Jetoni nuk arriti t’i mësojë të gjitha shkronjat në Abetaren e re.
Valmirin e prisnin dhe shumë lodra të reja të cilat nuk arrijti t’i kapë kurrë më me dorën e tij të njomë.
Gentianës ja prenë buzëqeshjen në buzë në rrugën e pakthim ku iku tok me nënen…
Dituria e vogël pesëjavëshe e gjetur pas dy dite e larë në gjakun e nënës, nuk deshi të rritej pa përkëdheljet e saj…
Mendohija, Antigona, Mihanja…
Sa vaj dhe lotë mbuloi Lagjën Delijaj të Abrisë së Epërme, gjatë ofensivës serbe në Shtatorin e vitit 1998!
-Fragmente nga Libri im “Abria e stinës së armëve”-
…Kah mesi i Korrikut, 1998, armata jugosllave dhe policia serbe filluan një ofanzivë të përgjithshme kundër UÇK-së. Ajo, pothuaj kishte humbur kontrollin, sipas një vlerësimi, në mbi një të tretën e territort të Kosovës. Ofansiva që shoqërohej nga artileria e rëndë , tanket, forcat ajrore, pati efekt të lartë në detyrimin e forcave të UÇK-së për t’u tërhequr nga shumica e pozicioneve të tyre drejt maleve mes drunjësh.Dhe në fund të kësaj ofanzive , vetëm pak luftëtarë të UÇK-së u vranë apo u zunë rob. Vuajtjet më të mëdha i përjetoi popullata civile shqiptare, që jetonte në zonat e luftimeve.Më shumë se dyqind fshatra janë shkatërruar dhe së pakut 300 mijë njerëz kanë mbetur pa strehë. Shumica e më se 2000 të vrarëve gjatë shtatorit janë civilë…
Në arën përmbi shtëpi kisha ngritur një kabinë telefoni dhe aty ishte një pikë kontakti me botën i luftarëve të lirisë, qindra e qindra të strehuarëve në Abri nga fshatrat e ndryshme të Klinës, Skënderajt, Gllogovcit, Malishevës…”Murrizi” shpesh kishte folur me Lenditën, vajzën e tij në Holandë, pastaj Shkupi…të mos flasim për ushatarët tanë këtu. Vesel Demaku, Afrim Hajdaraj, Xhevat Demaku, Bekim Hysenaj…E mbajta këtë telefon deri atëherë , kur u bë e pamundur të sigurohej koha njëmujore e lidhjës. E gjykoja më të rëndësishme nevojën e njerëzve për të kontaktuar me botën dhe njerëzit më të afërm se sa akuzat që nesër do të mi bënte dikush se atë kam mundur ta përdor për qëllime tjera, i vetdijshëm se nuk do të mungojnë ato sepse nuk mungojnë as ata që kërkojnë të ngritën duke likujduar e njollosur tjerët. Ymer Deliu, një burrë i të tridhjetave, që kishte humbur familjen e tij; nënën, gruan, fëmijtë, vëllaun dhe shumë të afërm tjerë, të therrur e masakruar në pyllin pranë lagjës së tyre, priste t’i bënte një thirrje telefonike babait Salihut në spitalin e Prishtinës, ku po shërohej tash e sa kohë. Ai qëndronte i fortë dhe mbahej si burrë i vërtetë. Shumë herë kisha thënë me vete: “Zot, mos provo askend më në këtë mënyrë!”. Para një akti të tillë do të humbej secili, por jo edhe Ymeri. Ai me pjekuri logjikonte gjithë këtë ngjarje tronditëse dhe fatin e tij tragjik e kuptonte si fat të secilit në Kosovën e atyre ditëve. Ai rrëfente se si familjet e tyre kishin përjetuar për herë të dytë këtë ofansivë të egër serbe; njëherë në Fushë Mollë, rrënzë Qyçavicës. Pastaj ishin kthyer në shtëpi, duke u futur përseri në zonën e re të kësaj ofansive serbe kundër Drenicës.Ai u përmbajt edhe në bisdë me babain, i cili nuk dinte asgjë për atë çfarë kishte ndodhur në familjen e tij. Ai e pyeste për të gjithë antarët e familjës me radhë, ndërsa Ymeri i përgjigjej pa i dhënë as më të voglin dyshim se diçka tragjike ka mundur të ndodhë me ta. E dëgjova mirë kur Salihu e pyeti për Jetonin se si ishte dhe a po kujdesej per delet. Jetoni ishte djali i madh i Ymerit, poashtu i masakruar para pak ditësh.”Po babë po i ruan dhetë shumë mirë!”, ia ktheu Salihut me të njejtën gjakëftohtësi.O, zot! Unë nuk jam gur! Le të më akuzojë kushdo, për çfarëdo, kriminelët veq të akuzojnë dijnë, por në zemër mu krijua një gur i rënd, i rënd sa bjeshka. Nuk munda ta ndrydh më. Ika mbrapa kabinës të shfryhem në vaj, duke bërë përpjekje të mos bij në provim para qëndrimit burrëror të Ymer Deliut.Pranoj se kësaj radhe nuk u përmbajta dot, derdha lotët e parë …
