“Vendi im, o vendi im!
Një zë i lartë,
Një fjalë e shtrenjtë…”
Sokol Demaku(“Mbrëmja në mërgim”).
1.
Ka ardhur shpesh herë Sokol Demaku në Tiranë. Jo vetëm, por me drejtues, mësues dhe nxënës të shkollës suedeze “Fjardingskolan”, ku ai është mësues prej vitesh. Ka ardhur edhe me poetë e shkrimtarë suedezë, si dhe me bashkëkombës shqiptarë me banim në Suedi. Gjithnjë fjalë ëmbël e i qeshur, energjik e gjithë gjallëri, ai vjen në Shqipëri mes njerëzve të dashur që e respektojnë dhe e duan për vlerat dhe karakterin, për mirësinë, talentin dhe kulturën…
S.Demaku, A.Ekelund, S.Persson, P.Kettisen
Bashkë me Sokolin ndihen mirë edhe miqtë dhe kolegët e tij suedezë, rektori i shkollës “Fjardingskolan” të qytetit të Borasit, Per Kettisen, zëvendës-rektorja Anette Ekelund, mësuesja Sonja Persson… Tashmë ata janë bërë si të shtëpisë, njihen me emër me të gjithë mësuesit e shkollës “Demokracia” të Durrësit, me qytetin e Durrësit, me kulturën, historinë dhe njerëzit e tij. Ashtu dhe me kryeqytetin, Tiranën…, por edhe me shumë mësues, intelektualë, poetë, gazetarë, shkrimtarë; me nxënës, drejtues institucionesh arsimore, kulturore, artistike…Janë të shumtë ata që kanë njohje miqësore dhe kujtime të përbashkëta me Sokolin dhe kolegët e tij suedezë. Mburren me miqësinë që kanë me ta. Mburrem edhe unë. U detyrohem këtyre njerëzve zemër bukur e me botë të pasur.
Foto pas një takimi mbresëlënës,Tiranë 2011
Ishin këta që më lidhën ngushtë me Suedinë dhe suedezët, edhe letrarisht, sepse, që në takimin e parë vendosën që libri im Bubulinoja të përkthehet në gjuhën suedeze. E mbaj në kujtesë gjithnjë të freskët atë takim, kur, biseda e planifikuar vetëm 30-40 minuta, i kaloi dy orë, teksa ne vijuam e folëm si miq të njohur prej vitesh pa e ndjerë kohën që kalonte, bashkëbiseduam lirshëm e me çiltërsi, kurse mendimet tona harmonizoheshin aq bukur e këndshëm. Rektori Kettisen, suedezi që di të respektojë aq mirë e me kulturë bashkëbiseduesit, kolegët, nxënësit dhe shqiptarët, në tavolinën e zyrës së tij, mban me krenari bustin e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeut…Kettisen mirëpret me ngrohtësi delegacione mësuesish e nxënësish nga Shqipëria, poetë, shkrimtarë, artistë, jep pa kursim përvojën e tij dhe të shkollës që drejton, ku fliten më se 30 gjuhë të huaja e ku mes të tjerëve mësojnë edhe mbi 60 nxënës shqiptarë…Nga ai mësova se stema dhe monumenti i parë i qytetit të tij të Borasit janë gërshërët…,teksa edhe babai im ishte rrobaqepës dhe, gërshërët ishin në shtëpinë tonë mjeti më i dukshëm, me ato gërshërë ushqehej familja jonë…Sigurisht që ishte një rastësi kjo koincidencë e familjes sime me stemën e qytetit suedez të Borasit, i cili njihet ndryshe edhe si qyteti i tekstilit…,ndërkohë që, unë, në raste kur shkoj në Suedi apo kur takohem me miq suedezë, mbaj në kollare karficën me stemën e qytetit suedez të Borasit-gërshërët, e që e kam dhuratë nga Per Kettisen
