Me urimet më të mira për 78-vjetorin e ditëlindjes: shëndet e frymëzim.
Xhevahir Spahiune kam njohur qysh kur ishim studentë në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë, në vitet tashmë të largëta 1962-1966. Ai ishte po në degën tonë të gjuhës e letërsisë shqipe, por një vit më poshtë se unë, në një kurs me disa prej atyre që do të bëheshin emra të njohur të letërsisë shqipe si Nasi Lera, Koçi Petriti, Adem Istrefi, Sulejman Krasniqi, Gaqo Bushaka, Spiro Dede, Koço Kosta. Edhe në kursin tonë kishim nja dy a tre veta që shkruanin, si Hasan Ulqini nga Durrësi, Kristaq Nanushi nga Pogradeci, ndërsa në kursin para nesh, ishin gjithashtu disa që kishin filluar të shkruanin e të botonin, si Ruzhdi Pulaha, Musa Vyshka, Ruzhdi Qatipi, Minush Jero. Në degën e gjuhës ruse ishte Kiço Blushi, kurse në degën e anglishtes ishte edhe Agim Gjakova, që në ato vite kishte botuar vëllimin poetik “Edhe thonë se paqe ka në botë”, që kishte tematikë nga Kosova. Me të gjithë njiheshim, sepse disa prej lëndëve të përgjithshme i kishim të përbashkëta dhe i zhvillonim në sallën e madhe të leksioneve, po edhe banonim në Godinën nr.14 të Qytetit “Studenti”, asokohe ende pa infrastrukturën e duhur, madje as rruga që i lidhte ato tri a katër godinat e para të “qytetit” me Fakultetin nuk ishte shtruar ende, dhe dimrit këpucët na bëheshin me baltë. Por, sidoqoftë, kishte një farë jete letrare studentore. Mbaj mend se, ndër të tjera, pati bërë jehonë botimi i librit të parë me vjersha të Koçi Petritit “Lirikat e majit” (1962), si dhe kemi diskutuar për një nga vëllimet poetike “Vargje për dashurinë” (1963) të Profesor Muzafer Xhaxhiut të Profesor Muzafer Xhaxhiut, i cili i mbante afër sidomos ata që kishin nisur të shkruanin. Në atë yjësi studentësh të dhënë kryesisht mbas letërsisë dhe që kishin filluar edhe të botonin vjersha te “Drita” e te “Nëntori” ishte edhe Xhevahir Spahiu, djalë i qeshur dhe shumë i dashur me shokët. Në vitet kur unë isha punonjës shkencor në Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë, me Xhevahirin shiheshim nganjëherë në Lidhjen e Shkrimtarëve ose kur shkoja për të dorëzuar ndonjë artikull te gazeta “Zëri i popullit”, por emri i tij ishte tashmë i njohur jo vetëm si gazetar, po edhe si autor i teksteve të shumë këngëve të Festivalit të Këngës në Radio-Televizion dhe si autor i disa vëllimeve me poezi.Më shpesh, jemi parë (e shihemi) me Xhevahirin në këta dhjetë a dymbëdhjetë vjetët e fundit, qëkur jemi pranaur si akademikë.Ai më 2008, kurse unë më 2011. Takoheshim nganjëherë edhe te “Kafe Evropa”, sidomos kur ishte gjallë miku ynë i përbashkët, Arshin Xhezo, gazetari i njohur që u nda së gjallësh para kohe; po shihemi aty edhe kur vjen nga Vlora poeti e studiuesi Bardhosh Gaçe.Gjithmonë, fjala e parë është Malindi, vendlindja e tij. Malindi për Xhevon është si Menkulasi për Dritëroin, është pika prej nga i vjen frymëzimi dhe krenaria si bir i Skraparit. Disa vjet më parë, më dhuroi një nga librat e tij me poezi të titulluar “Vetëtimë” (Tiranë, 2013), të cilin, sipas zakonit tim të hershëm, e lexova me një frymë dhe mbajta edhe disa shënime, sidomos nënvizova me kalem shumë fjalë e kuptime të figurshme që më dukeshin me interes për t’i rreshtuar në ndonjë shkrim në boshtin “dukuri, prurje dhe prirje” të ligjërimit në poezinë e sotme shqiptare. Në fakt, ideja e atëhershme ishte të bëja një studim të plotë rreth krejt poezive të tij (ose, në mos tjetër, të yshtja ndonjë student a studente ta ndërmerrte si temë masteri apo doktorature), por ja që idetë janë si fara e drithërave, po të mos mbillen në kohën e duhur mbeten në hambar. Këto ditë, teksa po merrem me mbarështrmin e librit tim kushtuar ligjërimit të disa prej poetëve të sotëm, i gjeta shënimet e librin me nënvizimet e mëparshme, bëra edhe një rilexim të përditësuar dhe, ndonëse pa qenë e mundur të përthekoj një studim të gjerë e ashtu si do ta donte një poet i mirë si Xhevahir Spahiu, shkova sipas parimit të njohur “më mirë pak, se aspak” dhe ato shënime po i krahishtoj në këtë parashtresë, pa pretendime shteruese, por që, së paku, disa vlerësime e shqyrtime mund të jepen. Aq më tepër kur, në rrjedhë të moteve, kam shkruar artikuj, parathënie librash apo studime rreth ligjërimit të shumë poetëve, ndonjëherë edhe në fillesat e krijimtarisë së tyre, kurse miku ynë është, pa dyshim, njëri prej poetëve më të mirë; autor i shumë teksteve të këngëve të muzikës së lehtë që kanë fituar disa çmime të para në festivalet kombëtare të këngës në RTSH.
