Nga Elisabeta Ilnica
Pjesa e dytë
Ka qenë vetëm 16 vjeçe, kur e kanë pranuar anëtare të Komitetit Qarkor të Rinisë Komuniste të Tiranës, pra edhe të Rinisë Antifashiste. Ndërsa një vit më pas, iu besua drejtimi i të gjithë rinisë së kryeqytetit. Në moshën 18-vjeçare, u zgjodh anëtare e Komitetit Qendror të Rinisë Komuniste të Shqipërisë dhe pak më pas, u gjend në Komitetin Qendror të Partisë Komuniste.
Kjo ishte Liri Belishova, që adoleshente në Luftë, humbi syrin, ndërsa pas lufte, humbi titujt që mori, humbi vajzën Drita, por edhe dy bashkëshortë, Nako Spiron e Maqo Çomon. Humbi 31 vite jetë në internim dhe plot miq të saj. E arsimuar edhe në ish-Bashkimin Sovjetik, nga njëra prej eksponentëve kryesore të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, anëtare e Byrosë Politike dhe e Komitetit Qendror të PPSH-së, ajo u përjashtua në vitin 1960, si “armike e Partisë”, duke e internuar fillimisht në Gjirokastër dhe më pas në Cërrik e Mallakastër, deri në vitin 1991.
Znj. Belishova, mendoni se do kishte ndryshuar gjë në histori, sikur Enveri ta kishte kërkuar Kosovën?
Do të ishte bashkuar Shqipëria me Kosovën? Ndofta, edhe sikur PKSH-ja të kishte ndjekur një rrugë të drejtë ndaj Kosovës, ajo nuk do të ishte çliruar që atëherë, nuk do ishte bashkuar me Shqipërinë, siç kërkohej atëherë. Por ama çështja e Kosovës, do të ishte ngritur, dosja e Kosovës do të ishte shtuar shumë, ndërgjegjësimi i opinionit në Fuqitë e Mëdha dhe në shtetet e tjera të Europës, do të ishte rritur për çështjen e Kosovës. Për këtë, udhëheqësit komunistë e kanë treguar mbrapshtësinë e tyre, edhe Tito.
Gjatë Luftës, ose më mirë ka qenë fillimi, 9 janar 1945 (nëse nuk gabohem), kur lufta akoma vazhdonte, dhe Jugosllavia akoma nuk ishte çliruar komplet, Tito dërgoi një delegacion në Moskë, që të bisedojë me Stalinin, për dy çështje; së pari, armatime, veshmbathje etj., për ushtrinë jugosllavë, se ashtu ishin kthyer partizanët jugosllavë, në ushtri. Dhe e dyta, pretendimet jugosllave për tokat që kërkonin dhe habitesh se çfarë pretendimesh kishte Tito.
Nga hungarezët, kërkon dy rajone të mëdha, sepse ato kishin miniera qymyrguri. Nga Rumania, kërkonte disa krahina që kishin një pjesë të vogël të banorëve serbë dhe thoshte: nëse anglo-amerikanët, do insistojnë kundër kësaj gjëje, të paktën kombinatet metalurgjike dhe minierat e hekurit të këtyre zonave, të jepen në pronësi të Jugosllavisë, se ne kemi nevojë. Nga Greqia, kërkonte Greqinë e Veriut, me kryeqendër Selanikun.
E pyet Stalini: Po me bullgarët? Tito i përgjigjet: Me bullgarët e kemi rregulluar shumë mirë, por po na prish punë Dimitrovi, se ne edhe sallën e mbledhjes, e kishim caktuar dhe rregulluar për bashkimin e Bullgarisë me ne. Stalini i thotë: Po,Dimitrovi ka të drejtë, ju nuk kërkoni bashkim, ju kërkoni ta gëlltisni Bullgarinë, ta bëni republikë të Federatës Jugosllave. Kryetari i delegacionit jugosllav, i thotë: Po interesi i atyre është, sepse bullgarët, kanë qenë aleatë të Hitlerit, do të vuajnë sanksionet e të mundurve.