Kur shkova për herë të parë në Suedi dhe zbrita në aeroportin e Goteborgut, më pritën Anette Ekelund dhe Sokol Demaku, e, aty, Anette më dhuroi një emocion të pa rrëfyer, më surprizoi kur më zgjati befas kopjen e parë të librit tim “Eh, more Bubulino!” të përkthyer në gjuhën suedeze. Ishin çaste që nuk do t`i harroj, sepse, tepër i emocionuar e përfytyrova librin tim, krahas fëmijëve shqiptarë, edhe në duart e fëmijëve suedezë…Bubulinoja po më nderonte, po fliste edhe suedisht…Surprizat, ato ditë dhe më pas, vijuan me mikpritjen në familjen e mrekullueshme suedeze Persson, në familjet mikpritëse shqiptare Demaku, Jashari, Zendeli…Vijuan me përurimin madhështor të Bubulinos, me vizitat në qytetin e Borasit, në shkollën “Fjardingskolan”, në bibliotekën e qytetit e universitet, në parkun zoologjik, vijuan me takimet emocionuese me mësues, shkrimtarë, gazetarë, nxënës, pedagogë…; me vizitat në kopshte dhe qendra sociale e kulturore, me vizita në Vimmerby-vendlindjen e shkrimtares së famshme suedeze Astrid Lindgren, me vizitat në Goteborg, Ulriceham, Öland…
Kanë mbetur vazhdimisht të fiksuara dhe mbresëlënëse në kujtesën time organizimet e shkëlqyera me siglën Qendra Kulturore Shqiptare “Migjeni”: festimet e përvjetorëve të pavarësisë së Kosovës, të themelimit të revistës, radios dhe televizionit “Dituria”, filmat dokumentarë për Kosovën, jetën dhe historinë e Shqipërisë, përurimet e librave dhe të ekspozitave të pikturës, festivalet folklorike befasuese me parada të kostumeve popullore shqiptare, me ngjyra magjepse, recitimet poetike, paraqitja e traditave të mikpritjes dhe të respektit njerëzor, traditat e besës, të fjalës së dhënë dhe ndershmërisë, këngët plotë ndjenjë dhe vallet me koreografi e bukuri të rrallë, që gjithnjë mirëpriten me entuziazëm nga banorët e qytetit të Borasit dhe qyteteve të tjera në Suedi e që, të gjithëve ne, na ngjallin gëzim, emocion e krenari…
Miqtë suedezë mes mësuesve të shkollës “Demokracia” të Durrësit
Kujtimet dhe përjetimet e mia janë libra të tërë për ato çfarë bëjnë bashkëkombësit shqiptarë në Suedi, veçanërisht kur janë të organizuar në shoqata kulturore, shoqata shkrimtarësh e artistësh…Të tre vizitat në Suedi i kam të shenjta në kujtesë, kurse mbaj gjithnjë ngrohtësisht në përfytyrim, mes vendasve suedezë dhe bashkëkombësve – tashmë qytetarë të Suedisë, drenicasin shtatlartë Sokol Demaku, mikun, poetin, organizatorin, njeriun me zemër të madhe e të bukur, që i organizon veprimtaritë me kulturë të lartë dhe përsosmëri dhe që, gjatë zhvillimit të tyre, gjendet ose pranë qendrës së zërit, video-projektorit apo lëviz gjithandej i preokupuar që gjithçka të shkojë mirë sipas planit, gjithnjë duke nderuar e respektuar buzagaz pjesëmarrësit që ndjekin veprimtaritë shqiptare me entuziazëm …
2.
Vizitat dhe takimet që Sokol Demaku dhe miqtë e tij suedezë e bashkëkombës shqiptarë zhvillojnë në Shqipëri, në shkolla e universitete, në mjedise krijuesish, në biblioteka, në qendra sociale-kulturore e shkencore, e në mjedise të tjera plotësojnë bukur programin e tyre të ngjeshur dhe me orare fiks, gjithnjë me punë intensive dhe qëllim-mira, duke bashkërenduar e ideuar plane krijuese, duke pasqyruar arritje dhe probleme të shkollës, të kualifikimit të mësuesve, të rritjes së standardit të teksteve mësimore, por edhe probleme të letërsisë dhe të artit bashkëkohor.