Xhevahir Spahiu (apo Xhevoja, sikundër e thërrasim me zbunim miqtë e shokët) është poet, publicist, eseist dhe përkthyes. Autor i përmbledhjeve me poezi: “Mëngjes sirenash” (1970, 2016); “Vdekje perëndive” (1977); “Zgjimi i thellësive” (1979); “Agime shqiptare” (1981); “Nesër jam aty” (1987); “Kohë e krisur” (1991); “Ferrparajsa” (1994); “Pezull” (1996); “Rreziku” (2001, 2003); “Udha” I, II (2005, 2015); “Vetëtimë” (2013); “Bota ku eci” (2016). Libra me poezi për fëmijë: “Ti qytet i dashur” (1973); “Zambakët e Mamicës” (1981); “Ekrani i kaltër” (1982); “Kitaristët e vegjël” (1983); “Kryeartëzat” (1987); “Dielli i lodrave” (1990); “Zogj të kaltër”, Antologji (1999, 2010). Ata që kanë shkruar për vlerat artistike të poezisë së Xh.Spahiut kanë vlerësuar se cilësi të tij janë: ”Vargu i lirë e konciz, ritmi dinamik i ligjërimit dhe mendimi përgjithësues i shprehjes metaforike, janë tiparet dalluese të krijimtarisë poetike të Xhevahir Spahiut. Poezitë e tij me frymë qytetare e polemike, të prira nga lirizmi, meditimi psikologjik e sentenca poetike, shpesh përjetohen si dialogë me historinë dhe aktualitetin e botës shqiptare. Autor i shumë teksteve poetike të këngëve të muzikës së lehtë dhe i disa skenarëve të filmave dokumentarë artistikë.”(Shih: Librin “50-vjet Akademia e Shkencave të Shqipërisë”, Tiranë, 2022, f.223-24).
Një shqyrtim që duhet shpënë më tej
Cilësimi më i parë që mund t’i shkojë për shtat ligjërimit të poetit Xhevahir Spahiu është shkurtia apo mëtimi për t’i rënë shkurt kumtimit, pa e tjerrë gjatë e pa stërhollime të tepërta, mbi të gjitha, pa zgjatje e kaladrella të panevojshme dhe, natyrisht, duke u nisur nga një traditë e figurshmërisë “buzëhollë” e që gjakon të shkojë në shtratin poetëve pararendës të anëve të Toskërisë Veriore.
