VOAL

VOAL

Kur DEVOLLI “vërshoi” tek AKADEMIA E SHKENCAVE – Esé nga PËRPARIM HYSI

November 19, 2018

Komentet

Prezantoi botën kulturore shqiptare, në Prishtinë u shënua 15-vjetori i gazetës “Nacional” nga LSHK

Në Institutin Albanologjik të Prishtinës, në praninë e shumë profesorëve universitarë, akademikëve, studiuesve, shkrimtarëve dhe pjesëmarrësve të tjerë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Diaspora, u shënua 15-vjetori i gazetës letrare dhe kulturore “NACIONAL”, e cila publikohet në Tiranë dhe shpërndahet rregullisht edhe në Prishtinë.

Kjo ngjarje kulturore u organizua nga “Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës”, e drejtuar nga Prof. Shyqri Galica.

Ndërsa botuesi i saj, Mujë Buçpapaj vuri në dukje se në një kohë të papërshtatshme për shtypin e shkruar, gazeta letrare dhe kulturore “Nacional” ja ka dalë prej 15 vjetësh të qëndrojë në tregun shqiptar dhe rajonal falë një politike editoriale të qartë dhe gjithëpërfshirëse, si dhe idealizmit të stafit të saj.

Pavarësi, demokraci dhe bashkim kombëtar duke qenë në aleancë të ngushtë me SHBA-te, është motoja e punës së gazetës “NACIONAL” gjatë këtyre 15 viteve u tha në këtë ceremoni jubilare. (A2 Televizion)

VIDEO- “Nacional” shënon në Prishtinë 15-vjetorin e themelimit të saj –

Mujo Buçpapaj: Gazeta letrare dhe kulturore “Nacional” hyri në historinë e shtypit shqiptar

“Antikultura e ’68-s në Shqipëri” i Albert Nikollës promovohet në Prishtinë

6 nëntor 2024

Libri ‘Antikultura e ’68 në Shqipëri’ nga Albert Nikolla paraqet një analizë të thellë të ngjarjeve kulturore dhe politike që karakterizuan periudhën e komunizmit në Shqipëri. Kjo vepër nga kritika është vlerësuar lart pasi që sipas tyre, pasuron njohuritë tona mbi të kaluarën ku dhuna kulturore nxjerr në pah kombinimin e frikës, terrorit dhe nxitjes së injorancës. Autori thotë se ky promovim në Kosovë është një plotësim shpirtëror.

Në ambientet e Fakultetit Filozofik në Prishtinë u promovua libri “Antikultura e 68-s në Shqipëri”. Dashamirë të artit të shkruar, studiues e qytetarë të shumtë të pranishëm patën mundësi të takojnë autorin dhe të mësojnë më shumë rreth kësaj monografie.

Mes tjerash gjatë fjalës së tyre studiuesit dhe recenzentët thanë se ky libër është një studim i rëndësishëm për këdo që kërkon të kuptojë sistemin e regjimeve, e sidomos të diktaturës në Shqipëri.

Gjuhëtarja dhe studiuesja, Elona Gjata në fjalën e saj mes tjerash ka thënë se libri i Albert Nikollës është i pari i cili i kushtohet periudhës së mbushur me qëllime, kahje e lëvizje kontraverse, në një sfond të përgjithshëm evropian e botëror tejet të ndërlikuar.

“Pushteti komunist në Shqipëri kishte një taktikë shumë diplomatike. Enver Hoxha në një qëndrimti të tij ishte shprehur se populli shqiptar, klasa e tij punëtore e përshëndesin dhe e përkrahin me gjithë zemër luftën e drejtë të punonjësve francezë kundër monopoleve dhe pushtetit të tyre shtypës. Por këtu zë fill metoda e kulaqit dhe kërbaqit, shprehet Alberti në librin e tij. Në kontekstin e 68-s shqiptare nga njëra anë u krijua përshtypja se do të ketë më shumë liri nga të gjitha hapësirat e jetës sidomos në art, por kjo klimë lirie do të konsiderohej e duhur në mënyrë dramatike me dy ngjarje simbolike për periudhën sidomos pas pleniumit të katërt”, ka thënë Gjata.

Ndërsa Don Viktor Sopi drejtor i përgjithshëm i Caritas Kosova pasi e ka përgëzuar autorin e ka çmuar lartë këtë vepër. Sipas tij, ky libër na vjen në ndihmë të kuptojmë se raporti midis antikulturës dhe kulturës, midis shkatërrimit dhe prirjeve për ndryshim ishin bërë të rrezikshme.

