Ka qenë fillimi i shtatorit të vitit 1982, kur në zyrën e Enverit kanë mbërritur për herë të parë të dhënat që penalizonin Kadri Hazbiun si agjent të shërbimeve të huaja.
Së paku për aq sa ka regjistruar Haxhi Kroi në ditar, dokumenti i parë që konfirmonte tradhtinë e ish-ministrit historik të Sigurimit të Shtetit, ka qenë një dosje e hetuesisë “të armiqve të vjetër Tuk Jakova, Bedri Spahiu e Dhora Leka”, në të cilën janë gjetur gjurmët e lidhjeve të Hazbiut me armiqtë e hershëm të Partisë, të dënuar në vitet ’50 për veprimtari agjenturore në shërbim të UDB-së së Titos.
Në shënimin e datës 18 shtator 1982, shefi i Kabinetit të kreut të regjimit bën të ditur se këtë material zbuluar rishtas nga Sigurimi i Shtetit ia ka dhënë Hoxha atë mëngjes për t’ia lexuar në studion e tij në aparatin e KQ. Nga ky moment, në zyrën e shefit të Partisë, një rreth i ngushtë njerëzish, ku për herë të parë shquhej Hekuran Isai për protagonizmin e spikatur, punonin me zell ditë e natë për të zbuluar deri në skutën e fundit tradhtinë e Hazbiut.
Sakaq, ky i fundit vijonte normalisht daljet publike me të gjitha ofiqet partiake e shtetërore, pa menduar se diku nga dikush përgatitej regjia e tragjedisë vrastare. Sidoqoftë, sipas Kroit, kjo gjendje nuk ka zgjatur shumë. Në kujtimet e tij bëhet e ditur se Hazbiu është prezantuar për herë të parë me akuzën për tradhti dhe shërbime për agjenturat e huaja në mbledhjen e sekretariatit të KQ më 20 shtator 1982.
“Mbledhja zgjati katër orë, shkruan shefi i kabinetit të Hoxhës në ditar, por Kadriu nuk nxori asgjë nga përgjegjësitë e tij, megjithëse u vu përpara fakteve shumë serioze të dokumentuara dhe fajeve të rënda të kryera në dijeninë e tij, të cilat ai i shpjegonte në mënyrë gjoja naive e sentimentale”. Pesë ditë më vonë, sipas skemës së mirëmenduar, çështja “Hazbiu” është diskutuar në një mbledhje të jashtëzakonshme të Byrosë Politike. Përtej debatit të zjarrtë të konsumuar aty, i cili tashmë është bërë publik, Haxhi Kroi zbardh dy detaje interesante që zbulojnë paranojën në rritje te Hoxha.
Duke iu referuar momenteve para zhvillimit të mbledhjes së Byrosë Politike, ai përmend porositë që kreu i Partisë i ka transmetuar atij drejtpërdrejt. “Kur të mblidhemi për çështjen e Kadriut, kujton ai këshillën e Enverit, në sallën e Byrosë Politike, merr masa që karriget e para të mos jenë afër simes, ndërsa ti të vish dhe të qëndrosh afër meje”.
Përveç çështjes “Hazbiu”, një tjetër problem jo pak delikat, që ka zënë kreun e agjendës së Hoxhës në këtë periudhë, ka qenë reagimi dyshues i Vito Kapos mbi vdekjen e të shoqit, i cili kishte ndërruar jetë tri vite më parë në një klinikë në Paris. Haxhi Kroi përmend në ditar takimin e kësaj të fundit me shefin e Partisë më 27 shtator 1982 dhe kujton porosinë e Enverit në fund të bisedës për të zbardhur të plotë shiritin e incizuar me fjalën e tij.
