Mund të them që në krye të herës se pritshmëria ime për atë që do të lexoja duke shfletuar veprën më të re të autores Eleni Laperi, ishte pak a shumë njësoj me ndjesitë e bukura që me pati ngjallur vite më parë libri për amerikanen Rose Wilder Lane, botuar në vitin 2014.
Atëbotë pata menduar se seriozitetit të autores për të gërmuar në arkiva dhe në kujtesën njerëzore i pështillej kultura e saj e gjerë, talenti dhe atdhe-dashuria …
Mbase distanca kohore i ngatërron disi përshtypjet e tetë viteve më parë, por në mendje m’u ravijëzua bindja se me “Kolë Idromeno, themeluesi i artit realist shqiptar”, tek i dëshmon cilësitë e përmendura më sipër, studiuesja Eleni Laperi shpalos edhe qenien e saj si njeri, me gjithë gamen emocionale me ngjitjet dhe zbritjet e veta në rrethanat ku e hedh kërkimi dhe zbulimi…
Në fillim të librit ajo na kumton që u gjend e shtyrë nga një ambicie e hershme për të rrëfyer mbi artistët shqiptarë të periudhës 1860-1945. Ndoshta do ta kishte pasur më të lehtë po të qëndronte në idenë e parë të saj. Por jo. Autorja ndryshon mendje dhe i ve si objektiv vetes të paraqesë dhe sfondin historik ku lindën, jetuan dhe punuan bashkëkohësit e Nikollë Arsen Idromenos, “i pari piktor realist shqiptar, krijues i të parës vepër madhore të artit pamor shqiptar”.
Kjo ishte një sfidë e madhe dhe siç shihet në libër, Eleni Laperi jo vetëm e pranoi, por edhe fitoi. Ndaj falë këmbënguljes dhe intuitës, falë mençurisë dhe vullnetit te saj, në libër nuk gjen vetëm fakte të ftohta historike, por në të gjallon një kuadër i plotë i jetës së shqiptarëve të asaj kohe, i kohëve të mëparshme dhe të pastajme, përpjekjet e tyre për gjuhën, për pavarësinë dhe progresin. Gjithçka e përfshirë në vëmendjen dhe penën e studiueses. Jo si fenomene të shkëputura, por në shërbim të librit. Pikërisht për këtë, lexuesi njeh jo vetëm familjarët e piktorit Idromeno. Para syve të tij shpalosen rrethanat politike dhe kushtet sociale në të cilat ndodhej Shqipëria e viteve 800, ende pjesë e Perandorisë Osmane.
Meritë e autores është se ajo përdor masën e duhur për t’i ndërthurur ngjarjet që janë të lidhura drejtpërdrejt ose me familjen e Idromenos, ose me vetë piktorin në vitet që pasojnë.
Ndoshta nuk ka qenë qëllim i Elenit të verë në dukje trishtimin e saj, kur i vjen sëra të krahasojë Shqipërinë me fqinjët që ia dalin të bëhen më vete, ndërkohë që në atdheun e piktorit ende vazhdonin përpjekjet për alfabetin dhe shkollën shqipe. Ajo pohon, sipas dokumenteve të arkivave të Stambollit se “për osmanët ishte e rëndësishme t’i mbanin (shqiptarët) të varfër, të përçarë e në injorancë”. Në këtë kuadër të errët shoqëror, figura e gruas shqiptare është e viktimizuar. Ato rrugës enden të mbuluara nga koka te këmbët, ndërsa muret e larta të shtëpive ku jetojnë, janë fortesat që i mbrojnë nga sytë e botës. Këto krijesa që konsideroheshin gra që në moshën 12 vjeç, lenë lodrat dhe nisin të përgatisin pajën e tyre. Paja, – thotë autorja, – ishte dukja dhe për të sakrifikonte e gjithë familja.
– Në çfarë shtigjesh ka kaluar emancipimi i gruas shqiptare? – ishte thelbi i njërës prej pyetjeve që unë kisha përgatitur për intervistën me Eleni Laperin, kohë më parë, fill pas daljes në dritë të librit. Gjithë intervista synonte të nxirrte në dritë autoren, në një qasje kulturore me Edith Durham, që ishte edhe ajo e pajisur me talentin e pikturës dhe Rose Wilder Laine, dy gra të mëdha që e njohën dhe e deshën Shqipërinë, ndonjëherë më shumë se vetë shqiptarët.