Së pari e krykreje, poeti Xh.Spahiu duhet parë si njohës i mirë dhe vlerësues i gjuhës shqipe, i prirur që, sa herë ta gjejë rastin, t’ia lëvdojë hiret, t’ia përmendë hershmërinë e zanafillën e saj të ardhur prej gjuhëve të moçme e të hershme si lirishtja dhe pellazgishtja, në mënyrë të veçantë, ia ka ënda të pohojë lashtësinë, gjerësinë dhe pasurinë e madhe leksikore, forcën shprehëse e aftësinë e përtëritjes kuptimore të fjalëve të shqipes. Kjo është shprehur aq qartë e bukur qysh në fjalët paraprirëse të vëllimit “Vetëtimë” (2013), ku poeti thotë:” Një mbrëmje në rrethinat e Tetovës, biseda erdhi tek pasuria e gjuhës; për rrymën rrotullore të ujit në lumë, u hodhën në tryezë këto fjalë: vorbull, gjeratore, shakullimë, vrellë, hajujk, shtjellë, fugë, dredhje, ngjirr, turrjelë, thithëse, rrufu, qerthull, gurrni… Kaq shumë sinonime për një fjalë të vetme! Kur, ja, pas këtyre kuptimeve të mirëfillta, të gjithandejshme, më doli përpara një metaforë që i përmbledh të gjitha: syri i ujit.”(Shih: Vetëtimë, 2013, f.5)
Në krejt krijimtarinë e këtij poeti vrujon jo vetëm vlerësimi i lartë për shqipen, po edhe kujdesi e puna e tij për ta përpunuar sa më hijshëm e duke shfrytëzuar çdo rast e mundësi për t’ia pohuar hiret e saj. Dikur kemi cituar në ballinën e librit tonë “Gjuha shqipe për të huajt dhe shqiptarët jashtë Atdheut” (Toena, 1996) vargjet e pakundshoqe të Xhevahir Spahiut për Fjalorin e Gjuhës Shqipe:
“S’është kopertina që m’i përflak gishtërinjtë,
Po gjaku,
gjaku që kullon nga fjalët.
Kush flet atje në zgrip të shekullit:
“Mblidhmani gjakun, u duhet nipërve,
Me të të shkruajnë gjuhën e zjarrtë.”
Një plagë plumbi,
Një vragë shpate
Dhe heshats helmi,
Ca fjalë u shkoqën,
Ca rrokje ranë,
Po thelbi mbeti.
Fjalët e shqipes si eshtra trupi.
Dhe gjaku çurkë…
Kush flet atje në zgrip të kohës?
S’është kopertina që përflak ajrin,
Po gjaku,
Gjaku që kullon nga fjalët”.
Natyrisht, nxjerrja në pah e krejt prurjeve dhe e mëtimeve të ligjërimt të poezisë së Xh.Spahiut do të kërkonte një hulumtim të gjerë e të ngeshëm dhe, në fakt, duke pritur ta gjeja ngenë për një punë të tillë, vetëm se u vonova dhe këto shënime tashmë kanë filluar të zverdhen si gjethet e vjeshtës, por sa kohë që nuk janë tharë e tretur, le t’i ndaj me ju, lexues e dashamirë të poezisë e të shkrimtarisë së Xh.Spahiut, apo, në mos tjetër, le të mbeten në faqet e këtij shkrimi që do ta përfshij në librin tim më të ri. Vonë a herët dikujt do t’ia kapë syri e do të thotë: Sa hire paska pasur vjershëria e këtij poeti e akademiku, që rron prej kohësh në Tiranë, por që mendjen ka atje tej në Malindin e Skraparit, që i jep krenari e frymëzim.Natyrisht edhe forcë për të mos u epuar as nga stuhitë e rrebeshet e asaj që diku në faqet e “Vetëtimës”, me një lojë fonike të këndshme e ka quajtur “polithika”.
Në këtë shkrim të thukët e gjithsesi paraqitës, po lejohem të nxjerr në dukje disa prej cilësive ligjërimore të këtij poeti, duke u mbështetur kryesisht në një nga librat e tij “Vetëtimë”, të shkruar në moshën e pjekurisë së tij të plotë si poet. Kemi aty një vëllim të hajthëm, por me një vjershëri të përpunuar e të përpajnuar me kujdes, ku shquajnë vjershat e shkurtëra, shpesh të ngjashme me poezitë e G.Ungaretit; me pak rreshta e fjalë, por me shumë mendim, ide e nëntekste mbresëlënëse.Pra, nëse do të bënim një cilësim me një mbiemër të vetëm, atëherë duhet të thoshim se kemi një poezi “palcore”, sepse është një vjershëri e shkruar me mjeshtëri të hollë, fjalëkursyer dhe e brishtë, delikate në pamje e në lajmin poetik që mbart, por edhe aq e thellë e prekëse që të rrëmben e të mbetet në mendje për shumë kohë.E tillë, ndër shumë të tjera, është poezia me titullin “Shqipërimi i fjalës politikë”, e përbërë vetëm prej një fjale të vetme “Polithikë” e ku, nëpërmet një loje aq të bukur fonike, me anën e kalimit të t-së në th, shpreh edhe ironizimin e qëndrimin tëhuajësues ndaj padrejtësive të politikës dhe, madje, për ta përforcuar e bërë me vlerë të gjithëkohshme këtë ndjesi ka vënë në kllapa shënimin “pa datë”, që merr kështu një domethënie gjithëkohore.