K.Meniqi, V.Kona, P.Lovberg, K.Tarelli,
T.Elfrom, S.Demaku, P.Kettisen
Durrës,2014
E, që të gjitha këto, vijojnë me veprimtari të përbashkëta kulturore, artistike e folklorike, vijojnë me konkurse, sofra poetike, botime librash e festivale, me synimin për të mbajtur gjallë lidhjet dhe kulturat e dy vendeve mike, teksa, Sokolin, e shoqëron vazhdimisht meraku që të shpjerë gjithnjë të freskët në vendin ku ka emigruar, në Suedi, gjuhën dhe kulturën shqiptare, traditat dhe folklorin e pasur, veçoritë, cilësitë e virtytet më të mira dhe më të shkëlqyera të vendit tonë të trashëguara ndër shekuj, sikurse, edhe risitë dhe arritjet më të mira të krijuesve shqiptarë në letërsi, koreografi, folklor, pikturë e muzikë… Sokoli e di mirë se populli ynë mbanë brenda vetes pasuri të jashtëzakonshme vlerash kulturore, por, ai di gjithashtu se mënyra më e mirë e njohjes së tyre është demonstrimi, propagandimi dhe pasqyrimi, shfaqja e tyre në mjedise popullore e qytetare, gjithnjë duke i prezantuar e paraqitur ato në mënyrë praktike e konkrete, të bukura, të freskëta, me përmbajtje të shëndoshë dhe mbresëlënëse.
Sokoli dhe, komuniteti që ai përfaqëson, vjen më së shpeshti në Shqipëri, thuajse çdo muaj, edhe me revistën emër-ndritur “Dituria”, që ka jehonë e përhapje të gjerë në diasporën shqiptare, vjen me valët e radios zë ëmbël “Dituria”, me dritaren e kaltër të TV “Dituria” e, nëpërmjet tyre, sikur na thotë se, ndonëse larg, ata do ta ruajnë dhe do ta mbajnë të gjallë gjuhën e ëmbël shqipe, vlerat kombëtare, traditat, kulturën dhe zakonet, se do t`ua trashëgojnë ato vazhdimisht fëmijëve, të rinjve, brezave, duke i bërë kështu shërbime të çmuara kombit.
Revista “Dituria” Sokol Demaku, Hakif Jashari, Bahtir Latifi
Asnjëherë nuk i del koha Sokolit, ajo është kurdoherë e ngjeshur dhe e programuar me veprimtari mbresëlënëse dhe me vlerë, e këto, falë edhe bashkëpunimit me miq e shokë të shumtë, falë gatishmërisë, dëshirës dhe mikpritjes shqiptare për t`u qëndruar pranë vëllezërve tanë të shpërndarë sot nëpër botë…
3.
Atdheu ka forcë magnetike, nuk ka ndonjë forcë tjetër që ta konkurrojë dashurinë për atdheun, prandaj dhe, shqiptarët e mërguar atje jetojnë fizikisht, kurse mendjen e mbajnë në vendlindje, aty ku është prejardhja e burimi, aty ku janë rrënjët, ku merr forcë, energji e fuqi njeriu, kur rritet e zhvillohet…Teksa shkruaj këto radhë, dëgjoj zërin e Lukianit të madh kur thotë: “Është thënë qëkuri se “nuk ka asgjë më të ëmbël se atdheu. Dhe me të vërtetë, a ka gjësendi tjetër që të jetë jo vetëm më e këndshme, por edhe më e shenjtë, më e lartë se atdheu? Çdo gjë që njerëzit e quajnë të shenjtë dhe të lartë, atyre ua ka mësuar atdheu, sepse ky i lind, i rrit dhe i edukon. Shumëkush mund të mahnitet nga madhështia dhe fuqia e qyteteve të huaja, nga bukuria dhe shkëlqimi i ndërtesave të tyre, por, për të dashur, të gjithë duan atdheun. Shumëkush mund të jetë kënaqur-ndoshta edhe tej masës-duke soditur mrekulli të panumërta në vise të huaja, por askush nuk është verbuar aq shumë nga begatia e tyre, sa të harrojë atdheun e vet”.
