Në një klimë mëshire dhe mirënjohje ndaj Papa Françeskut për aktin e tij në Shenjtërimin e Nënë Terezës, që i dedikohet dy Burrave të Ndritur, Papa Vojtilës dhe Papa Bergoglio-s, në rrjetet sociale bëhet propagandë antishqiptare, sipas së cilës katolikët shqiptarë janë të mirët dhe myslimanët shqiptarë janë të liqtë, kriminelët, xhihadistët!
Nuk e di se kush i paguan për të mbjellë urrejtje dhe përçarje të farës, por teoritë sipas të cilës diktatura i ka masakruar katolikët dhe i ka mëshiruar myslimanët sepse katolikët ishin pjesa e denjë e kombit, që nuk spiunonte, që nuk mëkatonte, ndërsa myslimanët ishin pjesa e padenjë e kombit, që i ka bërë të zezat, janë po aq kriminale sa edhe vetë krimet e diktaturës komuniste.
Të thuash që diktatura i ka grirë katolikët, kjo është mëse e vërtetë; por të thuash se diktatura i ka privilegjuar myslimanët, kjo është një rrenë mizore që ka qëllim 1.demonizimin e një pjese të kombit, që përbën shumicën dhe është burim i tolerancës dhe 2.përçarjen kombëtare përmes fesë.
Regjimi komunist ekzekutoi genocid përmes ideologjisë dhe diktaturës të proletariatit duke e ndaluar dhe shfarosur lirinë e besimit që është një e drejtë themelore e njeriut. Fenë e konsideroi të rrezikëshme sepse kishte ndikim ndër shqiptarë pasi përhapte idealet e lirisë dhe nuk e pranonte ndarjen dhe vëllavrasjen as për arsye ideologjike dhe aq më pak fetare!
Ndërsa sot po rreket që t’i përçajnë shqiptarët përmes teorive po aq shqiptarofobe sa krimet e diktaturës komuniste.
Dihet botërisht se myslimanizmi i shqiptarëve ka qenë i vonët, që do të thotë se këta që rezultojnë sot të myslimanizuar, kanë qenë katolikë, por përpara se të lindte feja, kemi qenë të gjithë paganë, pellazgë, ilirë, arbërorë.
Kokat e klerit katolik i kanë shërbyer kombit dhe kombi është e tëra, as e ndara dhe as e përçara, ndërsa të vërtetat e thëna përgjysmë si të këtyre horrave janë më të zezat e rrenave, sepse helmojnë pjesën e paditur.
Ne kemi 75 vjet që si komb jemi duke përjetuar krizë identiteti, jo për arsye fetare, por për arsye ideologjiko-politike.
Regjimi stalinist në diktaturë për gjysmë shekulli ka vrarë e përçarë katolikë e myslimanë pa dallim, ndërsa prej një çerek shekulli ne kemi një klasë politike të korruptuar që po i përçan shqiptarët përmes injorancës dhe fshehjeve të të vërtetave ose deklarimit të të vërtetave gjysmake, si këto që shqiptohen sot, se katolikët shqiptarë janë të mirët dhe myslimanët shqiptarë janë bashkëpunëtorët e diktaturës, që do të thotë se katolikët i ka vrarë jo diktatura por myslimanët!
E vërteta është se diktatura shqiptare për gjysmë shekulli i ka grirë katolikë e myslimane. Sigurisht e ka nisur me elitat, duke futur në shenjester klerin katolik sepse ky kler ka mbrojtur kombin, përmes dijes, kulturës dhe ruajtjes të unitetit kombëtar midis të krishterëve dhe myslimanëve. Edhe myslimanizmi shqiptar ka qenë po aq unifikues sepse asnjëherë nuk e ka përdorur fenë si mjet të shumicës fetare për të dominuar tek besimtarët e krishterë sepse “Feja e Shqyptarit asht shqyptaria”.
Sot klasës politike shqiptare i duhet një luftë midis katolikëve dhe myslimanëve shqiptarë për të larguar vemendjen nga inkriminimi i tyre. Gjithashtu u duhet edhe atyre që u kanë shkaktuar vuajtje shqiptarëve.
Të thuash sot se diktatura i masakroi katoliket dhe i mëshiroi myslimanet kjo është teza më antishqiptare. Sepse bëmat dhe krimet e diktaturës rreken që t’ua faturojnë myslimanëve dhe jo diktaturës. Nuk është rastësi që jemi i vetmi vend në Europën Lindore që nuk i kemi dënuar krimet e diktaturës. Përpara se t’i shpallte 40 martirët Kisha Katolike, do të duhej t’i shpallte shteti shqiptar si martirë të kombit! Por nuk e bëri këta 25 vjet!
Është kriminale që të merret në shënjester ajo vlerë që i ka shërbyer mbijetesës kombëtare si “thembra e Akilit”, që do të thotë se nëse na qëllojnë ose vetëqëllohemi me shtizë aty, na rrënojnë ose vetërrënohemi si komb, na çkombëtarizojnë ose vetëçkombëtarizohemi , sepse në trevat shqiptare nuk ka patur kurrë luftë për arsye fetare. Katolicizmi dhe myslimanizmi shqiptar është autokton, kombëtar, i ka bashkuar gjithmonë shqiptarët, por gjithashtu nuk i ka sulmuar kurrë fqinjët për arsye fetare.