Ndërsa po të bashkohen me ne, do t’u shpëtojnë këtyre sanksioneve. Stalini vijon: Po me Shqipërinë. Ai përgjigjet: Aaaaaa, me Shqipërinë jemi në rregull, kemi rënë dakord me shokët shqiptarë, për të gjitha gjërat. Shqipërinë e kemi tonën.
Po pse atëherë nuk na morën në Federatë, meqë kishin rënë dakord?
Po ata na morën ne në fakt, vetëm se nuk u formulua “de jure” kjo punë. Dhe sa i mbrapshtë ka qenë Stalini e prapëseprapë u thotë këtyre të Titos, më duket se ka qenë Milovan Gjilasi (nr.2 i Titos), i thotë këtij: Mos shkelni në Shqipëri me çizme. Domethënë, mos u tregoni të ashpër me shqiptarët. Ndërsa kur po prisheshin, Stalini, për ta marrë me të mira Titon, i ka thënë Gjilasit: More, çfarë doni ju, doni që ta merrni Shqipërinë? Gëlltiteni, ne dakord jemi…!
Ama kur erdhi pastaj puna e divizioneve, që donte të fuste ai, i tha “jooo, divizionet nuk duhet të shkojnë, do të futeni në luftë me Anglinë dhe nuk ia dilni dot Anglisë”. Se atëherë anglezët ishin në Greqi dhe të mëdhenjtë, kishin rënë dakord që Shqipëria të jetë shtet i pavarur.
A janë ditur atëherë këto lëvizje të Enverit me Titon, i dinin shokët e Partisë, këto zhvillime?
E mbaj mend si tani, një herë në ato mbledhjet e Byrosë Politike, në atë kohën kur bëhej si pushim, Enveri për t’i dalë përpara kësaj, tha: “Ka letra që ne i kemi bërë Titos, por ato nuk janë bërë seriozisht, por për të blerë mendjen e tij”. E kuptoni?! Të tërë politikanët, është zor që t’i gjesh me ideale të pastra. Por Enver Hoxha, edhe veprat e tij po të lexosh, del qartë, që mbi çdo gjë ka vënë fronin e tij.
Të tërë ata që e kundërshtuan, u hëngri kokën, i pushkatoi me plumb, ose i kalbi në burgje e internime. Sikur të gjithë donin vendin e Enverit, sikur të gjithë komplotonin kundër Enverit, asnjëri nuk kishte një pikëpamje, asnjëri nuk kishte një ide. Pra kjo e ka preokupuar atë, se kush është kundër meje. Se mos isha unë kundër Enverit… (qesh).
Komisar Politik i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare e, më pas komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare. A i meritonte vërtet Enver Hoxha këta tituj? A ishte Enver Hoxha vërtet “aq i lavdishëm” si komandant, siç edhe thuhet në disa raste?
Duke qenë sekretar i Përgjithshëm i PKSH-së, sipas eksperiencës jugosllave, sepse e vërteta është kjo, që ato forma organizimi që kishin jugosllavët, ato u bënë edhe në Shqipëri…!
U dubluan, u kopjuan domethënë…?!
Po, gjithmonë është kopjuar Partia Komuniste Jugosllave. Nga kjo mënyrë organizimi, Enver Hoxhës i takonte. Po a ishte ai vërtet luftëtar? (qesh). Po të lexosh kujtimet e Enver Hoxhës, nga veprat e tij, del që ky ishte në mal, aty në zonën e Elbasanit dhe shikonte me dylbi, se si luftonin shokët partizanë. Kuptoni, ky shikonte me dylbi, se si qëllonin ata…?!
A jeni në dijeni, nëse ka qëlluar ndonjëherë Enver Hoxha?