“ Periudha e 68-s në atë periudhë edhe popullin e Kosovës e karakterizon koha ma e egër siç quhet koha e Rankoviqit. Si intelektual mundohet dhe vepron për të sjellë atë më të mirën që është në shërbim të krejt qytetarëve. Ky libër i zotit Albert, sjell risi unike si për lexuesin ashtu edhe për kulturën dhe literaturën shqiptare. Autori përdor qasje shumëdisciplinare duke bashkuar të dhëna të profileve të ndryshme për ta kuptuar tragjedinë e popullit nga përvoja e hidhur me antikulturën”, ka thënë Sopi.

Autori Albert Nikolla, mes tjerash tha se”: “Liria është thelbësore për dinjitetin e njeriut, por është dramatikisht e dobët sepse është në rrezik. Nuk je njeri nëse nuk ke liri, dhe kjo ishte dëshmia më tragjike e atij sistemi”.

“Mua më lidh diçka emocionale dhe jetësore me Kosovën, kështu që të gjithë personat që janë këtu të pranishëm u jam falënderues. Shqipëria dhe Kosova vetëm kur janë të dyja bashkë përplotësojnë njëra tjetrën dhe thelbi i kësaj duhet të jetë dashnia dhe respekti për sakrificën që kanë bërë të dyja palët. Kosovën me Shqipëri e ka bashkuar një shpirt gati i fshehtë. Ky pasion kaq i madh ishte gati i fshehtë sa që Shqipëria kishte një qasje gati djallëzore me Kosovën, qeveria shqiptare e ka shitur Kosovën. E ka shitur me Masakrën e Tivarit, e ka shitur me qasjen që ka pasur në marrëdhënie me Titon, e ka shitur duke mos mbrojtur intensivisht qështjen shqiptare në Kosovë. Libri thotë më shumë se sa mund të them unë prandaj më lejoni vetëm t’ju falënderoj”, është shprehur Nikolla.

Të pranishmit thanë se kjo vepër është ndihmesë për të parë se në çfarë rruge u kalua, për të gëzuar dhe për të pasur një lloj mirënjohjeje për artistët e kohës të cilëve iu ndalua gjithçka e bukur në emër të realizmit socialist.

Iliriana Pylla
Prishtinë

Klubi Letrar “Gjon Nikollë Kazazi”: “LIBRI I GJAKOVËS” NË GJAKOVË

Promovimi këtë të enjte, në Bibliotekën e Qytetit, në orën 11, në kuadër të manifestimit të 60 vjetorit të “Mitingut të Poezisë”

Klubi Letrar “Gjon Nikollë Kazazi”

Klubi Letrar “Gjon Nikollë Kazazi”: 60 vjet Mitingu i Poezisë!

Programi i Mitingut të Poezisë Jubilar, me 08.11.2024, i paraprin java e mitingut! 60 vjet Mitingu i Poezisë! Urime! Na shkoftë mbarë!

Klubi Letrar “Gjon Nikollë Kazazi”

Përkujtohet Bedri Alimehmeti, kujtohet dhe vlerësohet nga personalitete të shquara

Në një ceremoni emocionuese, personalitete nga fusha të ndryshme u mblodhën për të nderuar Bedri Alimehmetin, një figurë thelbësore për kulturën shqiptare.

E bija e tij, gazetarja Alba Kepi, shprehu mallin për babain, duke theksuar përkushtimin për të ruajtur amanetin e tij dhe identitetin e Tiranës.

Me veprat e tij, Bedri Alimehmeti do të mbetet gjithmonë një figurë e paharrueshme në historinë e vendit.

Mjeshtri i madh, Bedri Alimehmeti, u përkujtua nga familjarët, miqtë e kolegë në një ceremoni plotë emocione e kujtime për ikonën e gazetarisë sportive dhe personalitetin e kulturës. E bija e tij, gazetarja Alba Kepi, shprehu mallin për njeriun e shtrenjtë

‘’Edhe mua më ka munguar shumë. Më ka munguar kur thoshte që Alba gjithmonë mos mungo respekt edhe në punën tënde’’, tha Kepi.

Theksoi se do të vazhdojë të ruajë amanetin e tij për identitetin e Tiranës dhe për kujdesin e dorëshkrimeve të çmuara që ai la pas, duke premtuar se do ta mbajë gjallë trashëgiminë e tij.

‘’Amaneti i tim ati është i shtrirë edhe në veprën e tij. Ai ka lënë ende shumë libra të pabotuar’’, tha Kepi.

Ish-presidenti Bamir Topi ndau kujtime personale, duke pasqyruar lidhjen e veçantë që kishte Bedri Alimehmetin.

‘’Do ta kujtojmë si një njeri besnik i familjes, besnik i shoqërisë, besnik i qytetit dhe qytetarisë’’, tha Topi.

Krahas sportin dhe Bedri Alimehmeti u angazhua për të mbrojtur e trashëguar vlera të kryeqytetit të cilit i kushtoi jetën e tij.

