Pa dashtë kurrsesi me hy në polemika të pafrytshme me askënd, si me ata që flasin me anakronizma dhe me pasione të vjetrueme politike, njerëz që injorojnë njiherësh historinë dhe idealet e autoqefalizmit, ashtu edhe me ata që duen me përfitue prej polemikave për me denigrue ortodoksët shqiptarë, më erdhën ndër mend këto ditë disa shpalime të kalueme për Himarën, bijtë e së cilës kanë tregue ndër shekuj se ma fort se gjithçka duen lirinë dhe besën e hershme.
Së pari D. Farlati tek “Illyricum Sacrum” (vëll. VII, ff. 435-436) përshkruen gjendjen kishtare të Himarës në shek. XVII, veprën e misionarëve të dijshëm e të devotshëm baziljanë që gjallnuen jetën shpirtnore të krahinës, ndërsa kleri shekullar i martuem ishte injorant dhe nuk kujdesej për frymët që i ishin besue. Në vitin 1669 Papa Inoçenci XII emnoi në Himarë murgun baziljan Filoteo Zassi, ndërsa në fillim të shek. XVII Himara u vu nën nji “Episcopus Musachiensis”, i cili themeloi nji shkollë (scholas instituit). Asokohe në Himarë, krahas besimtarëve ortodoks, ka pasë pa ndërpremje katolikë, nji pjesë e të cilëve tue qenë të izoluem dhe pa shërbim baritor kishin kalue vetvetiut nën jurisdiksionin e Kishës ortodokse. Gjithsesi në shek. XVII prania e katolikëve shqiptarë në Himarë asht e dokumentueme dhe asht e vetmja arsye që Selia e Shenjtë dërgon aty misionarë.
Shkolla katolike në Himarë vijoi punën e saj, ky fakt del prej nji dokumenti të 1 tetorit 1675 që ndodhet në Arkivin e Propagandës Fide (A.P.F., Fondo Albania, vol. 2, c. 149r), si edhe prej nji letre të 20 gushtit 1678 që ipeshkvi Arkad Stanila, i dërgon Vatikanit, ku thotë se ai vetë do ta zëvendësojë mësuesin Athanas Logoteta, që kishte vdekë (A.P.F., Fondo Albania, vol. 2, c. 194r).
Edhe nji letër e datës 24 prill 1682, drejtue Papës nga Himara, nga ana e ipeshkvit Arkad, tregon për vështirsitë e mëdha që ndeshnin katolikët në Himarë nga ana e klerit ortodoks, por fatmirsisht vëren letërshkruesi, disa katolikë vendas si kapiten Kristofor Nina i kompanisë së himariotëve dhe kapiten Dhrimo Varfi kanë mbrojtë misionarët edhe me armë, ky i fundit madje tue mbetë i plagosun. (A.P.F., Fondo Albania, vol. 3, c. 669r-670r).
Nji studim tjetër që meriton vemendjen tonë ka si objekt nji tubëz dokumentesh të Mbretnisë së dy Siçilive të fundit të shekullit XVIII. Studimi në fjalë asht i nji historiani të institucioneve, të së drejtës dhe historisë moderne, Gennaro M. Monti (1896-1943), dhe ka pa dritën e botimit në vitin 1941.
