Kur Europa festoi në Romë disa dekada më parë 500 vjetorin e vdekjes së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu kombi shqiptarë përjetoi promocionin më të madh europian në histori për kontributin e jashtëzakonshëm që ka dhënë në mbrojtje e këtij qytetrimi.
Regjimi komunist i mbyllur në diktaturë e përjetoi dhe e interpretoi me cinizë֝m këtë ngjarje madhështore, sepse i kishte shpallur armiqësi ideologjike Europës demokratike.
Për dekada me radhë as propaganda komuniste por as Akademia e Shkencave nuk ja njohën kurrë madhështinë kësa ngjarjeje krenare që organizoi Selia e Shenjtë.Nuk u belbëzua anjëherë , qoftë edhe si kuriozitet, se këtë manifestim madhështor në Romë e organizoi At Giuseppe Valentini, albanologu i madh me famë botërore i mbështetur nga shoqata panshqiptare e Amerikës Vatra.
Punoi miku shumë i dashur i shqiptarëve At Valentini ditë dhe natë, së bashku me albanolog shqiptar të diasporës dhe të huaj në katedralen e Bergamos për gjashtë muaj me radhë, për ti kujtuar mbarë Europës , se çfarë i kishte dhuruar Shqipëria e vogël lirisë së saj .
Qysh në mëngjes Shqiptarët dhe Arbereshët nisin të mblidhen në Sheshin e Shën Pjetrit, për t’u gjetë n’orën 10 gatí për t’u paraqitë te Shêjtnija e Tij Papa Pali i VI. Në sýt e të gjithvet shifej padurimi për të pá Shêjtnín e për të dëjjuar fjalën e tij; Kështu fillon një artikull në “L’Osservatore Romano”, gazeta e njohur e Vatikanit ku me 26 príll 1968, në faqen e parë, në tekstin italisht dhe shqip, botohet edhe vetë fjala e Papës drejtuar shqiptarëve.
Për shumicën e njerëzve, ai është krejt i panjohur, e për rëndësinë aktuale
që zotëron, po e japim të plotë: “Bij fort të dashtun Shqiptarë,po ju sjellim nji mirëseardhje të veçantë në ketë ditë qi jeni mbledhun për të kujtue Pesëqindvjetorin e Gjergj Kastriotit Skandërbeg, fatosit të kombit t’uej dhe t’emnit të krishtênë, pranë kësaj Selije Apostolike, të cilën mund t’a kundroni si shtëpín t’uej atnore.
Na ju shofim me kënaqsí, pse e dijmë se shpirti me të cilin ju e kujtoni ketë ditë âsht ai i gjithëmonshmi I fisit t’uej, i cili gjith herë mbí çdo interesë ká vû vlerat e trashigueme të besës, të nderit e të burrnís (shenim: fjalët e nënvizueme Sh. e Tij i tha në gjuhën shqipe).
Fatosi Skandërbeg ká qênë personifikimi i gjallë I këtyne cilsive: ai ju a ká lânë si trashigim, bashkë me miqsín e miqvet të vjetër t’Atdheut t’uej, ndër të cilët kjo Seli Apostolike gëzohet se bân pjesë, mbasi e numron veten ndër ata qi kurr si dolën fjale. Këto virtyte Gjergj Kastrioti ju a ká lânë në rojë e trashigim të shêjtë n’Atdhé dhe në mërgim.
Dhe në qoftë se historija ju ká pá të shtypun e të shpërndamë, mirsija e Zotit ká premtue qi ju, me të gjith misat e gjakut t’uej të shprishun (shenim: Papa e tha shqip ketë frazë), me veprimtarín e gjallë qi e keni në shpírt, dhe me njohuní të fitueme, u bâtë urë miqsísh e bashkëpunimesh, dhe në ketë mënyrë jeni bâ para-ardhësit e ekumenizmit modern.
Urimi i Ynë në ketë rasë prá për jú e për të gjith Shqiptarët të jetë qi vuejtja të shoqnohet gjithmonë nga shpirti i juej kreshnik, qi keni trashigue nga të Parët. Uroj qi të japë mundësí dhe meritim qi të jeni element kuptimi dhe paqeje ndërmjet fisesh e gjuhësh të ndryshme. Këso dore do të sendërtohet testamenti i Skandërbeut, dhe Atdheu i juej do të shkëlqejë me meritime të reja, Atdheu i juej të cilin Na e kemi aq fort për zemër dhe qi e bekojmë me dashuní atnore”.
