Pas 35 vitesh nga greva e tyre revolucionare për historinë e Kosovës, disa nga minatorët e nëntokës së pasur të Trepçës janë rikthyer në kohë – duke kujtuar me nostalgji përjetimet e tyre – në një marsh që i bashkoi ekspozita “Reporting House” në Prishtinë.
“O pash Zotin tha ‘mos hyni në Prishtinë se asnjo të gjallë s’keni me hy’. Thashë ‘pasha Zotin kena me hy, ja të gjallë ja të vdekur’” – ishin fjalët e shkëmbyera midis Remzi Kolgecit dhe minatorit Isuf Boletini, duke kujtuar grevën e vitit 1989, teksa po udhëtonin nga Mitrovica drejt Prishtinës më 20.06.2024, për të marrë pjesë në marshin e thirrur në kryeqytet drejt ekspozitës “Reporting House”, aty ku shfaqet një fotografi e minatorëve nga zhvillimet e 89-ës.
Me helmeta në kokë, minatorë të Trepçëss u nisën nga hoteli “Grand” në qendër të Prishtinës, deri te ekspozita Reporting House, [Shtëpia e Gazetarëve] në objektin e ish-Germisë. Ky marsh u organizua me qëllim të përkrahjes dhe sensibilizimit të opinionit për rëndësinë e grevës së minatorëve të vitit 1989.
Pjesë e marshit ishte edhe Isuf Boletini, i cili shihet në njërën prej fotografive të ekspozitës nga tubimi i minatorëve në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, në shkurt të vitit 1988 dhe Jeta Xharra, drejtoresha e Rrjetit Ballkanit për Gazetari Hulumtuese në Kosovë (BIRN), që ka prodhuar ekspozitën bashkë me Bienalen e Prishtinës dhe Paper Gallery.
Fotografinë duke e bërtitur, Boletini e përshkruan si “mburojë për mbrojtje”.
“’Tito Partija’ kemi bërtitë këtu, Titën e kemi pasë me depërtu, ka qenë nji mbulesë, nuk kemi mujtë na me depërtu me ardhë në Prishtinë. Siç thashë në Milloshevë, na kanë dalë Remzi Kolgeci (kryetari i kryesisë së Kosovës) na ka dalë përpara më nji palltë të bardhë dhe mundohej me na ndalë”- rrëfeu Boletini.
Me sy të skuqur, e me plot emocion minatori Rrustem Rrahmani gjatë rrugës nga Mitrovica në Prishtinë, rrëfen vështirësitë që hasi gjatë rrugës asokohe e madje nuk i bëhej vonë për këmbën e tij të dëmtuar.
“Po qesaj udhe kemi shku në Prishtinë në kambë. Qatje ma nalt, kur na kanë dalë policia e kemi thye dhe kemi hy në Prishtinë. Një rast kur më kujtohet e kam në kokë, kah shkoj te Obiliqi nalt në përpejëze aty, daja jem Azem Rexha mu drejtu a je budall, a të kanë lanë mendtë?, thashë çka u ba, çka kom ba bre dajë, tha a e din qysh e ki kamën, se e kam kambën e thyme llom. Të plastikës e kam, kur e zbulova kamën, brumë e ajt (ënjtur)”- tha Rrahmani.
E shprehja e fytyrës së minatorit ndryshoi kur tregoi se gjatë rrugës bashkangjiteshin qytetarë, e me të mbërrirë tek “Pallati i Rinisë” iu bashkangjiten edhe minatorët e minerave të tjera.
“Kur mbërrijtëm në Boro Ramiz (Pallati i Rinisë), me Hajvali, me të Kishnicës krejt Kosova na erdh përmas, na u kanë bashkangjit. D.m.th të gjitha shtresat iu kanë bashku, me qytetarë me fshatarë, me intelektualë, me nxansa. Na kem shku në Prishtinë, kena hy në sallën “Boro Ramizi” e tash pallati i sportit që është, na kanë dalë përpara Azem Vllasi, Kaqusha Jashari, këta funksionarët, na kena dashtë më i mbrojtë. Edhe pika u kanë që kena dashtë me i mbrojtë, të njëjtit që mos me na hekë prej pushteti”.