Monti analizon me kujdes disa dokumente me randësi të periudhës 1789-1795, që ruhen në Arkivin e Shtetit në Napoli dhe hedhin dritë mbi marrdhanjet e ngushta të Himarës me Borbonët. Gjithçka i ka rranjët në Mesjetë kur normanët zbuene bizantinët prej Italisë së Jugut dhe u turrën me i dëbue edhe prej brigjeve përballë. Gjithsesi ajo që na intereson me nënvizue këtu nisë me themelimin nga ana Karlit, mbretit borbon, në vitin 1735 të Batalionit (ma vonë u quejt Regjiment) Mbretnor Maqedonas, i cili, siç dihet përbahej kryesisht prej shqiptarësh dhe grekësh. Nji prej letrave që paria e Himarës i dërgon Mbretnisë së Siçilive me 9 janar të vitit 1791, dëshmon se Karli IV kishte marrë nën mbrojtje provincën e Himarës qysh në vitin 1789, tue caktue me u marrë me çeshtjen e sovranitetit të Himarës kavalier Diego Naselli-n, i cili kishte si përfaqsues të vetët në Himarë Gjon Spiron dhe Konstantin Kasnecin. Letra njofton emnimin e major Athanas Gjikës si përfaqsues të Himarës pranë Borbonëve për me kujdesue çështjen e mbrojtjes së kësaj krahine dhe kalimit të saj nën ndikimin borbon, tue përfitue të gjitha privilegjet e rastit. Në atë letër, por edhe në disa tjera, flitet për njifarë Dhimo Santo, armator himariot, i cili transportonte rekrutët himariot për Regjimentin Maqedonas të Napolit, dhe ishte bllokue në Brindizi. Dhimo Santo kishte shkue për t’u interesue për sovranitetin e Himarës, dhe aty do të vonohet dy vjet e gjysëm. Letra nënshkruhet për Himarën nga Nikollë Polimero, Spiro Gjika, Zakaria Kasneci, prifti Andrea Mantho etj., për Vunoin nga prifti Dhimitër dhe për ata që nuk dinin shkrim: Athanas Curra, Athanas Gjoleka, Kristofor Dhima, Kosta Gjika, Nestor Gjoka, Nestor Kasneci etj. Për Qeparoin nga Nikolla Polimeri dhe për ata që nuk dijnë shkrim: Spiro Dhima Leka, Martin Duka, Gjikë Duka, Gjokë Gjini, Malio Pali etj. Për Dhërmiun, nga: Nestor Nina, Spiro Elia Athanasi, Gjikë Dina i quejtun Dhjaku, Athanas Vreto, Dhimo Gjika etj. Për Lukovën, nga: Spiro Kosta Martiri e Polimer Spiro prokuratorë. Për Lëkursin nga Kosta Tansi e Buka Dhima prokuratorë.
Nji dokument tjetër i kësaj periudhë, por pa datë, na tregon se nji numër ma i madh katundesh kishin kërkue me shpëtue tue iu bashkue kunorës borbone në shkëmbim të mbrojtjes nga pushtuesit osman dhe të privilegjeve të shumta, kësaj here mes katundeve të krishtena gjejmë edhe katunde me shumicë myslimane si Kuçi dhe Dukati.
Ndërkaq venedikasit ishin në rivalitet të hapun me borbonët përsa i përket ushtarëve himariot. Nji letër e shkurtit 1792 tregon sesi Republika e Venedikut joshte pa pushim me paga të nalta dhe paguente për çdo himariot që në vend që me shkue në Regjimentin Maqedonas, kalonte në Korfuz në shërbim të Venedikut. Megjithatë paria e krahinës nuk i humb shpresat dhe vijon tue dërgue letra për me kalue nën mbrojtjen de facto të Mbretnisë së Napolit.
Nji rrezik i madh për himariotet paraqitej nga Ali Pashë Tepelena, i cili, i shtymë thjesht nga lakmia prej feudali të pamëshirshëm, donte me pushtue Sulin dhe Himarën. Nji dokument tjetër i qershorit 1792 tregon se tue përfitue nga nji takim në Sarandë mes krenëve të fiseve për pajtimin e Nivicës dhe Lëkursit, shqiptarët i kërkojnë ndihmë në materiale luftarake si edhe mbështetje politike Borbonëve, për t’u mbrojtë nga Ali Pashë Tepelena.
Vetë Naselli në nji letër të 21 korrikut 1792 përshkruen qëndresën heroike të suljotëve kundër Ali Pashës, madje tregon sesi Myftar Pasha i shpëtoi për pak kundërsulmit të fuqishëm suljot. Forcat e Ali Pashës ishin rreth 20 mijë vetë, ndërsa suljotët vetëm 1500 luftëtarë. Në betejën e parë u vranë ma shumë se 2000 turq dhe vetëm 50 suljotë dhe 6 gra të tyne. Naselli tregon edhe hollësi interesante. Suljotët mbanin nji numër të konsiderueshëm robësh turq. Nji dinjitar i pasun turk, i zanun rob, i ofron suljotëve 60 qese me e lanë me ikë, por nji luftëtar shqiptar të cilit po atë ditë i ishte vra i ati në betejë, ia pret kryet dhe iu thotë shokëve të marrin qeset se janë tynet.
Të shtërnguem me u mbrojtë në kështjellën e tyne, edhe gratë suljote hjedhin mbi kokat e rrethuesve gur dhe tue marrë zemër, suljotët dalin jashtë dhe ndjekin ushtrinë e Ali Pashës që dështon me ketë ekspeditë të dytë. Nga relacioni shihet se Mbretnia Borbone ndjek me vëmendje luftnat e suljotëve dhe sheston me ndihmue himarjotët që duen me çdo kusht me kalue nën ndikimin dhe mbrojtjen e Mbretnisë së Napolit.
