Mëngjesi i 7 tetorit e gjeti Kombëtaren e Shqipërisë në vendin e parë të grupit G të eliminatoreve të Botërorit Rusi 2018. Duke lënë pas dy kampionë të fuqishëm bote: Spanjën dhe Italinë. Shkëlqyeshëm.
Dhurata më e bukur në 54-vjetorin e lindjes së presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka. Kaq. Duhej të ndaleshim këtu. Por, jo. Ne tani fillojmë. Fillojmë të fluturojmë… si gjithmonë. “Komandojmë”, ishte titulli i madh i një prej dy të përditshmeve sportive në vend. Në rrjetet sociale, i madh dhe i vogël, shohin Rusinë në horizont. Që tani? Kaq shpejt?
Natyrisht që unë i pari thashë dhe them që “realiteti kalon gjithmonë përmes ëndrrës”. Dhe uroj, me mish dhe shpirt, që kjo ëndërr të zgjasë sa më gjatë të jetë e mundur. Por, ma kadalë bre burra! Kë komandojmë ne? Spanjën dhe Italinë? Asnjëherë. Europiani mbaroi.
Të zbresim dhe të rrimë me këmbë në tokë. Larg euforisë dhe kokulur. E kam thënë dhe stërthënë, na bën veçse shumë mirë. Sepse jemi fryrë shumë. Kemi veshur një kostum që nuk na rri fort mirë. Pas dy ndeshjeve të para, kemi marrë gjashtë pikët e plota. Ok. Por mos harrojmë një detaj të madh: Kemi mposhtur dy kundërshtarët më të dobët të këtij grupi G.
Me Maqedoninë, patëm jashtëzakonisht shumë fat. Kurse të enjten, në stadiumin Rajnpark të Vaduzit, kam parë kundërshtarin më të dobët të mundshëm në jetën time. Pra, deri tani, në një farë mënyre, kemi bërë vetëm detyrën për të përligjur edhe vajtjen tonë në Francë, sidomos kundër super amatorëve të Lihtenshtajnit, ku fitorja ishte “me detyrim dhe me përcaktim”, sidomos pasi pamë në aksion nivelin e tyre. Nuk është hera e parë që në eliminatoret e Botërorëve kemi një nisje kaq të mbarë duke mundur kundërshtarë realisht shumë të fortë.
Në vitin e largët 1984, morëm pikë në fushën e Polonisë së madhe të Bonjekut dhe mundëm në Tiranë Belgjikën e madhe të Shifos. Fillim më të mirë se ky zor se mund të kemi pasur dhe mund të kemi ndonjëherë. Në fund, renditemi të tretët në një grup me katër skuadra (me pikë të barabarta me Greqinë e vendit të fundit). Ne vitin 2013, Shqipëria korr një fitore historike në Oslo (aty ku mendoj që lindi dhe kjo skuadër që kemi sot) dhe Xhani De Biazi dhe të tijtë na projektuan direkt në Brazil 2014. Në fund, iu rikthyem traditës së vendeve të fundit.
Fola vetëm për Botërorët, se tabunë e mospjesëmarrjes në një eveniment madhor e thyem me pjesëmarrjen tonë në Europianin e fundit, nga atje ku u kthyem me kokën lart. Tani ta ulim pak kokën dhe të rrimë me këmbë në tokë. T’i marrim ndeshjet një nga një. Nesër presim ata “të frikshmit”. Shohim e bëjmë. Llogaritë i bëjmë në fund. Por që ne kurrsesi nuk mund të komandojmë të mëdhenjtë e këtij planeti futbolli.
Komentet