Ai ishte një skenarist i njohur i “Sofrës Tiranase” dhe një nga themeluesit e Shoqatës “Tirana”.

Arben Tafaj, kryetari i Shoqatës “Tirana”, e konsideroir atë si një shtyllë të rëndësishme të identitetit kulturor të qytetit.

Ndërsa Perparim Tavo e përshkroi si një njeri që la një gjurmë të paharrueshme në historinë e vendit, duke theksuar ndikimin e tij në kulturën shqiptare.

Bedri Alimehmeti lindi më 11 tetori 1945, dhe mbylli sytë përgjithmonë në moshën 78 vjecare.

Duke ndarë kujtimet dhe biseda të qeta, ashtu siç do të dëshironte Bedri Alimehmeti, ata që e njohën thanë se emri i tij do të mbehet përjetësisht.

Romani ‘Shtatori i gjëmës së madhe’ i Skifter Këlliçit botohet në Pakistan

VOAL- Revista “Sindh Courier” qe publikohet në gjuhën angleze në Karaci, (Pakistan) nga shkrimtari dhe publicisti i njohur pakistanez Nasir Aiaz, po boton romanin ‘Shtatori i gjëmës së madhe’ të shkrimtarit Skifter Këlliçi, i cili, nën titullin ‘Disastrous September’ është botuar vitin e kaluar në Amerikë nga Enti botues Lulu.

Siç dihet, ky romani i kushtohet 9/11, tragjedi në të cilën, si pasojë e akteve të një grupi terroristësh fanatikë islamikë, mbetën të vrarë 2981 njerëz, ndër të cilët dhe tre shqiptarë – Frrok Camaj, Mon Gjjonbalaj dhe Simon Dedvukaj, të kthyer në personazhe të këtij romani.

Këlliçi ka punuar gjatë viteve 1999-2001 security guard në Aeroportin Ndërkombëtar Logan të Bostonit dhe atë mëngjez ka parë të kalonin nga një pikë kontrolli e Terminalit B të këtij aeroporti një grup prej 5 pasagjerësh të rinj arabë, pa e ditur se këta ishin disa nga terroistët që pastaj u futën një avion ,vranë pilotët, e kthyen atë në një predhë gjigande, që goditi një nga Kullat Binjake. Pas disa minutash një grup tjetër terroristësh veproi në të njejtën mënyrë me avionin në të cilin fluturonin duke goditur kështu kullën tjetër binjake.

Revista ‘Sindh Courier”, siç nënvizon Nasir Aiazi në një intervistë të dhënë gazetës së përjavshme “Nacional”, është e njohur jo vetëm në Pakistan, por edhe në 70 vende të tjera të botës.
Në numrat e saj të ardhshëm kjo revistë do të vazhdojë të botojë fragmentet deri në fund të këtij romani.

MË 6 NËNTOR LIDHJA E SHKRIMTARËVE E KOSOVËS (LSHK), SHËNON 15-VJETORIN E GAZETËS LETRARE DHE KULTURORE “NACIONAL”

Të mërkurën, më 6 nëntor, në Institutin Albanologjik të Prishtinës, ora 11.00
LIDHJA E SHKRIMTARËVE E KOSOVËS (LSHK), SHËNON 15-VJETORIN E GAZETËS LETRARE DHE KULTURORE “NACIONAL”
NJOFTIM
Të nderuar,
Dëshirojmë t’Ju ftojmë për një ngjarje të rëndësishme për jetën tonë letrare, kulturore dhe kombëtare, 15-vjetorin e gazetës “Nacional”, Tiranë-Prishtinë.
Veprimtaria do të mbahet në sallën e Institutit Albanologjik të Prishtinës, më 6 nëntor 2024, prej orës 11.00 – 13.00.
Ne dhe botuesi i gazetës letrare dhe kulturore “Nacional”, dr. Mujë Buçpapaj, luteni që t’ju takojmë për të biseduar për 15-vjetorin e udhëtimit të javores “Nacional”, për bashkëpunimin vëllazëror gjatë gjithë këtyre viteve, si dhe të ardhmen.
Jeni të mirëpritur!
Miqësisht,
Prof. dr. Shyqri Galica

36 vite pas vdekjes botohen të plota veprat e klerikut Atë Pjetër Meshkalla

Për herë të parë vepra e klerikut të shquar të kishës katolik Atë Pjetër Meshkalla është botuar e plotë. Në famullinë “Zoja e Shkodrës” u promovuan tre botime për Atë Pjetër Meshkallën, “Vepra Letrare”, libri “I Drejti që rrnoi me dëshmue” dhe “Lili ndër Ferra. Këto botime vijnë 36 vite pas ndarjes nga jeta shprehet botuesi Frano Kulli teksa deri tani vepra letrate e një emri si Atë Pjetër Meshkalla u la plotësisht në hije duke mos patur vëmendjen e duhur….

