… Vendlindje do të thotë të mos jetosh vetëm, andaj kujto se te njerëzit, në natyrën dhe në atë tokë, është diçka e jotja dhe kur ti nuk do të jesh më, mbetët aty duke të pritur.
Cesare Pavese në librin: “La luna e i falò”
Në një seri shkrimesh në disa portale, kam trajtuar trevën dhe dioqezën sufragane të Kunavisë, të dyja me histori të lashtë dhe të pasur, me plotë rrëfenja dhe legjenda, që me kanë inspiruar të kër-koj nëpër arkivat, ku ruhen dokumenta, që i trajtojnë si një trevë mitike, me histori plot mistere dhe dioqezë sufragane e famëshme, në varësi të Arkipeshkëvisë së Durrësit.
Trashëgimtare e Kandavias së lashtë, Kunavia me 2400 vjet histori, u shqua si principatë me Parthinët-Albanët dhe gjatë pushtimit romak, në vazhdim ishte pjesë integrale e Epirit të Ri dhe e Perandorisë Bizantine; në shekujt XII – XIV bashkëformuese e Shtetit të Arbërit (1190 – 1255) dhe e Mbretërisë së Albanisë (1272 – 1373); në shekullin XV kaloi në zotërimet e Kastriotëve, mbijetoi si Martanas më shumë sakrifica në Sanxhakun e Albanisë dhe të Krujës gjatë pushtimit mizor turk; kontribuoi trimërisht në krijimin e Shtetit Shqiptar të Ismail Qemalit etj.
Në shekujt XII – XV, populli ynë shprehte origjinën, shpirtin, kulturën, artin europian dhe formimin intelektual të njëjtë me atë të qytetërimit perëndimor.
Në ecurinë historike, në zhvillimet sociale dhe arsimoro-kulturore të albanezëve, ndikoi dhe krishtërimi, i cili në këtë periudhë, ishte i përhapur dhe i konsoliduar në trojet e banuara nga albanezët.
Kunavia në shtetin e Arbërit, 1190 – 1255
Pas rënies së dinastisë së Komnenëve në fronin e Bizantit erdhi dinastia e dobët e Engjëllorëve dhe në këtë kohë, principatat arbëro-re u zgjeruan dhe filluan të fitojnë me shumë pavarësi.
Dobësimi i pushtetit qendror të Bizantit, tronditja që pësoi nga kryqëzata e tretë, me në krye perandorin gjerman Frederik Barbarosa, shpërbëria territoriale e Perandorisë, ndikuan që arbërit, të përfitojnë e të shkeputen nga autoriteti bizantin duke krijuar struktura administrative të pavarura, me tipare të qarta shtetërore, të cilat shpejt u kristalizuan në dinasti sunduese me fisnikët vendas.
Në shekullin XII, në trevat arbërore u përhap titulli sebast, sidomos gjatë sundimit të dinastisë Manuelit I Komnena (1147 – 1181), i cili ia akordoi këtë titull dhe familjes fisnike të Marthaseos – Marchaseos, që ishin zotërit e trevës të Kunavisë.
Shekulli XII shënon intensifikimin e përplasjes ndërmjet kishës së Romës me të Kostantinopojës, ishte një konflikt, që synonte kush të fitonte sa më shumë kisha arbërore. Kjo prirje ndikohej dhe nga përkatësia fetare e prijësave të trevave.
Historiani Darrouzes, duke iu referuar relacionit të arkimandritit Nil Dhoksopatri, informon se në vitin 1143, nga 15 dioqeza në varësi të Metropolisë së Durrësit, i mbetën vetëm katër, dioqezat e Lezhës, Krujës, Stefaniakës dhe Kunavisë. [Jean Dorrouzes. Notitae Episco-patuum Ecclesiastque de l’Impere Bizantin. Institute Français d’Ètude Bizantines. Paris 1981. F. 149 – 155]
Në vitin 1167, Dioqeza Sufragane e Kunavisë ishte dy kishtare, ashtu si e Stefaniakës dhe e Krujës, ndërsa ajo e Lezhës ndiqte ritin katolik, andaj arqipeshkëvi Tribunus (1158 – 1187), i justifikuar me këtë rrethanë, ia kaloi në varësi të Ipeshkëvisë së Raguzës, kësisoj arkipeshkëvisë së Durrësit, i mbetën në varësi tre dioqeza, nga 14 që kishte pasur në shekujt IX – XI. (M. Von Šufflay. Situata të Kishës në Shqipërinë paraturke”. Botime Franceskane. 2013, 33 – 35)
Në vitin 1190 u shpall Principata e Arbërit, me kryeqytet Krujën, i pari formacion shtetëror në historinë tonë mesjetare, i cili funksionoi deri në vitin 1255. (Kristo Frasheri. Trojet shqiptare gjatë mes-jetës së herëshme. Akademia e Shkencave e RPSSH Tiranë 1988)
Historiografia e jonë e quan Shteti i Arbërit, por bazuar në titullin “princ” (princeps Albaniae), që Papa Inoçenti III i akordoi më 1208
Dhimiter Progonit, priorit të Arbërisë, kjo strukturë, sipas traditës
historike të mesjetës, u quajt “Principata e Arbërit“.
Principata e Arbërit, shtrihej në territoret Drin – Shkumbin, ku përfshiheshin Pulti i Poshtëm, Miredita, Kruja, Mati, Kunavia, Kurbini, Dibra. Sipas Ana Komnena, trevat e Kunavisë, Matit e Dibrës, ishin bashkuar mes tyre së paku, që në fund të shekullit XI e përmes këtyre trevave kalonte “Rruga e Arbërit”, si e quante historiania e famëshme bizantine. (Kristo Frasheri. Principata e Arbërisë. 1190 – 1215. Botime M & B. Tirane 2014, faqe 64 – 66).
Kunavia në “Albania Medievalis” e Millan Šufflay.
(harta e vizatuar nga A. Kohlbegger).
At Farlati e At Koleti, shkruajnë se Dioqeza e Kunavisë, mbante emërin e trevës dhe kufizohej në veri me Dioqezën e Arbërisë, në perëndim me të Stefaniakës, të Bendës, të Priskës, në jug me dioqezat e Vregut (Skampës) e Cernikës (Çermenikës) dhe në lindje me dioqezën e Dibrës. (D. Farlato et J. Coleti. Illyrici Sacrii: Ecclesia Diocletana, Antibarensis, Dyrrhachiensis, Sirmiensis cum earum suffraganeis, 1751 – 1819. Tomo 7).
Nga këto të dhëna kuptohet qartë se Kunavia në mesjetë ishte Martanas – Martaneshi i sotëm, si e prezanton në hartë M. Šufflay, i cili e përshkruan pjesë integrale e Shtetit të Arbërit.
Themeluesi i Shtetit të Arbërit ishte Progoni, që e drejtoi në vitet 1190 – 1198, pushtetin e të cilit e trashëguan të bijtë, Gjini (në vitet 1198-1206) dhe Dhimitri (në vitet 1206-1216).
Pas dinastisë Progoni, Shteti i Arbërit u drejtua nga princat Grigor Kamona dhe nga Gulamini i Arbërisë deri në vitin 1255.
Shteti i Arbërit kishte stemën e vet heraldike, shqiponja me një kokë të kthyer djathtas, me krahët të hapur lart, e gjetur e gdhendur në gurë, në kishën e Shen Maria në Geziq – Mirditë.
Edhe prijësit e trevave ne varesi te Shtetit te Arberit kishin ste-mat e veta heraldike, kështu familja Marthaseos e Kunavisë kishte luanin, i gjetur në basoriliev të gdhendur në gurë, e ruajtur në portën e shtëpisë të Ali Gjokës, në fshatin Peshk – Martanesh.
Ndonëse Progoni prezantohet si sovran i Principatës, prijësat e bashkësive krahinore ruajtën në një farë shkalle kompetencat, që kishin në trevat e tyre, çka do të thotë se Progoni nuk ishte sovran absolut dhe për çdo vendim, merrte miratimin dhe të prijësave, që ishin bashkuar në shtetin e tij.
Stema heraldike e familjes Marthaseos e Kunavisë, e gdhendur në gurin e portës të familjes Ali Gjoka.
Shteti i Arbërit shënoi fillimin e një diferencimi të ri shoqëror, shpërbërjen e bashkësive krahinore, dobësimin e autoritetit të fisit dhe zevëndesimin e tyre me ndjenjën e kombit.
Shteti i Arbërit u krijua me bashkimin e banorëve të territoreve me gjuhë të përbashkët, me zakonet dhe doke të njejta, duke i zgjeruar kufijtë e tij politikë, deri në kufijt gjuhësor dhe etnikë.
Dinastia e princërve të Arbrit ishte e ndikuar nga kultura dhe nga kisha perëndimore dhe ushtroi ndikim të fuqishëm në përhapjen e katolicizmit në popullatën arbërore.
Princi Dhimitër Progoni krijoi lidhje me kishën katolike dhe i premtoi Papës Inoçenti III, konvertimin në katolikë të familjes së tij, të fisnikëve dhe të popullit të principatës.
Me princin Dhimitër filloi kthesa, me shtimin e kishave katolike në trojet e Arbërit dhe në dioqezën e Kunavisë. [Adriano Capelli. Cronologia, Cronografia e Calendario perpetuo. 7 ° Edizion HOEPLI Milano 1998]
Në vitin 1192, në Dioqezën e Kunavisë u konsakrua Manastiri i Shen Trifonit, por sipas Manrique, manastiri Cistercien në Kunavia, ishte themeluar në vitin 1189, por u konsakrua nga Papa Celestino III, me bulën e 18 prillit 1192. (Angel Manrique, Annales Cistercienses. Lion 1642 – 1659, Ediz. 1970)
Në shekullin XII, Kunavia trashëgonte të drejtën bizantine të Principatës, nën zoterimin e familjes fisnike të sevastokretorit Myrsi Marthaseos – Marchaseos dhe të djemëve Dhimitri dhe Nikolla.
Dioqeza shufragane e Kunavisë ishte në varësi të Arkipeshkevisë së Durësit dhe katedralja mbante emërin e Shen Dhimitrit, por me qëishte dykishtare, varej dhe nga Mitropolia ortodokse e Durrësit.
Principata e Arbrit, u fuqizua me Dhimiter Progonin, i cili me autoritetin e tij, mblodhi rreth vetes, të gjitha familjet e shquara të Arbrit, si Jonimët, Kamonat, Stëpanët, Skurajt, Blinishtët, Vrana, si dhe familjet Martens dhe Leti të Kunavisë etj., të cilët i quan “njerëzit e mi – homines mei”.
Papa Inoçenti i III, i dha Dhimiter Progonit titujt gjykatës – iudex dhe princ – princeps arbanorum, çka flasin për pozitën e tij të lartë në gjirin e fisnikëve të Arbërit, por Dhimitri pëlqente të përdorte dhe titujt bizantinë, Panhypersebast dhe Megas Arhond (Arkondi i Madh), që i shfrytëzoi për rritjen e prestigjit në popull.
Në periudhën e Shtetit të Arberit, bujarët në fshatra mbanin tituj bizantinë: sebast e protosebast, pra Dhimitri si Panhypersebast, ushtronte pushtetin e tij mbi sebastët dhe bujarët fshatarë.
Përkatesia fetare e fisnikëve dhe bujarëve, ndikonte në përqafi-min e fesë dhe nga banorët e trevave të tyre, kësisoj lidhja e Progonëve me kishën katolike, ndikoi që shumica e banorëve të Shtetit të Arbërit, të kthehen në besimin katolik.
