Klasifikimi “Pasuri kombëtare” i një vepre Letrare është vlerësimi më i lartë, por që të mbrijë deri këtu, duhet një tërësi vlerësimesh që të kenë një emërues të përbashkët ata /ato që meren me këtë lloj arti, sepse edhe kritika, mendoj, është Art. Me sa kam pikasur, në botën anglo saksone nuk bëhet fjalë për struktura shtetërore që meren me kritikë dhe vlerësime për një libër apo autor.
Atëherë kush e kryen këtë “detyrë” sa delikate, të vështirë dhe fisnike? Shpesh këtë përgjigje e gjen në Shtypin Letrar ku X-si me Profil të Lartë Kritik e Analist i Letërsisë jep mendime profesionale e personale. Pavarësisht nga kundërtitë, fjala e tij zë vënd, mbasi ai njihet si i tillë, pra si kritik e Analist Arti, dhe ka popullaritet si specialist i Letërsisë në vëndin e tij, por e ca më mirë, në Hapësirën Globale. Kjo, që thashë, ndodh jo shpesh, por zakonisht për shkrimtarë e poetë me Profil të Plotë Artistik, por edhe për autorë të rinj ku pikaset gjenialiteti. Ose me Profil të Plotë në fusha të tjera si në Muzikë, Kinematografi e Pikturë. Përveç këtyre personave kritikë, që në botën anglo-saksone nuk janë shumë, por për një vend të vogël si Shqipëria mund të pranohen si të tillë deri sa gishta ka njëra dorë, pavarësisht cila dorë është, e Majta apo e Djathta, mbasi kritikët e Analistët e Artit nuk meren me Politikë dhe anësira Partiake e me nostalgjira për llojet e sistemeve shoqërore, por trajtojnë ndikimin e tyre në formimin e karakterit krijues, për të cilin diskutohet. Në botën Perëndimore ka edhe revista e gazeta për sh. si NjuJork Times që një libër artistik e cilëson “bestseler”, gjë që ka të bëjë me shitjen e suksesshme, por “suksesi në shitje” nuk ka lidhje me vlerat artistike; ato mbeten të pa thëna e në memorien e lexuesit. Që të krijohet një “skuadër me akademikë” dhe të bëjnë vlerësime, më duket se është inerci e të kaluarës. Dyshoj se kjo nuk funksion në Shqipëri e as këtu ku frymoj unë. Të pohoj se libri është mall si të gjitha mallrat e tjera, sikur…sikur e fyej”shënjtërinë” e tij, pavarësisht se një gjë e tillë, që libri si “mall tregu”, është realitet edhe në botën e Gjuhëve të Mëdha të Lëvruara Letrarisht e Poetikisht, siç janë anglishtja, spanjishtja, por edhe frëngjishtja e rusishtja, mbase edhe kinezçja. Atëherë, nga se varet fati i një libri, që të mbetet pasuri kombëtare? Mirë do qe që Pasuri Kombëtare të bëhet çdo libër, porse Shenjat e Ardhmërisë më duken të “mjegullta” edhe për arsye se libri artistik sikur…sikur e shlyeu “detyrimin argëtues”, mbasi tani gëlojnë lloje artesh që plotësojnë mungesën e tij. Kjo fenomë lidhet me kohën në dispozicion; një orë mesjetare, në shekullin 21 = 1 minutë. Këtu, tek Koha, fillon konfrontimi midis brezit tonë e brezit të ri i cili argëtohet në ambjente të shumta e të përshtatura vërtet për argëtim, prandaj krijuesin e letërsisë e shikon vëngër, si qënie hobi e të kaluarës. Pra, kjo vëngëri e shtyn të mos ketë interes për librin letër e as për librin internetik. Kështu, pandeh llogjika Pesimiste për ardhmërinë e librit, mbasi s’mund të përgatitet armata e trashëgimisë tradicionale e pasionantëve të librit.
Në Dekadën e Fundit Fb-ja e forumet online frymojnë më shumë se kurdoherë, lexohet më shumë se kurrë ndonjëherë, por jo nga brezi i ri. Jemi ne, brezi i moshës së tretë që për inerci lexojmë dhe komentojmë dhe japim edhe ndonjë mendim kritike e analitik, aq sa jemi të formuar sadopak të tillë, për një krijim a libër. Mirëpo, përveç kësaj, masivizimi krijon pa dashje Kolkoze e Vatha Letrare, sigurisht sipas shijeve Letrare e poetike të trashëguara nga sistemi i vjetër, por që edhe njihemi me art shkrimor më të evoluar se i mëparshmi. Se në çfarë nivel janë “rendimentet letraro – poetike” në këto Kolkoze Letrare, më mirë mos e ngacmoj Folenë e Grerave… Ky lloj masivizimi, me dëshirën për “të komunikuar” alla poetikisht dhe letrarisht, ka të mirën lezatuese e gudulis ndjenjat e fjetura, por njëkohësisht është edhe mjerim i Letërsisë, i asaj Letërsie për të cilën flijohen krijuesit e vërtetë.
Ç’ka për të bërë do bëhet, më shkon në mendje tani, mbasi tërmetet, vullkanet e shkrirja e akujve janë ato që kanë krijuar e do të krijojnë përmbytje, male, ishuj dhe lugina…