Nga blloku i sekretarit të Hoxhës, gazeta boton sot të plotë variantin e parë të fjalës së kreut të Partisë me qortimet e tij për të venë e Kapos lidhur me dyshimet e saj për vdekjen e Hysniut, një dokument ky që më vonë është redaktuar e përshtatur, por pa cenuar përmbajtjen…
DOKUMENTI
Në orën 18:00, më thirri në shtëpi shoku Enver dhe më porositi që të njoftoja shokun Kadri Hazbiu që ditën e hënë, ora 10:00, ta priste në zyrë. Telefonoi që këtej nga studioja ime, më tha dhe ashtu bëra, po shoku Kadri nuk më doli në telefon. Në pritje që të dilte në telefon Kadriu, shoku Enver më dha që t’i lexoja disa materiale të hetuesisë të armiqve të vjetër Tuk Jakova, Bedri Spahiu, Dhora Leka etj.
Mbasi mbaruam me këto, më porositi të marr prapë në telefon shokun Kadri, por përsëri ai nuk mu përgjigj as në zyrë dhe as në shtëpi. Ndërkohë që po rrinim, shokun Enver e telefonoi shoku Ramiz dhe e vuri në dijeni se sonte po arrestojmë edhe mikun e komplotistëve të mëdhenj, Mehmet, Fiqret e Feçor Shehu, Nesti Nasen.
Po i arrestojmë një nga një këta armiq, tha shoku Enver dhe vazhdoi: Pasnesër, në ora 10:00, me shokët Ramiz, Adil, Hekuran e Simon do të mblidhemi për çështjen e Kadriut në sallën e Byrosë Politike. Merr masa, më porositi, që karriget e para të mos jenë afër simes. Në mbledhje të vish edhe ti dhe të qëndrosh afër meje. E hënë 20 shtator 1982, shoku Enver thirri sot mbledhjen e Sekretariatit të KQ.
Veç sekretarëve, erdhën edhe shokët Adil e Hekuran për të shqyrtuar e përgatitur për Byronë Politike përgjegjësitë e anëtarit të Byrosë Politike, shokut Kadri Hazbiu, i cili duke punuar 30 vite me radhë në krye të Ministrisë së Brendshme, i rrethuar me elementë armiq e spiunë, e pakta që mund të thuhet, nuk ka nuhatur asgjë dhe nuk e ka ndihmuar asnjëherë Partinë për zbulimin e armiqve, në të kundërtën, të gjitha grupet armiqësore janë zbuluar nga partia. Mbledhja zgjati katër orë.
Shoku Kadri nuk nxori asgjë me rëndësi nga përgjegjësitë e tij, megjithëse u vu përpara fakteve shumë serioze të dokumentuara e fajeve të rënda të kryera në dijeninë e tij, të cilat ai i shpjegonte në mënyrë gjoja naive e sentimentale.
U vendos që çështja e tij të shtrohet në Byronë Politike në mbledhjen e datës 25 shtator. E mërkurë 22 shtator 1982 U bë mbledhja e Byrosë Politike, në të cilën raportoi shoku Enver materialin “Tablo sinoptike mbi veprimtarinë armiqësore agjenturore të Mehmet Shehut”.
U vendos që ky material, pasi të kalojë në mbledhjen e Plenumit, që do të bëhet më 24 shtator, të punohet në të gjitha mbledhjet e organizatave të partisë. Me porosi të udhëheqjes, tok me shokët Ajet e Fatri, morëm masa për shtypjen e materialit të shokut Enver në shtypshkronjën ushtarake. Ndërkohë, punuam sipas porosisë që deponimet e armikes së Partisë Fiqrete Shehu t’i shumëzojmë në 40 shirita, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Ky shirit u dëgjua në mbledhjen e Byrosë Politike dhe do të dëgjohet edhe në mbledhjen e Plenumit të KQ. E premte 24 shtator 1982, sot u mblodh Plenumi i KQ, që mori dijeni mbi veprimtarinë armiqësore shumë të rrezikshme të agjentit të shumë shteteve, Mehmet Shehu. E hënë 27 shtator 1982, kur mbaroi takimin me shokun Simon Ballabani, shoku Enver më porositi që të vinte aty shoqja Vito Kapo.
