Ishte viti i mbrapshtë 1967, atëherë kur regjimi diktatorial i kohës përmbysi gjithçka: dhunoi të drejtën e popullit për besimin në fe dhe shkatërroi me zjarr e hekur objektet e adhurimit të idhujve të tyre. U dogjën në mënyrë demonstrative kishat e xhamitë, duke u dhënë në dorë turmave të indoktrinuara pishtarin e zjarrvënësit.
Ne ishim fëmijë të pafajshëm, nxënës…
Viti 1967 ne na gjeti ende të vegjël dhe nuk na lejohej të gjykonim se ç’bënin të rriturit mbi këto ngjarje madhore, që do të trondisnin plotësisht besimin shekullor të popullit.
Përflitej prej kohësh në mjediset familjare, mbasi propaganda zyrtare nëpërmjet radios dhe organeve të shtypit kishte bërë punën e vet. Njerëzit ishin të trembur.
Fjalimi i Enver Hoxhës i 6 Shkurtit 1967, me titull “Revolucioni i mëtejshëm i partisë dhe pushtetit”, fjalim ky me të cilin ai filloi luftën kundër “ideologjisë fetare” e “zakoneve prapanike” solli më pas deri te shpallja me ligj të Shqipërisë si vendi i parë dhe i vetëm ateist në historinë botërore.
Lufta kundër fesë filloi nga Shkodra, atje ku kisha katolike kishte rrënjë të thella, të lidhura me Vatikanin. Ne dinim vetëm poetin Ndre Mjeda, poet prift dhe Migjenin revolucionar, blasfemist. Dëgjonim të shahej Atë Gjergj Fishta. Dhe s’e dinim që Kleri, sidomos ai katolik, kishin mbrojtur gjuhën dhe identitetin kombëtar dhe kishin dhënë martirë, jo vetëm të besimit, por dhe të patriotizmit… Kisha ortodokse ishte autoqefale shqiptare. Myslimanizmi ishte plot me dijetarë. A s’ishte dhe poeti ynë kombëtar, Naim Frashëri, bektashian dhe panteist?
Më tej, Partia ngriti në këmbë rininë, të klasës punëtore e fshatare dhe universitare dhe iu vërsulën tempujve të fesë: i gjithë vendi për të persekutuar klerin në përgjithësi dhe atë katolik në veçanti.
U shkatërruan tempujt, u ndalua liria e besimit fetar, duke vendosur kështu themelet e një ferri të vërtetë.
Ateherë ne ishim në Lushnjën e vogël. E donim dhe na donte. Ne nxënësit e shkollave të qytetit na thirrën pasdite, se do të shkonim për prishjen e kishës dhe xhamisë. Të gjithë ishim kuriozë çfarë do të ndodhte.
Kujtoj se disa ditë më parë, 4-5 shokë të klasës, me propozim të Visarit, kështu flitej atëhere me fjalë zyrtare: propozim, revolucionar, detyra, partia, fletë-rrufetë etj, nejse, shkojmë në Kishën ortodokse, donim ta vizitonim si për një lamtumirë. U futëm ta vizitonim, të druajtur, e ndienim misterin. Unë nuk kisha hyrë kurrë në kishë, megjithëse e kisha pranë saj shtëpinë. Mua më dukej se kishte një hije të rëndë ky vend lutjeje.
Kur u afruam te porta e madhe kryesore, njoftuam shërbyesin e kishës. Na lejoi. Hymë në sallën kryesore dhe mbetëm të habitur nga figurat e shenjtorëve të pikturuara në korniza druri dhe në mur. Ja dhe altari, i gdhendur i gjithë në dru, vepër mahnitëse arti. Vetë papu na udhëhoqi nëpër harqet që duhet të kalonim, na këndoi dhe na lejoi të vizitonim çdo kënd të saj.
Kur mbaruam, dolëm përjashta dhe e ndienim veten disi më të lehtësuar, njëkohësisht dhe të ngarkuar në shpirt.
Kjo vizitë më përfytyrohej, kur u rreshtuam në oborrin e shkollës dhe, në rresht për dy, u nisëm drejt kishës. Drejtori i shkollës na kishte urdhëruar të merrnim shkrepëse me vete për të ndezur zjarr.