Rrëfimi i Ymer Deliut
Ymer Delijaj kisht humbur dhjetë antarë familje: nënën, gruan, vëllaun dhe kunatën dhe djaline tyre Valmirin, pastaj femijtë e tij…)
Të hënën, më 28 shtator 1998, nga Lagja e Strumcakëve u nisëm bashkë me Afrim Hysenajn drejt lagjës sime (Deliu). Kur iu afruam rrugës Abri-Likoc pamë një tendë najlloni, që në atë mëngjes të hershëm e plotë mjegull na u duk sikur tankë armike. Afrimi më propozoi të kthehemi, por isha i vendosur të vazhdoj rrugën. E luta atë të kthehej dhe të mos rrezikojë asgjë shkaku im, por ai nuk më la vetëm, kur e pa vendosmërinë time që me çdo kusht të vazhdoj rrugën. E ndërruam pak drejtimin dhe nja njëqind metra para se të ndahemi me Afrimin vërejmë një person në pyell. E detyrojmë të ndalet. Ishte kushëriri im Bashkim Deliu, i paarmatosur dhe me të meta fizike (çalon në njëren këmbë). Ai kishte qëndruar në lagjë, shkaku i babait të vjetër dhe të paaftë për të lëvizur nga shtëpia. Tash kisha shoqëruesin dhe me Afrimin u përshendetëm. Bashkë me Bashkimin vazhduam rrugën drejt lagjës sonë. Para se të hyjmë në lagjë kemi hasur në gjurmë të shumta lufte. Përplotë gëzhoja armësh këmbësorie, por edhe topash e tankesh, sanduçe municioni të zbrasta, karikatorë fishekësh dhe të mos flasim për lloje të ndryshme ushqimesh të konzervuara, që kishin përdorur armiqtë nëpër pozicionet ku kishin qëndruar, por askund nuk pamë ndonjë trup të tyre. Ngadal po futeshim në lagjën tonë dhe atë pranë shtëpisë sime.Te dera e oborrit një kufomë seç e theu “qetësinë” time shpirtërore. Vrapoi drejt saj dhe ishte Ademi, vëllau i im. Një gurë i rëndë më rëndoi në krahëror, por u përmbajta, sepse “duhej kursyer veten nga të papriturat që do të vijnë pastaj”! Ademi ishte qëlluar me rafale automatiku në kokë dhe trup. Kufomën e tij e futa brenda oborrit, sepse filloi të bjerë shi e nuk mund ta lija vëllaun jashtë. Bashkë me Bashkimin nisemi dretj shtëpisë së tij të bërë shkrumb e hi ashtu si të gjitha shtëpitë tjera. E brenda në shtëpi ishte djegur edhe plaku nëntëdhjetekatërvjecar, Fazli Deliu. Vetëm eshtrat i dalloheshin ende deri në gjunj, përndryshe trupi i tij ishte djegur në tërësi. Nuk prekëm asgjë dhe s kishim as çka të bëjmë në gjendjën në të cilën ishte tash kufoma e Fazliut. Jemi nisur drejt vendit ku ishin strehuar familjet dhe në rrugë prap edhe një kufomë. Ishte kufoma e Zeçir Deliut e bërë shoshë nga plumbat. O zot, sikur ta dija se kjo ishte vetëm uvertyrë në tragjedinë që ishte luajtur këto ditë në zabelet tona. Vazhdojmë më tutje dhe kufoma e katërt; Ali Deliu i shtrirë në shpinë. E kishin prerë në fyt me thikë dhe thikën i kishin vendosur në krahëror. I hoqa thikën dhe e rrotullova trupin e tij. Në kokë kishte plagë të shkaktuara nga një goditje e fortë.. Kufomën e ktheva në gjendjen e mëparme dhe vazhdoj drejt tendave. Aty hasëm dy kufoma të reja; të mixhës Pajazit dhe gruas së tij Havës. Në kufomën e Pajazitit nuk vërejta goditje plumbi, por koka e tij ishte çarë nga pas dhe trutë iu kishin derdhur në shtrojë pranë kufomës, brenda në tendë. Gjashtë-shtatë metra larg tendës ishte kufoma e Havës e cila kishte njëren këmbë të këputur nën gju, kishte shumë plagë në trup dhe veçanarisht një plagë të madhe në kokë, që ka mundur pastaj të jetë rezultat i ndonjë eksplodimi.Sido që të jetë ajo ishte tortuaruar rënd. Pasi binte shi e thërras Bashkimin të më ndihmoj për ta futur kufomën brenda në tendë, por Bashkimi si dukej kishte humbur fuqinë nga pamjet rrënçethëse që kishte parë dhe ishte trishtuar pa masë. Nuk kishte forcë të bëj asgjë. E tërhoqa zhagas kufomën deri në tendë.Vazhdoj rrugën në kërkim të familjës sime. Personi tjetër që do të takoj është Jetoni, djali im