Nga Uvil Zajmi
Viti 1974. Është periudha kur e gjithë Shqipëria, po kalonte një fazë të vështirë ekonomiko-socialo-politike. Pas Plenumit IV të Komitetit Qendror të PPSh-së, për goditjen e shfaqjeve të huaja në art, kulturë, Festivali 11-të i Këngës në Radio-Televizion, shoqëruar me ndëshkime, burgime, transferime të artistëve, një situatë thuajse terrori, tejet e zymtë për të gjithë popullin, por kryesisht goditëse është për artistët. Pikërisht në këtë situatë, në një atmosferë aspak normale me objektivin që edhe artistët të jenë pranë njerëzve të thjeshtë, popullit edhe në zonat më të thella, Teatri i Operës, është orientuar për të zhvilluar një turne në Veri të Shqipërisë, i pari dhe më i madhi për kohën, por edhe në vitet që do të vinin, një i përmasave të tilla, nuk do të organizohej më, asnjëherë. Do të jetë një trup gjigante, ku bashkë me Teatrin Operës, janë edhe trupa e baletit, shoqëruar me orkestrën, solistë, kori, këngëtarë, valltarë, një grup rreth 200 persona, duke përfshirë edhe prapavijën, me drejtues, montues, skenash, elektricistë, etj.
Një udhëtim e turne sfilitës, në kushte aspak komode, më skena të improvizuara, sistemime në ish-burgje, kapanone minierash. Një turne që nis nga Peshkopia, për të përfunduar në Shkodër. Mihallaq Kora, violinist në orkestër në ato vite e më vonë, pas gati katër dekadash, e sjell në kujtesë atë turne, madje me detaje, sikur të kishte ndodhur dje. I ardhur në Tiranë nga Torino, ku jeton me familjen, gruan Tatjana, (sopranon e njohur të TOB-it), si e kujton detaj pas detaji; organizmin, nisjen, udhëtimet, takimi me Fadil Paçramin në Tuç të Pukës, ku sapo e kishin internuar pas plenumit të IV-ët të Komitetit Qendror të PPSh-së. Vështirësitë, habinë e banorëve që shihnin për herë të parë një trup baleti, vegla muzikore të përmasave të mëdha…! Nga “Mrika” te “Cuca e Maleve”, shfaqjet e programuara për t’u shfaqur dhe grupi i fizarmonikës, që shkonte në këmbë, nga një fshat, në tjetrin.
Z. Kora, në cilën periudhë bëhet fjalë?
Ka qenë qershor i vitit 1974, dhe turneu zgjati 22 ditë. Pas Plenumit të 4, ndryshuan shumë gjëra, ardhi drejtor i ri, pati organizime të reja për të plotësuar vendet, të larguarit, pasi edhe tek ne pati raste të largimit të artistëve.
Pati përgatitje për këtë turne?
Sigurisht. U krijua një shtab, me kryetar Sekretarin e Partisë, i cili merrte në dorë përgjegjësinë, dhe gjithë organizimin e turneut. Bëmë përgatitjet duke improvizuar skena, dekore, posaçërisht për t’ju përshtatur kushteve, pasi mjediset ku do t’i jepnim ishin shumë të vogla. Ndonëse mjaft shfaqje i kemi dhënë jashtë në natyrë, ambiente të hapura.
Ju kujtohet nisja?
U nisëm me 3,4 autobuzë dhe në Peshkopi ishte dita e parë e ndalesës, e qëndrimit. Për një grup aq të madh, sigurisht kishte mungesë të hoteleve. Kjo bënte që një pjesë me të rinj ku isha edhe unë te flinim në ish-ambiente të improvizuara, si ato të burgut të Bulqizës, pranë galerive. Madje për kuriozitet disa shokë shkuan edhe për ti parë. Fjetëm në disa kapanone të mëdha, një ish- burg me krevate marinari. Në mure ishin shkruajtur emrat e të dënuarve dhe sa vjet kishin mbetur, apo ditën e hyrjes e të daljes. Mjedise të ftohta, ndonëse ishte qershor, uji i çezmave akull, as kolinozi i dhëmbëve e sapuni nuk bënin shkumë. Kishim dëgjuar për burgjet por askush nga ne nuk kishte patur fatmirësisht fatin të jetonte aty. Një pjese e grupit shkonte e vinte çdo ditë nga Bulqiza për në Peshkopi.
Cilat shfaqje ishin në program, për t’u dhënë?