Në po këtë ditë, me tituj te medhenj revista e njohur “Shejzat boton shkrimin “Shqiptarët priten nga Papa Pali I VI – Papa u flet Shqiptarvet”. Ja se ç’shkruhet në të: N’orën 5 të mbasdrekës të ditës 24 príll, të ftuemit u mblodhën në “Aula Magna” t’Institutit Papnuer për të ndigjue konferencën e prof. Zef Valentinit. Salla e madhe ishte plot e përplot; shum vetë ishin të detyruem të rrijshin në kâmbë. Ligjeratari përshkroi mâ së pari gjendjen politike të Shqipnís në shekullin XV. Fjala e oratorýt të shquem peshon shum, pse ky, gjith jetën e vet, qysh prej asaj kohe qi vûni kâmbën në Shkodër, e deri sot, gadi 70 vjeçár, nuk ká bâ tjetër veç të hulumtojë historín t’onë në dokumentat e arkivevet italjane të Romës, të Napoli-t e sidomos të Venedikut. Valentini âsht italjan, por ká zgjedhë si atdhé të dytë Shqipnín, të cilën e ká shum për zemër. Shum prej atyne qi morën pjesë në çfaqjet e pesëqindvjetorit, Shqiptarë edhè të huej, pyetshin në se ky kishte lé në Shkodër, mbasi edhè të folmen e ká shkodrane. Binte në sý interesimi i tij qi çdogjâ të zhvillohej mirë e mbarë; i kishin dalë kâmbë të reja, edhe pse gadi 70 vjeçár: ishte kudo pranë me këshilla e me udhëzime. Vetë Shêjtnija e Tij Papa Pali i VI, n’audjencën qi u dha Shqiptarvet, tue u sjellë drejt Át Valentinit tha: “Keni këtu At Valentinin, që unë e njoh që atëherë kur s’e kishte ende këtë mjekër të mrekullueshme që ka sot… Ka punuar shumë për këtë 500 vjetor, ashtu si dhe për të gjitha gjërat shqiptare, ndaj kërkojeni dhe dëgjojani këshillat që ju jep në gjithë mençurinë e vet”
Për të përfunduar me shprehjen tashmë emblematike: Shqiptarë! Duajeni At Valentinin, se ai ju dashuron me zemër.
Çmojeni, se ai punon paprerë, për t’ia bërë te ditur botës vlerat tuaja shpirtërore dhe artistike. Ai është juaji, sepse i ka dhënë çështjes suaj mëndjen dhe shpirtin e vet Ja, këto fjalë të kumbuara nga Papa Pauli VI, përpara mijëra të ftuarve ndërkombëtarë që merrnin pjesë në solemnitetin kremtues të këtij kongres janë një nga majat kulmore të vlerësimit të aktivitetit të mrekullueshëm të një studiuesi të shquar, të një njeriu të ditur të shkencës, të një figure në përmasa poliedrike e me interesa të gjithllojshme, të një personi me shpirt sa të ndrojtur aq dhe të paepur, të një jezuiti italian, të lindur në Padova, që me të ardhur në Shqipëri nuk u ndal në zhvillimin e thjeshtë të aktivitetit të tij fetar dhe edukativ prej misionari, por me një dashuri të ethshme e çdo ditë e më të fortë, shoqëruar nga një formim rigoroz shkencoro-kulturor, u hodh me të gjitha forcat në vorbullën e njohjes së çdo aspekti të jetës dhe historisë së popullit shqiptar, të gjuhës e zakoneve të tij të panoramës sonë të pasur etnografike e arkeologjike, me rezultate të shkëlqyera në secilën prej këtyre, disiplinave, të atilla sa t’i japin sot unanimisht titullin e njerit nga mjeshtrit më të mëdhenj që ka njohur ndonjëherë shkenca e Albanologjisë.
Prania e figurës së një studiuesi me përmasa të tilla, në kaq shumë fusha të historiografisë dhe shkencave shoqërore, e bën të pamundur cilëndo përpjekje për ta karakterizuar veprën e tij në një fushë të caktuar.
Gjithsesi, nga pikëpamja e karakterit e rëndësishme do të qe të ravijëzohej freskia e tij e përhershme shpirtërore, kurioziteti gati foshnjëror, kurrë i nginjur e asnjëherë i fashitur, i një njeriu që i sheh gjërat dhe njerëzit me një shpirt gjithmonë të ri, paragjykimdavaritës, ku shquhet gatishmëria intelektuale dhe vrulli “djaloshar” për të rrokur gjithçka që i intereson me një pasion kurrë të mugëtuar e vazhdimisht të gjallë.
