerët amerikanë.
“Ne bashkëpunojmë me 10 kompani të SHBA-së, por nëse kontrollon online veprimtarinë e tyre, 7 prej tyre janë përkohësisht të mbyllura. Këto kompani janë duke punuar online. Puna në distancë u ka krijuar probleme te shitjet me klientët. Ky është më shumë një problem i kompanive jashtë sesa për ne. Te kompanitë e reja, vonesat e pagesave mund të çojnë drejt falimentimit, ndërsa për ne që jemi të konsoliduar dhe operojmë në treg prej 27 vjetësh, po arrijmë ta përballojmë këtë dukuri”.
Shansi i humbur
“Nëse do të kishim kapacitete përpunuese më të thella, eksportet do të shënonin rritje dyshifrore. Kina, me të vërtet ka cilësi të dobët të bimëve medicinale, por përpunimin e kryen më të thellë dhe shumë herë më të mirë se ne. Kompanitë në vendet e rajonit kanë kryer shumë investime për përpunimin e bimëve, por nuk gëzojnë avantazhet dhe mundësitë e Shqipërisë në grumbullimin e bimëve të çajit. Pavarësisht këtyre problemeve, ne po përpiqemi të mbulojmë hapësirën e krijuar në tregjet e huaja”.
Kërkesat e industrisë
Në tërësi, në këtë periudhë, industria shënoi rritje të eksporteve, por humbi mundësinë “e artë” për të shfrytëzuar hapësirat e krijuara në tregun europian dhe më gjerë të bimëve mjekësore. Kryetari i shoqatës, z. Filip Gjoka, thotë se nëse kompanitë do të ishin ndihmuar për të kryer investime më të mëdha, siç ka ndodhur me ato të rajonit, eksportet do të ishin edhe më të larta.
“Nëse do të kishim kapacitete përpunuese më të thella, eksportet do të shënonin rritje dyshifrore. Kina, me të vërtet ka cilësi të dobët të bimëve medicinale, por përpunimin e kryen më të thellë dhe shumë herë më të mirë se ne. Kompanitë në vendet e rajonit kanë kryer shumë investime për përpunimin e bimëve, por nuk gëzojnë avantazhet dhe mundësitë e Shqipërisë në grumbullimin e bimëve të çajit. Pavarësisht këtyre problemeve, ne po përpiqemi të mbulojmë hapësirën e krijuar në tregjet e huaja”.
Gjatë pandemisë, përfaqësuesit e industrisë kuptuan më së miri, se ky sektor ka nevojë të marrë një standard të ri zhvillimi, nëpërmjet kryerjes së investimeve për përpunimin e bimëve. “Këto investime nuk mund të realizohen nga operatorët, pasi janë të kushtueshme dhe për këtë kërkohet mbështetje nga qeveria apo nëpërmjet donacioneve të Bashkimit Europian. Për përfitimin e fondeve nga programet e BE-së, industria jonë është më e goditura për shkak të kufizimit të mbështetjes vetëm për kompanitë me qarkullim vjetor deri në 2,4 milionë euro në vit.
Kompanitë që kalojnë këtë prag të xhiros nuk përfitojnë grantet nga projektet e financimit nga IPARD të Bashkimit Europian. Masa është vendosur para 7 vitesh nga qeveria, pasi sipas një studimi të kryer prej tyre, bizneset me xhiro mbi 2,4 milionë euro konsiderohen të zhvilluara dhe nuk kanë nevojë për grante. Ndërkohë që industri, si përpunimi i qumështit, mishit dhe fruta-perimeve nuk kufizohen në përfitimin e ndihmës deri në qarkullimin vjetor prej 9 milionë eurosh”.
Duke qenë se skemat mbështetëse të qeverisë në vitet e fundit kanë qenë shumë të ulëta për këtë industri dhe për vitin 2021 nuk parashikohet asnjë ndihmë sipas kryetarit të Shoqatës të Bimëve Mjekësore dhe Aromatike, prej tyre kërkohet rritje e pragut të xhiros për të përfituar fondet e BE-së, të cilat do të ndihmonin financimin deri në 80% për blerjen e makinerive përpunuese.
“Ne kërkojmë rritjen e pragut të xhiros deri në 12 milionë euro për 7 vitet e ardhshme, për të përfituar nga këto grante, siç është në Maqedoni apo vendet e tjera të rajonit. Nëse pragu i lejuar i qarkullit për grante nga BE-ja do të rritet, industria mund të përfitojë nga hapja e thirrjes të programit IPARD III në 2022, pasi me hapjen e thirrjes të tretë të IPARD II, ne u penalizuam sërish.
Prandaj është e domosdoshme që qeveria të ulet në bisedime me kompanitë për këtë ndryshim, pasi kjo do t’i ndihmonte operatorët për të kryer investimet në blerjen e makinerive përpunuese me vlerë deri në 1 milion euro. Në këtë sektor janë të punësuar me mijëra njerëz në zonat rurale dhe investimet janë të domosdoshme, pasi nëse kultivimi i bimëve mjekësore nis në muajin tetor, grumbullimi i tyre, i cili bëhet në korrik, përkthehet në para.