Ajo erdhi dhe bisedoi me shokun Enver. Pas takimit, shoku Enver më dha për të zbardhur tekstin e bisedës që kishte bërë me të. E zbardha. Ishte një qortim që ai i bënte lidhur me dyshimet që Vito ka për vdekjen e Hysniut. Pasdite shkova për të takuar shokun Ramiz për probleme pune, por nuk mbarova punë, se ai nxitohej për të shkuar te shoku Enver. Më la komunikatën e Ministrisë së Brendshme për hedhjen dhe asgjësimin në vendin tonë të një grupi diversantësh në rrethin e Lushnjës, tekstin e së cilës do ta shikonte tani me shokun Enver dhe, po ta miratonte ai, t’ia dërgoja ATSH për botim.
Në orën 18:00 më solli në zyrë autokritikën e vet ministri i Mbrojtjes, Kadri Hazbiu, për gabimet që ka bërë. Ia dorëzova menjëherë shokut Ramiz, sa u kthye nga shoku Enver. Autokritika i drejtohet Byrosë Politike. E martë 28 shtator 1982 Edhe sot shoku Enver doli shpejt. Ai ka mjaft punë me shokët, sidomos lidhur me pastrimin e kuadrit të dyshimtë apo të lëkundshëm në Ministrinë e Mbrojtjes dhe atë të Punëve të Brendshme. E enjte 30 shtator 1982, sa dola në zyrë në orën 7:00, gjeta oficerin e shokut Enver me një zarf urgjent dhe tepër sekret për mua, që më dërgonte shoqja Nexhmije.
Ishte një dorëshkrim i fjalës, që është duke përgatitur shoku Enver për mbledhjen e Byrosë Politike, ku do të diskutohet mbi fajet me pasoja shumë të rënda që ka kryer Kadri Hazbiu gjatë kohës 30 apo 32-vjeçare që ka punuar në Ministrinë e Brendshme. Dorëshkrimi është i shoqes Nexhmije, ia ka diktuar shoku Enver. E shtypa shpejt e shpejt dhe u nisa t’ia lexoja shokut Enver se mos kishte për të bërë shtesa e korrigjime. E premte 8 tetor 1982, në orën 10:00 filloi mbledhja e Byrosë Politike për fajet e rënda të Kadri Hazbiut.
Ajo vazhdoi edhe pasdite. Në fillim iu dha fjalë Kadriut, i cili u përpoq të mos tregonte asgjë, por të fliste në përgjithësi për përgjegjësitë e tij, pse në fakt çdo komplot armiqësor pas çlirimit e ka zbuluar Partia e shoku Enver dhe jo Ministria e Brendshme. Tani është e qartë që në këtë dikaster kanë qenë në krye banditë, kriminelë e spiunë shumë të rrezikshëm, si Mehmet Shehu e Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini etj.
Po Kadri Hazbiu a nuk ish midis tyre?! Ky hiqej si njeri i mprehtë, i zgjuar, me përvojë të madhe në punët e Sigurimit të Shtetit, prandaj shpjegimet e tij para Byrosë Politike ishin justifikuese, të papranueshme, aspak bindëse. Askush nuk mund të pranojë që ky ishte një leshko. Sidomos fshehja Partisë e veprimtarisë së poshtër prej spiunësh të ndyrë që është bërë edhe me dijeninë e Kadri Hazbiut, duke vënë në dispozicion të KGB-së sekrete të një rëndësie të madhe, përbën një faj jashtëzakonisht të rëndë dhe tregon se ky nuk ka qenë jashtë kësaj valleje të ndyrë spiunësh. Byroja Politike vendosi përjashtimin e tij nga Byroja Politike dhe nga Plenumi dhe të shkarkohet menjëherë nga detyra e ministrit të Mbrojtjes.
