PAVARESISHT…
Pavarësisht se ne nuk jemi më bashkë
Dhe duart s’t’i prek më as fort as lehtë,
S’më harrohet kur më thoje: je qesharak,
I çthurrur, por je i çiltër e plot jetë;
Pavarësisht se unë shpesh para teje
Dikë tjetër me afsh e përqafoja fort
Dhe tek ti vërshonte ai zjarr prej rrufeje,
Që të digjte se nuk më përqafoje dot;
S’më harrohet emri yt dhe ajo jo-ja e qetë,
Ditën dhe natën çdo gjë më kthjellohet…
Edhe hëna kurrë mbi ne të mos jetë,
Që zemra jote kurrë të mos lëndohet!
Faleminderit po ta them sot nga zemra,
Për atë që pa e ditur as ti dhe as unë:
Ne u deshëm aq fort sa duhet ëndërra,
Për orët kur Hëna na ndriste aq shumë…
GJYSHES
Gjyshja ime, që vdekja e ka harruar
Çapitet në kopsht me diell e me shi…
Lamtumirë, gjyshe, më kot je trishtuar
Që nipit ia le kopshtin trashëgimi;
Ytnip nuk kthehet më në ato vise,
Mos u merakos e mos m’u tret si qiri,
Unë vetëm dashurinë tënde dua në hise
Dhe kujtimin e gërshetit, pis të zi;
Ndjej mallë, një rrënqethje prej rrebeli,
Kur të shikoj sot me thinjat shpurpurisur…
Unë kam kënduar për gërshetin gjer te beli,
Që shpleksje mbi gjoks si ylber i harlisur;
Dhe prapë unë do të thurr vargje të rimuar,
Vargjet janë pasioni im i keq…
Mbaj mend se dikur të çelnin lulet në duar,
Tani të dridhen, s’të binden më për dreq;
Po mos më rri më në kopsht, në erë e në shi
Se mos merr bronshitin, o e bukura ime,
Unë do ta paguaj sa të dojë një njeri
Me zell t’ia bëj kopshtit të gjitha ato shërbime;
Veç buzëqesh, ti, o shpirt i papërlyer,
E dëlirë si foshnjë, e urtë si shenjtore,
Se ashtu vdekja largohet e zhgënjyer
Dhe unë u thurr vargje thinjave hyjnore;
LIGJET E GJYSHEVE
Drurët në pyllë u rralluan,
Djemtë tanë të bukur u rralluan,
Zogjtë ikën pa na përshëndetur
Një adresë nuk e lanë se ku shkuan;
Na mbetën arat pa u lëruar,
Tufat na mbetën pa barinj,
Na mbetën fletoret pa u shkruar,
Këngët na i këndojnë korbat e zinj;
Ne mbetëm qyqe të vetmuara,
Zemrat mbetën fole të braktisura,
Gjejmë lodra fëmijësh të harruara
Si relike nga epoka të përmbysura;
Ne gjithë ditën presim që të ngryset,
Lusim ëndrrën që nata të zvarget,
Dhe i themi vdekjes që të niset
Të vijnë djemtë të na hapin varret.
GREKES
I flas qartë në gjuhën time,
Herë me sy e herë me buzë:
“Ma kthe, të lutem, një përgjigje,
Mos ma zgjat pritjen tërkuzë”;
Grekia ikën tërë kapriçio,
Tinëz më shikon si ketër.
“Do të të ngjitem si mastiço
Apo pret diku një tjetër?…
Në je nga fisi i Odisesë,
Në Trojë ende digjet flaka…
Dëgjo dhe fute në kujtesë,
Mbiemri im vjen nga Itaka,
I ka rënë vetëm një “i”
Siç bie shpata e luftëtarit,
Kur shikon se vjen drejt tij
Një princeshë në majë të kalit;
S’e njeh ti kapriçon time,
S’ke provuar gjak shqiptari,
Për një bukuri sublime
Ngrihet fisi gjithë nga varri”.
I kthej shpinën, po s’më iket,
Ç’është kjo udhë-rreth vicioz?
Koha rrjedh, po malli ngjitet
E shpirti bredh si skandaloz;
Më thërret me zë të ndrydhur,
Hedh baluket tërë finesë,
Por unë kam përvojë të hidhur
Grekes nuk i zë më besë;
Më afrohet, frymën ia ndiej,
Pres një puthje zjarr e shpuzë,
Me dorën lehtaz që i dridhet
Ma vë kryq gishtin mbi buzë:
Syëmbël si drenushë e egër
Më hedh vështrime plot qortim;
“Jo,- thotë grekia,- ju poetët
S’ keni besë dhe as guxim;
Kujtoni ju se me ca vargje
Mund t’i bëni kurthe zemrës?
S’e prekni dot zjarrin mister
Që digjet thellë në gji të femrës;
S’jam një lule e posaçelur
Ma kanë thithur shpejt nektarin…
“Poeti, – thashë, – duke përkëdhelur
Ta rikthen ty afshin, zjarrin”…
Bukur, bukur, arvanitas
Më thotë dhe më përqafon:
S’e dëgjon ti zemrën time
Gjaku shqip të flet, këndon…
Ndryshe s’ishe kaq e bukur
Kaq e çiltër e kaq krenare,
Me dlirësinë tënde rinore,
Me buzëqeshjen ledhatare…
MULLISI
Te mulliri i fshatit,
Te jazi plot ujë
Kujtimi i mullisit
Ngrihet pa bujë;
Si një kalë i moçëm,
Që ripërtip tagjinë,
Mokrat e gurta
Përtypnin urinë;
Kënga e trokashkës
E ashpër, monotone,
Mielli i bardhë
Si qumësht lehone;
Bluanin fshatarët
Pak misër, pak grurë,
Arom’e freskët buke
Dilte nga çdo furrë;
Nuk mbante mullisi
Llogari e defter,
Dhe gojën e kishte
Të ëmbël sheqer;
Të butë miellin
Mullisi e mbante
Dhe hakun e vet
Jetimëve ua ndante…