Te këto të dyja dhe te studiuesja Eleni Laperi gjeta shumë të përbashkëta. Si psh. te e vërteta se artistët e përjetojnë të bukurën dhe të shëmtuarën jo vetëm si ndjesi shpirtërore. Ata rebelohen dhe vuajnë nga prishja e ekuilibrit, në rastin kur e keqja fiton superioritet mbi të mirën. Duke e ditur këtë, lexuesi është në gjendje të ndiejë ato çfarë realisht ka përjetuar autorja duke shkruar këtë studim. Duke iu dashur ta pranojë të shkuarën e shoqërisë shqiptare ashtu të zymtë, siç edhe ishte, ajo blaton ngazëllimin e vet në përshkrimin që gjen te A. Degrand për veshjet e grave, i cili shkruan : “të veshura të gjitha njësoj, me xhyben ngjyrë të kuqe të errët, të qëndisur me mëndafsh të zi, që mbulonte pjesërisht një mantel të gjerë të purpurt me pala e të qëndisur me ar në gjoks, jaka katrore e të cilit përdoret për të mbuluar kokën. Dëgjohet vetëm fëshfërima e palave të pantallonave të gjera ngjyrë violet në të zezë dhe trak-e-truku i pantoflave apo i këpucëve me një xhufkë të kuqe e taka të praruara.”
Për autoren Eleni Laperi, kjo është një dukje që bën diferencën me çarçafët që u shkonin grave të tjera te nyja e këmbës, por kurrësesi nuk është ajo që po kërkon. Dhe natyrshëm mbërrin te “Motra Tone”.
Këtu gëzimi i studiueses merr krahë. Që pulsojnë në çdo rrokje tek na thotë se “piktura realiste shqiptare e nisi rrugën e saj duke zbuluar bukurinë e portretit të një gruaje, pikërisht në ato vite kur gruaja duhej të mbulohej nga koka te këmbët, duhej të mbulonte flokët, sytë, buzët, duart, nyjet e këmbëve, kur gruaja duhet të ishte e bukur vetëm për burrin e saj. As për botën, as për vete!”…
Vazhdon më tej një meditim i shtruar filozofik artistik mbi formën pa trajta të trupit të gruas, si një send i pabukur dhe i padëshiruar, ndjekur nga frika e turpërimit të burrit, për ngasjen e supozuar. E gjithë kjo qasje e mrekullueshme ngritur mbi hipoteza dhe misterin e pyetjes “Pse?”, përfundon me një krahasim tronditës kur gruaja personifikohet me fjalët: “ashtu si lulet janë të bukura se ndjellin shpërndarësit e polenit të tyre.” Lexuesi ka të drejtë të mendojë se një portret kryevepër si “Motra Tone” do të ruante të njëjtat vlera edhe me dy tri radhë identifikuese, ose dhe diçka më tepër.
Por kjo nuk ndodh. Sepse Eleni Laperi është më shumë se piktore e studiuese arti. Kjo mbrojtëse e hershme e dinjitetit të gruas ka shumë hapësirë brenda vetes, shumë dije dhe talent për të ndërtuar një histori të tërë, mbështetur në fakte, rrëfenja dhe kujtime, duke na sjellë një fragment të mozaikut jetësor ku janë vendosur ngjarjet që rreket të na tregojë, me objektivin e përcaktuar që në fillim, piktorin Kol Idromeno dhe veprat e tij.
Dhe e bën kaq mrekullisht saqë asgjë nuk është tepër dhe asgjë nuk është pak. Kryevepra e artit pamor “Motra Tone” e kthen pas në kohë autoren; e intrigon me hollësirat e krijimit të saj, me hamendjet, me të vërtetat dhe fantazinë.
Autorja nuk sprapset nga moria e tyre dhe i përdor me sqimë, ndërkohë që nuk injoron kushtet historike, sociale dhe gjendjen ku ndodhen qindra mijëra Tone, që fati nuk u kishte dhënë prindër dhe vëllezër si Idromenot. Megjithatë Eleni Laperi e ndien këtë si një shkëndijë triumfi të së resë. Ky ballafaqim, i së bukurës në pikturë me realitetin jashtë mureve, është një kontrast i fuqishëm, që e bën këtë vepër të duket edhe më rrëzëlluese.
Në libër gjithçka ndërthuret aq natyrshëm. Përshkrimi i vetë pikturës pastaj prej studiueses Laperi, është një rrëfenjë e mrekullueshme, ku ndihet shpirti i piktores, ngazëllimi i gruas, qasja e veçantë e saj, në harkun e ngjyrave të ylberit, ku nuk mund të mbërrijë asnjë burrë që nuk e kupton bukurinë në pikturë. Sepse një grua lexon ndryshe, ndien ndryshe dhe e sheh ndryshe një vepër arti. Sidomos një pikturë si “Motra Tone”.