Në fuqizimin e kishës katolike në trojet arberore, sigurisht kon-tribuoi dhe Republika e Venedikut, që kishte në zotërim qytetet e Lezhës, Durrësit, Vlorës, Himarës, Artës etj.
Më 20 qershor 1210, në aktbetimin e Dhespotit të Artës Mihal Engjell Komnenit për besnikëri ndaj Dozhes Ziani të Venedikut, në letrën e dytë, faqe 114 CX, Vol. I, i pakteve mes tyre dhe e përsëritur ne faqen 140, Mihal Komnenit i njiheshin feudet e Cernicensis dhe duke iu referuar kësaj të drejte, përmend dy nuncat, burrat e ndershëm ipeshkevët e Çermenikës dhe Kunavise: “Nuncios meos virum venerabilem Theodor (Cernicensem episcopum) et Symeonem (Cunaviense episcopum), magnitudini vostre porraei, concessitis mihi et heridibus meis et nomine feudi dedistis terras que vostri juris suni quas ego tenebam quando Marinus Vallaresus vir nobilis dux Dyrrachi venit ad me. (Emanuele Antonio Cicogna. Della iscrizioni veneziane. Vol IV. Venzia 1834. F. 540)
Në vitin 1210, ipeshkëvi i Dioqezës së Kunavisë ishte Imzot Simeone. (M. Šufflay. Dok. 35, Acta et diplomata res Albaniae… vol. I. § 140). Në shekullin XII, në Kunavi ishin të pranishme kishat katolike, me ipeshkëv Simeonin dhe pas tij Bartolemeo, me Katedralen e Shen Mitrit, në qendër të Trevës.
Karakterin dy kishtar në disa treva arbërore, e analizon historiani francez Allain Doucellier, në studimin “Les origines du people albanais, une clef pour sa future expansion“, i cili duke i u referuar Ana Komnenës, thotë se albanezët, sipas zonave janë tërësisht katolikë-romanë si Tivari, Ulqini, Shkodra, Drishti, Lezha, Pulti etj; ose popullatë e perzierë ortodokse dhe katolike si Durrësi, Kruja, Stefa-nakia, Kunavia, Benda, ose vetëm ortodokse si Janina, Arta etj.
Pas rënies së Kostantinopojes (1204), përmbysja e raportit në favor të kishës katolike, ishte dukuri e zakonëshme ndër arbërit, në veçanti në dioqezat mikste, ku më pas filloi shtimi i katolikëve.
Gjendjen e kishave të Kunavisë e përshkruan Papa Inoçenti IV, në letrën e 8 gushtit të vitit 1250, dërguar Urdhërit të Predikatorëve në Hungari, të cilit i bën thirrje: “… Të kujdeseni në veçanti për Kunavinë, sepse atje, disa peshkopë dhe shumë klerikë, jetojnë ende nën dominimin e grekëve, por duan sinqerisht ritin e kishës tonë të shenjtë Romane” (M. Šufflay, Acta Albaniae A A, I, faqe 199).
Në vitin 1250, u bënë përpiekie, që trevat qendrore të Albanisë, të shkëputeshin nga ortodoksizmi. Këtë iniciativë e mori Ipeshkëvi i Tivarit, françeskani Johannes De Plano Karpino, i cili e informoi Papën, se në ipeshkëvitë e Arbanum, Pultit (Polatum) dhe Kunavisë (Chunavense), kishte shumë latinë, pra banorë, që praktikonin ritin katolik. (M. Šufflay, Acta Albaniae. I. faqe 199)
Ndonëse Kunavia ishte dioqezë dy kishtare, afrimi me kishën e Romës, ndikoi, që në shekujt XII – XIV, të mbizotëronin kishat dhe manastiret katolike, ndër të cilat Katedralia e Shen Mitrit (më pas e Shen Gjon Pagezorit), kisha e Shen Maries, kishat e Shen Nikollës, Shen Premte), Shen Barbara, Abacia e Shen Aleksandrit në Val, manastiri i Shen Trifonit, por bashkëjetonte dhe dioqeza ortodokse, me disa kisha si e Shen Mehillit, Kisha Kotodone, e Shen Andrea etj.
Prania dhe mbijetesa e kishave te ritit bizantin, u ndikua nga familja fisnike Marthaseos, qe ishin zotërit e trevës së Kunavisë, të cilët ndiqnin besimin ortodoks.
Familja fisnike Martaseos e Kunavisë.
Familjet fisnike e Markezëve Martaseos dhe familja Leti të Kuna-visë përmenden për herë të parë në dokumenta të vitit 1210, në aktin marrëveshjen e Princit Dhimitrit të Albanisë, me Raguzën. (Injac Zamputi, Dy mbishkrime ne fillim të shekullit 13° dhe lidhjet e tyre me principatën e Arbërit, “Hylli i Drites”, 1995, 3-4, f. 26-28)
Akt-marrëveshja në faksimile origjinale, është përshkruar nga historiani Pëllumb Xhufi, ndërsa më parë njihej si transkriptimi i Soloviev, i përkthyer dhe i përfshirë në tekstin e Historisë së Shqi-përisë, të vitit 1959.
Transkriptimin e plotë të këtij dokumenti e prezanton studiuesja Anila Omari, në një studim të vitit 2015. Në tekstin e marreveshjes kanë firmosur dhe dy fisnikë nga Kunavia: Marteni (Forma latine e mbiemërit Martaseos në greqisht) dhe fisniku Leti. Ne vazhdim po prezantoj tekstin e plote:
“Ego Demetrius, Dei gratia, panhypersebastos et magnos archon, juro super quattuor sancta dei evangelia, sine fraude et malo inge-nio, firmam pacem habere et manutenere semper vite mee dum vixe-ro civitati Ragusii et omnibus hominibus raguseis ut ipsi ragusei sal-vi et securi ambulent per totam teram meam sine ullo datio in omnibus iustitiis suis tam per terram quam per mare liberi et securi et sicut ego hoc iuro et firmo ita precipio omnibus hominibus meis ut hoc iurent et firmiter teneant omnibus diebus vite eorum. Ego Andreas Stapanus iuravi. Ego Ionima iuravi. Ego Marteni iuravi. Ego Alexi iuravi. Ego Paullus iuravi. Ego Demetrius iuravi. Ego Cosmas iuravi. Ego Ferneti iuravi. Ego Lazarus iuravi. Ego Johanes iuravi. Ego Nicolaus iuravi. Ego Postus (?) iuravi. Ego… iuravi. Ego Leti iuravi. Ego Sundia Andrea iuravi. (Anila Omari. La lingua nello stato di Arbanon. Palaver, 2015, Nr. 1, faqe 299-314).
Nga ky dokument, shihet se fisnikët albanezë, mes tyre Marteni dhe Leti të Kunavisë, betoheshin (iuravi), për të respektuar paktin mes shtetit të Arbërit dhe Republikës të Raguzës.
Familja Martaseos dokumentohet dhe në vitin 1267 në takimin e Viterbos, të Anzhuinëve me fisnikët arbëror dhe më 4 shkurt 1272, si pjestar i përfaqësisë të fisnikërisë arbërore, që shkuan në oborrin e Anzhuinëve në Napoli, për traktativat dhe vendimin e shpalljes të Mbretërisë së Albanisë, me mbretin Karli I Anzhu (Carolus I, dei gratia rex Siciliae et Albaniae).
Historianët L. Thalloczy, M. Šufflaj, G. von Hahn, Eqerem Çabej, K. Hopf, J. Fine, Pëllumb Xhufi etj, në dy dokumenta të 5 dhe 6 shtatorit 1304, evidencojnë familjen Martaseos – Markaseos të ren-ditur në listën e 13 fiseve, të cilëve iu njohën privilegjet nga Princi Filippi Anzhù i Tarantos, Princi i Akeas, Mbret i Albanise, Dhespot i Epirit, Perandori titullar i Kostantinopjës dhe Lord i Durrësit.
Ky dokument i shkruar në greqisht, është përkthyer në anglisht nga John Fine: “Philip of Taranto granted privileges to 13 albanian tribues, thus documenting their existaence at this time: Albos, Spat-os, Cotarucos, Bischesini, Lecenis, Aranitos, Marchaseos, Turbaceos, Scuras, Buccesseos, Logoroseos, Zenevias, Mateseos.“ (John Fine Van Antwerp. The Early Medieval Balkans: A Critical Survey from the Sixth to the Late Twelfth Century. Ann Arbor, Michigan: University of Michigan Press. 31 March 1991).
Filippi – Princi i Taranto, Princi i Akea,
Mbreti i Albania, Dhespot i Epirit, Perandor Titullar i Kostantinopojës, Lord i Durrësit.
Varianti në latinisht i dokumentit të Princit Filipp, me fisnikët e 13 fiseve albaneze, që i deklaruan besnikëri, vazhdon si më poshtë: “Philippus ilustris Ierusalem et Sicilie regis filius princeps Tarenti despotus Albos, Spatos, Catarucos, Bischesini, Aranitos, Lecenis, Turbaceos, Marchaseos, Scuras, Zeneuias, Bucceseos, Logorescos et Mateseos, fidelibus suis salutem et dileccionem sinceram. Patefacto nobis per nuncios add nos missos vestre bone voluntatis affectu, quo ad fidem et mandata principis incliti domini genitoris nostri Ierusalem et Sicilie regis illustris et nostra cum sincera devocione redire ac in eis constanter perserverare disponetis, nos huiusmodi reversionem vestram gratam habentes pariter et acceptam vos ad fidem et mandata ipsa taliter reduntes benigne suscipimus et vos in illis specialis favoris et benevolencie gracia prosequi pollicemur; offensis omnibus et culpis (de verbo ad verbum ut supra no praece-dente)”.
Në këtë listë nuk janë familjet fisnike Blinishti dhe Matranga, pasi kishin status special, që ua kishte njohur paraprakisht mbreti Karli I Anzhu, ndërsa familja Muzaka, këto privilegje i fitoi nga mbreti Karli II Anzhù (1285 – 1294), babai i Princit Filippi Anzhù (1294 – 1331).
Historia e këtyre 16 fiseve shqiptare shtetformuese, ka mbetur e pa plotësuar, ende është enigmatike e plot me mistere e kuriozitete. Në historinë e kombit tonë, këto 16 fise dhe familjet fisnike kanë luajtur rol të rëndësishëm në konsolidimin e kombit albanez.
Sipas Prof. Eqerem Çabej dhe Millan Šufflay, formimi etnokulturor iliro-albanez ka kaluar në tre faza historike dhe në disa shtresa social-kulturore.
- Shtresa e parëe formimit etnokulturor janë fiset ilire Labeatët, Pirustët, Sardeatët, Batiatët, Parthinët (përfshi Kunavia), Taulantët, Amantët, Thesprotët, Kaonët, Dardanët, Dalmatët etj.
- Shtresa e dytë e formimit etnokuturor të albanezëve janë familjet që u bashkuan ne shtetin e Arberit (1190 – 1255) dhe familjet që firmosën shpalljen e mbretërisësëAlbanisë më 1272, qe jane te njejta, pra jane 16 familjet, e përmendur në vitin 1304, nga Filipit I, ku renditen familjet: Albos, Spatos, Catarucos, Bischesini, Aranitos, Lecenis, Scuras, Marchaseos, Turbaceos, Zeneuias, Bucceseos, Lo-goreseos, Mateseos, Blinishti, Matrenga e Muzaka.
Pra, në ngjarjet kardinale të historisë tonë ne shekujt XII – XIII, ishte protgoniste dhe familja fisnike Martaseos e Kunavisë.