Botimi i veprave të Atë Pjetër Meshkallës përkoi edhe me 5 vjetorin e themelimit të bibliotekës “Zoja e Shkodrws” pranë kishës katolike e cila është pasuruar me libra të rëndësishëm në këtë periudhë….

Atë Pjetër Meshkalla duke mos pranuar bashkëpunimin me komunistët u dënua me 15 vite burg në vitin 1946 ndërsa u lirua në 1961. 6 vite pas daljes nga burgu i shkroi një letër Mehmet Shehut kundër regjimit monist. Pasi u demaskua në Institutin Pedagogjik të Shkodrës u dënua edhe me 10 vite të tjera burg dhe pas lirimit u internua në Vlorë ndërsa u nda nga jeta në vitin 1988 duke lënë pas një veprimtari të çmuar si patriot e meshtar por edhe si një njeri i shquar i letrave shqipe. U deshën 36 vite pritje që vepra e tij letrare të botohet e plotë.bw

…Këto ditë doli nga shtypi libri më i ri i shkrimtarit dhe poetit KRISTAQ TURTULLI POEZI TË ZGJEDHURA

Poezia e Turtullit është e mbushur me mall të pastër, të thellë e të dhimbshëm për atdhenë e largët, për Korçën e tij të dashur, për prindërit që përherë ikin dhimbshëm nga kjo botë…
Redaktor: Iljaz Bobaj
Graphics: Virgjil Turtulli
Korektore: Kristina Turtulli
Botimi i Parë- 2024
Shtëpia botuese “ADA”
Adresa: Rr. Mihal Grameno Pall.32 Ap. 7
Cel: 068 22 190 16
Tiranë, tetor 2024
CIP Katalogimi në botim BK Tiranë
Turtulli, Kristaq
Poezi të zgjedhura / Kristaq Turtulli ;
red. Iljaz Bopaj. – Tiranë : Ada, 2024.
160 f. ; 20 cm.
ISBN 9789928823465
1.Letërsia shqipe 2.Poezia
821.18 -1
Në shenjë respekti dhe mirënjohje familjes për ndihmesën në botimin e këtij libri poetik me rastin e shtatëdhjetë vjetorit të ditëlindjes.
Parathënie
Shkrimtari i njohur dhe i mirënjohur, Kristaq Turtulli, autor i një serie mjaft të lexueshme dhe të suksesshme tregime, novelash, romanesh, këtë herë ka bërë një ‘’thyerje’’ në zhanrin e tij të preferuar.
Ka ardhur me një vëllim poetik, në të cilin ka përmbledhur rreth 130 poezi të tij, të shkruara ndër vite, për t’ia sjellë lexuesit si një dhuratë të bukur, të veçantë.
Por më shumë sesa e bukur dhe e veçantë, kjo dhuratë ka brenda saj diçka edhe më të qenësishme: pjekurinë e tij artistike në zhanrin e bukur të poezisë.
Që në poezinë e parë, duket fare qartë se kemi të bëjmë me një penë pjekur e të talentuar, që di si ta ndërtojë, ta zhvillojë dhe ta ngrejë dhe ta vendosë poezinë në vendin e saj, në kështjellën e bukur poetike.
E ndërtuar sipas konceptimit dhe stilit të tij poetik, përgjithësisht në një zhvillim linear, pa zhurmë dhe tam- tame poetike, poezia e Turtullit është e mbushur me mall të pastër, të thellë e të dhimbshëm për atdhenë e largët, për Korçën e tij të dashur, për prindërit që përherë ikin dhimbshëm nga kjo botë, për traditat tona të rralla dhe bukuritë e trojeve tona. Për gjithçka të atdheut të vet, por edhe për gjithçka të bukur e njerëzore. Tematika e poezisë së tij ka një shtrirje universale dhe, për pasojë, edhe mesazhe universale, që vlejnë për këdo. Ky është edhe misioni i vërtetë i poezisë dhe përgjithësisht i artit.
Madje ky mall ka një peshë të rëndë, shpesh tej së zakonshmes. Kaq e ngarkuar është poezia e poetit Turtulli me këtë mall, sa ajo e mban poezinë e tij përherë me ngarkesë maksimale, pa u lehtësuar kurrë prej tij.
Dhe poezia e Turtulli ia del mbanë me një peshë të tillë, të cilën duket se e ka të nevojshme për vet peshën dhe kërkesën e saj poetike. Një simbiozë e bukur artistike, midis autorit dhe poezisë së tij…
Por autori, me talentin dhe mjeshtërinë e tij, di ta shpërfaqë atë para lexuesit, duke i dhënë plotësinë e nevojshme në poezinë e tij, jo vetëm mallit, por edhe vetë poezisë së tij, e cila ekspozon para lexuesit hijeshinë dhe hapësirën poetike të autorit.
Alegoria, paralelizmi, metafora, pleonazma, epiteti… etj, janë përdorur jo për të dalë në pah e për të reklamuar veten e tyre, por për të forcuar poezinë, duke u vendosur aty ku duhen dhe ashtu si duhen, si pjesë e qënies së saj.
Libri të tërheq dhe të mban lidhur deri tek poezia e madhe kreshendo: ‘’Beniamini dhe unë’’, të bën t’i hapësh veshët, t’i thërrasësh mendjes dhe të gjykosh me urtësi vetveten…
Do të ishte në të mirën e gjithkujt dhe në të mirën e të gjithëve, që sikush prej nesh të marrë të diçka nga mesazhi i saj krejt i veçantë. Ajo është një kambanë e fuqishme që bie për të gjithë…
Miku im, shkrimtar dhe poet i nderuar!
Unë ndjeva një kënaqësi të veçantë me librin tuaj, duke qenë edhe redaktori i tij.
Besoj se do jetë po kaq kënaqësi edhe për lexuesin kur do ta lexoje atë…
ILIAZ BOBAJ
(Poet dhe Redaktor i Librit)

