Vasil Zoga është një nga viktimat e krimeve komuniste, duke përjetuar një kalvar mundimesh nga persekutimi dhe dënimi në Spaç. Gjithçka nisi me pushkatimin e vëllait të tij, Jani Zoga. Vasili ka lindur në vitin 1939 dhe rrjedh nga një familje e thjeshtë punëtore nga fshati Shtikë i Kolonjës. Ëndrra për t’u bërë mjek, iu ndërpre në mes, por e ushtroi profesionin e mjekut në burgun e Spaçit dhe në internim gjithë jetën. Në 8 korrik 1976, arrestohet pasi kërkoi drejtësi për pushkatimin e vëllait. Takimi me kryeministrin Mehmet Shehu, për pak sa nuk i kushtoi jetën, por me shprehjen: “I di Partia këto punë”, ai do të pranonte fatin që i caktoi Partia, duke u dënuar me 10 vjet burg “për agjitacion e propagandë” dhe “rrëzim të pushtetit popullor”. Dënimin e vuajti në burgun e Spaçit, ku kujton dhunën dhe torturat çnjerëzore që ndodhnin atje. Lirohet në vitin 1986, duke u kthyer në familjen e tij tashmë të vendosur në Karbunarë-Lushnjë, ku nuk u lejua të ushtronte profesionin e tij si mjek, por punoi si bari. Edhe pse kanë kaluar shumë vite, dëshira e vetme e tij është gjetja e eshtrave të vëllait Jani Zoga, të pushkatuar nga regjimi komunist.
Dëshmi e plotë e mjekut Vasil Zoga, ish-i burgosur politik
Z. Zoga, ku keni lindur ju dhe cila është origjina e familjes suaj? Si dhe përse filloi persekutimi i familjes suaj nga komunistët?
Kështu për pjesëmarrjen në Luftë që në moshën 17-18 vjeçare, vëllait tim Jani Zoga, i’u akorduan gjashtë dekorata dhe menjëherë pas Lufte, u dërgua në shkollën për oficer dhe gradohet toger. Pra, vëllai im për trimërinë e treguar, u emërua Komandant i Postës Kufitare Braçanj, të Devollit. Ju e dini që me fitimin e një titulli vjen edhe përgjegjësia e cila në periudhën komuniste kishte të bënte me përkrahjen e padrejtësive dhe përfshirjen brenda formacionit shtetëror terrorist.
Këtu filloi persekutimi i familjes suaj nga komunistët?
Pikërisht këtu nis gjithçka. Në mars të vitit 1957, vëllai im, ishte në krye të detyrës oficer kufiri dhe në këtë moment, ai merr një propozim nga Xhelo Abazi, për vrasjen e Sabri Rakipit, një bashkëfshatar i tij, i moshuar afro 80 vjeç, i cili akuzohej për arratisje jashtë vendit. Vëllai im nuk po e konceptonte dot gjithë këtë situatë pasi, si mund të arratisej një njeri në moshën e atij dhe si mund të vritej një njeri i pafajshëm.
Por pavarësisht këmbënguljes për ta parandaluar këtë krim, nëpërmjet denoncimit në organet e Policisë, Sigurimi i Shtetit, vret në kufi plakun Sabri Rakipi, për të terrorizuar psikologjikisht popullin. Sigurisht për këtë vrasje ishin në dijeni Zija Kambo, Komandant i Kufirit në Korçë dhe Kryetari i Degës së Brendshme në Korçë, Jani Naska, dhe pas kësaj ngjarje, vrasësit u dënuan formalisht. Menjëherë pas kësaj, Jani Zoga u vu nën shënjestrën e Sigurimit të Shtetit, i cili po kurdiste arrestimin dhe dënimin e tij.
Kur dhe si ndodhi arrestimi i tij?
Nuk vonoi gjatë dhe në maj të 1957, Jani Zoga arrestohet padrejtësisht, me akuzën e “formimit të grupit armiqësor për vrasjen e Hrushovit, i urdhëruar nga grekët, në itinerarin Devoll-Shtikë-Kolonjë-Leskovik”. Mbas hetuesisë, duke mos pranuar akuzën, në 16 dhjetor 1961, vëllai im pushkatohet dhe sot e kësaj dite nuk i dihet varri.
Ne si familje nuk kishim dijeni për vrasjen e tij pasi, mendonim se ishte me detyrë në Leskovik. Mirëpo filluam të shqetësoheshim pasi, ai nuk po vinte më në shtëpi. Pritja jonë nuk zgjati shumë pasi, filluan të na arrestonin njëri pas tjetrit. Ju tregova këtë ngjarje pasi, këtu është e gjithë esenca e persekutimit tonë nga regjimi komunist, duke përjetuar kampet e internimit të asaj kohe.