i madh! Ishte i shtrirë në krahun e djathtë dhe dorën e kishte futur nën kokë.Dora tjetër e zgjatur dhe ora që shkelqente në të, sikur më ofronte këtë orë ta kem kujtim për jetë prej tij. Sa shpesh sot bota u shemb nën këmbët e mia, por kësaj radhe hendeku ishte tepër i madh. E shikoj orën në dorën e tij dhe ajo ende po tregonte kohën. Ishte heret 5:49 minuta.”Do ta mbaj tërë jetën këtë orë, biri im!”, i premtova me zë, sepse nuk kisha çfarë të bëja tjetër, duke i rënë fytyrës, sipas traditës.”Gjaku yt u pagoftë me lirinë e këtij dheu!”Në kokë kishte plagë të rënda; nofullën e poshtme dhe dhëmbët e thyer, pastaj veshin e djathtë të prerë si dhe kokën në anën e djathtë të çarë, poashtu edhe në krahëror kishte një plagë të hapur…
Harrova të theksoj se tri dardha i kisha në xhepa dhe ato i kisha ruajtrur për nënën time. Si fëmijë më kishte mbetur zakon, që sa herë gjeja ndonjë pemë të mirë e ruaja për nënën time dhe edhe tash kur armën e kam në krah dhe mund ta quaj veten kogja burrë, prap para nënës ndjehem fëmij. Prap kisha gjetur dardha të mira për të…por janë dardhat e para që nëna nuk iu gëzua, kur ia ofrova.Nëna ishte goditur në kokë dhe këmbën e majtë. E përgdhela me respektin e fëmijës për nënën dhe …asgjë nuk mbaron as me personin më të dashur në jetën time. Mbështetur për shpinës së nënës ishte kufoma e kunatës, Luljetës, gruaja e vëllaut Enverit. Ishte goditur në kokë, njësoj si nëna, vetëm se kjo ishte goditur në anën e majtë të kokës. Luljeta ishte në muajin e fundit të shtatëzanisë dhe motra Havë para katër pesë dite e kishte pagëzuar foshnjën e palindur Malësor ose Malësore, për të përkujtuar vuajtjet tona nëpër male.Aty afër ishte edhe kufoma e Mirit, shpiritit të Bacit- djali i vëlla Ademit, Valmir Deliu. Kishte plagë të shumta në trup dhe ishte përgjakur i tëri. “Cuclla” i kishte mbetur varur në qafë…I afrohem shoqës sime Lumnijës. që ishte e shtrirë në krahun e djathtë, ndërsa pas shpine kishte vajzën Menduhijën, kurse para vetës mbante Diturien gjashtëjavëshe.. Të triat i pashë të vdekura. Së pari e rrotullova kufomën e vajzës Menduhies. E kam dashur shumë atë! Kishte dy goditje, njëra nën veshin e majtë dhe tjetra pak nën fyt. Pastaj i kap dorën Lumnijës dhe ia largoi nga Dituria. Foshnja, sikur nuk i pëlqen veprimi im dhe më bëhet sikur lëviz pakëz sytë. Përpiqet ti hap, por nuk ia arrinë. E kap pastaj Diturien dhe e dërgoj te tenda ku qëndronte Bashkimi, duke qajtur dhe i them se fëmija është gjallë.E lus të më sjell pak qumshtë që kishin lënë kriminelët serbë përreth. Ia pastroj gojën e mbushur përplot gjak foshnjës, sigurisht ishte gjaku i derdhur i nënës së saj dhe ia ofroj qumshtin. Ajo fillon ta pijë atë. E xhvesha ashtu nëpër shi të shoh se mos kishte ndonjë plagë në trup, por jo. Ajo nuk kishte asnjë shenjë në trup.Pastaj atë do t’ia lë në prehër Bashkimit, për t’u kthyer sërish te shoqja ime, Lumnija., trupi i saj ishte dëmtuar në gojë dhe krahëror e supë të krahut. Jo fort larg qëndronte e shtrirë kunata, Mihanja, gruaja e Ademit. Ajo ishte goditur në shpinë dhe plaga ishte shumë e madhe, sa që edhe orgnaet e brendshme duket sikur kishin dalur jashtë… Pastaj edhe dy kufoma tjera të Donjetës dhe nënës së saj Zahides. Donjeta kishte një goditje të rëndë në kokë nga pas ndërsa Zahidja, poashtu ishte goditur në kokë dhe trutë i kishte të nxjerrura jashtë…Gjashtëmbëdhjetë vdekje qëndronin rreth nesh, ndërsa gjashtë tjera do të zbulohen më vonë: Habibi, Hyseni, Antigona, Mihanja. Pastaj Sherifi, që do të konsiderohet i zhdukur deri më, 29 mars 1999. I plagosur rënd , gjatë kësaj masakre kishte ikur dhe pastaj kishte vdekur në Zabelin e Hysenit. Hajrizi do të jetë kufoma e njëzetë e dytë e kësaj masakre…
Vetëm liria e vërtetë në Kosovë do të shpaguaj këtë gjak të derdhur !
Komentet