…. Unë nuk jam aktor! As këngëtar, as muzikant, as dikush që mund të përjetonte ndjesinë unike të përkuljes në skenë.
Për të qenë i sinqertë shpesh herë e kisha imagjinuar ose dhe ëndërruar ndjesinë që mund të marrë dikush me një përkulje në skenë.
Dhe këtu vetë jeta e tejkalon imagjinatën. Ajo që ndjeva është e papërshkrueshme dhe jam vërtet me fat që munda ta përjetoj.
Arti është si jeta! Herë identifikohet e herë ngatërrohet me të, aq sa shpesh më kujton një pyetje fëminore që në fakt, e mundon njerëzimin. “A e bëri zogu vezën, apo veza zogun?” Pra edhe këtu “ a bëri arti jetën, apo jeta bëri artin?”
Ende nuk e di dhe ndoshta nuk dua ta mësoj. Pasi mua më mjafton të jetoj duke parë artistët në “misticizmin” e tyre.
Jeta dhe arti kanë përmbysje të vazhdueshme, asgjë konstante, dhe janë si një lumë që nuk ndalet kurrë dhe uji i të cilit ndryshon vazhdimisht shtretërit. rrjedhja e vazhdueshme e jetës nuk na lë të mërzitemi, ndryshon konstantet tona dhe përcakton personalitetin tonë.
Dhe aty ku të përkul zhgënjimi, aty ku të rrëzon pesha e jetës, vijnë meloditë nga opereta e parë shqiptare “Agimi” e Kristo Konos, 70 vjet më vonë për të të nxjerrë sërish në sipërfaqe. Del në sipërfaqe dhe ai “Agimi” që kemi brenda nesh, drita që fshehim apo që mbulohet nga problemet dhe betejat e përditshmërisë. Dhe më pas ngrohtësia njerëzore vërshon skenën dhe publikun, me një pafajësi muzikore të humbur në ditët e sotme.
Sepse kjo është skena lirike. Një shkëmbim emocionesh, një vërshim përvojash intensive dhe në të njëjtën kohë një betejë e vazhdueshme për lumturinë. Një “Agim” që duhet zbardhur vetëm përmes betejave të vështira.
E sa njerëz në ditët e sotme nuk e presin një agim të tillë, në një moment të jetës së tyre? Dhe sa prej nesh nuk duan një himn për jetën, një pafajësi të humbur, qoftë edhe në një operetë që vuri gurthemelin e historisë sonë operistike. Edhe pse e dimë që pas premierës jeta jonë nuk do të ndryshojë. Por mund të përmirësohet.
E di, e zgjata….
Pasi një nga udhëtimet më të bukura të jetës sime përfundoi me kujtime të bukura dhe eksperienca të mrekullueshme. Premiera absolute e operetës “Agimi” 70 vjet më vonë në Korçë, e konceptuar nga Inva Mula, lindi nga një grup artistësh që secili dha kontributin e duhur për ta kthyer këtë vepër “jetime” dhe të “panjohur” në shtëpinë e saj, në qytetin e Korçës shtatë dekada më vonë. .
Për këtë arsye dua të falënderoj nga zemra të gjithë ata që morën pjesë dhe të gjithë ata që na ndihmuan. Kryesisht Inva Mula, Suzana Turku, Bardhi Pojani, Jusiald Xhani, Elva Bella, Antonia Frasheri, Gjergji Mani, Belliu Blerta Simona, Karafili Demi, Klodiana Brahimi, Ionela Mani, Xhon John Jesku, Besard Lujkaj, Noel Prifti, Oresti Hoxhallari, Marius Hajdajar, Xrisa Gjika, Gert Ferra, Gloria Nure, Erika Ahmeti, Ester Troja Anëtarët: e korit të të rinjve të Tiranës, e Orkestrës Simfonike të Forcave të Armatosura dhe Trupën e Ansamblit Artistik të Korçës Skënderbeu
Shpresoj dhe uroj me gjithë zemër që të takohemi sërish.
Aleksandrino Ikonomidhi Sulioti
twitter