Ku ju internuan? Si ishte jeta aty?
Ashtu siç e përmenda pak më pare, menjëherë pas pushkatimit të vëllait tim, Jani Zoga, Sigurimi i Shtetit, i cili ka qenë një organizatë apo një seksion i veçantë që është krijuar personalisht nga Enver Hoxha, për të shtypur dhe terrorizuar popullin dhe për të mbajtur pushtetin e tij, arreston vëllain tim dhe e dënon me 15 vjet heqje lirie, xhaxhi im me 10 vjet së bashku me babain, dhe shumë fshatarë të tjerë si grup, por me akuza të ndryshme.
Si duket këto arrestime, ishin në kuadrin e asaj që ka thënë ish-Prokurori i Përgjithshëm Arianit Çela, i cili ka deklaruar se: “Partia jonë e kishte plan që 2000 veta do të burgoseshin në vit”. Këtë gjë e vërteton edhe Kadri Hazbiu, ish-Ministri i Brendshëm, i cili thekson se “Partia jonë bënte dy lloj arrestime në vit, bënte për 1 Majin dhe për festat e Nëntorit ku arrestoheshin nga 400-500 veta sepse nevojiteshin që të punonin si skllevër”.
Kështu fillon edhe kalvari i përndjekjes së familjes sime. Unë gjatë asaj kohe isha duke vazhduar studimet për Mjekësi në Tiranë, vij këtu pasi punoja kohën e beharit në Voskopojë, si kuadër i mesëm dhe mbas 15 ditësh, vijnë më marrin në formën e arrestimit dhe më çojnë në Lushnjë. Unë nuk e dija që atje kishin marrë babain, vëllezërit e mi dhe xhaxhallarët, shikohem mbas disa muajsh me ta në internim. Më pas, na marrin dhe na çojnë në Gradishtë, Savër dhe përfundimisht në Rrapës. Jeta në internim ishte e vështirë pasi, atje futej pjesa më e shtypur, e përbuzur dhe e shfrytëzuar e shoqërisë shqiptare.
Punonim si gjithë punëtorët e tjerë, por kishim një dallim sepse, shpërblimi nuk ishte njëlloj, punët më të rënda dhe shpërblimi i pakët, pra shfrytëzimi i madh. Jetonim në një barakë që vetëm sipër nuk pikonte, por frynte era nga të katërta anët, pa ngrohje, pa banjo, pra në mënyrë mizore dhe të keqtrajtuar. Bënim dy herë në ditë apel. Duhet të dini diçka që, nëpër kampet e internimit të regjimit komunist, ashtu siç ishte edhe Savra, ka pasur plot njerëz intelektualë, fisnikë, që pavarësisht punës që kryenim atje, se dihet që punët më të rënda i kishim ne, nuk na mungonte dëshira për dituri.
Prandaj unë edhe pse u shkëputa nga studimet dhe nuk u diplomova, librat dhe leksionet universitare më vinin nga shokët e mi, mirëpo atje ku unë i fshija, për të mos m’i gjetur kriminelët dhe skuthët e regjimit, m’i hante miu. Kemi qenë në kondita të vështira mirëpo unë kam qenë i pasionuar për dituri dhe pavarësisht se punoja gjithë ditën, në punë të rënda, nga ora 9 e darkës e, deri në orën 1:00 unë studioja. Prandaj pasioni dhe dëshira e madhe për një profesion, nuk shuhet kurrë, qoftë edhe i internuar nga regjimi.
Sa vite qëndruat në internim?
Unë kam qëndruar në internim vetëm 5 vjet, pasi fitova pafajësinë. Po si e fitova pafajësinë? Vjen për inspektim gjenerali Nevzat Haznedari, (apo “kolonel i zi”, siç ja kishin vënë titullin), me nja 15 oficerë. Në atë moment unë isha duke mësuar pak gjuhë të huaj në një libër enciklopedik, (por ju e dini që atëherë dënoheshe nëse mësoje gjuhë të huaj), të gjithë dolën shpejt e shpejt nga dhoma, ndërsa unë sa i fsheha nën krevat, pasi erdhi dega e kontrollit, u takova ballë për ballë tek dera, me Nevzat Haznedarin , pasi kur unë do dilja, ai hyri.