Kush ia dorëzoi kurorën e Skënderbeut monarkut Viktor Emanueli në Romë! Roli i Ali Asllanit gjatë pushtimit të Shqipërisë nga Italia më 1939

Qendra për Hapje dhe Dialog (COD) në bashkëpunim me Bashkinë Vlorë organizoi mbrëmjen poetike kushtuar poetit, diplomatit dhe kryebashkiakut të viteve ‘20-‘30 të shekullit XX, Ali Asllani.

 

Në skenën e teatrit “Petro Marko” u ngjitën aktorët Yllka Mujo, Viktor Zhusti, Rozeta Ferri dhe Artan Islami, duke performuar vargjet lirike të poetit vlonjat. Ata u shoqëruan nga muzika e Aulon Naçit në piano dhe kuartetit të harqeve, i përbërë nga Dejon Bendaj, Vilson Guri, Albana Kola, Dorina Laro dhe në fyell e cylë dyjare Vendim Kapaj, me pjesëmarrjen e sopranos Suada Gjergji. Interpretimet janë përcjellë mes duartrokitje nga të pranishmit. Drejtoresha e Qendrës për Hapje dhe Dialog, Jetona Koçibelli, falënderoi artistët për bashkëpunimin dhe realizimin e kësaj mbrëmje, ndërsa kryebashkiaku Ermal Dredha e vlerësoi aktivitetin si një nderim të merituar për Ali Asllanin.

Aktiviteti u ideua nga Rozeta Ferri, nën kujdesin artistik të regjisores Driada Dervishi dhe u frymëzua nga vepra e poetit Asllani: “Ah ky mall, ky mall i çmendur”. Ali Asllani u lind në Trevllazër. Ngeli jetim në moshë të re, kur ishte ende 6 vjeç. Me ndihmën e të afërmve dhe miqve të të atit, mundi të ndiqte ‘Ruzhdijen’ e Vlorës. Gjithashtu ndiqte shkollën greke që të mund të mësonte alfabetin grek. Më 1898 nisi të studionte në shkollën Zosimea të Janinës. Gjatë kësaj periudhe nisi të thurte poezi në turqisht dhe persisht. Shkoi të studionte mjekësi në Stamboll, por pas një viti e la. Me ndihmën e Ismail Qemal Vlorës dhe Mulla Xhaferr Drashovicës mundi të kalonte provimin hyrës në Institutin e Lartë administrativ “Mülkiye” në Stamboll, ku u diplomua më 1906. Pas shkollës, kreu stazhin në Janinë.

Në vitin 1908 zëvendësoi për tre muaj nënprefektin e Delvinës dhe u kthye përsëri në Janinë. Ai ishte një nga anëtarët e shquar të klubit “Bashkimi”. Për mbështetjen që i dha Ismail Qemalit filloi të persekutohej nga organet qeveritare osmane, madje u dha urdhër të internohej në Halep të Sirisë. Mundi t’i shpëtonte internimit, kaloi në Korfuz dhe prej andej në Vlorë. Mori pjesë në Kuvendin e Dibrës, si përfaqësues i klubit “Bashkimi” të Janinës. Në vitin 1910 u kthye në Stamboll, pas rënies së kabinetit që e internoi. U emërua sërish nënprefekt me ndërhyrjen e Shahin bej Kolonjës, por me kusht që të punonte në viset shqiptare.

