Reshat Kripa
–“Njerëzit që kurrë nuk e kanë njohur diktaturën dhe tiraninë, e kanë të lehtë të jepen pas retorikës për lirinë, duke harruar fare realitetin e thjeshtë e të tmerrshëm, të shtypjes së njëmendtë atje ku ekziston përnjëmend”.–
Giovani Sartori: “Edhe njëherë për teorinë e demokracisë”.
Memorie.al/ Robert Krasta, e kishte bërë zakon që në çdo përvjetor të prindërve, të shkonte në varreza dhe të vendoste një tufë me lule, mbi varrin e tyre. Vështronte fotografinë e stamposur në porcelan dhe fillonte bisedën me ta. Këtë zakon, kishte kohë që e kishte bërë. Biseda sikur i qetësonte shpirtin. U tregonte për gjithçka kishte ndodhur në familje. Ndonjëherë, kur gjente vështirësi në ndonjë gjë, u kërkonte ndihmë atyre dhe i dukej sikur ata i përgjigjeshin. Ndoshta kjo, mund të ishte ndonjë hamendje e tij, megjithatë ai e besonte.
– Përse u larguat kaq shpejt? – u tha kamarieri.
Ata nuk folën, por i bënë një shenjë me kokë nga ana e dy hetuesve. Ndërkaq bandillët, vazhdonin të rrëkëllenin gotat e rakisë njëra pas tjetrës.
Gotat u zbrazën në gurmazet e dy të pangopurve. Së fundi vendosën të largohen. Paguan paratë dhe u nisën duke u lëkundur sa djathtas, sa majtas dhe duke mbajtur njëri- tjetrin.
– E dëgjove çfarë llapën? – i tha kamarieri banakierit kur ata u larguan. – Të pimë një mirësi për gjahun e ardhshëm! Kush do të jetë ai fatkeq që do të bjerë në duart e tyre?
– Dëgjo, mos e hap më gojën se do të marrësh veten më qafë. Leri të thonë e të bëjnë ç’të duan. Ne s’jemi në gjendje t’i ndalim. Të shikojmë punën tonë dhe të heshtim. Kjo është detyra jonë.
Në kafene hynë një grup të rinjsh dhe ata heshtën.
– Besoj se u çlodhe? – i tha Demiri, kur e thirri Agronin pas tri ditësh në zyrë – Unë jam gati. Fillo dhe fol.
– Më duket se ta lexova akuzën herën e parë. Tani dua konfirmimin tënd për ty dhe bashkëpunëtorët e tu.
– Më falni shoku hetues, por më duket se keni gabuar adresë. Ajo akuzë nuk është për mua.
– Zoti hetues thuaj, – e korrigjoi Demiri.
– Ah, më falni! Por me sa di unë shprehja zotni është borgjeze dhe ne jemi të gjithë kundër borgjezisë.
– Po të paralajmëroj. Përgjigju pyetjeve të mia dhe mos më lodh kokën me fjalë në erë.
– Atëherë, ja ku po jua them, nuk kam asgjë për t’ju thënë.
– Ashtu? Po sikur unë ta dokumentoj.
– Atë do të doja edhe unë.
– Mirë atëhere.
Hapi sirtarin e tryezës dhe nxori dy shkresa të shkruara me shkrim dore.
– Besoj se e njeh shkrimin e këtyre dy shkresave.
Ia vendosi para syve. Sipër tyre Agroni lexoi shkruar me shkronja të mëdha:
Në njërën njohu shkrimin e Resulit. E njihte mirë atë shkrim se e kishte parë në borderotë e çrregullta që dorëzonte ai dhe që Agroni i gjente plot me gabime. Në tjetrën, ishte shkrimi i Ibrahimit. Edhe shkrimin e tij e njihte pasi, e kishte parë në relacionet që dërgonte në drejtori për probleme teknike.
– Nuk e njoh, – u përgjigj, duke mos dashur t’i japë të kuptojë se e dinte kush ishin ata.
Këtë e kishte mësuar që nga biseda e shkurtër me Rustemin, ditën që binte shi në muajin gusht.
“Unë i nënshkruari Resul Idriz Sulejmani, datëlindja 1935, me detyrë normist në Ndërmarrjen Elektrike të qytetit, me ndërgjegje të plotë, deklaroj përsa më poshtë vijon:
Duke qenë një bir i denjë i popullit tim dhe i shtyrë nga mësimet e Partisë dhe të shokut Enver Hoxha, duke parë se disa individë, të maskuar nën petkun e revolucionarit, po përpiqen të sabotojnë punën vetëmohuese që po zhvillohet në vendin tonë për ndërtimin e shoqërisë socialiste, akuzoj shokun Agron Canaj se, së bashku me dy shokët e tij, Stefan Gjokën dhe Gjergji Panon, po përgatiten të hedhin në erë turbinën e re që do të vendoset së afërmi në hidrocentral. Një veprim të tillë e bëjnë me qëllim që të sabotojnë punën e hidrocentralit dhe për të ushtruar terrorizëm në radhët e punonjësve të ndërmarrjes.