Në këtë moment më thotë: “Nga je ti”? Kolonjar jam i them unë. Ai vazhdon duke folur me njëlloj indiference dhe përbuzje: “Çfarë e ke Jani Zogan”? Dhe unë ja kthej: vëlla e kam, i cili ashtu si ne ishte i pafajshëm, kështu që nuk keni pse më mbani këtu. “Po – thotë ai ti – nuk ke asnjë faj”. Dhe iku gjithë inat. Unë në çast duke i mbajtur mend orën, bisedën i drejtohem me një letër Haxhi Lleshit, President i Republikës, ku i shkruaj: “Në orën 10 të mëngjesit, gjenerali Nevzat Haznedari me 15 oficerë, midis 500 njerëzve që ishin grumbulluar atje, më ka komunikuar pafajësinë, prandaj duhet të lirohem”. Përgjigjja erdhi dhe unë lirohem nga internimi, por sigurisht me disa kushte, pasi nuk lejohesha të shkoja në gjithë Shqipërinë dhe isha nën vëzhgimin e tyre.
Ku shkuat pasi u liruat nga internimi?
Mbasi lirohem në vitin 1966, mendova se drejtësia për pushkatimin e vëllait tim, duhej të vihej në vend, prandaj i kam dërguar letër vet kryeministrit të Shqipërisë, Mehmet Shehut, i cili ishte kriminel. Mbas disa ditësh që i kishte shkuar telegram, më thërrasin në zyrën e Mehmet Shehut, për t’u përballur me të. Pasi letrat që unë kisha shkruajtur përmbanin urrejtje dhe mllef.
Kështu që unë mbërrita ditën e hënë në orën 8:00 në zyrën e Mehmet Shehut, hyra atje dhe shikoj sekretaren me dy oficerë që më thonë: “Prit”. U hap dera e zyrës dhe shfaqet Mehmeti, një njeri i sertë, i dobët, vinte pak ezmer, jo shumë i gjatë, që na dukej ne si “gogol” nga larg. Vjen dhe më sheh nga koka tek këmbët. Të njëjtën gjë bëj dhe unë. Mbas 4-5 minutave që qëndruam duke parë njëri-tjetrin i them: ‘Jam Vasil Kristaq Zoga, iu kam bërë dy letra skam marrë përgjigje’.
Kthehet nga sekretarja dhe me gishtin e dorës së majtë i drejtohet nxirri letrat. Në momentin që nxori letrat, unë i drejtohem dhe i them ato që përmbante letra. “I nderuar shoku Kryeministër, ti je përfaqësuesi i Partisë dhe i shtetit, Enver Hoxha, nuk ka kohë të merret me hallet tona, dua vetëm drejtësi, pafajësinë e vëllait tim, të cilën e dua me dokumente. Ju vëllanë tim e njihni mire, pasi i keni varur 6 dekorata, sepse ka mbrojtur kufijtë e Shqipërisë. Jani Zogan e kam vëlla nuk e mohoj kurrë dhe për vëllanë të vras”.
Këtu u nxeh situate, pasi shikimet tona ishin të egra, si dy qen që do hanin njeri-tjetrin. Pa e kuptuar nga provokimi që unë i bëra dhe nervozizmi, fut dorën në brez dhe më nxjerr pistoletën e cila ishte e vogël dhe shkëlqente. Ma drejtoi pistoletën nga një distancë farë të vogël dhe unë qëndrova ashtu siç isha, duke mos ja hequr sytë. Kjo gjendje vazhdoi për gati 3 minuta dhe më pas ai e futi pistoletën në brez dhe duke buzëqeshur, nga njëra anë i ndriti një dhëmb prej floriri. I egërsuar dhe me fytyrën që i ishte nxirë, më tha: “E di partia atë punë”. Dhe u vërtetua që Partia është mbi gjithçka, pasi mbas një viti më arrestojnë.
Në vitin 1975, pushohem nga detyra e mjekut me motivacionin se “kishte tepricë kuadri”, gjë që s’ishte e vërtetë pasi, vendi kishte nevojë për mjek. Atë ditë që do arrestohesha, unë nuk e dija se do ikja nga shtëpia në orën 5 të mëngjesit dhe do kthehesha pas 10 vjetësh, për t’i parë fëmijët e rritur dhe gruan që më priste. Kështu që në 8 korrik 1976, arrestohem dhe dënohem me 12 vjet burg, për çështje politike: “Agjitacion e propagandë dhe tentative për rrëzimin e pushtetit popullor”.