Deri më 1912 punoi si nënprefekt në Akseqi, Ellgen dhe Boskër të Vilajetit të Konjës në Anadoll. Pas shpalljes së Pavarësisë, Ismail Qemali, i besoi atij detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Presidencës të Këshillit të Ministrave, ku qëndroi deri më 22 janar të vitit 1914. Më pas punoi për disa kohë si nënprefekt i Fierit e kajmekan i Ballshit. Pas largimit të Princ Vidit shkoi disa kohë në Itali e u kthye sërish ku administrata lokale e caktoi sekretar të përgjithshëm (10 nëntor, 1915 – 1 janar, 1917). Pushtimi italian e gjeti nënprefekt, por meqenëse kundërshtoi pushtimin, u pushua nga puna. Nga 20 dhjetori i vitit 1918 gjer më 5 nëntor të vitit 1920 ishte kryetar i Bashkisë së Vlorës. Në vitet 1921 – 1922 ishte kryekëshilltar i qeverisë dhe më pas sekretar i përgjithshëm i Kryeministrisë. Më pas u caktua konsull në Trieste, ku qëndroi deri në fund të prillit 1925. Po atë vit u emërua “Zëvendës i ngarkuar me punë” në Sofje e më pas, po aty, “sekretar i parë” dhe “i ngarkuar me punë”.

Në vitet 1930 – 1932 ishte ministër i akredituar në shtetin grek. Më 1934, përsëri ishte kryetar i Bashkisë së Vlorës deri në prag të pushtimit fashist 1939, ku u emërua anëtar i Këshillit të Lartë në Tiranë. Me pushtimin e Shqipërisë nga Italia në 1939, Asllani qe pjesë e delegacionit shqiptar kryesuar nga kryeministri Vërlaci dhe ministri Ypi, që i dërguan kurorën e Skënderbeut monarkut italian Viktor Emanuelit në Romë.

Pak kohë më pas u largua nga jeta politike dhe vajti në fshatin Vajzë të Vlorës. Me ardhjen e regjimit komunist është ndër të parët themelues të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Deri në vitin 1952 mbahej nga të ardhurat e pakta nga përkthimet për llogari të Institutit të Shkencave, por kjo mundësi më vonë iu pre. Ka botuar vjersha që në moshë të re.

U bë i njohur me poemën “Hanko Halla”, që u botua në vitin 1942. U gjet në dorëshkrim përkthimi i gjysmës së dytë të viteve ’40 të kujtimeve të Syrja bej Vlorës, përkthim i cili nga dialekti i përdorur dhe nga inicialet A.A., mendohet të jetë i Ali Asllanit. Pak vite para vdekjes mundën të botohen disa libra të tij dhe iu lidh një pension i vogël. Vdiq në Tiranë në 20 dhjetor 1966.