Më ka pëlqyer shumë kreu me titullin “Shkurtima”, ku jepen një tufë poezish të shkurtra e në të cilat sintetizohen maksima a thënie të urta (të hershme a të sotme) të një vlere të veçantë. Le ta shijojmë së bashku, lexues të nderuar, ndonjë prej tyre: “Qenushi/ u ul përmbi libër pa zë;/sikur ta dinte se brenda tij/kish një vjershë për të.”(f.30)
2.Pika më e fortë e vjershërisë dhe e ligjërimit poetik të Xh.Spahiut është metafora, kjo mbretëreshë e figurave letrare të të gjitha kohërave, e cila, pikërisht pr hir të zotësisë përgjithësuese të kumtit poetik, na jepet si pjesë përbërëse e asaj që në leksikologji quhet “derivacioni semantik” apo më qartazi e mirëfilli shqip “prejardhja kuptimore” e fjalëve. Metafora u jep jetë e gjallëri fjalëve, ua klyzon kuptimet, ua heq ndryshkun dhe u jep risimin apo ngjyresën e duhur e në përshtatje me synimet shprehëse të krijuesit. Kështu, në fakt, kuptimet e një fjale shkojnë gjithnjë duke u shtuar e shumuar si degët e rrembat e pemëve me trung të fortë e rrënjë të thella. Dhe, mund të thuhet se, poeti Xh.Spahiu i përket lagjes së poetëve, që fjalëkrijimin e ruan për çaste kur ndodhet ngushtë, kur nuk i mjaftojnë fjalët ekzistuese, po edhe kur nuk ia del të shtojë kuptime të reja me anë të metaforës e krahasimeve, apo kur nuk i përshtaten as fjalët krahinore apo çfarë nden tradita shkrimore para tij. Ja një nga më të bukurat: “Rrëmbat e mi-udhëza për larg,/kaq paqësisht në trup më kaltërojnë./S’e sheh tek po vij,o qiell lojcak?/ Më prit/pak më vonë.”(f.11) Apo “A ka gjëkund ndonjë shitore/a ndonjë tezgë kot më kot,-/të ble me ca qindarka qorre,/jo bukë, po pak durim, o Zot?” (f.13) “Në sy më therin/tehe vetëtimash/varg.”(f.19) “Udhën për në maja e përpiu mjegulla,/nën dhe, si në Had,/rënkojnë yjet dhe qielli pa skaj.”(f.36) “Tri ditë e tri net,/rënkonte mbytur rrapi i madh,/rënkim i thellë, i frikshëm, si deti aty pranë.”(f.61)”Deti që pa gjithçka,/vuri kujën e madhe.”(f.62)
Por, kur i duhet të krijojë, natyrisht, jo vetëm nuk mënon, po edhe shfaq gjithë zotësinë e krijuesit që e zotëron penën si bujku i stërvitur parmendën, si shportëthurësi brenat e thuprat. Ja, disa prej krijimeve të tij që na befasojnë për nga mënyra se si ua gjen vendin në varg, ashtu si mjeshtrat e mirë ua gjejnë vendin helikëve të vegjël në mur: “Tik-taku i orës së vjetër në mur/a pik–piku i shiut nën qiellin e mardhur/e njëjta gjë/ e njëjta gjë,/e dashur.”(f.11) “Mure plagëpambyllur/ prite gjakun të vrujojë me gulfe.”(f.45) “Një zonjë/bardhonjë/la natën pas krahëve/fytyrëzbehtë si hëna/m’u shfaq në prag-ag./Shkundullima e shibreshrit/kish pushuar…”(f.48) “Trak-truk nëpër natë.Trak-truk/patkonjtë e një kali.Vetmitar, i pakrahë./Këmbëlidhur, rreh udhën e shkretë./Tokëaqiell? Kalëazog? Ajo shpatë betejash/që ndan qiellin më dysh? Trak e truk, trak e truk.”(f.49)
3. Një cilësi e ligjërimit poetik të Xh.Spahiut është loja me tingujt e ngjashëm apo si të themi “xhonglimi” me fjalë e tinguj, duke iu qasur bukuraza një loje fonike që sjell aliteracione të atilla që duket jo sikur lexon vargje, por sikur dëgjon muzikë të këndshme.Po sjellim si shembull vjershën “Dëshirë e natyrshme për t’u çmendur”, kushtuar poetit arbëresh Zef Serembe, një nga më të bukurat dhe njëherazi më të veçantat. “ Se re/se s’re/Serembe./Vrujoi fjala/shpend i gjakut/fluturoi tej Ujanës,/në çmendinë e San Paolos./ Se re/se s’re/Serembe,/Gjunjëgrisuri im,/fshija lotin e valë Shën Mërisë./Dashuria një thikë Strigari,-/Ti, mbi a nën thikë?/Në se re,/Serembe/në çmendinë hap një skutë për mua,/mjaft të kem ca kangjele/si të tuat./Hap një skutë-sa një lembe./ Në se re/Re a s’re, /Serembe.”(f.21-22)