Çfarë ndodhi në hetuesi me ju, si u trajtuan?
Hetuesia ime vazhdoi për gati 9 muaj. Ishte tepër e vështirë dhe mizore pasi, kaloje çdo ditë nën presionin dhe torturat që përdornin hetuesit apo, dhe personat e Sigurimit të Shtetit, për të pranuar atë që ti se ke bërë. Hetuesi im, ishte Riza Tahollari. Torturat që ata bënin, ishin nga më të ndryshmet, por ajo më e tmerrshmja për mua, ishte gudulisja e cila të jepte humbje të vet kontrollit.
Gudulisja nga shumë njerëz bëhet për të shkaktuar të qeshura, por mund të përdoret edhe si formë torture e cila, ka pasoja fatale për njeriun qe e përjeton. Mua në hetuesi më lidhën këmbë e duar me zinxhirë dhe kam qëndruar ashtu me ditë të tëra, pa bukë, pa banjo, duke u gudulisur nga ata, ku si pasojë kam humbur edhe ndjenjat. Mbaj mend që në hetuesi, kam gjetur një copë të grisur gazete, në të cilën ishte flamuri kuq e zi, e kam marrë dhe e kam fshehur në gji, të më jepte forcën për të përballuar kërcënimet dhe torturat e kafshërisë komuniste.
Si u zhvillua gjyqi juaj?
Gjyqi për mua ishte i papritur, pasi më morën menjëherë dhe më nxorën para trupit gjykues. Atje më dolën shumë dëshmitarë ku disa prej tyre, i kisha shëruar nga sëmundjet që ata vuanin pasi unë e ushtroja vullnetarisht detyrën time si mjek dhe isha i gatshëm për t’u përgjigjur nevojave të popullit. Të gjitha dëshmitë e tyre unë i hodha poshtë, duke protestuar ashtu siç protestova kur më arrestuan dhe gjatë hetuesisë duke kërkuar pafajësinë. Jam shprehur se unë kam dhënë kontributin tim e, kam kryer detyrën time si mjek dhe nuk i kam përlyer duart e mia me gjak si ju.
Këtu ju dogji atyre dhe më thonë: “Si, kush”?! Unë me atë kokëfortësinë time vazhdoj, të cilën e kam ende dhe sot sa njerëzit më thonë që ty s’të ka ndrequr as burgu i Spaçit. I them: si Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu. Revoltohet trupi gjykues, si Selami Janushi, i cili ngrihet në këmbë dhe më thotë: “Po na njollos dy figurat më të shquara të Shqipërisë, do të futim 12 pashë në dhe”.
Në atë moment unë i drejtohem portretit të Enver Hoxhës që, ishte varur në mur, pasi ma sollën në shteg: “Enver Hoxha me buzëqeshjen e tij hipokrite i ka vënë kazmën Shqipërisë, ka ekzekutuar me qindra dhe mijëra shqiptarë, e ka kthyer Shqipërinë në burg, i ndrit gjaku në duar dhe fytyrë”. Këtu u nxeh situata dhe ata bërtisnin: “Ti je i çmendur, do të çojmë për ekspertizë mjeko-ligjore”. Deri në atë moment, unë s’kisha pranuar asgjë, por pas kësaj, dola hapur si armik i pushtetit. Më dënojnë me 12 vjet burg.
Mbasi morët dënimin, në cilin burg ju çuan?
Më çojnë në burgun e Spaçit, ku mund të them me plot bindje se ka qenë një burg, kaluar burgut hitlerian. Këtu i kanë hequr njerëzit zvarrë, kanë përdorur tortura nga më çnjerëzoret. Puna në galeri ishte e frikshme pasi, të rrezikohej jeta nga vagonët me tonelata të mëdha mineralesh. Mbaj mend që kam hequr të “zinjtë e ullirit”, jam vrarë tre herë, ku herën e fundit çava veshkën e majtë, pasi u thyen shkallët gjatë punës në galeri.
Kam qëndruar gati 13 ditë shtrirë me hemorragji dhe nuk duhej të futesha më në galeri pasi, trupi im shfaqte alergji dhe më zihej frymëmarrja. Por pavarësisht kësaj, synimi i tyre ishte që unë dënimin ta kryeja në galeri. Mirëpo unë u betova që, do ja përmbysja të gjitha vagonët në galeri Enver Hoxhës dhe ashtu bëra. Në Spaç, kishte plot të burgosur ku vërtet ishin viktima të atij regjimi, i cili nuk kursente askënd. Disa nga bashkëvuajtësit e mi në atë kamp, ishin: Muhamet Harremi, Kita Marku, Fadil Kokomani, Qani Sadiku, Vasil Jano, Astrit Xhaferri, Jorgji Gramozi etj., të cilët i kujtoj me një dhimbje dha dashamirësi të madhe.