Në shekullin e XIV e sidomos në shekullin e XV, forcohen e dalin në plan të parë, familje të tjera fisnike arbërore: Kastriotët, Duka-gjinët, Zaharia, Blinishti, Topia, Gropa, Shpata, Mansi etj.
- Sipas Çabejit, shtresa e tretëe formimit të kombit shqiptarë janë fiset e tjera, që u konsoliduan në shekujt XVII–XIX, kësisoj në trojet veriore dallohen fiset e Hotit, ndërsa në trojet jugore fiset Grisei, Churlisei, Plesei, Corvesei etj.
Familjet fisnike mbanin tituj të lartë bizantinë, tituj europianë, ose të dy së bashku dhe kishin stemat e tyre heraldike.
Në vitin 1278, kemi disa prijësa shqiptarë me tituj fisnikërie si Duka Tanush Dukagjini (Dux Ginus Tanusius Albanensis), Duka Tanush Skura (Dux Tanusius Scura), Gijom Blinishti – Marshall i Forcave Albaneze), Tanush Topia kishte titullin Kont (Dominum Tanuchium Comitem Thopian), Andrea Muzaka Despote d’Albanie, fisnikët Gropa dhe Matrenga ishin Barona, ndërsa Marthaseos i Kunavisë kishte titullin markez, i përdorur simbiemër Marchaseos.
Në një dekret të vitit 1278, mbreti Karli I, i cilëson disa fisnikë të Kunavisë me tituj nderi: “Inter quos barones Paulus Brana, Sevas-tus Petrus Leti, sevastus Petrus Messia”, të cilëve u jepte pushtet dhe autonomi në zotërimet e tyre.
Titujt e fisnikërisë të prijësave albanezë, u njohën dhe nga mbreti Robert II Anzhu, i cili në një letër shkruante: “Aux nobles comtes, barons et autres feudataires du royaume d’Albanie – Fisnikëve konta, barona dhe feudalëve të tjerë të Mbretërisë të Albanisë. Familja fisnike Martheseos-Marchaseos (Μαζαραίους), e Kunavisë, është e vjetër, e përmendur në kronikat bizantine, të shkruara në gjuhën greke.
Në kronikat e shekulli XIV rezulton se Princi Myrsi Marthaseos, në vitin 1381 u martua me princeshën, të bijën e Princit Gjin Bua Shpata, Despotit të Artës.
Historiani Karl Hopf, ka ndërtuar skemën gjeanologjike të dinastisë Shpata, tregon se fisniku Marthaseos u martua jo me vajzën e madhe Irenën, e cila kishte ndërruar tre burra, por me vajzën tjetër të Gjin Bua Shpatës, emri i të cilës nuk preçizohet në kronikat e kohës. (Charles Hopf. Chroniche greco-romanès. Avec Notes et Tables Gè-nèalogiques. Berlin, Librairie de Weidmann. 1873, faqe 530 – 532 )
E bija e Gjin Bue Shpatës, ishte e besimit ortodoks, kësisoj ajo mbështeti dhe ndikoi në fuqizimin e pozitave të kishës ortodokse në trevën e Kunavisë, çka dëshmohet dhe në ndryshimin e mbiemërit, nga Marten (varianti latin) – në Martaseos në gjuhën greke, ashtu si dhe banorët e Valit, u quajtën Valatos.
Martesa e Myrsi Marthaseos, me të bijën e Gjin Bue Shpatës, ishte celebruar nga ipeshkëvi imzot Francesco di Genova OFM, në katedralen e Shën Gjon Pagëzorit. Nga kjo martesë, lindën dy djem, Dhimiter dhe Nikolla Marthaseos.
Në shekullin XIV, pas persekutimeve, që i bënë pushtuesit serbë, një pjesë e familjes Marthaseos, u detyruan të emigrojnë në Napoli, ku mbajnë mbiemërin Markezi. Të njëjtin fat, patën dhe pjesëtarë të tjerë të familjes, të cilët pas vdekjes të Gjergj Kastriotit dhe push-timit turk, u detyruan të emigrojnë në Itali, të vendosur në Pulja, në Bolonja, në Kalabri dhe Siçili, si shkruajnë historianët G. Petrotta, Zef Skiroi, N. Dell’Erba, Dh. Kamarda, G. Valentini, M. Di Pietro etj.
Në trevën e Kunavisë dhe sot ekzistojnë toponime me emrat e fisnikëve Martaseos si: arat e Dhimitrit, kodra e Kol Grekut dhe Val – Marthaseos, e cila në kronikat e shekullit XIV rezulton i shkruar në formën e shkurtër Val Marches etj.
Në shekujt XIII – XV, krahas familjes Martaseos, forcohen familjet fisnike Leti dhe sidomos familja Manësi, e cila në kronika e kohës përmendet si vëllazëria Manësi (Fratellanza Manesi), që formonin një fshat, por që u rrënua plotësisht nga turqit dhe një pjesë e bano-reve që mbijetuan ikën në Itali, ndërsa ata pak që mbetën në vend, u shpërngulën me banim në luginën e Valit.
Toponimet Mansi dhe Mansakët, janë ruajtur dhe në ditët e sotme, si arat e Manësve, Kodra e Manësit, Mali i Manësit, Përroi i Manësit, Shpella e Manësit, Lagjia e Mansakëve etj.
Kunavia në Mbretërinë e Albanisë.
Shekujt XIII – XIV, shёnuan zhvillime të reja politike, shoqërore dhe fetare, në trojet arbërore, sidomos në vitet e Regnum Albaniae – Mbretëria Albanisë (1267 – 1373), me mbretin katolik Karli I Anzhù. Mbreti Karli I, i preu lidhjet me Konstantinopojën dhe i konsolidoi lidhjet me Romën, por nuk e ndryshoi ritin kishtar tradicional bizantin. Natyrisht kjo kthesë u krye nën trysninë e faktorit politik të anzhuinëve katolikë, të cilët duke përhapur katolicizmin, synonin të rikrijonin perandorinë Latine të Lindjes, e shembur në vitin 1260.
Me mbretin Karli I Anzhù, katolicizmi u përhap dhe u fuqizua në trevat e mbretërisë së Albanisë, duke filluar në veri nga Pulti, Trafandina (Mirdita), Mati, Dibra, Kunavia, Skampa, deri në Ohër, Himarë e Kostur.
Pas kësaj kthese të rëndësishme, Metropolia Ortodokse e Durrësit dhe dioqezat e saj, përmenden për herë të fundit në vitin 1282, në veprën “Taktikon” të Mihal Paleologut dhe më pas fshihen përfundimisht nga gjeografia kishtare ortodokse, sepse u kthyen në katolike si ndodhi me ipeshkëvitë e Tivarit, Ulqinit,Drishtit, Pultit, Shkodrës, Lezhës, Shasit të cilat u lidhën me Selinë e Shenjtë në Romë; ndërsa të tjerat e ruajtën perberjen dykishtare si ipeshkëvitë e Krujës, Kunavisё, Çernikës, Stefaniakës, Bendës, Dibrës, Skampës, Ohrit, Himarës etj.
Katedralia e Dioqezës së Kunavisë.
Në disa dokumenta të shekujve XII – XIV, përmendet shpesh dioqeza e Kunavisë, por deri në vitin 1317, në asnjë prej kёtyre nuk rezulton emëri i katedrales.
– viti 1192 (bula e Papa Celestino II).
– viti 1210 (letra e Mihal Komneni).
– viti 1250 (letra e Papa Inocenti IV).
– viti 1282 (letra e Mihal Paleologut).
– viti 1295 (Kronika e Galvano di Levante).
– viti 1303 (letra e Papa Benedikti XI drejtuar Ipeshkevit te Tivarit)
– viti 1308 (Anonimi i Gorka).
– viti 1311 (Bula e Papa Klementi V).
– viti 1317 (letra e Papa Gjoni XXII, derguar ipeshkevit te Kunavise).
– viti 1317 (letra e Papa Gjoni XXII, derguar Imzot Adrea Croensis).
– viti 1319 (letra e Papa Gjoni XXII, drejtuar fisnikeve te Arberise)
Titulli Shen Gjon Pagëzori (Sanctus Johannes Battista) i katedrales së Kunavisë, përmendet për herë të parë nga Papa Gjoni XXII, në letrën e 10 maj 1317, dёrguar Imzot Guljelm Montegrano, ipeshkëvi i Kunavisё, në Kryeipeshkёvinë e Durrësit të Regnum Albania. Nga kjo kohë dhe nё vazhdim, deri kur u shua dioqeza e Kunavisё, katedralja mbajti emrin e Shёn Gjon Pagёzorit, si rezulton nё shumё dokumenta, sidomos në bulat e emёrimeve të ipeshkёve në Kunavi, deri në fillimin e shekullit XVIII.
Nuk ka mistere në emërin e katedrales së Kunavise, ka vetëm kuriozitet, të krijuara nga mungesa e dokumentave të herëshme. Fillimisht Katedralia e Kunavisë kishte emërin e Shen Dhimitrit dhe këtë fakt, na e bëjnë të njohur At Farlato dhe At Koleti në “illiricum
Sacrum”, kur trajtojnë emërimin e ipeshkëvit në vitin 1420.
Me bulën e 18 shkurtit 1420, Papa Martini V, emëroi Don Progano ipeshkëv ne Eklezinë e Shen Dhimitrit të Kunavisë, duke theksuar se Ai zëvendësoi imzot Prokulo de Lippays, murg i urdhërit Domenikan, që kish vdekur në janar të vitit 1420. “Ecclesia. S. Demetrii Canovien, in Albania vacan, per mortem de persona F. Proculi de Lippays, Ord. Pred…” (D. Farlato et J. Coleti. Illyrici Sacrii: Ecclesia Diocletana, Antibarensis, Dyrrhachiensis et Sirmiensis
cum earum suffraganeis, 1751 – 1819. Tomo 7)
Përkthimi: “Këtu në aktin Konçist (orit), sipas kalendarit 18 shkurt 1420, Papa Martini V lajmëroi Eklezinë e Shёn Demetrii të Kunavisë nё Albania, për emërimin në vendin vakant pas vdekjes të personit F. Prokuli de Lippays i Urdhërit të Predikatorëve. Eklezia e Kunavise, mban titullin e Shёn Gjon Pagëzorit, por nuk dihet në cilën kohë e zevendësoi emërin e Shën Demetrit; sed nomine S. Demetrii antiquitus ornatam fuisse indicant acta; nec constat, quo tempore haec mutatio contigerit”.
Nga ky dokument informohemi se katedralia e Kunavisë fillimisht ishte e konsakruar me emrin e San Demetrii (Shёn Dhimitri – Shën Mitri). Kjo e dhënë është bindëse, pasi kishat e herëshme në trojet tona morën emrat apostujsh, ose të dishepujve të Krishtit.
Duke e pranuar këtë fakt, shtrohet pyetja, cili Shёn Dhimitёr ishte shenjëtori, që i dha emërin katedrales së Kunavisë, pasi njihen së paku tetë shënjtorë me tё njëjtin emёr?
Kisha e parë, e cila më pas u bë katedralia e Kunavisë, u ngrit në fund të shekullit IV dhe në këtë periudhë të antikitetit të hershëm ishin tre shenjёtorë me emrin Demetri, ndërsa të tjerët janë të mes-jetës së vonëshme.