Pikat e grumbullimit të kompanive aktualisht janë plot me bimë, por edhe në rast se operatorët shfaqin interes për rritje të eksportit, fermerët janë të gatshëm të vënë tokat e tyre në dispozicion për kultivim. Duhet theksuar se një pjesë e tyre nuk shiten dot, pasi janë me pesticide, të tjera janë të papërpunuara”.
Kryerja e investimeve në makineritë përpunuese konsiderohet e domosdoshme për këtë industri, edhe për eksportuesin e kompanisë “Gjedra”, i cili operon në Berat. Zoti Qose thotë se, ndër vite, ka investuar 1,5 milionë euro dhe nuk ka marrë asnjë ndihmë nga shteti, pasi sytë e qeverisë janë për oligarkët.
“Parashikojmë të kryejmë investime të tjera për nxjerrjen e produktit final të çajit në bustina, pasi gradualisht do të tentojmë të hyjmë në tregun europian me këtë produkt ‘Made in Albania’. Synojmë edhe eksportin në tregun amerikan, por sfidat janë të mëdha, pasi kompanitë partnere atje janë themeluar që në vitin 1851. Jemi shumë larg tyre dhe për ne është e nevojshme të investojmë për rritjen e standardeve të përpunimit.
Nga shteti nuk kemi pasur asnjë ndihmë dhe nuk kam ndër mend të kërkoj mbështetje, pasi shoh se nuk janë eksportuesit në vëmendje të qeverisë, por oligarkët. Nëse sot 20% e bimëve arrin të përpunohet dhe 80% e tyre del e papërpunuar duhet me patjetër ndihma e qeverisë që të paktën niveli i përpunimit të shkojë deri në 40%, në të kundërt sektori nuk do të ecë përpara”.
Efekti i rënies në 2021 te bimët aromatike
Kompania “Albanian Herb”, e cila ndodhet në Shkozet në Durrës, është e njohur për partneritetin e saj me një ndër kompanitë më të mëdha turke për eksportin e rigonit dhe të sherebelës. Kujtim Zere, përfaqësues i saj, thotë se për momentin, COVID-19 nuk dha efekt tek eksportet që vijojnë të jenë në nivelet e një viti më parë. Ai parashikon rënie të eksportit të bimëve aromatike në 2021.
“Efektet pritet të ndihen vitin tjetër, pasi është rreziku i rënies së shitjeve të bimës së sherebelës dhe rigonit në restorante, për shkak të uljes së frekuentimit nga koronavirusi. Mendoj se këto humbje do të kompensohen nga shitjet për konsumatorin familjar, të cilat pritet të rriten, për shkak të konsumit më të lartë të ushqimit në shtëpi. Për bimët mjekësore, kërkesa shfaqet e ndryshme në periudha të vitit”.
Puna për grumbullimin e bimëve, edhe për këtë kompani eksportuese është e organizuar me fermerët. Para se të blihen nga fermerët, produktet kontrollohen në pikat e grumbullimit, por edhe pasi vijnë në fabrikë për pesticide.
Të ardhurat e kompanive eksportuese
Eksportet e kompanisë “FilipCo”, sipas përfaqësuesit të saj Filip Gjoka, aktualisht janë 45% më shumë se vjet, për shkak të rritjes së kërkesës nga SHBA, Australi dhe Zelanda e Re, investimeve afatgjata ndër vite dhe besueshmërisë së krijuar në tregjet e huaja. Në vitin 2019, të ardhurat e kompanisë ranë 6,5% krahasuar me 2018, sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit.
Në 2019, edhe të ardhurat e kompanisë “Gjedra” u tkurrën me 9% krahasuar me një vit më parë, ndërsa fitimi u rrit vetëm 1%. Përfaqësuesi i kompanisë Gjergji Qose parashikon që për këtë vit, të ardhurat të jenë sa një vit më parë, duke marrë parasysh vështirësitë gjatë karantinës me bllokimin e lëvizjeve me jashtë.
Kompania “Albanian Herb” për 2019 i rriti të ardhurat 28% dhe fitimin 22% më shumë se në vitin 2018. Përfaqësuesi i saj, Kujtim Zere, theksoi se deri tani janë ruajtur të njëjtat vlera eksportesh si një vit më parë. Rritje shënuan edhe të ardhurat e kompanisë “Agrogerbal” me rreth 22% dhe “Herba Fructus Natyror” në 35%. Sipas të dhënave të QKB-së, rritja më e madhe e të ardhurave u shënua për kompaninë “Ballenja” në Dibër me 96% krahasuar me 2018. Në vitin 2017, kompania nuk realizoi asnjë shitje./Monitor
Will someone write my paper for me writemypaperbuyhrd.com who can write
my paper for me