Nga ana tjetër, gjithë rregulli i tij sistematik në kërkime e gjithë ai formim e kultivim i vazhdueshëm shkencor, apo gjithë ai pathos i jashtëzakonshëm për punën që e shtynte të punonte natë-ditë, duke thënë gjithmonë “Duhet të ngutemi, sepse s’kemi shumë kohë”, nuk do të kish mjaftuar për të bërë gjithë ato kryevepra që ai la pas, po që tek studjuesi dhe shkencëtari rigoroz nuk do të shihnim një “burrë fjalë pak, derë-çelë, shpirtgjanë, të arsyeshëm e të matur, njëlloj si banorët e maleve shqiptare”, – siç i pëlqente ta thërrisnin shpesh;
Nuk do ta rroknim dot të plotë gjithë personalitetin e figurës së tij, nëse nuk do të përmendnim këtu edhe enologun shije-hollë e anëtar të Akademisë Italiane të Kuzhinës, që i njihte përbërësit e një recete gjelle po kaq mirë sa dhe “aktet shqiptaro-venedikase”, nëse nuk do të dallonim tek ai një lexues të apasionuar të librave policorë apo të dashuruar marrëzisht pas një Baccelli një Salgazi, një Viechert-i e një Çehovi; nëse nuk do të spikasnim vallëtarin dhe këngëtarin magjepës të melodive bizantine me kalime të tonit të nivelit të katërt, që ata të cilët kanë ndopak njohuri për muzikën i bën të rrëqethen përpara asaj ç’ka kjo nënkupton; nëse nuk do të shihnim topografin e botanikun profesionist, duke kujtuar këtu artikujt shpjegues mbi botanistin dhe albanologun e shquar italian Antonio Baldacci dhe një recension të tij mjaft special në këtë fushë mbi Vulfenian, një lloj bime shumë e rrallë në botë, por e gjetur në Shqipëri.
Nuk ka aspekt të historisë Mesjetare shqiptare dhe arbëreshe që të mos ketë ndjerë penën studiuese të Valentinit. Ai qe jo vetëm më pjellori, por edhe më i zhdërvjellti i albanologëve, që arriti t’i shohë lidhjet midis popujve të Adriatikut në një rrafsh të epërm të këndvështrimit historik, të dokumentuar në mënyrë madhështore, në një nga veprat e tij monumentale, nga më të rëndësishmet, siç është “Acta Albaniae Veneta” (Akte të Arbërisë Venedikase).
“Përballë të gjallit nuk duhet – nëse kemi ndërgjegje – të themi atë që mendojmë për të e çka është e vërteta, sepse është në kalim e nuk dëshirohet të paragjykohet e as të prishet ardhmëria. Përballë një të vdekuri nuk është e rendit të thuhet – nëse kihet nderim e pahije e humanizëm e respekt ndaj Gjyqtarit Imzot – të japim gjykimin tonë përveç lavdit; qoftë për atëherë, si thuhet, ajo çka ka qenë ka qenë, të vejmë mbi të gurin e varrit me një epigraf e që mos të jetë disonante me mëshirën e Perëndisë, gjë që e dëshirojmë edhe për ne, që nuk ndryshon nga ajo drejtësi, që, e menjanon dhe e fshin të keqen dhe e ngre në qiell të mirën duke e vlerësuar çdo thërrime. E në këtë masë a parim duhet t’i përmbahet secili, si kundërshtari ashtu edhe miku”. Ja, kështu do të shkruante Valentini në një artikull të tij të “Shejzave” me titull “Ernesti pasqyrë e kalimit njerëzor”, një sprovë kjo përkujtimore për mikun e tij të ngushtë gjatë dyzetedy viteve, për të vazhduar: “Miqësia në mënyrën shqiptare, nuk do kuptuar vetëm si miqësi-mikpritje, ose si miqësi-ndore, mbrojtje, që nuk shikojnë meritat e njerëzve por obligimet e ndërsjellta, për atë detyrë e për hirë të ruajtjes të interesit të lartë e të përbashkët të sigurisë e të solidaritetit. Por edhe në formë private e personale e lindur në saje të bashkëpunimit, të njohjes e të sigurisë dypalëshe, si dhe ushqehet me çmim të drejtë e anasjelltas, e duke qëndruar secila palë nëpolin e vet për të kryer funksionin e vet të pashmangshëm në interes të përbashkët të të dyve e për mbarë Shoqërinë. Mbi një parim të tillë, do mundohemi edhe ne t’I këndvështrojmë veprat, miqësitë dhe gjithë aktivitetin që Valentini kreu për Shqipërinë.
Papa Pauli VI (1897-1978)