Midis nesh kishte edhe djem të hedhur, më të shkathët që nuk qëndronin në rresht, po nxitonin përpara për të mbërritur sa më parë. Zjarrvënës të zellshëm… Kisha para portës kishte një shesh të pjerrët të shtruar me gurë. Djemtë më të rritur u futën brenda, zhvatën portretet e shenjtorëve nga muret, thyen forcërisht pjesët e gdhendura bukur e me art në dru dhe i hodhën jashtë në oborr. Aty prisnim ne të tjerët, me shkrepëse në dorë dhe me ndonjë shishe vajguri, qe s’e di nga u gjet, të gatshëm për zjarr. Grumbujt e hedhurinave, nën brambullitjen e gjuhëve të flakëve, dalëngadalë po zvogëloheshin. Ne ngroheshim në zjarrin e ndezur, se ende dimër ishte. Drita e kuqe përndizte fytyrat tona dhe hapësirën që na rrethonte.
Figurat e shenjtorëve po digjeshin me një djegie të ngadaltë. Ne dallonim pjesë të portretit të tyre sipas përzhitjes që kishin pësuar.
Pranë meje ndodhej Visar Zhiti. Ç’po bënte ashtu? Ai çuditërisht, fiku me këmbë një figurë shenjtori, që sapo kishte filluar të digjej. Jo vetëm kaq, por dhe e fshehu nën pallto. Nuk e kuptova pse e mori, por e ndihmova edhe unë, duke i zgjatur një kryq që kishte shpëtuar para këmbëve të mia. Pas rreth dy orësh u shpërndamë secili në shtëpinë e vet. Ndienim nxirjen…
Lart te xhamia ishte bërë nami . Pluhur i gjallë, britma dhe vandalizëm, hidheshin postiqe e libra të shenjtë… të tjerë kishin shkuar para nesh.
Gjithë mbrëmjen mendoja.
Pse kishte ndodhur kjo? Ne ç’mund të bënim tjetër? Pse i kishte marrë Visari objektet e kultit: portretin dhe kryqin? Nuk besoj se i donte për t’ia çuar nënës së tij për të ndezur zjarrin në sobë, jo. A i ka ende? Ia gjetën gjatë kontrollit në shtëpi, kur e arrestuan?
Kjo m’u kujtua pas shumë vitesh, dhe kur Visari filloi punë si i dërguar i Shqipërisë në Selinë e Shenjtë të Vatikanit.
Ai dhe në romanin e tij të fundit tregon nga këto, por unë i shoh nga këndvështrim tjetër, nga jashtë tij.
* * *
Ja, një rast tjetër mjaft domethënës, që lidhet me Visarin e ai s’e ka shkruar…
Ndërkaq kishat dhe xhamitë dhe tyrbet u shkallmuan, duke i kthyer në institucione kulturore, në depo drithi e magazina ushtarake. Klerikët u zhveshën, i çuan fermave apo burgjeve.
Disi më vonë u vu kazma mbi manastiret.
I tillë ishte në Lushnjë manastiri i famshëm i Ardenicës, ku thuhej se kishte vënë kurorë dhe Skënderbeu me princeshën Donika Kastrioti. Aty shërbente si dhespot Irine Banushi, vëllai i artistit të njohur, aktorit Tano Banushi. Dhespoti i manastirit ishte njeri me mjaft kulturë, njohës i mirë i disa gjuhëve të huaja.
Kur vajtëm për vizitë në Ardenicë pas disa muajve, manastiri ishte i braktisur dhe si i mbyllur. Dyert ishin të thyera, dërrasat e korridoreve të hedhura, fëmijët e fshatit kishin kryer jashtëqitjen dhe kishte gjurmë mureve. Nuk lamë derë pa hyrë e arkë pa kontrolluar. Në një dhomë të vogël gjetëm një baule të mbushur plot me libra të shpërdoruar, të grisur e të bërë fletë-fletë, madje edhe të ndotur ngaqë ishin përdorur për pastrimin.
Visari u afrua te baulja, e cila nuk kishte kapak. E mbaj mend të heshtur dhe të zbehtë. Dhe filloi të kërkonte nëpër libra, të cilat në pjesën dërrmuese ishin në gjuhën sllave dhe pak në italisht. Visari zgjodhi dy-tre libra dhe guxoi e i mori me vete.
Dhe kështu e përfytyroj ende: që zgjat dorën dhe do të shpëtojë një libër të tjetrit…
VISARI duket se eshte i dhēnë pas katolicizmit, ai shkon në mesha në kishë, po i respekton të gjitha fetë e tjera. Besoj se është ndikimi i kulturës familjare. Babai i Visarit ka pasur njohje me personalitete të kohës, midis të cilëve të besimit fetar, siç është rasti me poetin tonë të madh Gjergj Fishta, kështu kemi lexuar.
Afrimi i tij me fenë mua më duket si kërkesë për më shumë qiell, se toka vetëm të lodh, sidomos balta e saj.
Flamur Shabani