Vetëm dy, Mrika e Preng Jakovës dhe baleti Cuca e Maleve. Në Peshkopi, shfaqja u dha jashtë duke improvizuar një si amfiteatër. Banorët e shumtë, ishin kuriozë, se për herë të parë që shihnin një shfaqje të tillë, balet, një grup orkestrantësh. Po kështu edhe në Bulqzë, me koncerte, këngëtarë solistë, orgaizonim shfaqje në mesditë.
Ku shkuat më pas?
Pas Peshkopisë, morëm rrugën për në Rreshen, flinim në konviktet e shkollave, hotele, as që bëhej fjalë, trupë e madhe, shumë persona. Dy kamionë shoqëronin karvanin, ku vendosnim veglat muzikore, skenat, si dhe katër autobuzë, për artistët. Në Rreshen, qëndruam 2-3 ditë, dhamë koncerte kryesisht. Për banorët, ishte eveniment i madh dhe habiteshin me veglat, kontrabasin, kryesisht. Kujtoj fëmijë që afroheshin e preknin.
Ju kujtohen artistët?
Të gjithë, pa përjashtim. Nga dirigjentët Rifat Teqja dhe F.Kruja, pastaj Ramiz Kovaçi, Gaqo Çako, Hysen Koçia, Vaçe Zela, Iibrahim Tukiçi, Burhan Spahiu, Petrika Rembeci, Leonidha Papa, M. Mullai, Zoica Haxho, Llambi Naçe, Muhamet Kasa, Albert Janku etj. Pastaj dhe orkestrantët.
Si i organizonit shfaqjet?
Ndaheshim. Një pjesë që ishte grupi i fizarmonikës jepte shfaqje në fshatrat e largëta. Udhëtonin me makina, shkonin atje këndonin të shoqëruar vetëm me fizarmonikë. Kjo gjatë paraditeve ose kur nuk kishim shfaqje, apo ishim në udhëtim, ato shkëputeshin, shkonin në zonat më të thella, në kooperativat bujqësore, miniera, etj. Jepnin shfaqje në salla kulture, apo duke improvizuar një vend të çfarëdoshëm. Kujtoj Agim Roin, me fizarmonikën e tij në krah, duke ecur edhe 5-6 orë rrugë, në këmbë, shumë larg.
Bënit prova apo direkt në skenë?
Sigurisht që bënim prova para çdo shfaqjeje për t’u ambientuar, ne por edhe solistët, pasi mjediset ku të të përformonin ndryshonin nga një qytete tek tjetri, po kështu edhe trupa e baletit. Një ditë në përgjithësi organizohej udhëtimi, transferimi, lëvizja nga një qytet dhe zone apo krahinë tek tjetra se rrugët ishin të largëta. Udhëtonim me orë, pa lëvizur ose ndonjë ndalesë e vogël. Përdornim një gardërobë të thjeshtë, balerinët kryesisht dhe pak truk gratë.
Si e kalonit ditën?
Për të mos kaluar bosh ditët e mërzitshme, rutinë, që kufizohej me një fërnet, pije apo kafe turke, zhvillonim prova, kryesisht paradite. Edhe për të mos e u vërdallosur nëpër qytete që ishin të boshatisur nga banorët që shkonin apo ishin të angazhuar me punë. Në mbrëmje, kur mbaronin apo ktheheshim të lodhur dhe kur nata, heshtja mbulonte qytetin, lokale që mbyllnin herët, shkonin të pushonim edhe ne. Na priste e nesërmja, jemi në qershor dita është e gjatë nuk ka fund dhe bën shumë vapë.
Më treguat, që ishit edhe në Tuç të Pukës?
Tuçi i Pukës, ndodhej në një luginë të madhe mes dy maleve, ku ishte miniera e arit dhe pak e dinim që shërbente si vend internimi. Shkuam vetëm për një shfaqje, pa trupën e baletit. E bëmë vajtje-ardhje se nuk mund të qëndronim atje. U nisëm nga Rrësheni, në Pukë dhe në Tuç.
E dinit që atje ishte edhe Fadil Paçrami?
Jo. Por, para se të niseshim, bëni kujdes na thanë se, ka familje të internuara, ju i njihni shumë mirë e midis tyre është edhe Fadil Paçrami. Mund të vijë në sallë gjatë shfaqjes, na këshilluan.
Dhe vërtet erdhi?