Harmonia dhe bashkëjetesa fetare shqiptare e mrekulloi Papa Françeskun. Dhe pikërisht këtë mrekulli shqiptare e kanë marrë në shënjestër dhe duan ta rrënojne me teoritë e tyre ikonoklaste një grusht horrash sipas të cilave katoliket shqiptare qenkan ajka e kombit, ndërsa myslimanet shqiptarë qenkan të liqte, spiunët, të perkedhelurit e diktatures, xhihadistët, thënë shkurt “jashtëqitja” e kombit.
Kjo fushatë me ngjyrim fetar dhe antishqiptar po bëhet në një moment kritik, kur ISIS është kthyer në një rrezik botëror dhe këta horra që flasin shqip i përziejnë myslimanët shqiptarë me terrorin, kur ISIS është shprehja më e zezë e antitolerancës dhe kur viktimat e ISIS kryesisht janë myslimanët vetë!
Është e vërtetë që kleri katolik shqiptar, ashtu si katolikët vetë janë ajka e kombit, por ajka e kombit janë katolikë e myslimanë, ortodoksë e ateistë, të gjithë së bashku sepse jemi shembulli botëror i bashkëjetesës e tolerancës fetare, i vyrtyteve dhe vlerave.
Kjo tolerancë dhe bashkëjetesë si një markë kombëtare është sinonim me Besën Shqiptare që ka lindur bashkë me kombin dhe kur e gjithë Europa, pavarësisht se ishte e krishterë, i dorëzoi dhe i shiti hebrejtë, vetëm shqiptarët i mbrojtën dhe i mëshiruan. Hebrejtë nuk u mëshiruan vetëm nga katolikët shqiptarë, por nga shqiptarët si komb, me myslimanë e të krishterë së bashku.
Është e trishtueshme se në ditë të tillë kaq të rrallë për kombin tonë, kaq të bukur, kaq të vlerë, kur na vlerëson Papa Françesku dhe kur gjithë shqiptarët pa asnjë dallim fetar, kudo ku jetojnë, në disa njësi shtetërore të Ballkanit dhe në diasporë i kanë fokusuar sytë në Romë, në Vatikan kur pas disa ditësh do të zyrtartarizohet Shenjtërimi i Nënë Terezës, në rrjetin social ka plasur një fushatë burracakësh kinse “katolikësh” kundër myslimanëve shqiptarë!
Kur gjithë bota shqiptare mbarë pa dallim feje, besimtarë apo ateistë i janë mirënjohës Papa Françeskut, në rrjetet sociale ushqehet në gjuhën shqip, as në serbisht dhe as në greqisht, urrejtja kundër myslimanëve shqiptarë, duke i konsideruar bashkëpunëtorë të diktaturës kundër katolikëve shqiptarë!
Kjo fushatë është kriminale!
Kjo fushatë është jo vetëm antishqiptare dhe antikombëtare por në thelb është antikatolike sepse veprohet në antitezë të plotë me filozofinë humaniste të Papa Françeskut!
Kur kreu i Kishës Katolike i përulet mëshirës, tolerancës dhe vëllazërimit, në rrjetet shqiptare përmes një fushate gjoja me theks fetar, futet në shënjestër, me qëllim përçarjen dhe prishjen, harmonia jonë fetare që është shembull në Ballkan, Europë dhe botë.
Teoritë përçarëse me thekse fetare janë njëlloj si ato ideologjike, tipike të sojit nazisto-stalinisto-inkuizicionisto-isiste. Ata flasin në emrin e fesë, por krejt ndryshe nga Ati i Shenjtë Papa Françesku, i cili, ashtu si Papa Gjon Pali II, i ka kaluar prej kohësh kufijtë dhe limitet e një lider fetar, pasi Ai flet dhe vepron si Burrë Shteti i përmasave botërore, duke synuar ta vendosë krishtërimin në shërbim të humanizmit dhe në të mirë të paqes botërore!
Prandaj Papa Françesku i ka simpatizantët e të gjitha ngjyrave dhe feve, i ka katolikë, myslimanë, të nacionaliteteve e racave të ndryshme, qofshin edhe mëkatarë apo njerëz jo perfektë! Sepse Papa Françesku nuk e ndan globin me zona influence sipas feve, por u kërkon feve të kenë ndikim për ta unifikuar botën përmes mëshirës dhe humanizmit.
Katolicizmi i Papa Françeskut është njerëzor, pastaj hyjnor, është tokësor pastaj fetar, sepse ka qëllim shërimin e plagëve dhe jo hapjen e plagëve që nuk kanë ekzistuar kurrë, sikur janë duke vepruar këta horrat që flasin shqip dhe që kanë futur në shenjestër thelbin e shqiptarëve, krenarinë tonë kombëtare, kuintesenciale që është bashkëekzistenca dhe harmonia fetare!
Komentet