Situata e shtetit shqiptar në fillim të vitit 2016 është e karakterizuar si një gjendje e një shteti të dështuar. Mjafton të bësh analizën e sistemit të qeverisjes, të situates së krizës ekonomike, insuficencës financuese të ekonomisë, klimës së krijuar kundër biznesit dhe lirisë sipërmarrëse, të sigurisë së brendshme shtetërore dhe qytetare mjaft të thyeshme, pasundimin e ligjit dhe pabarazinë në dhënien e drejtësisë, skandalet korruptive, përhapjen kapilare të korrupsionit nga maja e politikës drejt të gjitha poreve të administratës dhe sistemit të drejtësisë, një përhapje e frikshme e trafiqeve dhe e krimit të organizuar që ka filluar tashmë të konkurrojë me vrasje, rrëmbime mafioze, zhdukje dhe zotnim të hapësirave, vendet më të mirënjohura të botës kriminale. Përballë kësaj gjendjeje kemi një propagandë të mirë-organizuar qeveritare që kërkon të fshehë gjithçka.
Në këtë gjendje të mjeruar, e vetmja siguri dhe shpresë për qytetarin e thjeshtë dhe Publikun në përgjithësi, në kushtet e mungesës së Qeverisë dhe të pamjaftueshmërisë kualitative të Opozitës, ka mbetur mbështetja që vendit tonë po u japin qeveria e SHBA, BE dhe NATO-ja. Opinioni publik shqiptar ka ndjekur më vëmendje angazhimin e Ambasadorit të ShBA Donald Lu dhe ambasadores së BE Vllahutin, në implementimin e reformës konstitucionale dhe të sistemit të drejtësisë, në nxitjen e debatit profesional për alokimin e reformës nën doktrinë. Posaçërisht, angazhimi i qeverisë amerikane, shkaktoi përpëlitjen e personazhit më kryesor të Parlamentit Shqiptar, të mirënjohur për shfaqjet korrupsioniste të faktuara vizualisht, për akuzat nga Avokati i Shtetit Shqiptar në lidhje me aferen CEZ-DIA dhe për shenjimin nga një parlamentar për organizim dhe urdhnim vrasjesh politike. Kjo përpëlitje e tij solli angazhimin e menjëhershëm të gazetarëve të porositur, të shpërndarë anëkend pushtetit të katërt, për ta paraqitur angazhimin e Ambasadorit Lu në mbështetje reformative të demokracisë sonë, si një përpjekje private, e ndërmarrë me objektiva jo qeveritare. Në fakt, ishte një sulm i dëshpëruar ndaj Reformës në Drejtësi, frikë para Ditës së Gjykimit, për të dhënë llogari para Publikut shqiptar, që sot është i përkrahur fuqimisht nga Qeveria e SHBA. Publiku i ndërgjegjshëm e ka krejtësisht të qartë se Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka qenë dhe është përherë dhe në çdo rast, përfaqësues i pikëpamjeve dhe i politikës së Qeverisë së atij vendi, dhe në asnjë rast nuk ndjek politika personale. Vetë ambasadori LU pardje, në një intervistë për BIRN, deklaroi pa asnjë ekuivok se kishte porosi të veçantë nga Shtëpia e Bardhë që ta çonte deri në fund reformën në drejtësi.
Ndërhyrja e gazetarëvë me porosi kundër reformës thelbësore të sistemit qeverisës në Shqipëri dhe ndaj angazhimit të qeverisë amerikane, të bën të mendosh se ekziston një koalicion mjaft mirë i organizuar i botës së politikës së lartë, (pikërisht ai koalicion që ka ndërtuar një sistem politik dhe juridik kaq të korruptuar) me median servitore dhe gazetarët e paguar enkas. Ky koalicion është i interesuar për ta sabotuar, shkurajuar dhe vonuar përmbylljen e reformës, impostimin e saj në sistem, alokimin e saj brenda arsyes doktrinare. Është Pushteti, ish Pushteti, Mediat e ndërlidhura dhe Kasnecët e porositur, ata që po përpiqen të fshijnë përpjekjen modeste, por në rritje konstante, prirjen normale të opinionit publik përparimtar, për ta riklasifikuar realitetin e vendit tonë më 2015 dhe për t’i dhënë udhën e vet reformimit.