Ajo ishte një sallë e vogël, mencë, o diçka e tillë, me stola e karrige mensash, ku u ulën ato pak banorë. Midis tyre, kujtoj erdhi edhe ai. Vështirë që të bisedonim, sidoqoftë na takoi dhe pastaj u ul përballë, në radhën e pare, duke ndjekur koncertin e improvizuar tonin. Pastaj u largua. Sapo ishte goditur nga Plenumi, e kishin hequr nga Partia, ndodhej në një situatë rënduar fizike, shpirtërore. E kujtoj fytyrën, qëndrimin në heshtje të tij. Dikush na tha se jetonte në Fushë Arrëz dhe vinte me autobusin e punëtorëve, çdo ditë aty, për të punuar në minierë, apo ishte familjarisht i internuar aty, diçka e tillë më kujtohet.
Takuat ndonjë artist tjetër të njohur në Fushë Arrëz?
Po takuam, këtë desha t’ju them, se në këtë udhëtim apo turne, kam edhe dy momente të tjera rëndësishme, që nuk i harroj. I pari, kur kemi takuar kompozitorin, këngëtarin, mikun tonë që fatkeqësisht nuk jeton më, Françesk Radin. Në Fushë Arrëz, ku e kishin transferuar pas ngjarjeve të Festivalit të 11-të, në Shtëpinë e Kulturës, kishte një dhomë të vogël, dhe një piano. Si në Pukë dhe Fushë Arrëz, dhamë koncerte te vogla, por nuk kishte shumë interes. Nga aty, u nisëm për në Kukës. Ishte periudha kur qyteti i vjetër, po u shpërngulte për në Kuksin e Ri, ku po u ndërtohej Hotel Turizmi, Spitali, etj. Atje kemi dhënë edhe shfaqjet. Për të fjetur na dërguan në Kuksin e vjetër.
Si ishin kushtet?
Kushtet, një tmerr i vërtetë, çfarë t’ju them…?! Gjashtë persona në një dhomë ish-hoteli, me disa krevate…! Ndonëse të lodhur tentuam të flinim, por pa mundur, pasi sustat e tyre, ranë në çimento. Pisllëk i madh, deri edhe minj që lëviznin natën. Aty në Kukës, takuam edhe kompozitorin e njohur Aleksandër Lalo, (i ndarë nga jeta, disa vite më parë) të cilin, pas Festivalit të 11 të këngës në Radio-Televizion, e kishin transferuar atje. Unë e kisha shok fëmijërie. U takuam, por pak qëndruam. E kuptoni gjendjen e tij, ashtu si edhe të Frankos. Edhe për ne ishte e rëndë. Aq më shumë kur u larguam dhe i lamë aty.
Si e kujtoni ndarjen me ta?
Ndarje emocionale, ata “fajtorë”, se kishin bërë këngë të bukura dhe ne artistë si ata, por të privilegjuar, që ktheheshim në Tiranë, ndërsa ata të “dënuar”, të detyruar të rrinin larg familjeve dhe nën një trysni e atmosferë të rëndë. Madje duke i kufizuar e të rezervuar edhe në takimet me ne.
Po, për t’u ushqyer, si vepronit?
Të pa ngrënë në përgjithësi, e kalonim ditën, ose ku të gjenim diçka. Disa byrekë,“pite me mish dhie”, siç i thonin, si dhe ingranazhe 5-lekëshe, a ju kujtohen? Ky ishte trajtimi dhe ato çfarë kemi konsumuar gjatë tre ditëve në Kukës. Restoranti ishte i vogël, aq më shumë për një grup të madh si ne, ishte e pamundur t’i shërbeje. Pastaj, në përgjithësi ne lëviznim.
Ku shkuat më pas?
Nga Kukësi, karvani iu drejtua qytetit “Bajram Curri”. Udhëtimi bëhej nga rruga e vjetër. U nismë në orën 6-të të mëngjesit, dhe rreth orës 2, kemi ndaluar në Kam të Tropojës, ishte një minierë. Nga frika se mos të arratisej, apo dikush të zbriste e largohej, pasi kufiri ishte shumë afër, na futën për të na dhënë drekë, në një mencë minatorësh. Kujtoj se dyqanin që ishte ngjitur, e boshatisëm duke blerë çfarë kishte për të ngrënë. Pastaj “Bajram Curri”, na u duk si Londër. Hotel Turimi, restoranti i sistemuar, plot me njerëz. Morëm dhomat, u ulëm poshtë, ishte mbrëmje dhe me Vaçen që na priste, kemi marrë koka qingji. Komplet tjetër gjë.
Pse, Vaçe Zela, ishte me ju?
Vaçja ishte soliste e Ansamblit të Këngëve e Valleve, por për efekt pagese më të lartë, figuronte në borderonë e Teatrit të Operës, që bashke me Teatrin Popullor, kishin tjetër status financiar. Ishte e njëjta drejtori dhe Vaçen e merrnim gjithmonë me vete në koncerte.