Plenumi i Dytë i Beratit, e ka kritikuar shumë Enver Hoxhën, për atë që, gjatë Luftës, nuk ka pasur një udhëheqje të drejtë. Gjatë Luftës ama, duhet të them, që ajo ishte një luftë partizane, e një vendi të okupuar, ishte shumë e vështirë që të kishte një udhëheqje të fortë dhe të përqendruar. Por shumë më tepër mund të ishte bërë, nëse nuk do të ishte Enver Hoxha, por një tjetër më i aftë dhe më i zoti, për ta bërë këtë punë, më i sakrificës.
Pastaj, ki parasysh që periudha më e vështirë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, ka qenë dimri ’43-’44, atëherë madje, u rrezikua fati i shumë reparteve, i shumë organizatave ilegale nëpër qytete, këtë e pranon edhe vetë Enver Hoxha. Gjatë kësaj kohe, Enver Hoxha nuk drejtonte as Luftën, as Partinë dhe as organizatat ilegale, sepse kishte mbetur i rrethuar nëpër zonat Gramsh-Librazhd. Pra tërë kjo periudhë, kaq e vështirë, kaloi pa udhëheqjen e Enver Hoxhës.
A ka ndonjë dokument apo dëshmi që Enver Hoxha ka marrë pjesë direkt në ndonjë betejë?
Unë nuk di. Të jesh komandant i Përgjithshëm, nuk gjykohesh sa ke luftuar vetë me revole, por sidoqoftë, përpunimi i planeve, i direktivave…! Unë nuk jam nga ata persona që, kam qenë në Shtabin e Përgjithshëm, isha shumë e re. Kur u çlirua Shqipëria, unë sapo i kisha mbushur 18 vjeç. Unë kam punuar me rininë. Dhe në të vërtetë, po të marrësh parasysh moshën, habitem tani se sa shumë përgjegjësira kam pasur.
Kam qenë 16 vjeçe e pak muaj, kur më kanë bërë anëtare të Komitetit Qarkor të Rinisë Komuniste të Tiranës, pra dhe të Rinisë Antifashiste. Kam qenë një fëmijë. Kam qenë 17 vjeçe e pak muaj, kur drejtoja gjithë rininë e Tiranës. Isha 18 vjeçe, anëtare e Komitetit Qendror të Rinisë Komuniste të Shqipërisë, Sekretariati i BRASH-it siç quhej. Kam qenë 18 vjeçe, kur më futën në Komitetin Qendror të Partisë Komuniste, domethënë kam pasur shumë përgjegjësira, në krahasim me moshën. Edhe pse përgjithësisht moshat kanë qenë të reja, por jo në këtë shkallë si unë.
Nëse nuk do të ishte Enver Hoxha kryetar i PKSH-së, kush do të ishte kandidati më i mirë për ta drejtuar atë? Kë mendoni ju?
Kishte komunistë, por nga ata që ishin edhe të aftë, edhe intelektualë, me kulturë, edhe me integritet, edhe humanë – e kam njohur vetë dhe më shumë, ndaj do ta them të parin: ishte Nako Spiro, Ymer Dishnica dhe Sejfulla Malëshova. Përveç Qemal Stafës, që u vra shpejt dhe shumë i ri, më 5 maj 1942, pak muaj pas formimit të Partisë.
Po Qemal Stafën, e vrau Enver Hoxha?
Për Qemal Stafën nuk mund të them.
Ndërsa Nako Spiro u vetëvra…?!
Këta tre që përmenda, i vrau. Për Nako Spiron ka përgjegjësi të madhe, se vërtet ishin intrigat e jugosllavëve, sepse ai iu kundërvu planeve të tyre për të bashkuar Shqipërinë me Jugosllavinë. Ishte ministri i Ekonomisë dhe lufta bëhej pikërisht, në luftën ekonomike. Por edhe Ymer Dishnica, edhe Sejfulla Malëshova, kanë qenë njerëz me integritet, intelektualë të mirëfilltë. Ndaj kur thonë për shembull, “Enver Hoxha, eruditi i madh” e të tjera, nuk më duken përcaktime të drejta, që jo nuk mund ta krahasosh me figura europiane, por as me shokët e tij komunistë.