Shenjtori i parë me emërin Demetri, ishte bashkëkohës dhe dishepulli i Krishtit, pra ka jetuar dhe është martirizuar në shekullin I pas Krishtit. Sipas “Martyrologium Romanorum”, që i referohet ungjillëve, rezulton se Shën Demetri dhe Shën Biaxhio, ishin dishe-puj të Krishtit, që e shoqëruan Maria Salomè (nëna e apostujve Xhiakomo e Xhiovani), në udhëtimet për përhapjen e fesë së re.
Maria Salomè, së bashku me Marien – Nënën e Krishtit dhe Maria Magdalena (tre Mariet), ishin të pranishme kur romakët e kryqë-zuan Jezu Krishtin. Maria Salomè kreu ritet mortore për Krishtin “e vdekur”, e mbështolli me qefinin dhe ia lyu trupin me “mirra – vajin aromatik”. Maria Salomè me dy Mariet, ishin të parat, që njoftuan ringjalljen e Krishtit në mëngjesin e ditës së Pashkës.
Pas vdekjes së Krishtit, apostujt dhe dishepujt e tij, u shpërndanë nëpër botë për të përhapur krishtërimin në popujt pagane. Në një nga këto misione apostolike, Maria Salomè, Demetri dhe Biaxhio zbarkuan në Itali e pas një udhëtimi mundues arritën në komunën e Verolit në Lazio, ku Maria Salomè bujti në shtëpinë e një fshatari për të pushuar, ndërsa Demetri dhe Biaxhio shkuan në qytet, por sapo filluan predikimet, banorët paganë të Verolit i sulmuan dhe i vranë. Maria Salomè, vdiq në Veroli 6 muaj më vonë.
Maria Salomè, Demetri e Biaxhio janë martirët e parë, që u shpallën shenjëtorë të krishtërimit. Në antikitetin e hershëm, shumë kisha në Palestinë, Siri, Egjypt, Itali, Iliri, Dalmaci, Greqi, Azinë e Vogël, u konsakruan me emërin Shën Demetri, ndër ato dhe kisha e parë e Kunavisë.
Argumenti bindës, se kisha e parë e Kunavisë fillimisht mbante emërin e Shën Dhimitrit, është toponimi Shkëmbi i Shemitrit, që ngrihet para sheshit, ku dikur ishte katedralia e Shën Mitrit.
Ky shkëmb quhet Shëmitër, disa e shqiptojnë Shëntrina, çka ka sugjestionuar ndonjë studiues, ta spjegoi këtë emër si formë e modifikuar i Shёn Trinisё, por ky interpretim është i pasaktë, pasi në trevën e Kunavisë nuk ka ekzistuar kishë me këtë emër.
Në vitet e më vonëshme shkëmbi u quajt Shëmtrina, në kuptimin i shëmtuar, por përveç karakterit ironik, nuk ka kuptim etimiologjik.
Malësorët e Kunavisë e kanë nderuar dhe e festonin ditën e Shën Mitrit, si dita që shënonte fillimin e dimrit. Dita e Shёn Mitrit dhe dita e Shёn Gjergjit, në kulturën kishtare dhe traditën popullore, shqiptare, konsiderohen dy ditët e mezit të vitit (ditët epagomenale); dita e Shёn Gjergjit shënon fillimin e verës, ndërsa dita e Shёn Mitrit fillimin e dimërit.
Këto dy festa fetare-popullore, janë kremtuar dhe vazhdojnë tё kremtohen dhe sot nga banorët e besimit myslimanë te Martaneshit. Fakti, që malësorët e Kunavisë e festonin ditën e Shën Mitrit në 29 nëntor, tregon se lidhet me Shёn Demetrin dishepulli i Krishtit dhe martiri i shekullit I, në ndryshim nga festat e shenjëtorëve të tjerë, si dita e Shën Demetrit të Aleksandrisë, që kremtohet më 10 nëntor, së bashku me 22 martirët dhe dita e Shën Demetrit të Selanikut, që kremtohet në muajin tetor.
Në ditën e Shëmitrit, malësorët e Kunavisë thernin viçin, cjapin apo dashin më të mirë të tufës, për pastërma, si dhe shtegëtonin bagëtinë nga bjeshkët për në vendet u ulëta, si në fushën e Tiranës dhe të Durrësit, ku dimri ishte më i butë.
Në ditën e Shëmitrit, malësorët e Kunavisë kryenin ritin e ndezjes të dhenave të pishës në oborrin e shtëpisë, sipas bestytnisë “për të trembur ujqërit, që të mos i dëmtonin bagëtinë”.
Për sa i përket Shën Demetrit të Selanikut – megamartiri, shumë studiues e kanë vënë në dyshim ekzistencën e tij. Thuhet se u martirizua në vitin 306 dhe u shpall shenjëtor ne vitin 481, ndërsa Kate-dralia e Kunavisë ishte e ngritur shumë dekada më parë.
Agiografia tradicionale tregon se kur perandori Romak Dioklecian i persekutoi të krishterët, Demetri i Selanikut ishte dhjakon, ndërsa historianë të tjerë insistojnë se u persekutua në kohën e perandorit Galerio. Në traditën mesjetare thuhet se Demetri ishte ushtar romak, madje prokonsull, prandaj në mesjetën e vonëshme u adoptua si mbrojtësi i kryqëzatave, së bashku me Shën Gjergjin.
Kulti i Shën Demetrit të Selanikut, u përhap nga kisha ortodokse, pasi ra Kostandinopoja, pra përjashtohet mundësia, që katedralja e Kunavisë të jetë konsakruar kaq vonë me emrin e këtij shenjëtori.
Nga keto ngjarje, në mënyrë llogjike shtrohen pyetjet: Në cilin vit dhe përse u ndërrua emri i Katedrales së Kunavisë, pra kur iu dha emëri i Shën Gjon Pagëzorit?
Në shekullin XI, Epiri i Ri ishte në varësi të Bizantit dhe dioqeza e Kunavisë ishte dy kishtare, pra një pjesë e kishave ishin në juridiksionin e Metropolisë së Durrësit, për rrjedhojë ipeshkëvet e kësaj dioqeze emëroheshin nga Patriarkana e Kostandinopojës dhe gjatë gjithë kësaj kohe, Katedralja mbante emrin e Shën Dhimitrit.
Në vitin 1273, trojet arbërore u tronditën nga një tërmet shumë i fuqishëm, i cili shkatёrroi qytetin e Durrёsit, pёr pasojё u çpopullua dhe banorët u bujtën në qytetin e Beratit, ku qëndruan deri sa për-fundoi rindërtimi i një pjese të banesave. Sipas kronikave të kohës, ky tërmet i rëndë tronditi trojet malore të Albanisё qёndrore, ku shkaktoi viktima të shumta dhe shembje banesash. Ky tërmet i fortё përfshiu malësinë e Kunavisë, ku rrënoi shumicën e banesave, shka-ktoi viktima, dëmtoi kishat e manastiret dhe katedralen e Kunavisë. Për kёto dëme të rënda të tёrmetit të vitit 1273, të moshuarit mar-taneshas, të lindur në shekullin e XIX, tregonin se 600 vjet më parë, një tërmet i fuqishëm, shkëputi një faqe të madhe të shkëmbit të Shёn Mitrit, që u përplas në muret e kishës, e cila u dëmtua rëndë. Natyrisht katedralia u rindёrtua vite me vonë, ndofta ne vitet 1275 – 1280 dhe u konsakrua me emërin e Shёn Gjon Pagёzorit.
Ndryshimi i emërit ka motive bindëse, sepse Shën Gjon Pagёzori ёshtё mbrojtësi kundër fatkeqësive natyrore, kundër tërmeteve dhe stuhive, mbrojtës i barinjëve dhe i përpunuesëve të leshit etj. Shën Gjon Pagëzori nderohej nga malësorët e Kunavisë, si mbrojtës i blegtorëve, si dihet malesorët e Kunavisë ishin kryesisht blegtorë, pasi tokat bujqësore ishtin dhe janë shumë të pakët.
Emri i katedrales Shёn Gjon Pagëzori dokumentohet pёr herё tё parё në bulёn e datёs 10 maj 1317, që Papa Gjoni XXII, ia dёrgonte Imzot Guljelm Montegrano, ipeshkëvi i Kunavisё, në Kryeipeshkё-via e Durrësit të Regnum Albania.
Kunavia në shekullin XIV
Në fillim të shekullit XIV, Mbretëria e Albanisë u trondit nga konflikti i Anzhuinëve me Mbretërinë serbe, që u shndërrua dhe me perplasje mes dy kishave, një luftë e ashpër e kishës katolike kunder shizmatikëve.
Me 18 tetor 1303, Papa Benedikti XI, në letrën dërguar Martinit, ipeshkëvit të Tivarit, e ngarkonte me detyrë të reformonte dhe të vendoste rregullat në klerin e padisiplinuar të Arbërisë, Kunavisë, Putit, Durrësit, Kotorrit, Shasit, Shkodrës dhe Drishtit”. (Farleto & Coletti – Illiricum sacrum. 1715).
Regjistrat e Papa Benedikti XI, ndër të tjera konfirmojnë, se më 31 mars 1304, në trevat e Arbërisë, Kunavisë, Pultit dhe të Durrësit, ipeshkëvitë dhe një numër i madh klerikësh, “jetonin nën pushtetin e grekëve”, por deklaroheshin të besimit romak dhe ruain lidhjet me ritin latin. (Ducellier Alain. La Façade maritime de l’Albanie au moyen âge. Durazzo et Valona du XIe au XVe siècle. Revue des etudès bizantine. (HetMakSp, 429). Vol. 40, nr 1, 1982, f. 429)
Anonimi i Gorkes, në vitin 1308, shkruan se peshkopatat e Arbërisë së mesme Kunavia, Stefaniaka dhe të Arbërise veriore Pulti e Dibra,“nuk jane as thjeshtë katolike dhe as thjeshtë shizmatike, por po të ishte dikush t’i u propozonte fjalën e zotit, do bëheshin katolikë të pastër, sepse i duan latinet”. (Gorka. Anonymi Descriptio Europae Orientalis. 1308, f. 28. Pergatitur nga Olgierd Gorka dhe botuar më 1916).
Nga kjo kronikë kuptohet se Kunavia ishte dykishtare.
Në vitin 1308, anzhuinët, përmes zëdhënësit të politikës lindore Karl Valua, perandori titullar i Kostantinopojës, u detyruan t’i japin Mbretit Uroshi II, zotërimet në veri të Matit dhe të Ohrit. (Sufflay Acta Albaniae I, 520). Pushtimi serb u shoqërua me dhunë per konvertimin e albanezëve në ortodoksë.
Ne pranveren e vitit 1318, serbët ndërmorën një ofensivë në jug të Matit, që rezultoi me pushtimin e Krujës, Arbërisë, Durrësit dhe të Kunavisë. (P. Xhufi. Nga Paleologet te Muzakajt: Berati dhe Vlora
ne shekujt XII – XV…. Tirane, 2009).
Në këto rrethana të ndërlikuara, Papa Gjoni XXII, i kërkoi ipeshkëvët albanezë, te shkonin në Avinjon për ta informuar për situatën e vështirë, që kalonte popullata katolike arbërore, por dhe për të diskutuar së bashku për organizimin e kryqëzatës kundër serbëve, që po masakronin banorët katolikë në Albania.
Në organizimin e rezistencës dhe kryengritjeve për çlirimin nga pushtuesit serbë dhe mbrojtjen e kishës katolike në trojet arbërore, u shquan dy ipeshkëv të dioqezës së Kunavisë, Imzot Gulielm De Montegrano dhe Imzot Andrea Kroensis (Krutani)
Imzot Gulielm Montegrano. Ishte me origjinë franceze, i lindur në qytetin Auch, kryeqendra e Kontesë të Armagnac (Armanjak) të Pirenejve, në jugperëndim të Francës.