Kishit qenë më parë në ato vende?
Sinqerisht jo, se nuk të jepej mundësia. Dhe as i kishim parë ato vende, pasi rrallë ndonjërit në të kaluarën mund të kishte kaluar në ato zona. Pra gjithçka ishte e re, thuajse për të gjithë artistët, grupin tonë.
Po në Tropojë, si vijuan koncertet?
Edhe aty gjatë atyre katër ditëve, sigurisht vijuan koncertet, në “Bajram Curri”, Fierzë, Tropojë. Vaçja e pranishme, i kënaqte pa masë banorët. Ndërsa grupi i fizarmonikës, vijonte nga një fshat në tjetrin, ishte lodhje e madhe për to. Ndërsa ne i kemi dhënë shfaqjet në një tip stadium, apo mjedisi të hapur, ndoshta ka qenë një park sportive, i lojërave me dorë. Një ditë, shkuam dhe në Fierzë ku kishte filluar të ndërtohej hidrocentrali gjigant. Shfaqja jonë aty, u dha në mencë dhe në një hyrje galerie, ku qëndronin punëtorët që na ndiqnin me interes e dëshirë. Aty kishte shumë shkodranë, miq, të afërm me artistët dhe orkestrantët e operës. Punonin turni i tretë dhe gjatë gjithë ditës, qëndronin me ne.
Udhëtime të vështira në ato rrugë?
Autobuzët bënin manovra, para, mbrapa, dhe karvani shoqërohej me polici rrugore, të cilët e dorëzonin me stafetë, grupin e automjeteve tona. Ne kishim autobuzat tanë të Operës, por të marrë edhe nga Teatri, Cirku dhe Estrada, madje edhe nga Ministria. Rrugë të tmerrshme, nuk e di si kemi arritur. Autobuzi “Karosa”, ndonëse i ri, por i ulët në kthesa ne zbrisnim që të mos i takonte fundi i tij. Kujtoj G. Saraçi, F. Kardallin, apo Xhemalin, shoferë heronj.
Nga Tropoja, ku shkuat më pas?
Pasi ikëm nga Tropoja, shkuam në Shkodër, ku turneu mbaroi, pasi sapo arritëm aty, e konsideruam të përfunduar. Në katër – pesë ditë, dhamë shfaqje, por edhe u shplodhëm. Madje dhe skenën e Mrikës, e sollën nga Tirana, dhe shfaqja nuk u dha me skena të improvizuar, pasi kushtet që të ofronte Teatri “Migjeni” ishin të mira. Pastaj u mendua edhe për të nderuar kompozitorin që ishte nga Shkodra. Në ato ditë qëndrimi aty, shfaqëm të gjithë repertorin.
A patët më, të tilla turnesh?
Pas një viti, korrik ka qenë, u programua një turne tjetër, por jo si ai, i gjatë dhe i lodhshëm. Turi i Jugut u quajt dhe vetëm 15-të ditë vazhdoi. Dhamë shfaqje në; Lushnje, Fier, Vlorë dhe Gjirokastër, ku skenat e mjediset artistike, ishin më të sistemuara. Kemi vijuar pastaj për në Ersekë dhe Leskovik ku qëndruam nga një natë. Pastaj vazhduam në Korçë e Pogradec, duke lëvizur me automjetet, autobuzat që na shoqëronin, bashkë me shtabin drejtues. Përjashtim në atë turne, bëri Anthimo Suli, zv/ Drejtor i Teatrit të Operës dhe Baletit, që erdhi me motorin e tij “Vespa”. Kurse kur ishim në Lushnje, në kantinën e pijeve, aty te hapësira ku ishte vendosur kazani ku zihej rakia, mbaj mend se, qëndronte në këmbë një ushtar me armë. Na bëri shumë përshtypje!
A pati më të tilla turne masive?
Jo. Të tilla organizime aq masive, nuk pati më. Sidoqoftë, më duhet të them se, bashkë me vështirësitë, sigurisht normale për kohën, na u dha një mundësi e madhe. Të njihnim gati çdo zonë, të shkelnim çdo pëllëmbë të atyre krahinave, që natyra e ka falur bukuri e, që të ofrojnë emocione të jashtëzakonshme, kur je në brendësi të tyre. Por, edhe për të parë nga afër jetën, kushtet si jetonin banorët e atyre qyteteve në ato vite. Jam i sigurt se, nëse nuk do të ishte ai turne, asnjëherë në jetë, nuk do të më jepej rasti për t’i vizituar e parë ato krahina aq të bukura dhe me njerëz shumë të varfër, por, jashtëzakonisht, mikpritës. Memorie.al