Mbeti pak e paqartë, edhe për Nakon mendoni se e eliminoi Enveri?
Dëgjoni se si është përgjegjësia e Enverit. Jugosllavët ishin ata që donin që të eliminonin Nakon, sepse, ai ishte pengesë, sepse e gjithë lufta, po bëhej në fushën ekonomike. Se ata donin që Shqipëria, t’i nënshtrohej Jugosllavisë; plane të përbashkëta, çmime të përbashkëta, paraja e unifikuar, heqja e doganave etj. Por, jugosllavët nuk mund ta likuidonin Nakon.
Me kë e likujduan?
E likuiduan me aprovimin e Enver Hoxhës. Se ishte Enver Hoxha kur erdhën akuzat jugosllave, që akuzuan Nakon se, është duke vepruar si armik, si agjent i imperializmit, që jo vetëm nuk i refuzoi këto akuza, se ishin absurdë, por i shtroi në Byronë Politike. Enveri e ka hapur mbledhjen e Byrosë. Janë proces-verbalet. Dhe Enveri ka përgjegjësinë që. Byroja u zhvillua në atë rrugë.
Ramiz Alia, thotë që: “nuk kishte çfarë të bënte Enver Hoxha”. Ai kishte se çfarë të bënte, sepse në Byronë Politike të asaj kohe, vetëm 3 veta ishin njerëzit e jugosllavëve, Koçi Xoxe, Kristo Themelko dhe Pandi Kristo, që do të aprovonin ato që do të thoshin jugosllavët. Gjithë të tjerët, ishin me Enverin, do mbështesnin Enverin dhe këta ishin shumica prej 6 vetash: Gogo Nushi, Hysni Kapo etj.
Pastaj Enver Hoxha, bëri edhe këtë gjë, që nuk kërkoi ndihmën e sovjetikëve. Ne atëherë, ‘parti-mëmë’, kishim Bashkimin Sovjetik, “Jerusalemi” ynë ishte Moska. Ai duhet të vente e ta kërkonte ambasadorin sovjetik dhe t’i thoshte: Jugosllavët na kanë dërguar këtë letër, xhanëm, ata letrën nuk e dorëzuan që mos të linin dokumente, por i thanë me gojë. T’i thoshte që; Nako Spiro, nuk është armik, por ka mbrojtur interesat e shtetit shqiptar dhe i ka mbrojtur në bazë të marksizëm-leninizmit.
Por Enveri, atë ditë që Nako Spiro, si thonë: “vrau veten”, se këtë variant dha, thirri të ngarkuarin me punë të Bashkimit Sovjetik, se ambasadori nuk ishte këtu, por në Moskë, dhe i tha: “Janë bërë shumë gabime në marrëdhëniet me Jugosllavinë, që kanë dëmtuar miqësinë e Shqipërisë me Jugosllavinë dhe përgjegjësinë kryesore për këtë, e ka Nako Spiro. Shokët jugosllavë na e kanë shtruar këtë gjë dhe ne, po e bisedojmë në Byronë Politike, do e kritikojmë dhe do marrim masa për Nako Spiron”.
Nuk i tha që; unë nuk jam dakord me këto. Nuk i kërkoi ndihmë, por i tha do marrim masa. Është dokumenti, raporti që ky sovjetiku, i ka bërë qendrës së tij, që më thirri Enver Hoxha dhe më tha kështu e kështu. Kur vajti Nako Spiro te Enver Hoxha, ai nuk e priti. Ditët e tjera e kishte pritur, por pasi tha Enver Hoxha këtë gjë, nuk e priti. Por Nako nuk e dinte këtë gjë, as unë nuk e dija. Dhe Nako u kthye në shtëpi dhe tha: “Nuk ka rrugë tjetër, veçse t’ia heq vetes, sepse Enver Hoxha ma mbylli derën dhe Ambasada Sovjetike ma mbylli derën”.