Një gjë të tillë e kam dëgjuar nga biseda që këta persona zhvillonin me njëri-tjetrin dhe ku unë isha afruar rastësisht pa rënë në sy të tyre. Për këtë kam dëshmitarë edhe shokun Ibrahim Mehmeti, i cili u ndodh me mua në ato çaste.
Këtë deponim timin e kam bërë krejtësisht me vullnetin tim, pa as më të voglin shtrëngim. Jam i gatshëm ta deklaroj sa herë të jetë i nevojshëm nga organet kompetente.
Me respekt: Resul Sulejmani”.
Demiri e mbylli dhe mori shkresën tjetër. Edhe ajo kishte pothuajse të njëjtën përmbajtje si e para, veçse në të ishin shtuar edhe emrat e Ylli Nivicës, Gazmend Shpuzës dhe Përparim Seferit, të tre punonjës të ndërmarrjes, dy të parët ekonomistë dhe i treti financier. Në fund të deklaratës, ishte nënshkrimi i Ibrahimit.
– Po tani çfarë do të na thuash? – i tha Agronit.
– Mos kujtoni se do të bie aq kollaj në grackën tuaj? Mos u mundoni të më ngatërroni në të tilla dredhira të fabrikuara.
– Po të paralajmëroj se, do filloj të përdorë metoda të tjera, që do të bëjnë të bilbilosësh.
– Dua të takoj kryetarin.
– Kryetarin e sat ëme? Ai nuk pranon të bisedojë me armiq të popullit si ti.
– Atëherë bëheni sa më parë atë që mendoni.
Demiri i ra ziles. Në zyrë hyri polic Myfiti.
– Merre dhe ma kij kujdes. Di vetë ti si ta trajtosh. Po ta lë amanet.
Myfiti i vendosi prangat, e mori për krahu dhe e shpuri në një qeli të bodrumit. E lidhi në ganxhat që ishin vendosur në mur. Ai mbeti i varur për duarsh dhe për këmbësh.
– Kështu do qëndrosh deri sa të pranosh.
U largua duke mbyllur derën. Agroni nuk e kishte kuptuar sa kohë kishte kaluar kur filloi të ndiejë dhimbjet në kyçet e duarve dhe të këmbëve, pikërisht në ato vende ku e kishin lidhur dhe ku qëndronte e gjithë pesha e trupit. Papritmas u ndez drita e prozhektorit që i verboi sytë. I mbylli me shpejtësi. Megjithatë shkëlqimi i dritës bënte që të depërtonte brenda syve të tij. Kjo gjendje zgjati pothuajse një gjysmë ore.
Prozhektori u shua dhe errësira mbuloi gjithçka. Nuk vonoi shumë dhe ai u ndez përsëri. Një gjë e tillë vazhdoi në intervale të caktuara kohe. Ishte një torturë mbi tjetrën. Së fundi ndjeu ta linin fuqitë. Koka iu var dhe iu duk sikur po fluturonte për diku. I dukej sikur ndodhej në një botë tjetër. Në një botë ku zjarret ishin sunduesit e vetëm të atij vendi. Ai ndiente djegien, por nuk gjente mundësinë të largohej. I dukej sikur zjarri po e thëthinte gjithmonë e më shumë. Një rënkim i mbytur filloi t’i dalë nga gjoksi.
Befas ndjeu një dhimbje në thonjtë e këmbëve, sikur ta kishte shpuar dikush. Lëshoi një britmë, hapi sytë dhe pa Myfitin që me një gjilpërë i shponte majat e gishtërinjve.
– Do të flasësh? – i fliste ai.
Agroni ndjeu një neveri të thellë për të. Mblodhi ato pak fuqi që i kishin mbetur dhe u mundua ta qëllonte me shkelmë. Por harroi që këmbët i kishte të lidhura. Myfiti e kuptoi qëllimin e tij.
– Do të më qëllosh? Ta tregoj unë qejfin.
Mori një kamzhik dhe filloi ta godasë me gjithë fuqinë e krahut. Kamzhiku vringëllinte mbi trupin e tij. Pas çdo goditje dëgjohej një rënkim i thellë.
– Do të më qëllosh? – përsëriste Myfiti.
Kamxhiku vringëllinte më me forcë. Nga gjurmët e tij filluan të rridhnin vija gjaku.
Agronit, koka iu var dhe rënkimet pushuan.
– Vdiq? – pyeti Myfiti i shqetësuar. – Jo, jo vazhdon të marrë frymë.