Deri në vitin 1310, Imzot Montegrano ishte Ipeshkëv i Gaskonjës (Francë), ndërsa në vitin 1311, Papa Gjoni XXII, e emëroi ipeshkëv i dioqezës së Kunavisë, ku qendroi deri në gusht të viti 1318.
Imzot Montegrano ka qenë prelat me autoritet dhe njeri i besuar i Papës, madje dokumenti i parë i kancelarisë Papnore, ku përmendet Regnum Albaniae, është bula e Papës Gjoni XXII, e shkruar me 10 maj 1317, drejtuar Imzot Guljelm Montengrano, ipeshkëvi i Kunavisë, në Kryeipeshkevine e Durrësit të Regnum Albaniae.
Kjo bulë, ka vlera të mëdha historike kombëtare, sepse është i pari dokument, me të cilin Papa e njeh zyrtarisht Regnum Albaniae dhe sepse lidhet me ipeshkëvin e Kunavisë, me historinë e popullit të trevës së Kunavisë, që ishte pjesë integrale e Mbretërisë së Albanisë dhe dioqezë, ku po konsolidohej aktiviteti i kishës katolike.
Papa Gjoni XXII e urdhëron Imzot Guljelm Montegrano të shkonte në Avinjon, si rezulton në letrën në vazhdim: “Cum venerabilis fra-tris nostri Guillelmo De Montagrano episcopo Cunaviensis de Archiepiscopata Duraseno in Regno Albaniae ex certis causis sic nobis presentia oportuna tibi fraternitati tue per apostolica scripti man-damusquatenus ipsium apostolicam per te vel alium seu alios ex parte nostra permepertoris citare provenires ut infra viginti dierum spatium post citationem huiusmodi se coram nobis personaliter representer …” (Documents pontificaux sur la Gascogne, d’après les archives du vatican. Pontificat de Jean XXII (1316 – 1334. Texte publiès et annotès pou la societè historique de Gascogne par l’abbè Luis Guèrard. H. Champion. Tom I, doc 14, Paris 1896, f. 17 -18)
Në këtë dokument nuk qartësohet në se Imzot Montegrano, ishte dhe i deleguar i mbretit Karl I Anzhu, si ndodhte shpesh në vitet e mesjetës, që klerikët e lartë ishin dhe ambasadorë të mbretërve.
Është pak e besueshme që Papa, ta ketë thirrur vetëm për t’u in-formuar për situatën, kur kjo bëhej dhe me letra. Më shumë bindëse është se e thirrën për të marrë pjesë në traktativat për organizimin e kryengritjes antiserbe, ku Imzot Montenegro përfaqësonte mbretin Karli I, që ishte nismëtari i kryqëzatës, i mbështetur nga Papa Gjoni i XXII.
Nuk përjashtohet mundësia që Imzot Montegrano, u ngarkua nga Karli I Anzhu, për të marrë pjesë ne bisedimet me Papën, me Filipin e V (mbreti i Francës), me mbretin Karl Roberti i Hungarisë dhe Mladeni II – Bani i Bosnjës, të cilët kishin rënë dakort të organizonin kryqëzatën kundër mbretërisë serbe te Uroshit II, që ishte mbështetësi kryesor i kishës ortodokse serbe dhe përgjegjës për fushatat e egra antikatolike në trojet arbërore.
Rruga nga Kunava në Avinjon ka zgjatur rreth 20 ditë, sepse në bulën tjetër të datës 18 maj 1317, Papa e urdhëron Imzot Gulielm Montegranon, të paraqitet urgjent brenda 20 ditëve “infra viginti dies se coram pontifice personaliter sistat”, çka na bën të supozoj-më se ka arrijt në Avinjon në javën e parë të qershorit, por nuk dihet sa kohë qendroi në Avinjon.
Pasi u kthye nga Franca, Imzot Montegrano u bë inspiruesi dhe organizatori i kryengritjeve antiserbe në Kunavia dhe në trevat e tjera:Trafandina, Mati, Kruja, Benda, Dibra etj. (Konstantin Jireček. Geschichte der Serben. I, Gotha 1911, f. 350)
Imzot Montegrano qëndroi në krye të dioqezës së Kunavisë deri në muajin gusht të vitit 1318 dhe më pas, për arsye shendetësore, Papa Gjoni XXII e transferoi ne dioqezën e Santa Giusta në Sardenja – Itali, ku dhe vdiq ne vitin 1319.
Me largimin e Imzot Montegrano, vendi i ipeshkëvit në Kunavi,
mbeti vakant për rreth 1 vit, por gjatë kesaj kohe, dioqeza u drejtua nga Don Bartholomeos “Boloniensi” O. P, i cili për shumë vite kishte shërbyer rektor i Katedrales të Shen Gjon Pagëzorit dhe si kuptohet mëkëmbesi i ipeshkëvit.
Don Bartolomeo (OP), ishte i urdhërit Domenikan të murgjerve predikues, i quajtur dhe urdhëri lypsave, sepse bënin jetë të varfër dhe lypnin ushqime ndër besimtarët. Në fillimet e karierës eklezia-zike, Don Bartolomeo ka qenë nënprimari, i kuvendit të Bolonjës, prandaj e quanin “Boloniensis”.
Në kohën që shërbente në Kunavia, kisha katolike po përballej me doktrinat heterodokse dhe për të bindur besimtarët, kërkohej që predikimet e ungjillit të zhvilloheshin në nivele të larta fetare dhe kulturore dhe në gjuhën e popullit, pra në gjuhën albaneze.
Kuvendet domenikane ishin shndërruar në qendra të studimeve teologjike dhe biblike e ndërmjet tyre renditej dhe katedralja e Shen Gjon Pagëzorit, e drejtuar në ato vite nga Don Bartolomeo, çka tre-gon përse katedralja e jonë ishte e famëshme në botën katolike.
Imzot Bartolomeo II, O.P, u emërua ipeshkëv i dioqezës së Kunavisë më 19 shtator 1319, me bulën e Papa Gjoni XXII. U quajt Bartolomeo i dytë, pasi para tij, kishte shërbyer një tjetër ipeshkëv me emërin Bartolomeo, por nuk dihet saktësisht në cilët vite.
Sipas Konrad Eubel në “Hierarchia Catholica”, Imzot Bartolomeo ndejti pak kohë në detyrën e ipeshkëvit, pasi më 23 qershor 1320 e transferuan dhe e emëruan ipeshkëv i dioqezës të Segni, Itali. Në Arkivin dhe në Bibliotekën e Dioqezës së Segni, mungojnë të dhënat për Don Bartolomeo, pasi me bombardimin e qytetit gjatë Luftës së II Botërore, u shkatërrua dhe u dogj vetem pjesa e arkivit, ku ruheshin dokumentat para vitit 1500. (Nga biseda me drejtorin e Bibliotekes të Dioqezës të Segni)
Ndër dokumentat, që dëshmojnë aftesitë klerikale të Don Bartolomeo II, po veçoj një fragment letre të Papa Gjoni XXII (Archivio Segreto Vaticano, Regesti Vaticani, vol. 117, p. 51, n. 290, “Cum sicut”), drejtuar Rektorit të Kampanjes, ku shkruan: “Imzot Bartolomeo ka eksperience dhe asht shumë i aftë, prandaj do te duhej t’a kishim emëruar peshkop i dioqezës të Alatri, ku kemi shumë probleme….”. Imzot Bartolomeo II vdiq në vitin 1321.
Me bulën e 16 korrikut 1320, Papa Gjoni XXII, emëroi Imzot Andrea Croensis OFM (Andrea Krutani, Ndreu), Administrator Apostolik i Dioqezës së Kunavisë.
Imzot Ndreu, prelat i shquar albanez, e drejtoi Dioqezën e Kuna-visë deri në fund të vitit 1323. Më parë, Imzot Ndreu kishte qenë ipeshkëvi i Dioqezes së Krujës, madje së bashku me ipeshkëvin e Kunavisë Imzot Gulielm Montegrano, ishin thërritur me urgjencë në Avinjon nga Papa Gjoni XXII, i cili i kishte ngarkuar me detyrën të organizonin dhe të drejtonin kryengritjen antiserbe.
Nga Bula e Papës Gjoni XXII e 17 shtatorit 1317, rezulton se Imzot Ndreun, e kishin shkarkuar si ipeshkëv i Krujës. Dëbimin nga posti u bë me urdhër të mbretit të serbëve Stefan Uroshi II Milutin (1282-1321), i cili e shihte Imzot Ndreun si pengesë në realizimin e politi-kës të konvertimit në ortodoksë të popullatës katolike arbërore.
Lajmin e dëbimit te Ndreut nga ipeshkëvia e Krujes, e njohim nga letrat e Papa Gjonit XXII, drejtuar ipeshkëve të Oristanit (Sardenja), të Brindizit e të Tarentinos në Pulja të Italisë, të cilët i informon se çfarë i kishte ndodhur Ndreut muaj më parë: “Ab eclesia sua, per Urosium regem Rasciae schismaticum ocupata, exulare compellitur…” dhe ne vazhdim u bënte thirrje ta ndihmonin duke i akorduar një mbështetje financiare, me një pension prej 50 fiorina ari, për 5 vjet, nga fondet e siguruara me të ardhurat e 5 manastireve të tyre.
Imzot Ndreu përjetoi persekutime, përndjekje dhe ndëshkime nga njerezit e mbretit serb Uroshi, por banorët e Kunavisë e bujtën, e mbrojtën, e nderuan, e respektuan, e vlerësuan per aftësitë e tij nje-rëzore dhe klerikale, në veçanti per përkushtimin e tij ndaj kauzës për mbrojtjen e katolicizmit dhe çlirimin e trojeve arbërore nga pushtuesit serbë.
Imzot Ndreu u përkrah nga Papa Gjoni XXII, i cili e vlerësonte, andaj e ngarkoi me detyra, që normalisht i kalonin kompetencat e tij, pasi ishin funksione të nivelit të kardinalit dhe të legatit papal, madje e trajtonte si ndër prelatët më të besuar.
Këtë vlerësim, Papa e konfirmon në letrën e 6 qershorit 1318, qe i dërgonte dy klerikëve, At Ndreut, të cilit i drejtohet ipeshkëvi i Kru-jës (ndonëse ishte pushuar nga ajo detyrë), si dhe Imëzot Mihalit, ipeshkëvit të Arbërit. Të tërheq vëmendjen fakti se Papa i drejtohet dy ipeshkëve Ndreut dhe Mihalit, që i përkisinin dy ipeshkvive të ndryshme, Ndreu i Krujës dhe i Kunavisë dhe Mihali i Arbërit. Pra si kuptohet ipeshkëvia e Arbërit nuk ishte e Krujës, si shprehen gabimisht historiografët tanë, duke i konsideruar si ipeshkëvi e vetme, ndërsa në fakt kanë qenë dy të veçanta.
Me letrën tjetër të 18 qershorit të vitit 1318, Papa Gjoni XXII, e kërkon Imzot Ndreun, të paraqitet urgjent në Avinjon (Archivio. Registra Vaticana; Registra Avenionensia 1318).
Në takimet me Papën, Imzot Ndreu mori udhëzime dhe autorizi-min të udhëheqi popullin albanez në rezistencën kundër shizmatikëve dhe me detyrën e organizimit të kryengritjes kundër pushtuesve serbë, që kishin marrë pjesën veriore të Mbreterisë së Albanisë.