Gjatë kohës që ishit në internim dhe në burg, a e keni ushtruar profesionin si mjek, qoftë edhe vullnetarisht?
Që kur vesha bluzën e bardhë, duke respektuar betimin ndaj hipokratit, në shpirt më lindi parimi im: Zoti në qiell dhe doktori në tokë. Ky parim më ka shoqëruar gjatë gjithë jetës sime, që në momentin që kam kryer detyrën e parë si mjek dhe deri sot që jam 80 vjeç. Kështu që nuk kisha si të bëja ndryshe kur regjimi komunist në fillim më internoi dhe më pas më burgosi.
E kam nisur shumë i vogël ushtrimin e detyrës si mjek, nën kujdesin e Doktor Polenës, për të cilin gëzoj një respekt të madh dhe kam ndihmuar edhe në lindjet urgjente, pasi paraqitej nevoja. Unë kam dhënë kontributin tim si mjek edhe gjatë periudhës së internimit në Lushnjë, ku e kujtoj me shumë nostalgji popullin e Lushnjës, dhe e falenderoj për mikpritjen dhe besimin që kishte tek mua. Ka qenë mbi të gjitha, një popull shumë bujar e mikpritës.
Kam shkuar vullnetarisht dhe kam dhënë ndihmën time sa herë që ata kishin nevojë dhe mbaj mend që doli një shprehje asokohe për mua, nga kundërshtarët e mi, ku thuhej: “Si doktor, i shkëlqyer si armik, gjarpër me dy koka”. Kam punuar gati 20 vjet si doktor ku kam dhënë kontributin tim të pakufizuar, duke shtruar me dhjetëra urgjenca, kam pritur gati 38 lindje në rrethin e Lushnjës, për raste urgjente, pavarësisht se unë nuk isha i specializuar për këtë pjesë, por nevoja të bën që ta përballosh me sukses.
Po ashtu edhe në burgun e Spaçit, unë i jepja ndihmën time të burgosurve, por fshehurazi, me atë stetoskopin tim që, ia kisha dhënë Kita Markos, të ma mbante mënjanë. Këtu më ka ardhur keq për një të burgosur, (me mbiemër Kondakciu), i cili ka vdekur vetëm për një nitroglicerinë dhe është diagnostikuar me sëmundje të rëndë.
E kam parë në galeri dhe i thashë: Ikë, je sëmurë nga zemra, pasi e kishte shumë të dobët, jo vetëm nga stresi por, edhe nga torturat që i ishin bërë, pësoi atak kardiak. Kjo është jeta…! Do ju them diçka, në repartin ushtarak në burg, kishte ilaçe sa të doje, këto i kam parë me sytë e mi. Unë gjatë kësaj kohe, kisha edhe dy muaj burg, kanë kërkuar ndihmën time dhe shkoj në edhe në repart, ku ishin vendosur gjithë ato ilaçe. Ilaçet kalbeshin dhe nuk përdoreshin për shërimin e të burgosurve.
Zoti Vasil, keni jetuar një periudhë të vështirë dhe të gjatë nën diktaturën komuniste. Si e keni përjetuar ardhjen e pluralizmit?
Regjimi komunist ka shënuar një pikë kthese në shoqërinë shqiptare pasi, ka qenë një sistem i tmerreve dhe vrasjeve masive, të cilat kanë lënë gjurmë të mëdha në kujtesën e njerëzve që e kanë përjetuar atë kohë. Mund të them se më shumë se gjysma e popullsisë shqiptare, ka qenë e persekutuar, e traumatizuar, si pasojë e atij sistemi.
Unë nuk e kam dashur Enver Hoxhën dhe sistemin komunist por, as nuk e doja këtë pseudodemokraci e cila, po na përçan dhe nuk po i jep vendin e duhur secilit prej nesh. Është njëlloj anarkie e zaptuar nga mafia dhe nga gjithë dukuritë negative të cilat, çojnë në demoralizimin e shoqërisë. Unë e dua demokracinë, lirinë, pajtimin dhe vëllazërimin kombëtar, e dua Shqipërinë jam patriot dhe do të vdes i tillë pasi, dua një të ardhme më të mirë për fëmijët e mi dhe fëmijët e gjithë Shqipërisë. Memorie.al