E zgjidhi dhe u largua. Pas pak u kthye së bashku me Demirin. Ai e vështroi Agronin dhe pasi e preku me dorë, vuri re se merrte frymë me vështirësi.
– Nuk duhet ta kishe kaluar kufirin, – i tha me zë të ulët Myfitit. – A e di se ç’pësojmë po ta gjejë gjë këtë? Ende nuk ia kemi marrë deponimin. Merre, dhe shpjere në qelinë numër shtatë.
Myfiti e ngriti me vështirësi dhe ashtu, gjysëm të alivanosur, e shpuri në qelinë ku kishte qenë më parë. Isufi kishte shërbimin atje.
– Kije kujdes! Për çdo gjë njofto shokun Demir, – i tha atij.
Isufi u afrua te viktima dhe po e shikonte. I erdhi shumë rëndë. E kishin katandisur si mos më keq. Iu duk sikur edhe ai ishte përgjegjës për atë që ndodhi. Kishte zemër të mirë. Nuk duronte dot kur shihte të tilla tortura. Disa herë kishte vendosur të jepte dorëheqjen, por mendonte se do ta keqkuptonin dhe mund të përfundonte keq. E shtriu në shtrat, e mbuloi me batanije dhe i foli me një zë të butë:
– Pusho i qetë! Nuk do të bëjnë më të tilla tortura. Fli dhe do të shohësh se nesër do të gdhihesh shumë më mirë.
Agroni hapi sytë, e vështroi me mirënjohje dhe desh ta falënderonte. Por nuk mundi. Fjalët nuk i dilnin dot. Isufi e kuptoi.
– Rri i qetë! – i tha. – Nuk është nevoja të flasësh. Ju thashë, nesër do ta ndjesh veten më mirë.
Dhe ashtu ndodhi. Të nesërmen Agroni u zgjua në një gjendje më të mirë. Por ende ndiente dhimbje në kyçet e duarve dhe të këmbëve, si dhe në gjurmët që i kishte lënë kamxhiku. Megjithatë, me kalimin e kohës filloi ta merrte veten. Plagët po i mbylleshin dhe kjo falë kujdesit të Isufit që e shikonte herë pas here. Në pyetje nuk po e merrnin më. Kjo e qetësonte më tepër. Mendonte se nuk mbetej gjë tjetër veçse t’i kërkonin të falur dhe ta lironin.
Por nuk ndodhi kështu. Pasi vunë re që e kishte marrë mirë veten, mbi të filloi kalvari i dytë i torturave të tmerrshme. I vendosnin vezë të sapo ziera nën sqetull, e digjnin me cigare të ndezur deri sa më në fund përdorën edhe metodën e fundit të torturës, atë të rrymës elektrike. Dridhja ishte e tmerrshme. Megjithatë nuk foli asnjë fjalë. Sado që u munduan ta detyronin të pranonte fajin, ai nuk u dorëzua.
– Si do veprojmë? – pyeti Ilia që në ato çaste u ndodh aty.
– Do vëmë në zbatim planin tjetër, atë që kemi biseduar, – u përgjigj Demiri.
– Mos rrezikojmë?
– E kush do ta marrë vesh? Do të gjejmë çastin kur të mos ketë njerëz. Për shembull, në ditën e festës. Ta kremtojmë edhe ne siç duhet festën e çlirimit.
U larguan duke qeshur me zë të lartë.
29 nëntor 1974, tridhjetë vjetori i çlirimit të atdheut. Kudo të shihte syri parulla dhe flamurë. Ngado dëgjoheshin marshe dhe këngë partizane. Nëpër sheshet zhvilloheshin mitingje madhështore. Të gjithë qytetarët i kishte mbuluar petku i festës. Ishin veshur me rrobat e tyre më të mira. Kryetar Petriti dhe disa funksionarë të tjerë kishin shkuar në kryeqytet, ku ishte zhvilluar një paradë ushtarake madhështore. Në Degën e Punëve të Brendshme, kishte mbetur një sasi e vogël personeli. Oficer roje atë mbrëmje ishte hetues Demiri.
Ai po qëndronte në zyrën e tij. Herë pas here vështronte orën. I dukej sikur minutat nuk kalonin. Sytë i shndrisnin si të hienave kur përgjojnë gjahun. Sillte ndër mend gjëra nga më të përbindshmet. Këto i jepnin kënaqësi. Herë pas here qeshte me veten e tij. Kur ora po i afrohej njëmbëdhjetës, erdhi Ilia.
– Merr Selimin dhe nisu. Me kujdes që ai të mos kuptojë gjë, – tha Demiri
Selimi ishte shoferi i “Gaz”-it.
– Demir, a nuk të duket me rrezik një veprim i tillë? – iu përgjigj mëdyshas Ilia
– Në qoftë se nuk do, mund të tërhiqesh. Ka të tjerë që mund të dëfrejnë në vendin tënd.