Në përfundim të takimit, Papa Gjoni XXII e pajisi Imzot Ndreun me një letër shoqëruese, për të kryer dhe disa detyra të posaçme.
Kësisoj e ngarkoi, të konfirmonte At Gjon Barbucci në katedralen e Barit në Itali, At Kostën kryedhjak të Durrësit dhe At Gjon Rubeo në famullinë e Shen Nikolla në Petrosa të Kunavisë: “Johannes XXII Papa, Johannes Rubeo parocij-am ecclesie S. Nicolai de Petrosa Cunaviensis Diocesis cofert” (M. Šufflay. Acta Albaniae, I f. 637).
Është interesant fakti, se kishat famullitare (Parochialis ecclesia), përmenden rrallë dhe kryesisht vetëm në dokumentat papale, çka deshmon se Eklezia e Kunavisë dhe famullia e Shen Nikollës në Petrosa ishte e mirënjohur. (Petrosa është Gurzaku, ne fshatin Lena Martanesh). Sipas M. Šufflay, famullia e Shen Nikolla në Petrosa, ishte shumë e pasur, madje siguronte të ardhura të konsiderueshme, 60 gulden të artë, sa dy ipeshkëvi të vogla. (Millan Šufflay. Situata e Kishës në Shqipërinë paraturke. Botime Françeskane. Shkodër 2013, f. 125)
Në bulat, letrat e Papëve dhe në dokumenta të shumta të Kurias, rrallë herë përmenden emërat e ipeshkëve e pothuajse aspak të priftërinjëve të kishave arbërore, andaj kuptohet se duke e thekësuar me emër At Gjon Rubeon e famullisë së Petrozës të Kunavisë, tregon se ishte një prelat i rëndësishem e njëkohësisht dëshmon për famën që gëzonte kjo dioqezë në shekullin XIV.
Detyrat që i u dhanë At Ndreut, për të komunikuar këto emërime, ndërkohë që Ai nuk ishte ipeshkëv dhe as kardinal, ishte një prak-tikë e pazakontë e Papatit dhe e Kurias. Si rregull, emërimi i ipeshkëve, kardinalëve, rektorëve dhe kryedhjakëve, bëhej duke u prezantuar personalisht në Kuria, ku merrnin diplomën e detyrës dhe udhëzimet e duhura. Rrallë e në rrethana specifike, kjo proçedurë mund të kryhej nga ipeshkëvi i ngarkuar nga Papa, për të konfirmuar emërimin në këto poste. Kjo praktikë kryhej me qëllim, që prelatët të shmangnin udhëtimet e gjata dhe të rrezikëshme deri në Avinjon. Ky mision special i emërimeve të prelatëve, janë provë e besimit dhe respektit të Papës Gjoni XXII, ndaj Imzot Ndreut, i cili dhe pse ishte ipeshkëv i shkarkuar, i u besua të kryente këto emërime, pa qenë e nevojshëme, që prelatët të udhëtonin deri në Avinjon. At Ndreu nuk ishte ipeshkëv, por kryente detyrën e Administratorit të Dioqezës së Kunavisë
Me t’u kthyer në Albania, At Ndreu lëvizte nga një ipeshkëvi në tjetrën, por më shumë qëndronte në Kunavia, pasi kjo trevë kishte pozicion qendrorë, e shtrirë ndërmjet ipeshkëvive të Matit, Krujës, Bendës, Stefaniakës, Çermenikës , Dibrës dhe Ohrit, kësisoj e kishte të lehtë të lidhej me klerikët dhe me fisnikët e këtyre trojeve, për të koordinuar organizimin e kryengritjes antiserbe.
Misionet e At Ndreut, në fakt ishin kompetenca të kardinalëve dhe të legatëve, çka dëshmon se Imzot Ndreu ishte klerik i formuar, me autoritet e me reputacion, sa Papa i besonte funksione të larta. Nuk gabojmë në se e konsiderojmë Imzot Ndreun legat i Papës XXII në Mbretërinë e Albania, pavarësisht se deri tani nuk dispo-nojmë një dokument, që të konfirmoi këtë funksion. Normalisht, detyra të tilla të rëndësishme, u ngarkoheshin legatëve, që ishin ambasadorët e papës nëpër botë, si legatus natus, legatus missus dhe legatus a latere.
Papët nuk kishin mundësi t’i mbulonin me prezencën personale të gjitha vendet, ku ata shtrinin autoritetin e tyre, andaj dërgonin në ato vende përfaqësuesit e tyre, pra legatët.
Legatus a latere ishin kardinalët ambasadorë, me funksionet me të larta në hierarkinë katolike e më të besuarit në këto poste, andaj kishin të drejtë të organizonin dhe kryqëzata, ndërkohë, që legatus missus ishin përgjegjës vetëm për të çuar në destinacion një porosi të dhënë nga Papa, të cilat përshkruheshin me detaje në letrat papnore, që legati i kishte dokument prezantimi për ipeshkevite, dioqezat dhe famullitë ku shkonin.
Më pak të rëndësishëm ishin legatus natus, por kishin pushtet të plotë për të përfaqësuar Papën kudo që shkonin. Si legatus missus dhe legatus a latere konsideroheshin si Papa lokal. Pra legati ishte më i lartë se ipeshkvi lokal dhe ishte i pari në Synodet vendore. Ai kontrollonte dhe gjykonte ipeshkvët dhe kujdesej për zbatimin lokal të reformave dhe të rregullave të vendosura nga Papa. Legatët përfaqësonin Papën në aktivitetet diplomatike, në takimet me mbretërit, me princat, me fisnikët dhe me ipeshkëvët.
At Ndreu nuk ishte kardinal dhe as legat, por me detyrat që i ngarkoi Papa, kryente të njejtat funksione. Me që një ndër detyrat e rëndësishme të legatëve ishte përgatitja dhe udhëheqja e kryqëzatave, kuptohet pse ishte trembur aq shumë Uroshi, mbreti i serbëve, që e shkarkoi imzot Ndreun si ipeshkëv i Krujës.
Papa Gjoni XXII, gjatë pontifikatit të tij e përqëndroi sistemin e zgjedhjeve dhe të emerimeve në duart e veta, e kishte monoplizuar pushtetin, andaj ky përjashtim jo i zakonshëm në praktikën papale, dëshmon se At Ndreun ishte ndër njerëzit më të besuar të tij.
Gjatë viteve 1317 – 1319, Ndreu ishte figura qendrore, që përfaqësonte Papën në ipeshkëvitë tona, duke dalë në krye të mbrojtjes të katolicizmit dhe të lëvizjes antiserbe në Albania.
Në qershor të vitit 1319, Papa Gjoni XXII, prezantoi planin për kryqëzatën kundër shizmatikëve serbë. Këtë vendim ua njoftoi dhe fisnikëve albanezë në letrën e 17 qershorit 1319 derguar Mentul Muzaka – konti i Këlcyrës, Ndre Muzakës – Marescialo Regni Albaniae, Theodor Muzaka – protosevastorit të Mbretërisë së Albanisë, Guljelm Blenishtit–protosevastor, Guljelm Aranitit–protholegatur, Pal Matrangës dhe baronëve të tjerë të mbretërisë së Albanisë, si dhe Ladislaut – konti i Albanisë.
Papa Gjoni XXII u shkruante se ai e dinte se fisnikët dhe populli albanez vuanin nën tiraninë e rëndë të mbretit të Serbisë (sub gravi tirannide illius regis perfidi Rascie nedum scismatici et religionis christiane totaliter inimici) dhe i nxiste të luftonin kundër serbëve, duke i siguruar se do t’i ndihmonte me të gjitha mundësitë.
Në letrat e Papa Gjon XXII drejtuar kryeipeshkëve, ipeshkëve e fisnikëve të Albanisë, e prezanton At Ndreun njeriun e tij të besuar, madje e quan ipeshkëvi i Krujës, duke i njoftuar se Ai do t’u jipte udhëzime me gojë të gjithë fisnikëve, të cilët duhet t’i besonin deri në fund: “Super hiis autem venerabilis frater noster Andreas epis-copus Croensis affectum nostrum oraculo vive vocis plenius vobis aperiet, cui exinde fidem poteritis credulam adhibere”.
Letrat e Papës drejtuar klerikëve dhe fisnikëve, synonin të arrihej bashkimi i të gjitha forcave politike e ushtarake albaneze, për çlirimin nga sundimi i serbëve, të cilët si thotë studiuesi Pëllumb Xhufi, përdorën të gjitha politikat për shkatërrimin e strukturave sociale-politike të Albanisë, se pari duke i zhveshur shtresat e larta nga pasuritë e tyre dhe duke imponuar politikën e serbizimit, që fillonte me konvertimin e popullates në ortodoksë serbë. Asimilimi fetar, asimilimi kulturor dhe së fundi asimilimi etnik, ishin shtresa të njëjtit proces serbizimi të politikës serbe.
Fakti, që Ndreu organizoi dhe koordinoi të gjitha forcat politike dhe ushtarake të Mbretërisë së Albanisë në kryengritjen e vitit 1319, kundër sundimit serb, dëshmon për rolin e tij jo vetëm si udhëheqës shpirtëror, por dhe si prijës i popullit tonë në kryengritjen antiserbe.
Kryqëzata antiserbe nuk u realizua, pasi Papa i besoi, madje u mashtrua nga diplomacia e Uroshit II, mbretit të Serbisë, i cili i premtoi, se do të pranonte besimin katolikë bashkë me popullin e tij, gjë që në fakt nuk ndodhi.
Ne vitet 1315 – 1325, shumica e kishave katolike u rrënuan nga pushtuesit serbë, të cilët bënin dhe presion mbi popullatën albaneze, që të konvertohej në ortodoksi. Shkatërrimet dhe plaçkitjet e kishin përkeqësuar gjendjen ekonomike të Dioqezës së Kunavisë, si rezulton nga një letër e Papa Gjoni XXII e datës 18 qershor 1320, dërguar Imzot Ndreut si Administrator Apostolik i Kunavisë, të cilin e njofton se i kishte dërguar mbështetje financiare prej 100 florenos auri (fjorina ari), njëkohësisht i kishte dërguar 100 florenos auri kryepeshkopit të Ohrit dhe ipeshkëvit të Shasit.
Në ato vite, Kunavia ishte qendër e fuqishme e katolicizmit dhe e lëvizjes antiserbe, e udhëhequr nga Imzot Ndreu, i cili e drejtoi dioqezën e Kunavisë dhe udhëhoqi kryengritjet antiserbe.
Imzot Ndreu vdiq në vitin 1323 dhe u varros në Kunavia.
Në vendin vakant të ipeshkëvit të Kunavisë, emëruan spanjollin Johannes de Hojo, murg i Urdhërit Cistersien. Në vitet 1307 – 1324 kishte shërbyer ipeshkëv i Katalonjës, në vitin 1324 e transferuan në Dalmaci, kryemurg në manastirin cistercien të Leoncello, në dioqe-zën e Valentinit, ndersa më 10 korrik 1325, Imzot Andrea, Kryeipeshkëvi i Tivarit, e emëroi murgun Gjon Hojo, ipeshkëv i dioqezës së Kunavisë. Në fakt, ky emërim ishte anormal, që krijoi probleme dhe nxiti reagimin e rreptë të Papës Gjoni XXII, i cili jo vetëm nuk e miratoi por urdhëroi shkarkimin e tij si ipeshkëv.