Me shkrimtarë dhe artistë, Tiranë 2011 Mes lexuesve nën Shqipëri
Sokoli vjen në Shqipëri, Kosovë e trojet shqiptare edhe me botimet e tija të shumta në shqip, në prozë e poezi, me përkthimet që ai bënë nga suedishtja në shqip, botime këto që i prezanton mes lexuesve të moshave të ndryshme, në institucione dhe qendra social-kulturore, ashtu dhe duke dhuruar qindra libra në shkolla dhe biblioteka, duke u dhuruar miqve të tij të shumtë…
Libra të Sokol Demakut Një takim me delegacionin suedezë në Durrës
Ai nuk ndalet, ai është vërshues, mendon bukur dhe vepron bukur, shikon afër dhe larg, kurdoherë në rrugën e dritës, rrëfen në Shqipëri për punët që, me bashkëkombës të tjerë, bëjnë në Suedi, flet me nderim dhe dashuri për kujdesin, respektin dhe mbështetjen që u jep shteti i përparuar suedez….
4.
Sokoli e nisi me besim rrugën e vështirë, por jo të pamundur të përkthimit, që, siç thotë edhe vetë, e ka pasion dhe dëshirë të madhe. Deri tani ka përkthyer disa libra, vepra të shkrimtarëve të njohur suedezë. I ka prezantuar ato te suedezët dhe te bashkëkombësit e tij, por edhe në Shqipëri, Kosovë e në troje të tjera shqiptare. Ato vepra janë mirëpritur, për to janë zhvilluar diskutime dhe bashkëbisedime me lexues, mësues, studiues e kritikë të artit e letërsisë, të cilëve u është dhënë një mundësi e çmuar për të njohur më mirë dhe më gjerë vlerat e letërsisë dhe kulturës skandinave…
Suedezët, të vëmendshëm dhe me kulturë të lartë, dinë ta vlerësojnë njeriun e mirë dhe të ditur, njeriun që aspiron paqe dhe kulturë, përparim dhe zhvillim, duke e nxitur për të ecur më tej në rrugën që ai ka pasion, rrugën e letërsisë dhe të përkthimeve, të organizimit dhe menaxhimit të veprimtarive shumëplanëshe kulturore, artistike, folklorike, të traditës…Si rrjedhojë e punës së madhe cilësore dhe voluminoze, Sokol Demakun e pranuan anëtar të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve Suedezë, ndërkohë që, ai, jep një ndihmesë të veçantë në punët e shumta letrare artistike të Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Papa Klementi XI Albani” Suedi, ku kryen edhe detyrën e anëtarit të Kryesisë së kësaj shoqate të njohur për veprimtaritë e saj në Suedi dhe kudo në mjediset shqiptare nëpër botë…Veprat e saj dritë-arta “Thesari Kombëtar” 1, 2, 3, 4, kanë ndihmesën e mbështetjen shkrimore edhe të shqiptarëve të qytetit suedez të Borasit, të Qendrës Kulturore Shqiptare “Migjeni”, të revistës, radios dhe televizionit shqiptar “Dituria”…
5.
Gjithnjë befasues. Mendja e Sokolit prodhon surpriza e veprimtari që i ndihmojnë traditës, artit, kulturës, krijimtarisë, bukurive të jetës.
Prej disa vitesh, ai me kolegë ka organizuar “Sofrën Poetike”, por kësaj here ka ofruar edhe një botim surprizë për pjesëmarrësit që do të paraqiten në këtë Sofër me krijimet e tyre poetike, një botim që do të jetë një kujtim i bukur, shprehje e respektit për ta, por njëherazi edhe vlerësim për krijuesit që shpalosin ndjenjat dhe mirësitë e shpirtit të tyre të vyer për ta bërë jetën më të bukur, për t`i dhënë asaj më shumë kuptim
Komentet