Ligjërimi poetik i Xhevahir Spahiut është i nyjëtuar dhe i mbrujtur në mënyrë të atillë që fjalët shkëlzejnë e të mahnsin si bukurezat në netët pranverore, por që shpesh, sado të vraposh mbas tyre, sikundër bënim kur ishim të vegjël, nuk i kap dot, i shtie në pëllëmbë, por ato të zhduken vetëtimthi e të lënë pa frymë. P.sh. “Eja, o mik, të tallemi /me botën dhe me veten,/me plagët dhe me ndershmërinë/si rrotë e pestë e qerres./ Eja, o mik, të luajmë pas darke./Eja, t’i dredhm,/t’i përdredhim/e t’i tredhim /fjalët; / fjalët s’bëjnë mort / nga që janë morti vetë, /më të përjetshme/e më të pavdekshme/se jeta.” (f.44)
Së mbrami, pa dyshim, mund të thuhet se fjalët, togfjalëshat e qëndrueshëm e të lirët, që i mbërthen me zinxhirët e metaforës e të simboleve të vetvetishme, ashtu si edhe qëmtimi e gjurmimi i fjalëve të hershme, qofshin edhe krahinore, pa paragjykim nëse janë të Jugut prej nga vjen vetë poeti, apo nga Veriu dhe nga diaspora arbëreshe, si dhe fjalëformimi e fjalëkrijimi në vjershërinë e Xhevahir Spahiut janë thjesht si mjetet a veglat e mjeshtërve të zejtarisë, si ata që punojnë me argjend e ar apo me alabaster e lloje të tjera lëndësh të para, duke krijuar gjëra aq të bukura prej sendesh që njerëzit e zakonshëm vetëm mahniten dhe i pëlqejnë.
Poetin e tërheqin mjaft fjalët e hershme e sidomos ato mirëfilli shqipe.Kështu, ai përdor disa herë fjalën ujanë, që e kishin përdorur dikur poetët e Rilindjes, në vend të së sotmes oqean (”Një shpirt i bardhë trazon ujanën blu”); përdor pa asnjë grimë ngurrimi fjalë të shqipes popullore, si: prore, lojcak, humbellë, vrujon, kangjele (të të folmeve arbëreshe), trumba (e zogjve), zezonë (“Sa të bëhet zezona bardhonjë e beronja zonjë”); agshol (më pyeti n’agshol bardhonja beronjë), fatthënës (“lisi fatthënës i Dodonës”), lëmekem (“rrënjët lëmekur mbi gur”), sython (“nisja e padukshme sython nën dheun e rëndë); gjerb (“trungu gjerb qumësht”), lulnajë (“Nën hapa lulnaje avllia me vija”); shkalen (“Ëndrrat u shpallën, zhgjëndrat u shkalën”), shkrënd (“do ta kish shkrëndur etja”), rrëshek (“Harroja bubullimat, harroja rrëshekët e shiut); radhore “fletore” (“Rradhoreve linin mbishkrimet”); mrrolem (“Le të mrrolen lisat dodonianë”), pingëron (“zogjtë krahëngrirë pingërojnë”), zgrip (në zgrip të harrimit”), shushamë (“Lumi po shkruan therorinë e fundit/përpara shushamës, /në zgrip të harrimit”); tambël (“Për pakëz tambël mbi buzët e çara,/të merrte arratinë shtara”), murrash “i murmë”(“Lulëkuqe, si ke mbirë/mes gurëve murrashë mbudhë?”); mbërdhe (“Ranë petalet mbërdhe/e u thyen si qelqe.”); i bruztë (“Humbën fjalët e buzëve të bruzta.”); çapit (“Gjaku çapit pa u ndjerë.”); bukurezë (“U fik fëmijëria si bukurezë vere.”); theqafje (fjalë që e kishte përdorur së pari Migjeni): “të dy si dy mushka në theqafje”); përmatanë (“të vdesësh me detin në sy/të kaltërosh botën përmatanë.”), përbiroj (“përbirova malin”) etj.