Dioqeza e Kunavisë e sidomos Manastiri i Shen Trifonit ishin bërë objekt sherri ndërmjet imzot Andreas – kryeipeshkëvi i Tivarit, cili insistonte ta përfshinte ne juridiksionin e tij dhe Imzot Antonio III – Kryeipeshkëvi i Durrësit. I cili e kundërshtonte me forcë, pasi dioqeza e Kunavisë, që në zanafillë e në vazhdim, historikisht kishte qenë në varësi të ipeshkevisë së Durrësit.
Me vdekjen e imzot Andrea Krutanit, kryipeshkevi i Tivarit përfi-toj dhe ndërhyri me prepotencë, pa informuar Papën dhe as krye-ipeshkëvin e Durrësit, duke e emëruar murgun Johannes de Hojo – ipeshkëv i Kunavisë. Këtë vendim, kryeipeshkëvi i Tivarit e justifikoi me pozicionin e privilegjuar, që kishte fituar me një sentencë të Selisë së Shenjtë, që i kishte dhënë në juridiksion dhe Ipeshkëvinë e Durrësit dhe dioqezat e saj sufragane. Duke përfituar nga ky pozicion, ai synoi të marri nën kontroll dioqezën e famëshme të Kuna-visë, më saktë, të shtrinte kontrollin mbi Manastirin e Shen Trifonit e për këtë qëllim emëroi ipeshkëv murgun Gjon Hojo, pra njeriun e tij të besuar, i cili mund të realizonte ambicjet e Imzot Andrea.
Me këtë vendim, Imzot Andrea i kaloi kompetencat e tij, andaj Papa Gjoni XXII e shkarkoi si kryepeshkop dhe nga të gjitha fun-ksionet kishtare që gëzonte e njëkohësisht shkarkoi dhe murgun Johannes de Hoyo, i cili u kthye në Spanjë.
Pra, molla e sherrit në këtë ngjarje ishte Manastiri cistertcien i Shen Trifonit në Kunavia, i konsakruar nga Papa Celestino III, me bulën e lëshuar me datë 18 prill 1192.
Urdheri manastirial cistercien, ose urdhëri i murgjëve të bardhë, sepse visheshin me veladon të bardhe dhe mantel të shkurtër kafè. Manastiret cistertcien janë të urdhërit manastirial i të drejtës ponti-fike (latinisht: Ordo cisterciensis – O. Cist), i themeluar në vitin 1098 në abacinë e Citeaux në Borgonja të Francës. Urdhëri organizohet me manastire autonome, të bashkuar në kongregacion dhe të drejtuar nga kryemurgu (murgu gjeneral), me rezidencë në Romë.
Urdhëri cistertciens ishte më reformatori dhe më i fuqishmi i mesjetës europiane. Në krye të urdhërit ishte Shen Bernardi, i cili hartoj rregullat e jetës manastirike perfekte, që udhëheqin jetën dhe aktivitetin e murgjerve cisterciene. Organizimi i urdhërit cisterciens dallohet për disiplinë fetare, jetesë të thjeshtë, të impenjuar në progresin teknologjik të asaj kohe, në prodhimet artizanale, në ndërtimet e banesave, të kanleve të ujitjes, të rrugëve, në punët bujqësore e blegtorale dhe në ndërtimin e objekteve të kultit.
Motoja e cistertciensëve ishte “Ora et labora” (lutje dhe punë), kësisoj dita e murgjëve, ishte e organizuar në mënyrë strikte sipas këtyre dy parimeve, me lutje dhe me studimin e biblës e në vazhdim merreshin me punë.
Murgjet cistertciensë ndiqnin stil jetese të varfër. Sipas tyre manastiret dhe kishat, duhet të reflektonin varfërinë si ideal të cistersienësve, prandaj ata ndalonin përdorimin e arit dhe të argjendit në objektet liturgjike, nuk lejonin zbukurime, madje as në kishat, as në manastiret dhe as në shtëpitë e banimit.
Urdhëri cistercen synonte, që manastiret t’i ndërtonin në vende të largeta e të thella, andaj ata zgjodhën Ballejën e Kunavisë, këtë pllajë hiroshe mes maleve, të rrethuar me pyje të dendur, me kullota të shumta dhe me faunë të pasur, një trevë e “humbur” ndërmjet bjeshkëve të larta.
Theksoj se, nuk ishte vetëm kjo parajsë e egër dhe e virgjër, që i nxiti murgjit cisterciens të zgjidhnin Kunavinë, pasi qëllimi kryesor i misionit të tyre, ishte të zgjeroheshin duke “pushtuar” jo vetëm terrenet fizike e te pasur por dhe të terhiqnin sa më shumë besimtarë në fenë katolike. Dioqeza e Kunavisë, i plotësonte kushtet, pasi ishte dykishtare, ku ende mbizotëronin kishat e ritit bizantin.
Jemi në periudhën, kur në trevat e Kunavisë filloi të rritet prezenca dhe aktiviteti i kishës katolike, kur po përmbysej raporti ndërmjet katolikëve, që shtoheshin dhe ortodokësve, që pakësoheshin.
Manastiret cistersienë janë konsideruar si fabrikat më të organizuara të mesjetës, pasi kryenin pune të specializuara. Murgjit cister-cienë kanë merita në zhvillimin e teknologjise dhe përhapjen e artit gotik, një kulturë e re, që kapërceu atë romano-bizantine, të asaj kohe. Murgjit cisterciensë zhvilluan një arkitekturë të stilit gotik, një ndër stilet më të bukur, çka u reflektua në ndërtimin e kishave dhe të banesave, ose më saktë të kullave – fortesa të Kunavisë dhe më gjërë në treva të tjera të malësisë verilindore të vendit tonë.
Në mënyrë llogjike shtrohet pyetja: çfare ruhet nga kjo kulturë e vjetër dhe nga kjo eksperiencë e pasur e veprave të murgjërve të manastirit të Shen Trifonit?
Është trashëguar shumë, si në aspektin shpirtëror dhe kulturor, ndërsa veprat e tyre janë shkatërruar nga pushtuesit e shumtë, që e kanë martirizuar këtë trevë. Në veçanti, populli nuk e ka harruar vandalizmin e barbarëve turqë, të cilët shkatërruan urën me hark guri mbi lumin, që lidhte fshatin Gjon me fashtin Martis (sot quhet Peshk), dogjën katedralen e Shen Gjon Pagëzorit, që ishte e ndërtuar me mermer të latuar, shkatërruan manastirin e Shen Kiarës, kishën e lashtë benedektine të Shen Maria, kishën e Shen Nikollës etj, por jo rastësisht ruajtën manastirin e Shen Martinit, i cili në vitin 1870 u shndërrua në Teqe të Bektashive.
Pak kanë mbetur nga kullat e ndërtuara me gurë dhe me qoshet elegante me gurë të latuar. Se paku deri vonë janë ruajtur kullat – fortesë Rrem Gjylës dhe e Ilamajve në Blishte, të cilat janë ndërtime të stilit gotik, me portën e madhe me hark guri, me qoshkun deko-rativ në katin e sipërm të mbeshtetur në ballaustra guri, me fren-gjitë e vogla, që nuk ndryshojnë me ato të fortesave franceze, gjer-mane dhe italiane të kësaj periudhe. Vepër e tyre është dhe vija e ujit, për vaditjen e atyre pak tokave, ku kultivonin grurin, theknën dhe elbin. Të asaj kohe janë rruga e shtruar me kalldrëm, që përshkon tërthorazi fshatin Peshk, e cila lidhte katedralen me seline e ipeshkëvit. Deri në vitet ‘70 ruhej një fragment i vogël mozaiku me gurë lumi në sheshin para katedrales, sot pjesë sheshi në të majtë të ndërtesës të shkollës së mesme në Peshk.
Një nga trashëgimitë e vyera të kulturës cisterciense, e ruajtur nga malesorët e Martaneshit deri në fund të viteve ’60 të shekullit XX, ishte argatia, një praktikë e rrallë solidarieteti dhe ndihëme ekonomike, e cila ofrohej gratis nga malesorët.
Argatia, është fjalë greke – Αργατία, që do të thotë me shërbyer, në kuptim me kryer shërbime vreshtës, grurit, bagëtisë, por dhe në kuptimin social, me i shërbyer familjes, shoqërisë etj.
Si term dhe si praktikë, argatia është përdorur që në motet e shkuara nga martaneshasit, që e kishin trashëguar nga murgjërit cisterciensë. Në periudhat e pikut të punëve në bujqësi, murgjit kryenin argatì, ndihmonin gratis malësorët në mbjelljet, prashitjet, ujitjet dhe korrjet. Kjo praktikë e lashtë, u ruajt e u zbatua rregullisht nga malësorët në ndërtimin e kullave – fortesa dhe në punët bujqësore, sidomos në korrjet e drithrave dhe të barit.
Për ta kryer sa më shpejtë dhe pa dëme prashitjen apo korrjen e drithërave, kryefamiljari thërriste në argatì bashkjëfshatarët dhe së bashku punonin gratis e me aksion, për t’i përfunduar të gjitha këto punë brenda ditës. Organizuesi i argatisë, ishte i detyruar t’i u garantonte drekën të gjithëve, që kishin shkuar në ndihmë. Kjo kulturë e bukur solidarieteti e ndihme gratis, prej gjysëm shekulli është braktisur dhe ka mbetur thjeshtë një kujtim të largët, që malësorët martaneshas e ruajnë në kujtesën historike, ashtu si kanë ruajtur e kultivuar vlera të larta morale, arsimore, shpirtërore, kulturore dhe patriotike.
Aktiviteti i manastirit ciscertcien të Shen Trifonit vazhdoi deri në fund të shekullit XIV, kur u dogj nga pushtuesit barbarë serbë të Uroshit II Milutin.
Në vendin vakant të ipeshkëvit të shkarkuar Johannes de Hojo, Papa Gjoni XXII, në vitin 1326 emëroi Imzot Pietrus, i cili shërbeu ipeshkëv i dioqezës së Kunavisë deri në vitin 1333.
Nuk dihet në se ishte albanez, apo i huaj dhe cilit urdhëri i përkiste, por sigurisht më parë do të ketë shërbyer në katedrale, ose në një nga kishat e Kunavisë, çka kuptohet nga rrethana e emërimit, menjëherë pas largimit të ipeshkëvit të mëparshëm.
Koha e shërbimit të ipeshkëvit Pietër në dioqezën e Kunavisë, përkon me periudhën e luftimeve të ashpra të malësorëve të Kunavisë, kundër sulmeve të vazhdueshme te shizmatikëve serbë, që shkatërronin kishat e manastiret katolike dhe vrisnin klerikët, që kundërshtonin konvertimin në ortodoksë.
Nuk dihet data kur vdiq, por në një letër në arkivin e Propogandës Fide, shkruhet për ipeshkëvin Pietrus të Kunavisë, që e kishin vrarë serbët. Dihet se e varrosën në Peshk të Kunavisë, në vendin e quajtur Kodra e Kishës, ku ishte varreza e klerikëve të kesaj treve.
Pas imzot Pietro, në krye të dioqezës së Kunavisë, Papa Gjoni XXII me bulën e vitit 1334 emëroi ipeshkëv, murgun Thommaso, madje ishte emërimi i fundit i Papës, se më pas vdiq.
Imzot Thomaso ishte anglez, murg i urdhërit Karmelitan. Mësi-met e para i mori në manastiret gipsuniense në Angli, ku u formua dhe u shugrua murg dhe më pas ndoqi studimet universitare dhe u diplomua doktor në teologji në Universitetin e Oksfordit.