Në fakt, përpjekja e fundit për diversion ndaj promovuesve të një reforme të mirëfilltë të bërë nga ekspertë konstitucionalistë perëndimorë, të bën të rimendosh disa fenomene të ndërthurura në realitetin shqiptar në këtë kapërcyell: media e kontrolluar, reforma shpresëdhënëse në drejtësi që vetem duhet rialokuar, rindërtuar, vendosur nën doktrinë, dekriminalizim i shoqërisë politiko-mediatike, çmontimi i Padrinos dhe rrjetit të tij servitor nga kontrolli i Medias, pastrimi i së majtës dhe i së djathtës nga segmenti antishtet (nga Paritë e tyre thotë disa me të drejtë), shkëputja e politikës nga krimi i organizuem dhe korrupsioni; mbështetja e pakufishme e Publikut për ndihmen që Qeveria e ShBA përmes Ambasadorit Donald LU dhe BE përmes Ambasadores Vllahutin, po i japin demokracisë shqiptare.
Nuk ka dyshim se opinioni publik në Shqiperi përkrah fuqimisht perpjekjet e Ambasadorit LU, njëlloj sikurse përpjekjet e të gjithë ambasadorëve të mëparshem amerikanë, për rivitalizmin e institucioneve të demokracisë shqiptare dhe hedh poshtë me neveri përpjekjet e Rrethit Meidatiko-Politik të së Keqes, për dezinformim, shkurajim dhe sabotim. Por e gjithë kjo përpjekje të nxit të bësh këtë pyetje kërkimore investigative: Si është e mundur që në Shqipëri një anëtar parlamenti të ketë në pronësi një gazetë dhe përmes familjarëve të tij, që e menaxhojnë, merr në një shenjëstër të përditshme, një nga një, pa ndërprerje, në një format të vetëm të Agjitpropit komunist, kundërshtarë hipotetikë, me radhë, jo vetëm në kundërshtim me rregullat etike të komunikimit, por në kundërshtim me standardet e paprekshmërisë së të drejtave konstitucionale, që mbrojnë individin, mbrojnë dinjitetin human? Si mund të lejojë shefi i mazhorancës praninë e deputetëve të tillë brenda Parlamentit dhe në drejtim të strukturave të rëndësishme shtetërore të organit sovran, që operojnë në konflikt të qartë interesi dhe përdorin Mediat, në pronësi përsonale apo edhe të familjarëve të tyre, për të sulmuar çdo individ të projektuar si kundërshtarë të Rrethit të Ferrit të Zaptuesve të së sotmes dhe të ardhmes së shqiptarëve? Si mund të heshtë Avokati i Popullit në mbrojtjen e të drejtave të individëve që këto Media marrin në shenjëstër dhe nuk e ka ngritur këtë çështje pranë institucioneve të licensimit për të verifikuar kushtet e licencës dhe pranë institucioneve që kanë për detyrë të mbrojtjen e individidit nga shantazhimet dhe dhunimet mediatike propagandistike? Si është e mundur që heshtë e frikësuar Opozita para të tillë shantazhuesve? Kush guxon në Shqipëri të bëjë shantazh dhe dhunim të përditshëm mediatik, ligjerues dhe viziv? Si është e mundur që një njëri me pushtet më të lartë të ketë “delegatët” e tij në një pjesë të madhe të medias?
Së pari, ndërhyrja e pamenduar dhe e deshpëruar e zëdhënësve të këtij rrethi kompleks të antireformës, dhe kundër Shqipërisë serioze dhe europiane, ka nxjerrë në dritë një kazus, me mjaft elementë faktikë, për t’u zgjidhur sot, pranë institucioneve të specializuara. Liria dhe misioni i shtypit nuk është shantazh dhe prozhmim sistematik. Kjo është Dhunë Denigruese dhe ajo është e denueshme nga ligji shqiptar, përbën shpifje, përbën dëm psikologjik ndaj individëve dhe ndaj qytetarëve që janë të interesuar për informim të drejtë dhe të saktë.
Së dyti, Edi Rama Kryeministër -Nismëtar, duhet të ketë të qartë se sipërmarrja e tij për të bërë reformë në drejtësi, që unë personalisht e besoj, është një sipërmarrje e parealizueshme në qoftë se këtë ai don ta realizojë me Ilir Meten në koalicion. Ilir Meta në rastin më të mirë, do ia kthejë nga don ai vetë strukturën e reformës dhe Edi Rama do ia pranojë me përulje, në qoftë se ai do shkojë së bashku me atë në këtë rrugë. Në rastin më të mirë do të ndodhë një reformë pjesore, sipërfaqësore, që do lërë jashtë verifikimit të pasurisë së venë në rrugë të paligjshme, jashtë rihapjes së besueshme të dosjeve të famshme të korrupsionit, të gjithë ndërtuesit e skemave më shkatërrimtare të vjedhjes së pasurisë publike dhe zotëruesit e sotëm të paketes qeveritare. Pra, sot është koha për një vendimarrje të madhe: Reformë dhe Zgjidhje Politike, që në përmbyllje duhet të rezultojë detyrimisht me shpërndarje të këtij Parlamenti dhe atyre parlamentarëve që kanë humbur legjitimetin. Zgjidhja politike do të duhet të arrihet me përjashtimin e të akuzuarve nga angazhimi si faktor në reformë. Pra, duhet të ndodhë defaktorizimi dhe jo amnistimi i humbësve para syve të Publikut.