Nuk mungojnë edhe fjalëformimet e fjalëkrijimet, ndonëse, sikundër e thamë, gjithmonë me kursim e vetëm kur ia lypin nevojat e lajmit apo të nëntkesteve të caktuara. Të tilla janë: gazavaj (“Vrasëse e gazavajit të tyre); plagëpambyllur (“Mure plagëpambyllur…”); i përhënur (“Poetët e botës/ prej dhimbjes së Bosnjes/si të përhënur, përsillen.”), zinxhirlidhur (“këmbët e tua zinxhirlidhura shtypin/qytetin e heshtur…”; zezoj (“Nuk donte të zezonte diellin dhe borën e rrallë”); gjumoj (“”gjolet gjumonin në gjumë”); fundimër (“me borë fundimri”); gjëmëzi,-zezë (“qiparizë të hijshëm gjëmëzinj”) etj.
Por, gjithë sa thamë më lart, do të ishte e mangët, po të mos shtonim se mbi bazën e këtyre fjalëve, togfjalëshave e fjalëkrijimeve, poeti vepron si mjeshtri i thurimave plot ojna, që di të bashkojë thuprat boshtore e të trasha me lisket e holla e me rremëzat e thuprave për të bërë një shportë artistike jetëgjatë e të bukur. Kushdo që i lexon poezitë e Xh.Spahiut, mbi të gjitha, do të mahnitet me zotësinë e tij për t’i përdorur natyrshëm metaforat, po edhe për të sjellë në krijimet e tij një hijeshi e muzikalitet aq të këndshëm, ku shquajnë, gjithashtu, aliteracionet dhe loja me tingujt e format e fjalëve.Le ta mbyllim duke cituar disa prej tyre. “Pas plugut të plojës, krejt trojet e Trojës/I mbollën me kripë:-Mbi bar!-bar Harrimit./Kur, ja, vjen Homeri dhe nis shkripëzimi.”(f.29)”Sa të ngrihet nga varri Këngëtari,të shohë/Si ia ke gdhendur oi-oi-në në buzë,/Sa të bëhet zezona bardhonjë e beronja zonjë,/Sa të mos ketë nevojë as vetpërsosja për ty:/Syrin shkabë,/Daltën sy!”(f.28).
Dhe, si qershia mbi tortë, mendoj se mund të sjellim këtu një nga poezitë me nëntekst të thekur atdhetar shqiptar me titullin “Kufiri i shpifur”:
“Kjo arë me grurë
E ndarë më dysh:
Një vatër diellore atje në Qaf’ Morinë.
Ngroh dheun dhe zemrën.
Shkruan fjalë të mbara:
Të ndahet buka,
Pa u ndarë ara!’(f.47)
I uroj poetit e mikut të nderuar, Xhevos sonë të dashur, i cili më 1 mars mbush 78 vjet, edhe shumë vite me frymëzim për poezi e shkrime të tjera si ato që na ka dhënë deri tashti dhe, gjithashtu, uroj me gjithë shpirt që, mbas këtij shkrimi për ligjërimin e vëllimit “Vetëtimë” të vazhdohet edhe me studime më të gjera për gjuhën dhe ligjërimin e këtij poeti dhe të sa më shumë krijuesve të sotëm, duke jetësuar kështu porozinë e vyer e të pavdirë të Dritëro Agollit, i cili këtu e 50 vjet më parë shkruante: “Më ka marrë malli të shoh në faqet e shtypit letrar dhe të shtypit profesional të gjuhësisë, artikuj studimorë për evoluimin e gjuhës artistike në prozën tonë të viteve të fundit, në romanin, novelën, tregimin” dhe përmendte aty, me të drejtë, disa anë të rëndësishme të ligjërimit artistik që meritojnë të trajtohen më gjerë dhe më shpesh në faqet e shtypit letrar e shkencor.
Tiranë, shkurt 2023