Një grua e parë me syrin e një gruaje. Një mister që vetëm një grua mund ta shpjegojë. Dhe e gjen këtë në librin e Eleni Laperit. E magjepsur pas portretit, autorja e ka lënë pas dere realitetin që do ta presë sapo të dalë nga studioja e piktorit. Por ka kohë për këtë. Veprat e Kole Idromenos e kanë hedhur në të tjera dimensione. Aty ne takojmë Marubin e famshëm, vëllezërit Kodheli, takojmë një plejadë të tërë intelektualësh shkodranë, shkrimtarë e poetë. Eleni na mundëson të kuptojmë lidhjen e fortë midis fotografisë dhe pikturës; na tregon të përbashkëtat dhe ndryshimet e lëvruesve tanë dhe atyre evropiane. Lexuesi endet sa në një epokë në tjetrën me lehtësi të madhe dhe e gjitha kjo, falë kulturës dhe talentit të autores. Ky studim impenjativ, ndërthur mjaft ngjarje historike thelbësore për ekzistencën e popullit shqiptar dhe në asnjë çast nuk këputet filli i logjikës që të kujton se je përfshirë në një vepër studimore për Nikolla Arsen Idromeno-n.
Ndryshimet historike dhe sociale bëjnë të mundur që djaloshi Idromeno të jetojë disa vite në Venecia, me synimin për të thelluar dijet dhe përsosur talentin e tij në pikturë. Një aradhë emrash të mëdhenj Venecianë të kësaj fushe shfaqen në libër dhe në çdo fjalë lexuesi e kupton se sa mund i është dashur autores për të qëmtuar hollësi të mbuluara nga pluhuri i kohës, që do të hidhnin dritë sadopak mbi jetën dhe veprimtarinë e Idromenos së ri, që po përballej me ndriçimin e një vendi me një rrezatim të veçantë, sidomos për artin dhe kulturën.
Tek përshkruan Venecian e kohës, ketë ishull të paprekur nga trazirat e shekullit, autorja gjen rehati mes shkëlqimit në ngjyrën e artë, që buron edhe nga fasadat e banesave që pasqyrohen në ujë. Lexuesi e ndien se Eleni Laperi është këtu në shtëpinë e vet. Por sidoqoftë nuk mund të qëndrojë më shumë se protagonisti i saj. Kështu i duhet ta ndjekë Kolë Idromenon në kthimin e tij në Shkodër. I duhet të qëmtojë të gjithë veprimtarinë e tij të mëpastajme, të analizojë përveç pikturës “Motra Tone” edhe dy kryeveprat e tjera të tij, tablotë “Dasma shkodrane” dhe “Dy rrugët”.
Me radhë, pastaj veprat e tij, portrete, imazhe, ku gjeniu luan herë me ngjyrat e herë me fotografinë. Në vështrimin artistik të Idromenos ka zënë një vend të rëndësishëm edhe figura e Gjergj Kastriot Skenderbeut, i cili shfaqet si portret më vete dhe si pjesë e tablosë “Zoja e Shkodrës”. Duhet thënë se në këtë studim, ne e shohim figurën e Idromenos jo vetëm si piktor. Ai është skulptor, fotograf dhe arkitekt. Autorja na kumton se “vizatimet arkitekturore të Idromenos prodhuan një realitet të ri në qytetin e Shkodrës.”
Libri për Idromenon që mban firmën e piktores, studiueses dhe kritikes së artit, Eleni Laperi u ngjiz, sipas pohimit të saj, në një periudhë gati dhjetëvjeçare. Sado faqe t’i kushtohen tani këtij libri të çmuar, vlerat e tij mund të preken vetëm duke e shfletuar. Dhe faqe pas faqe aty frymon vetë autorja. Aty gjen jo vetëm dihatjen e mundimit që kërkon realizimi i një vepre e përmasave të tilla, por të paktën unë, rizbulova edhe njëherë vlerat e vetë autores, një shqiptare e rrallë që e ka shumë për zemër vendin e vet, një intelektuale e pabujë, që është vënë në garë me kohën, në rrugëtimin e gjatë për të nxjerrë në pah ndriçimin e kombit të vet, përmes zbulimit të figurave të artit dhe të kulturës. Ndaj mua nuk më mbeti gjë tjetër; i mbylla në sirtar pyetjet e intervistës së planifikuar sepse të gjitha përgjigjet, gati të gjitha, i mora duke shfletuar veprën e saj me titull “ Kolë Idromeno, themeluesi i artit realist shqiptar”.
Raimonda Belli Gjençaj
Tirane, më 18.12.2022
Komentet