– Më thuaj, çfarë do të bëjnë ato këtu?
– Do t’i bindim që të detyrojnë Agronin të deponojë.
– Si do t’i detyrojmë?
– Atë ta them kur të kthehesh.
– Mirë or mirë, po këto misteret e tua sikur nuk më pëlqejnë.
– Jam i sigurt që do të pëlqejnë shumë. Do ta shohësh.
Ilia u mendua pak dhe pastaj vendosi të shkonte.
– Të dalë ku të dalë – tha dhe u largua.
Demiri filloi të fërkojë duart me një kënaqësi të egër.
– Budallai, nuk e kupton se fati një herë të shfaqet në jetë dhe po nuk dite ta shfrytëzosh, aha, laji duart. Si tha romaku: Zaret u hodhën!
I ra ziles dhe në zyrë u paraqit Myfiti që nderoi në qëndrim gatitu.
– Merr të pandehurin Agron dhe lidhe në dhomën speciale. Pastaj shko te qelitë. Isufi të qëndroja te porta e jashtme. Kur t’ju lajmërojë unë të ktheheni.
– Si urdhëron zoti hetues!
Dhoma speciale ishte ndërtuar posaçërisht për të torturuar të burgosurit. Si në birucën, ku vendosën në fillim Agronin, edhe këtu në mur ishin katër ganxha, ku lidhej viktima. Pastaj vazhdonin torturat nga më të tmerrshmet. Dhoma ishte në një ndarje të veçantë ku ishin edhe dy dhoma të tjera. Atje vendoseshin të burgosurit që mendohej të torturoheshin. Kjo ndarje ishte izoluar nga pjesa tjetër e birucave në mënyrë që sado të bërtisnin ata që torturoheshin, të mos dëgjohej asgjë.
Ndërkohë Ilia kishte mbërritur në apartamentin e Agronit. Trokiti në portë. U dëgjua zëri i nënë Gjylos:
– Kush është?
– Hape! Vijmë nga Dega e Punëve të Brendshme.
Porta u hap dhe Ilia hyri brenda.
– Dua të takoj Lumturinë.
– Përse?
– E kërkon Agroni. Më dërgoi kryetari për këtë qëllim.
Në këtë kohë doli edhe Lumtua me vajzën.
– Agroni kërkon të takohet me ty dhe vajzën.
Lumtua u mendua. I dukej e çuditshme që tani gati në mes të natës ta kërkonte Agroni për takim. Ajo kishte kërkuar disa herë të takohej me të ditën me diell dhe nuk e kishin lejuar. Edhe nënë Gjylën po ashtu. Si ishte e mundur që një gjë e tillë të realizohej tani natën?
– Po tani është natë. Ne mund të vijmë nesër në mëngjes.
– Jo, jo duhet të vini sot. Nesër që me mëngjes atë do ta nisin për në Tiranë, për në spitalin e burgut.
– Çfarë ka djali i nënës? – pyeti nënë Gjyla e shqetësuar.
– Do shkojë për një kontroll, pasi këto ditët e fundit ka patur një dhimbje në stomak
– Po, ai ka vuajtur nga ulçera, – vazhdoi Lumtua.
– Pikërisht për këtë kryetari, meqenëse e keni kërkuar kaq herë, vendosi t’ju lejojë sonte që është edhe qetësi.
– Një minutë sa të vishemi, – tha Lumtua dhe pasi mori Iridën shkoi në dhomë.
– Do të vij dhe unë, – tha nënë Gjyla dhe vrapoi të vishej.
– Më fal nëno, por kam urdhër vetëm për ato të dyja. Nuk mund të veprojë ndryshe se më heqin veshin.
Ndërkaq Lumtua me vajzën ishin veshur.
– Jemi gati, nisemi.
Ilia i shoqëroi në zyrën e Demirit. Ai i vështronte sikur do i përpinte me sy. Irida ndjeu frikë dhe kapi të ëmën fort për krahu. Pamja e hetuesit, që buzëqeshte në mënyrë cinike, i tmerronte.
– Ju kemi thirrur për të na ndihmuar që burri juaj të deponojë ato që ka bërë. Për këtë ju garantoj se do të ketë lehtësira për të dhe për juve. Përndryshe…
Demiri e la fjalën në mes. Lumtua e shikonte e habitur. Ilia i kishte thënë tjetër gjë.
– Po ky shoku na tha se do të takonim Agronin?
– Atë fjalë e tha për të mos shqetësuar t’ëmën. Megjithatë Agronin do ta takoni tani, por mos harroni fjalët që ju thashë. Ju porosis që gjatë rrugës për të shkuar tek ai të mos flisni asnjë fjalë.