/Gazeta Panorama

VLLASOVA MUSTA – DINJITETI NJERËZOR DHE LETRAR SI MODEL- Nga MSc. Albert HABAZAJ

“Një grusht diell” – vëllimi me poezi të zgjedhura i autores së njohur shqiptare Vllasova Musta, një botim i merituar në formë dhe në përmbajtje jo vetëm për poeten, që na nderon Vlorën me pjesëmarrjen e saj, por sepse libri është një vlerë e nevojshme për letërsinë femërore dhe për mbarë letërsinë shqipe, na mblodhi më 3 Tetor 2024 në një festë letrare, organizuar nga Biblioteka shkencore “Nermin Vlora Falaschi” e Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë dhe Qendra e Kulturës dhe Artit Bashkia Vlorë në mjediset e Bibliotekës universitare të qytetit bregdetar. Poetja dhe skenaristja e njohur ka bërë shumë veprimtari në Tiranë e gjektë, por zgjodhi Vlorës, sepse qyteti i Flamurit është vendlindja e nënës së saj dhe pikërisht më 3 tetor, sepse 60 vjet më parë, më 3 Tetor 1964 Vllasova Musta ka botuar dy poezitë e para “Mendime” dhe “Fishekzjarre” në gazetën “Drita”, kur Sova ishte vetëm 15 vjeçe. Erdhi të festojë kulturalisht me dajot ditën e botimit të dy poezive parë…
Sova shfaqet në poezi ajo që është në fakt, në realitet, në jetën e përditshme, por, domosdoshmërisht, thurur me art, me filigran shpirti, ndjenje e mendimi.
Vllasova Musta është Poete e Vërtetë e Dashurisë Njerëzore, sepse tek “Një grusht diell” kemi poezi për babain e për nënën, për vëllain e për miqtë, për Gjirokastrën e gurtë e për Vlorën detare, për të parët e për At-Mëmëdheun, për pulëbardhat e për xixëllonjën, për zogjtë e për lulet, mall për fëmijërinë e elegji për dashurinë, nderim për dëshmorët e lirisë dhe mesazh historik arbëror, për gruan me butësinë engjëllore dhe për lahutarin si lumë i hidhur, për lirikat në shi dhe vetminë e trishtë dhe lamtumirën epike…. Kemi shumë motive të bukura, me strukturë e gjetje poetike, me trajtesë artistike të admirueshme. Tek “Një grusht diell” Sova ka derdhur shpirtin e saj të bukur me vargjet për Anin, vajzën e saj si drita dhe për nipin kapedan me emrin simbolik, kuptim plotë e gjithëjetësor Timin – në kujtim të gjyshit të ndritshëm Kujtim Spahivogli.
Vllasova Musta është Poete e Vërtetë e Dashurisë Njerëzore, veçanërisht për trininë e shenjtë: Besnikërinë, dhembjen dhe krenarinë deri në kufijtë e tejskajshëm të sublimes ndaj ATIJ – gjigandit tragjik – Kujtim Spahivogli.
Ky libër është mushti poetik i 60 vjetëve krijimtari letrare të botuar të autores. 60 vjet në krahët e vargjeve lirike, 60 vjet lundërtare në anijen e bardhë me vela të poezisë identitare nëpër detin e egër me dallgë të papritura dhe të tërbuara gjatë jetës, që i përballoi si në timoniere e sprovuar, me dinjitet dhe integritet, e qartë dhe e kthjellët, gjakftohte dhe me tejshikim, e matur dhe e qetë, e palëkundshme dhe pa e humbur toruan kurrë. Kurrë. As në vitet e liga 1972-’73…
Në këtë vëllim gjejmë bulëza kujtimesh të përmallshem nga poezitë e fillimeve romantike të autores, qysh kur ishte gjimnaziste në Gjirokastër, siç janë: “Kujtimi” (f. 151, botuar në vitin 1966), “Kur shkruan zemra” (f. 150, bot. në vitin 1967), “Alternativë” (f. 152-153, bot. në vitin 1969) apo “Pa kopertinë” (f. 90, bot. në vitin 1967), e cila për kohën dhe moshën është e guximshme, moderne, shprehur nëpërmjet kontrastit me lakonizëm, si një zhbiruese e hollë e realitetit njerëzor. Po e citoj, sepse më pëlqen, ngaqë vihet përballë hipokrizia e lustruar me thjeshtësinë e ndershme, ndërkohë që është dhe e shkurtër: “E urrej atë botë të vockël,/ Lustrën e syve,/ Mimikën xhentile/ Në zemër,/ Si zambak/ Kam mbjellë theshtësinë/ E, mes vargjesh,/ Para jush,/ Vij/ Pa kopertinë”. Dhe, të mos harrojmë që ishte vetëm aty tek mosha e ëndrrave të kaltra fluturake, vetëm 17 vjeçe, kur është botuar kjo poezi, që pati jehonë në Gjirokastër dhe në botën letrare. Me këtë titull “Pa kopertinë është botuar edhe libërthi i parë poetik i autores në vitin 1970, kur ishte studente në Tiranë.
Vllasova Musta i përket brezit letrar të viteve 1970, atij brezi ëndërrimtarësh, të pastër e të pasur shpirtërisht, përtej ideologjisë së kohës dhe izolimit. Sova me penartët e kohës kishin modelet e tyre. Sot Vllasova Musta është një model njerëzor, letrar, qytetar, që në çdo frymëmarrje të saj shpërndan nga një grusht me diell për të ngrohur botën njerëzore.