Për minatorin Gani Osmani çdo marsh, grevë e demostratë është për çështje sociale e për të drejta të punëtorëve, mirëpo sipas tij kjo ka qenë ndryshe dhe nuk e përshkruan aspak si të lehtë.
“Kjo ka qenë për herë të parë, marrshi i parë edhe greva e parë që kanë qenë politike. Ka qenë për mbrojtjen e kushtetutës të vitit 1974, mbrojtjen e intelektualëve, profesorëve shqiptarë, mësuesve, mbrojtjen e shkollave shqipe. Të gjitha këto. Ardhja në Prishtinë nuk u kon e lehtë. Na e dijna regjimin çfare ka qenë atëherë, nuk u kon aspak e lehtë, ka qenë shumë e vështirë, na e kem ditë që kemi policinë serbe në rrugë, kem vështirësi, mirëpo është edhe vullneti edhe pakënaqësua na ka shty”- u shpreh Osmani.
Minatori Gani Beqiri ishte kthyer nga puna në shtëpi pas përfundimit të ndërrimit të tretë. Derisa ai ishte në gjumë nuk ishte fare në dijeni për marshimin e shokëve të tij.
“Kur më ka thirr shoqja kah ora 12, tha mule (ngutu) se plot minatorë po shkojnë për Prishtinë, çu, e jom çu. Deri diku jena ardhë në kambë, dikun me autubusa”- kujtoi Beqiri.
Gjatë rrugës nga Mitrovica në Prishtinë, minatorët rrëfenin për grevën në të cilën ishin bërë pjesë 1,300 minatorë, gjithashtu edhe sakrificat e paharrueshme që ata kishin kaluar.
“Kur unë mendoj, që 8 ditë e 8 netë jemi kanë qaty, shoku dojke me dekë qaty e nuk pranojke me dalë jashtë. Thojke qetu keni me më varros në punishte, Rrustem Voca nuk pranojke me dalë. Kish minatorë që dilshin përjashtë e merrshin ndihmën e parë edhe apet u kthejshin vijshin te na aty”- kujtoi minatori Rrustem Rrahmani.
“Qeta (helmetën) e kam pasë jastak, qit setër e kam pasë mbulojë se s’kemi pasë tjetër sen kurrgjë”- tha minatori Gani Beqiri.
Pa u pastruar për tetë ditë rresht, të ndenjurit në të ftoftë e pluhur nuk i ndalte minatorët ta ndiqnin parullën e tyre “Të gjithë për një dhe një për të gjithë”.
Kthimin në shtëpi pas tetë ditësh, minatori Beqiri e përshkruante si sfidën më më madhe sepse ai ishte i aftë për punë.
“Na kur kemi hy në grevë, na e kemi vendos edhe me vdekë. Kur të hyn në grevë, vendimi më i vështiri është kur një minator vendos me hy në grevë edhe vendos me vdekë”, kështu e përshkruan ish sindikalisti Gani Osmani vendimin për të hyrë në grevë.
Gjysmën e jetës në terr, e gjysmën tjetër në dritë ai e pasyqron me ngjyrat e flamurit të Trepçës – gjelbër e zi.
“Minatorët punojnë nën tokë, d.m.th kanë dallim sipërfaqja sikur terri dhe drita. Na jem në terr, këta janë në dritë. 1/3 e minatorit i shkon në terr. Se tetë orë punon, tetë orë është pushim, tetë orë i ka gjumë. Na edhe flamurin e kem me dy ngjyra, e kem të zezën dhe të gjelbertën. D.m.th gjysa e jetës shkon pa shpresa në terr, gjysa e jetës me shprea se do të dalim në sipërfaqe që do të kemi një jetë ma të mire”- përfundoi Osmani. sn