Sulmi i Ali Pashës kundër Sulit shtyn himariotët me ba aleancë me Mustafa pashën e Delvinës për nji mbrojtje të mundshme. Në letrën drejtue marshallit Diego Naselli, e nepërmjet tij Ministrit të Luftës dhe Marinës Acton, nga Gjon Spiroja dhe Konstantin Kasneci me datë 6 gusht 1792, himariotët kërkojnë barut, pushkë moderne, topa malorë, gjyle si edhe materiale tjera për luftë. Madje ata kërkojnë privilegjin që anijet e tyne të mund të shpalosin flamurin mbretnor për me pasë lehtësi në furnizimin me mall të krahinës që përgatitej për luftë.
Korrespondeca mes kapiten Spiros dhe Kasnecit me Nasellin vijon edhe në vitet 1793-95, por rrethanat politike, sidomos pasojat e Revolucionit francez për Mbretninë e Napolit, e largojnë vemendjen nga Himara. Ndërkaq Ali Pasha, siç njofton nji letër e 21 marsit 1795, ka thye me pare nji pjesë të nivicjotëve dhe në pranverën e 1798 do të sulmojë Himarën.
Dokumentet e fondit të ish Ministrisë së Jashtme të asaj mbretnije, dëshmojnë siç shkruen Monti, se himariotët qenë të lidhun për afro 80 vjet me fronit të Napolit dhe e shihnin shpëtimin e tyne vetëm nga ajo anë. As Katerina II e Rusisë nuk i ndihmoi dot himariotët, ndërsa qarqet greke, politike dhe kishtare, dihet se si kanë veprue në atë trevë.
Në histori nuk ka fakte të izolueme monadike, zelli i himariotëve me e lidhë fatin e tyne me Perëndimin i ka rranjët në përpjekjet për bashkim shpirtnor me Romën në vitin 1581, siç dëshmon Nilo Borgia në librin e tij të mirënjohun, vijon me misionin e Katalanos dhe me marrdhanjet e tyne 80-vjeçare me Mbretninë e Napolit. Ky zell me u sjellë kah Perëndimi kundërshtohet sistematikisht ndër shekuj nga pushtuesit osmanë, feudalët vendas si Ali Pashë Tepelena dhe sidomos nga grekët që nuk e fshehën asnjiherë qëllimin e tyne në atë zonë me identifikue besimin fetar me përkatësinë greke.
Historia shkruhet me dokumente dhe jo me vesh dhe as me pasione politike të frymzueme dukshëm prej interesave të fqinjëve tanë. Pohimi se kisha e shën Thanasit njihet si kishë ortodokse qysh në shekullin VI asht pastërtisht qesharak dhe tregon mungesë vetëm kulture historike. Pohimi se eshtnat e Nilo Katalanit janë zhvarrosë prej ushtrisë italiane duhet mbështetë me fakte përndryshe asht nji shpifje e ulët; gjykimet mashtrimtare mbi veprimin e Propagandës Fide nxjerrin në pah urrejtjen komuniste që ka ndrrue petk por jo kahe. I kujtojmë disave se edhe 250 vjet mbasi Propaganda Fide kishte botue fjalorë, gramatika dhe libra në gjuhën shqipe, prej anës së tyne trajtoheshin si tradhtarë, helmoheshin dhe thereshin mbas shpinet të gjithë ata që guxonin me folë për gjuhën dhe idealet tona kombtare. Ma në fund janë anakronizma të pastra akuzat që disa po i drejtokan kryepeshkopit Anastas, tue i kërkue llogari pse i toleron katolikët, protestantët dhe ungjillorët në Mitropolinë e Gjirokastrës!
Ka disa që ende nuk e kanë ba të vetin fjalorin e tolerancës, dalldia për Lindjen, për aksin Athinë-Moskë, si mendësi dhe si orientim politik nuk i ka lëshue kurrë.
Prandaj rilindasve, atyne të vërtetëve, nuk i kalon kurrë koha. Filip Shiroka para nji shekullit shkruente dy poezi: “Sipri vorrit të nji turkomanit” dhe “Sipri vorrit të nji grekomanit”. Të dyja janë aktuale edhe sot, madje vorret janë shumë ma afër njeni-tjetrit sesa kujtojmë ne.
Komentet