Poshtë tradhtia e tradhtarët! E mërkurë 13 tetor 1982, sot u mblodh Plenumi i KQ për të diskutuar mbi fajet e rënda të Kadri Hazbiut. Asnjë kthesë pozitive nuk bëri Kadriu. Autokritika e tij ishte një hap mbrapa nga ajo që bëri në mbledhjen e Byrosë Politike, ku ai u porosit të thellohej, të jetë i hapur që të ndihmojë Partinë dhe veten. Qëndrimi i tij në Plenum ishte provokues e arrogant e prej kapadaillëku. Më në fund, i nxori brirët djalli! Me qëndrimet e tij kundër udhëheqjes kryesore, Kadri Hazbiu doli hapur që ishte një nga elementët më të rëndësishëm të grupit të spiunit Mehmet Shehu.
Prandaj shumë drejt veproi Plenumi që e përjashtoi nga radhët e veta, por edhe nga Partia. E martë 16 tetor 1982, sot shoku Enver mbush 74 vjeç. Për vizitë, sipas porosisë së shoqes Nexhmije, i shkuan vetëm anëtarët e Byrosë Politike. E martë, 19 tetor 1982, shoku Enver nuk doli në zyrë. E mërkurë 20 tetor 1982, sot shoku Enver thirri në një takim të veçantë shokët Prokop Murra dhe Kiço Mustaqi. Kur po largohej në shtëpi në orën 13:30, më porositi se e ka regjistruar bisedën me ta dhe, meqë ka karakter sekret, ta zbardh vetëm unë. I dhashë një punim druri, ku ish gdhendur portreti i tij nga një punëtor lezhjan me rastin e 74-vjetorit. Ky quhet Bardhok Prenga. E pëlqeu. Shoku Enver më porositi ta falënderoj autorin dhe ky objekt t’i shkojë në shtëpi se do t’ia dhurojë djalit të Pranverës, që ka sot 6-vjetorin e lindjes.
E hënë 1 nëntor 1982, sa doli në zyrë shoku Enver, më tha të lija në zyrë shokun Ajet, të merrja me vete kapitullin e fundit të veprës “Titistët” dhe t’ia lexoja në zyrë. I lexova kështu rreth 40 faqe dhe diçka më shumë. Kur shoku Enver e pa që po lodhesha, më tha të ndërrohesha me shokun Ajet. Kështu bëmë.
Ajeti i lexoi gati gjysmë ore. Pastaj erdhi shoqja Nexhmije, që kishte qenë në inaugurimin e Muzeut të Krujës dhe u larguan të dy. Në orën 13:00 më dërgoi shoku Hekuran një letër të mbyllur në zarf, që ia dërgon shokut Enver armiku Kadri Hazbiu. Ia çova shokut Enver.
Pasdite, në orën 18:00, letrën e kësaj dhelpre që ka drejtuar për një kohë të gjatë organet e Punëve të Brendshme, sipas porosisë së shokut Enver ia ktheva shokut Hekuran. Asgjë nuk lë pa bërë ky armik i ndyrë, që më se tri dekada i ka shërbyer Koçi Xoxes e Mehmet Shehut për t’i bërë varrin lirisë e pavarësisë së Shqipërisë. I dërgova në shtëpi të daktilografuar kopjen e dytë të letrës, që i ka dërguar nga burgu armiku Kadri Hazbiu.
Enveri qorton Viton: Mos dysho për vdekjen e Hysniut
Ka qenë fillimi i shtatorit të vitit 1982, kur në zyrën e Enverit kanë mbërritur për herë të parë të dhënat që penalizonin Kadri Hazbiun si agjent të shërbimeve të huaja.
E hënë 27 shtator 1982, e kam dëgjuar edhe unë shoqja Vito fjalën që është përhapur në të gjithë vendin sikur shokun Hysni Kapo e kanë vrarë dhe nuk paska vdekur nga kanceri. Kjo thënie nga dikush duhet të ketë dalë, por unë sot po të qortoj se ke qenë vetë ti që ke ardhur tek unë dhe më ke shprehur dyshimin se mos Hysniun e kanë vrarë.
Të jam përgjigjur me këtë rast, duke u bazuar në shkencën mjekësore, se shkaku ose mikrobi i kancerit akoma nuk është zbuluar dhe ai nuk mund të zbulohet, ndryshe do t’i ishte gjendur ilaçi, dhe për t’ia arritur këtij qëllimi, po punojnë gjithë shkencëtarët e botës.
