Filmi “Heimatland” – “L’amère patrie”
Dhjetë regjisorë të rinj dhe një synim i përbashkët: të realizojnë një film politik për Zvicrën, e kërcënuar nga një ré e quajtur izolim. Ky është projekti mbi të cilin u krijua “Heimatland”, në garë për Leopardin e Artë në Festivalin e filmit në Lokarno.
Zvicra ka deklaruar gjendjen e jashtëzakonshme kombëtare. Një re misterioze ia ka behur papritmas dhe po e kërcënon vendin. Është vetëm çështje kohe kur një uragan me fuqi të pamasë do të shkaktojë pasoja të paparashikueshme. Një katastrofë natyrore? Jo tamam, sepse ajo njollë e madhe e zezë është ndalur në kufi. Vetëm Zvicra është goditur ose, më mirë me thënë, është ndëshkuar.
Duke shfrytëzuar elemente stilistike të filmit apokaliptik, dhjetë regjisorët e rinj zviceranë kanë përftuar metaforën e një vendi gjithnjë e më të izoluar në skenën evropian dhe gjithnjë e më mosbesuese përballë të ndryshmes, emigrantët in primis. Ajo re që kërcënon “sigurinë dhe paqen helvete” nuk vjen nga jashtë si mund të besohet, por nga Zvicra gjithnjë më konservatore.
Paraqitur në Konkursin ndërkombëtar të Lokarnos, “Heimatland” është një film për politikën, një deklaratë rezistence nga ana e një brezi të ri të kineastëve.
“Ky film lind nga një brendashikim, një reflektim mbi atë që jemi duke jetuar. Por nuk bëhet fjalë të dënojmë dikë, sepse jemi të vetëdijshëm se jemi ne vetë pjesë e problemit. Kemi humbur aftësinë për të thurur lidhjet me fqinjtë tanë,” deklaron regjisori Jan Gassmann, 32 vjeç e promotor i projektit bashkë me 30 vjeçarin Michael Krummenacher.
Ideja e “Heimatland” ka lindur para katër vjetësh, shumë para iniciativës popullore “Kundër emigracionit në masë”, e cila më 9 shkurt 2014 e gërvishti në Kushtetutën helvete parimin e kufizimit të emigracionit me kontigjente dhe pragje maksimale. “Realiteti në njëfarë mase na ka ndjekur,” thotë Gassmann. “Duke dashur të izolohemi, të shohim veten si një vend model dhe të mohojmë një problem, jemi duke u përplasur kundër një muri,” i bën jehonë 32 vjeçari romand Lionel Rupp.
Regjisorët e “Heimatland”, nga e majta: Michael Krummenacher, Jan Gassmann, Mike Scheiwiller, Tobias Nölle, Carmen Jaquier, Benny Jaberg, Lisa Blatter, Gregor Frei, Lionel Rupp, Jonas Meier.
Përballë kësaj reje, reaksionet janë të ndryshme, nganjëherë absurde, por asnjëherë solidarë. Kërcënimi i nxjerr lakuriq nevojat e vërteta të njerëzve, drojat dhe shpresat e tyre. Dhe këtë kanë dashur të theksojnë regjisorët.
Ka nga ata që kërkojnë të qëndrojnë, si zonja e moshuar që barrikadohet në shtëpi. Të rinjtë përrallisin; policja detyrohet të përballet me fantazmën e një afrikani që e ka vrarë, ekstemistët e djathtë kapin pushkët për t’u mbrojtur nga një shkatërrim imagjinar i huaj, por përfundojnë duke vrarë një fqinj të shtëpisë. Vetëm ata bashkohen në emër të një armiku të përbashkët.
Pastaj ka nga ata që vendosin të largohen nga vendi i tyre për të kërkuar strehë në një vend fqinj, të pavetëdijshëm se përballë vërshimit të një milion zviceranëve, Bashkimi Evropian ka vendosur t’i mbyllë kufijtë e tij. Zvicra gjendet kështu pavonuar nga ana tjetër e një barrikade. Vetëm një familje kroate, qytetare e Bashkimit Evropian, mund të kalojë doganën, e njëjta që është filmuar para tridhjetë vjetësh nga Markus Imhoof në filmin “Varka është plot”.
Ndryshe nga filmat apokaliptikë amerikanë, në Heimatland nuk ka as heronj, as fund të lumtur, sepse, sipas regjisorëve, e vetmja rrugëdalje nga izolimi është forca e kolektivit, solidariteti, bashkimi.
Kolektivi, nga ana tjetër, është edhe motori në bazë të këtij projekti dhe përfaqëson një zhvillim interesant të kinemasë helvete. Të bindur për nevojën e një filmi politik mbi Zvicrën, Jan Gassmann e Michael Krummenacher kanë ftuar nja tridhjetë regjisorë të rinj për të trajtuar së bashku temën e një kërcënimi të afërt. Dhjetë regjisorët e përzgjedhur kanë konceptuar pastaj së bashku realizimin e “Heimatland”, i cili nuk është thjesht një film me episode, por një shkrirje (kolazh) historish që krijojnë së bashku një të vetme.
Shumë nga interpretët që luajnë në film nuk janë aktorë profesionisë. “Donim fytyra të reja e, para së gjithash, donim të respektonim karakteristikat gjuhësore të çdo rajoni, duke shmangur marrjen e aktorëve që flasin gjuhën e standardizuar,” pohon Michael Krummenacher.
“Heimatland” është natyrisht një film kolektiv, por lakuar gjithsesi në gjininë mashkullore dhe në gjuhën shvyc. Mes të rinjve nuk figuron asnjë regjisor nga Zvicra italiane, romandët janë dy dhe ato gra. “Do të na pëlqente të kishim një përbërje më të ekuilibruar dhe sidomos të reflektonim larminë e kinemasë zvicerane në femërore,” pohon producenti Stefan Eichenberger. “Por projektet nuk u zgjodhën mbi bazën e kuotave. Nuk donim të binim edhe ne në kurthën tipike të kompromisit zviceran.”/Përktheu: Skënder Buçpapaj
Komentet