Në librin me poezi “Një grusht diell” ndjejmë, prekim dhe motivohemi nga identiteti gjenetik dhe kulturor i Vllasova Mustës, e cila, për mendimin tim, në qiejt letrarë është një shqiponjë mali, edhe në rrafshin e antropologjisë kulturore, patjetër edhe në rrafshin e antropologjisë fizike. Fjala vjen, poezia “Autoportret” (f. 156) është mishërim i kësaj që shpreha.
Po qetësohem pak tek poezia “Autoportret”. Unë e vështroj “Autoportretin” në disa plane: edhe pse ardhur në strukturë poetike, ne, lexuesit, njihemi me një autoportret të autores, shkruar jo me gërma, por me rreze të ngrohta dielli. Them kështu, sepse shohim një autoportret në vargje të autores, sa fisnik, aq elegant, me eshtër vërtetësie, me frymë mirësie, si të ishte një ambasadore e virtytshme e paqes njerëzore.
Si në legjenda, Sova u lidh aq e re me Princin e regjisurës shqiptare, Kujtim Spahivoglin, 55 vjeçarin e përhershëm, përjetësisht të pavdekshëm elbasanlliun bujar, lindur në Lushnjë më 30 qershor 1932 dhe mbyllur synë në Tiranë më 7 Korrikun e zi 1987, por që jo, asnjë herë nuk e humbi emrin e famën. Ai la gjurmë në përjetësi si aktor dhe regjisor i famshëm, ndër regjisorët më të njohur shqiptar, dramaturg e poet, eseist dhe gazetar e autor, por së pari njeri me botë të madhe, kolos si artist, shumë njerëzor në përditshmërinë e tij, të falte gëzim e të dhuronte krenari. Ai ishte burrë, i zoti, i drejtë, i ndershëm, që nuk dinte të bënte keq e nuk mund të hante pas krahëve kënd. Çfarë kishte ta thoshte në sy dhe jo dy herë. Me besim vijonte udhën e lartë, por e hëngrën të pabesët. Madhështori si njeri, si pedagog, si drejtues, si artist, si familjar, i përbuzte deri në neveri të poshtrit. Po përse po i përmend, do të thoni ju e ndoshta dhe Sova mund të ligështohet, por jo, nuk trishtohet Kapedania jonë, se ka përballuar vërtet suferina në jetë dhe ja tek është në krahun tonë me dritë të bukur, ballëlartë, hijerëndë, me vështrimin përpara tej, tutje. I përmend këto cilësi dhe virtyte të Gjigandit tragjik të skenës, sepse edhe Sova ka marrë shumë nga AI. Vllasova Musta është Kujtim Spahivogli i gjinisë femërore, falë edhe edukatës së saj familjare, edukimit universitar, formimit qytetar, karakterit të fortë, personalitetit optimist dhe qëndrestarisë së saj stoike në jetë.
Vërtet Sova ka marrë shumë nga Ai, sikur ta kishte vëlla binjak. Po i thonë një fjale këtyre hënave: “Ngjan miqësia, pra bëhet”, edhe pse barbarët e prenë në mes dashurinë e shëndetshme, të ëmbël e besnike.
Poezia e Sovës “7 Korrik” është lakonike, ka ndjenjë, besë, art e përçon mesazhe tek ne dhe tek brezat që vijnë. Ajo është mbresëlënëse, nuk mund të harrohet se na është gdhendur në kujtesë, edhe pse ia thotë Anit, në ditëmortin e të paharruarit Kujtim Spahivogli: “Është e kotë/ Të të them:/ Në këtë datë,/ Ndize një qiri, / Në dritë ktheje!/ U bë një jetë,/ Qiriri i përflakur/ Digjet / Brenda teje” (f.195), apo tek këshillohet me shoqen e saj të ngushtë, motrën, bijën, Anin – dritën e syrit ku merr në çdo frymëmarrje një grusht me diell: “Ti mos më pyet ç’më ka ndodhur/ Pse jam mërzitur, pse nuk qesh/ Ndër qindra ditë që ka viti,/ Ndosh dhe mërzitje që të kesh”. Kaq. Komentet nuk vlejnë.
Sikurse në jetë, edhe në vargjet e saj Sova aq sa di të falë, aq edhe shpërfill deri në neveri. Duke shijuar vlerat njohëse, artistike dhe estetike të kësaj poezie me ngjyra të arta vjeshte, në ekranin e kujtesës më shfaqen disa visare të moçme, fjalë të urta popullore, si “Fisi do vejë në fis, rigoni nuk bëhet lis” apo “Nuk malen shqiponjat e malit me zhabat e moçalit” etj.
Bota poetike e Sovës shfaqet në Trininë e vargut guximtar, si : Poete qyetare, poete universale dhe poete atdhetare, e cila e ka zanafillën tek dashuria për familjen, vendlindjen, atmëmëdheun, historinë e tij, të rënët dhe të dinjitetshmit e udhëtimit jetësor. Shprehem kështu, sepse, Sova, sikurse në jetë, edhe në vargje, me poezinë e saj ka arritur dinjitetin artistik të thurjes dhe mesazheve me dritë që përçon.
Që të njohësh poezinë e Sovës, duhet të njohësh jetën e saj, sepse vjershërimi i poetes aristokrate Vllasova Musta është jeta e saj shkruar me art në diell e në furtunë, sidomos në tramundanat e saj tronditëse që në themel, por që nuk ia shkatërruan dot shtrenjtërinë dhe shenjtërinë e familjes. Vllasova Musta mbeti një shqiponjë një furtunë dhe kam besim se e tillë do të jetë deri në fluturimin e fundit, mbas 75 vjetësh të tjerë…

Vlorë, 03 Tetor 2024

MSc. Albert HABAZAJ

përgjegjës i Bibliotekës Shkencore “Nermin Vlora Falaschi”, Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë


Send this to a friend