Pra, faktet dhe raportet e mjekëve tanë dhe atyre francezë vërtetojnë se Hysniu ka pasur kancer dhe nuk mund të shpëtonte. Ti, shoqja Vito, njëkohësisht, je ankuar tek unë për Ramizin, se ai nuk qenka interesuar për Hysniun kur erdhi në Francë, më je qarë gjithashtu edhe për një nga kuadrot që e shoqëronin Hysninë, për Servet Backën. Unë ta kam kundërshtuar seriozisht këtë pohim tëndin dhe të tregova se Ramizi u dërgua në Paris nga shokët, që të interesohej dhe në ato kushte të vështira të ishte pranë Hysni Kapos, pse gjykuam që në qoftë se mund të ishte një shok që në atë gjendje të rëndë shëndetësore të Hysniut, mund t’i qëndronte këtij afër, ishte Ramizi.
Dhe ai këtë detyrë e kreu. Ti tani vjen më thua se Ramizi në Paris është interesuar vetëm për vajzën e tij, që edhe kjo kishte shkuar në atë kohë atje për mjekime me kërkesën e Ramizit. Unë të pata sqaruar se vajzën nuk e kishte thirrur vetë Ramizi për kurime në Paris, por isha unë që kisha dhënë porosi të dërgohej, kurse Ramizi shkoi atje apostafat dhe vetëm për të qëndruar pranë Hysniut dhe e kreu detyrën që iu ngarkua pikërisht në një kohë kur nuk kishim asnjë shpresë që Hysniu të shpëtonte nga kjo sëmundje e rëndë.
Me gjithë këto sqarime që të dhashë gojarisht, më pas ti po për të njëjtat çështje më dërgove edhe një letër, e cila ndodhet në Arkivin e Komitetit Qendror. Kjo do të thotë se në kokën tënde ka lindur dyshimi se Hysniun mund ta kenë vrarë.
Kur ta sqarova fillimisht këtë çështje, u duk sikur u binde për sa të fola, por pastaj pas shumë muajsh ti prapë shkove te Ramizi dhe ia përsërite këto dyshime, domethënë vazhdove të dyshosh se Hysniun mund ta kenë vrarë. Dhe tani në gjithë Shqipërinë kështu flitet, që Hysniun e kanë vrarë, madje këto thënie venë duke u shtuar pse edhe armiqtë i fryjnë kësaj çështjeje, duke përhapur fjalën se operacionin ia ka bërë Hysniut, djali bastard i Llambi Ziçishtit që është doktor. Pra punon fantazia e armikut.
Një gjë të tillë ma ka shkruar mua edhe armikja e Partisë, Vera Ngjela, e cila, nën petkun gjoja të doktorit, vë në dyshim vdekjen e Hysniut nga kanceri. Edhe ai që ka qenë mjek personal i Hysniut, akuzon gjithë trupin mjekësor që kujdesej për Hysniun. Në qoftë se ai do të vazhdojë të bëjë të tilla pohime shpifarake, unë do ta fus në burg.
Kështu janë faktet, shoqja Vito, prandaj ti duhet t’i luftosh thëniet pa baza që po përhapen poshtë e përpjete. As ajo që thua ti shoqja Vito se Hysniun e hapën një herë dhe e mbyllën menjëherë duke më vënë në dijeni se nuk kishte ndonjë gjë me rëndësi, por dyshove kur e hapën përsëri, nuk qëndron. Edhe në qoftë se është vepruar kështu, mundet që tumori të mos kishte dalë ose të mos ishte diktuar.
Më pas, u bë kontrolli me aparate speciale dhe kësaj radhe u duk qartë që ishte kancer. Prandaj e hapën përsëri më thellë dhe kësaj radhe u vërtetua plotësisht si nga mjekët tanë, te të cilët ne kemi besim, edhe nga mjekët francezë që operuan Hysniun se kancer ishte./Panorama