Po thoni se e shtynë drejt këtij akti?
Po kush do ta mbronte Nakon…?!
Po pas kësaj ngjarjeje, Enver Hoxha çfarë tha?
Enver Hoxha e dënoi Nakon, e quajtën armik, u bë plenum i veçantë, plenumi i tetë; u dënua Nako, u dënova unë, Fadil Paçrami, na përjashtuan nga Komiteti Qendror dhe nga Partia. Kurse Mehmet Shehun, e kritikuan dhe e mbajtën ministër, se siç duket Enveri, kishte parasysh famën që kishte fituar Mehmeti gjatë Luftës e, nuk deshi të ashpërsohej.
Meqë përmendët Mehmet Shehun, çfarë mendimi keni për të?
Mehmet Shehu ishte njeri i ashpër. Madje mund të them, njeri i egër dhe ndoshta te kjo ka influencuar eksperienca e luftës spanjolle. Sepse edhe atje komunistët spanjollë, kanë pasur shumë ekstremizëm, shumë sektarizëm, por edhe natyra e tij si njeri. Por në kundërshtim me Enver Hoxhën, Mehmeti kishte disa anë që e bëjnë figurë më pozitive nga ai, nëse mund të përdoret fjala “pozitive”.
E para, Mehmet Shehu ka luftuar, ka qenë jo vetëm në Luftën e Spanjës, por edhe në Shqipëri; në Mallakastër, pastaj komandant i Brigadës së Parë, pastaj i Divizionit të Parë etj., pra ka qenë ballë për ballë me armikun, ka luftuar. Mehmet Shehu ka pasur edhe këtë të mirë që ka qenë organizator i zoti, se Enver Hoxha kishte llafe, llafe, llafe, por punën, sidomos në ato 37 vjet që ka qenë kryeministër, e ka bërë Mehmet Shehu.
Kishte edhe këtë anë, ato që mendonte, t’i thoshte në sy dhe me përfundime ekstreme, kur i thonë: je devijator, je trockist, etj. Atë fjalën “trockist”, e kishte në majë të gjuhës dhe unë, pasi mbarova shkollën e lartë në Moskë, i thosha: More Mehmet, Trocki, ka qenë ekstremist i majtë.
Ti thua “je oportunist, je trockist”. Oportunist i djathtë, ka qenë Buharini, jo Trocki. “Ohuuuuu, lëna rehat tashi”, thoshte Mehmeti (qesh). Se nuk donte ta kundërshtonin, thoshte: “Bëri shkollën kjo, pse kjo është më e zonja nga unë”. Unë as që pretendoja që isha më e zonja nga ai, por këto gjëra i kisha mësuar.
Po për Mehmetin, mendoni njësoj si për rastin e Nakos, sa i përket vrasjes apo vetëvrasjes?
Është kaq e pamundur, t’i ftillosh këto gjëra në sistemin e diktaturës së proletariatit, aq më tepër, kur kanë kaluar kaq vite. Por unë, kam thënë për Nako Spiron dhe kjo vlen për të gjithë ata që kanë vrarë veten: “Nuk ka vetëvrasje, ka veç vrasje”. Se kur e vë njeriun në pozita të atilla që ai thotë “më mirë vdekja”, atëherë e ke vrarë. Dhe të vrasësh veten nuk është kollaj!
Është një jashtë mase e vështirë dhe këtë e kam provuar te lëkura ime; nuk e vrava dot veten. Logjikisht duhet ta kisha vrarë, sepse ato që hoqa, ishin jashtëzakonisht të padurueshme për një qenie njerëzore, për një grua të re. Megjithatë, nuk e vrava. Madje kam përballuar edhe atë që nuk mund ta përballojë një nënë, është e tmerrshme, të përballosh vdekjen e vajzës që nuk rrojti një ditë si njeri, një orë si njeri…!