Së treti, Reforma në Drejtësi nuk mund të bëhet pa Opozitën. Në qoftë se Edi Rama dhe Lulzim Basha deshirojnë vertetë të bëjnë reformë në drejtësi, dëshirojnë atë ta impostojnë nën doktrinë, nuk kanë ambicie për ta vendosur drejtësinë nën pushtetin e shumicave, synojnë profesionalizmin e drejtësisë, ne publiku jemi me ata dhe populli mendoj se do t’i perkrahë. Reforma në Drejtësi, nën ekspertizë, duhet të jetë pjesa ku politika e shendoshë të bëjë lëshime, duhet të përbashkohet, qoftë edhe me kompromisin e ndërtimit të një qeverie me bazë të gjërë, ose edhe të një qeverie teknike me mbështetjen e dy partive kryesore politike dhe segmenteve progresistë të tyre. Bashkarisht dy drejtuesit e partive kryesore politike, janë të thirrur nga Kombi të mos vonojnë kompromisin historik për të reformuar Sistemin Qeverisës dhe për rrjedhojë së bashku me atë, edhe Drejtësinë. Është politika e korruptuar që ka demtuar Kushtetuten dhe ka deformuar drejtësinë dhe jo e kundërta. Kjo është logjika dhe ky rendi i gjërave. Një Politikë e korruptuar nuk mund të ndërtojë dhe aprovojë një paketë reformative për të ndryshuar Drejtësinë.
Media është e nevojshme të ushtrojë detyren që ka në të mirë të informimit dhe analizimit profesionist të qasjeve që serviren; partnerët perëndimore janë të lutur të vazhdojnë mbështetjen e procesit reformativ dhe nuk duhet të dekurajohen nga kaviet e medias dhe politikës, që para pranveres do jenë nën karantinen e ligjit, në qoftë se një reformë e arsyeshme dhe e studiuar do të zbatohet. Keneta politike e Tiranës, me llomin e pa fund, me atmosferën krejt helm, që na ka randue shpirtin deri më tash, është në pragun e përtharjes dhe dezintegrimit.
Rrethi i së Keqes, në këto orë të fundit të tij, don ta mbyllin tash edhe gojën e qytetarit të lirë, me një klimë dezinformuese dhe shmangëse nga thelbi dhe çelësi i zgjidhjes së situatës katastrofike ku e ka çuar vendin dhe të ardhmen e tij. Por ai Rreth duhet të bëjë llogari përçmimin e një populli të tërë që e kanë vënë në ikje, duhet të bëjë llogari me Shqipërinë e vetëdijshme dhe të ndershme, duhet të bëjë llogari me gjakun e të rënëve nën skuadrat e pushkatimit të etërve të pushtetarëve të sotëm, me shpagimin e përçarjes që i kanë bërë popullit shqiptarë, në socialistë dhe jo socialistë.
Është aspirata për një Shqipëri serioze që e bën klasen intelektuale dhe gazetarët e lirë, të pavarur dhe të përgjegjshëm profesionalisht, të jenë të detyruem me punue pa u lodhë për mbrojtjen e Shqipërisë sonë dhe pastrimin e saj nga e keqja, duke mbrojtur të vertetën dhe reformimin e sistemit. Shqipëria jonë nuk është Shqipëria që don Kupola që zotëron paketen politike aktuale të Shqipërisë. Me e ndalë këtë Kupolë nga vijimi i misionit të vet rrënimtar, nuk është një fushate politike me rrëzue një qeveri, por një lëvizje kombëtare me shpëtue Shqipërinë e Demokracinë e saj të brishtë, fisin tonë krenar dhe bashkë me këtë edhe pasurinë shpirtnore të trashëgueme nga Etërit tanë. Në mbështetje të Shqipërisë normale është Qeveria e SHBA. Unë bësoj se kjo lëvizje në përkrahje të reformimit të qeverisjes në Shqipëri, kësaj radhe nuk do të reshtë. Ndërkohë unë mendoj po ashtu se vendi nuk do të ketë qetësi derisa Shqipëria zyrtare të shpëtojë prej farës së mbrashtë që PPSH ka lënë trashëgim në këto 25 vite.
Tiranë, me 7 janar 2016
Komentet