Në luftën kundër pushtuesve kanë qenë edhe forca të tjera politike, si legalistët, ballistët apo organizata të tjera. Pse fitoi komunizmi dhe humbën këto?
Në të vërtetë, një analizë shkencore për këtë çështje nuk ka, me sa jam unë e informuar. Sepse, nga ato që ka shkruar Enver Hoxha apo, historianët e asaj kohe, mund të marrësh elemente të së vërtetës, por jo të vërtetën e plotë. Sepse, ka pasur një ideologjizim shumë të madh dhe ka pasur një nënshtrim shumë të madh, të çdo gjëje nën interesat personalë të Enver Hoxhës. Ndërsa në këto vite, nuk kam lexuar diçka serioze. Një farë mendimi e kam dhe unë.
Ajo që mund të quhet “paria e Shqipërisë”, e kohës së Mbretërisë së Zogut, d.m.th., ata që ishin politikanë shqiptarë, shtetarë, intelektualë shqiptarë, ata që kishin pasuritë në duar, njerëzit më të arsimuar, u treguan të paaftë në drejtimin e shtetit shqiptar. Duke mos bërë një analizë të Ahmet Zogut, por duke marrë politikën e tij të jashtme, a ka bërë ky njeri gjithë përpjekjet e mundshme, për t’i siguruar Shqipërisë një përkrahje, sepse Shqipëria ishte një vend shumë i vogël, shumë i dobët, shumë i varfër.
Ndërsa fqinjët e Shqipërisë, Greqia, Serbia ose Jugosllavia që ishte atëherë, Italia, nuk i fshihnin aspak pretendimet e tyre ndaj Shqipërisë. Shqipëria ishte e rrezikuar, ata e shikonin Shqipërinë si një pronësi, si do ndahej mes tyre dhe pjesën më të madhe, do ta merrte ai që do të tregohej më i fortë dhe më i zgjuar, si të thuash. Fakti është që Shqipëria, u ndodh pa asnjë mbështetje, pa asnjë aleat, përpara agresionit fashist.
Dakord, por pse fitoi komunizmi…?!
U okupua Shqipëria. Kjo “pari” çfarë bëri? Shumë pak ikën me Ahmet Zogun. Ata që mbetën, një pjesë e pranuan pushtimin italian dhe bashkëpunuan me të. Midis tyre, ka pasur edhe njerëz që janë përpjekur që brenda këtij pushtimi, t’u siguroheshin disa avantazhe popullit shqiptar, të Shqipërisë e Kosovës. Për shembull, në fushën e arsimit, etj. Por edhe ata që ishin antifashistë, nuk u treguan të aftë të organizoheshin. E para parti politike, ishte Partia Komuniste.
E para iniciativë për bashkimin e shqiptarëve në luftë kundër okupatorit ishte ajo e PKSH-së, që thirri Konferencën e Pezës. Pse ta thërriste PKSH-ja këtë Konferencë, le ta thërrisnin patriotët, nacionalistët. Edhe bojkotimi i kësaj Konference nuk më duket se ka qenë i përshtatshëm. Të venin dhe të merrnin drejtimin atje, se këta ishin shumica. Partia Komuniste ishte shumë e motivuar për luftën.
E para e punës ishte çështja që po luftohej për jetë apo për vdekje, mes socializmit dhe nazizmit. Përveç kësaj, ata duke parë dobësinë e “parisë” shqiptare, e quajtën të mundur që Shqipëria ta shfrytëzonte këtë luftë për t’u bërë hegjemone e luftës dhe për të vendosur pushtetin e saj, që neve e përfytyronim shumë demokratik, sepse do të vinte në fuqi klasa punëtore që nuk ekzistonte, do të vinin masat punonjëse, do të vinte populli, do të kishte liri-demokraci (qesh)./monitor/