Aktivitetin si murg e filloj në qytetin e Norwich, si bashkëpuntor i Ipeshkëvit Gulielm Bateman, i cili e çmonte dhe e respektonte si orator i liturgjisë së shenjtë. Imzot Toma ishte shumë aktiv dhe i aftë, andaj ipeshkëvi Bateman e kishte aktivizuar në administrimin e dioqezës së Norwich dhe për keto merita, ia rekomandoi Papës Gjoni XXII, që ta kishte në konsideratë, për ta emëruar ipeshkëv në ndonjë nga dioqezat, ku ndihej nevoja për prelat me formim të lartë si e murgut Thomas. Këtë rekomandim Papa Gjoni XXII e vlerësoi e me bulën e vitit 1334 e emëroi Ipeshkëv të dioqezës së Kunavisë, ku shërbeu deri në vitin 1347.
Në biografinë e Imzot Toma thuhet se Papa, duke marrë në konsideratë formimin e tij si teolog dhe prelat i shquar, vendosi ta emëronte në dioqezën e Kunavisë, pasi ishte i aftë të përballonte si presionin e ortodoksëve dhe për të drejtuar kryengritjen kundër serbëve.
Si shkruan Imzot Toma, në atë kohë Kunavia ishte e përfshirë në turbullira të mëdha, me revoltat e malësorëve kundër dhe kundër kishës ortodokse serbe, që ushtronin presion të vazhdueshëm mbi kishën katolike dhe i persekutonin ata, që nuk konvertoheshin.
Sapo arrijti në Kunavia, Imzot Toma u integrua menjëherë në misionet e ngarkuara nga Papa dhe kjo ngjalli reagimin e kishës ortodokse dhe të serbëve, të cilët e sulmuan dhe e penguan në ushtrimin e detyrës së ipeshkëvit.
Imzot Toma kaloi momente të vështira, madje shpesh dhe me rreziqe për jetën, çka e detyruan të largohej disa herë nga Kunavia e të kthehej në Angli, ku shërbeu si coadiutor i dioqezës së Norwich. Gjatë viteve të shërbimit në Angli dhe në Kunavia, Imzot Thommas ka shkruar disa vepra, të cilat historiani Thomas Villiers, i ka gjetur në Bibliotekën Karmelitane, madje thekson se këto libra ishin dhe në bibliotekën e Katedrales të Shen Gjon Pagezorit në Kunavia.
Ndër veprat e imzot Toma, po rendis më të rëndësishmet:
– Lecturae Scripturarum,
– Quaestiones disputatae (është një koment teologjik i të njejtës vepër të Tomas d’Akuino).
– De passione Christi,
– Homilie 67 de tempore,
– Conciones per annum.
– Homiliae 80 de sanctis.
Disa nga këto libra i shkruajti gjate kohës kur ndodhej në Kunavi dhe janë riprodhuar në manastirin e Shen Trifonit, që ishte qendër e kualifikuar e dorëshkrimeve.
Rreth shtatë shekuj të shkuar, Kunavia kishte biblioteka, me libra që studioheshin si nga klerikët, ashtu dhe nga malësorët.
Imzot Toma rregullisht zhvillonte meshat në katedralen e Shen Gjon Pagezorit dhe në kishat e tjera të dioqezës së Kunavisë, si dhe merrte pjesë në ritet e liturgjisë së shenjtë, të cilat zhvilloheshin me kulturë të lartë teollogjike e me pjesmarrje të madhe të malësorëve. Imzot Toma e zhvillonte meshën në latinisht, por përkthehej nga priftërinj albanezë, që i përcillnin mësimet e ungjillit në gjuhën e popullit, madje ishte e detyrueshme, pasi vetem kesisoj mesazhi i ipeshkëvit arrinte te besimtarët, zgjidheshin dhe faleshin mëkatet, bëheshin pagëzimet etj.
Prania e klerikëve albanezë në kishat dhe manastiret tona, dësh-mohet me dokumenta të shekujve XIII – XIV, që ndodhen në arkivin e Vatikanit, të Propogandës Fide dhe në arkivin e Dubrovnikut (vitet 1252, 1308, 1382, 1405 etj), disa prej të cileve janë bërë publike nga studiuesi dr. Musa Ahmeti.
Vepra madhore “Illirici sacri” e D. Farlato dhe J. Koleti, si dhe “Hierarchia cattolica” e K. Eubel, trajtojnë me preçedencë krye-pieshkëvët dhe ipeshkëvet e dioqezave sufragane, por pothuajse nuk përmendin emëra priftërinjsh dhe murgjish, që kanë shërbyer në trevën e Kunavisë. Në të dy këto vepra dokumentohet se në sheku-llin XIV, dioqeza e Kunavisë kishte 23 kisha, ku shërbenin shumë priftërinj e murgjër, mes tyre plotë albanezë. Në Kunavi, aso kohe ishte dhe manastiri françeskan i Shen Kiares (Chiara) me murgesha albaneze, por ende nuk është identifikuar vendndodhja e tij, por në traditën popullore ruhet një shprehje “moj murgë” ashtu si dhe mbiemëri Murga, që e mbajnë ende disa familje në fshatin Peshk.
Në biografinë e Imzot Toma, theksohet se në vitet e aktivitetit ekleziazik në Kunavia, i kaloi me shumë peripeci, andaj i kërkoi ipeshkëvit të Norwich, që ta ndihmonte të kthehej ne atdhe. Ipesh-këvi Bateman ia referoi këtë situatë mbretit të Ingliterrës Eduardi III, i cili i dërgoi letër Papës Klemente VI, që ta rikthente ne vendin e tij Imzot Tomen. Me bulën e Papa Klementi VI, më 6 qershor 1347, imzot Toma u lirua nga detyra e ipeshkëvit të Kunavisë dhe u kthye në Ingliterra, ku u emërua ipeshkevi i dioqezës së Landavia (Landaff), që ishte nën autoritetin e Kryeipeshkëvit të Canterbury.
Imzot Toma vdiq më 10 tetor 1362 në Bishona dhe u varros në kapellën Shen Maria Virgjeresha.
Emëri i Imzot Thommaso përmendet shpesh nga historianët karmelitanë anglezë, të cilët vlerësojnë kontributin e tij si ipeshkëv i dioqezës së Kunavisë në Albania dhe në Landavia të Ingliterrës, si rezulton në shkrimet e historianëve Possevino dhe Fabritius, në veprën “De scriptoribus mediae et infimae latinitatis”.
Me largimin e imzot Tomës, vendi i ipeshkëvit të Kunavisë, për shumë vite mbeti vakant, deri sa në fund të shekullit XIV e fillimin e shekullit XV, drejtimin e dioqezës e morën françeskanët.
Në vitin 1372, ipeshkëv të Kunavise emeruan Imzot Francesco di Genova O.F.M, murg françeskan i urdherit te minoreve.
Papa Gregori XI, me bulën e 20 dhjetorit 1372, e shpalli ipeshkëv të Kunavisë, ku qëndroi deri në vitin 1398, pra ka shërbyer 25 vjet në dioqezën tonë.
Urdhëri françeskan ishte i pranishëm në Albania, që në zanafillën e themelimit, si dëshmohet në bulën e vitit 1236 të Papës Gregori IX ku thekson: “Disa pjestarë të urdhërit françeskan, kanë shkuar me deshirën e tyre në Albania” (D Farlato, J.Koleti:” Illirici Sacri” 1817, VII, f. 35).
Në shekullin XIII, Kunavia së paku kishte dy manastire françes-kane: i Shen Martinit dhe i Shen Kiares, ku shërbenin murgj dhe murgesha albaneze.
Në shekujt e XIII – XIV, në urdhërin françeskan militonin shumë murgj albanezë, ndër të cilët u shquan fra Nikolla nga Vela e Lezhës, dy murgj me emër Françesk nga Shkodra, fra Mikeli dhe fra Andrea nga Durrësi, fra Tomasi nga Durresi dhe Fra Domenicus Albanensis (Deda Shqiptari) nga Kunavia, i cili shquhej per zotësí dhe dije, madje Selia e Shenjtë e kishte ngarkuar ndërmjetës, në bisedimet me princat albanezë, për t’i bindur të riktheheshin në katolikë. Murgjërit françeskanë ishin në vijën e parë për mbrojtjen e katolicizmit nga presioni dhe violenca e ortodoksëve serbë.
Historia e krishtërimit njeh dy martira albanezë fra Mikeli dhe fra Andrea nga Durrësi, të cilët Papa Urbano VI, i ka shpallur të Lumturuem në vitin 1379.
Në shekullin XIV, populli i trevës së Kunavisë, perjetoi një eveni-ment fetar dhe historik të veçantë, ndryshimin e emërit të dy maleve, të cilet nga kjo kohë u quajtën Mali i Madh i Shen Antonio (Snoji i Madh) dhe Mali i Vogël i Shen Antonio (Snoji i Vogël).
Ky ndryshim emerash u bë në kohën kur ipeshkëv ishte Imzot Françesku nga Gjenova, i cili e drejtoi dioqezën në periudhën kur dominonte miti i Shen Antonio. Populli ynë i njihte mrekullitë e Shen Antonios, i njihte meritat si taumatolog (sherues), malësorët praktikonin ritin me lutjet 13 ditore te devotshmërisë dhe mëshirës (13 ditët e Shen Nojit) dhe në veçanti lutjet e pendimit, për t’u çli-ruar nga mëkatet. Të gjitha këto rituale praktikohen në ditët e sotme në Santuarin e Shen Antonio në Laç, më saktë në Laç Sebasta.
Imzot Françesko nga Gjenova vdiq në vitin 1398 dhe u varros në Kunavi. Në vendin e tij emëruan tjetër françeskan, imzot Beninjo OFM. Kjo vazhdimësi e ipeshkëve françeskanë, dëshmon për zgjeri-min dhe rritjen e misioneve apostolike, të këtij urdhëri në dioqezën e Kunavisë.
Imzot Benigno (Beninjo) O.F.M., ishte murg françeskan, me origjine nga Gjenova. U emërua ipeshkëv i Kunavisë në vitin 1399, nga Papa Bonifacio IX, si rezulton nga diploma e ruajtur në vëllimin e VIII të “Monumente ekleziazike Veneciane”, në faqen 157.
Murgu Beninjo, deri në vitin 1399 kishte shërbyer në famullinë e Kastello të Venecias, si shkruan historiani Wadding e po atë vit e transferuan ne dioqezën e Kunavisë, ku qëndroi deri ne vitin 1409. Për aktivitetin e tij si Ipeshkëv i Kunavisë kemi shumë pak të dhëna, më tepër informohemi nga disa letra, që përshkruajnë impenjimin e tij në disa misione apostolike gjatë udhëtimeve në Venecia.
Në vëllimin VII të “Illirici sacri”, At D. Farlato dhe J. Koleti, tregojnë se në atë kohë, shumë ipeshkëv të Dalmacisë dhe të Albanisë, për arsye të ndryshme, një pjesë kohe e kalonin në Venecia. Në rastin e ipeshkëvit tonë, kuptohet se, para fillimit të dimrit, kur treva malore e Kunavisë bllokohej nga bora, imzot Beninjo kthehej në Itali, ku vazhdonte të kryente shërbimet e liturgjisë së shenjtë në kisha të ndryshme, por gjithmonë me cilësinë dhe me funksionet e ipeshkëvit të Kunavisë.
Në një nga udhëtimet në Venecia në shkurt të vitit 1406, Imzot Beninjo, shërbeu meshën në kishën e Shen Krisostomo, ku për 40 ditë, i çliroi mëkatarët kanonikë, duke i ndihmuar me akte devocioni e pendimi, si rezulton në një letër të kësaj kohe, që i dërgohej për njoftim famullive të dioqezës, ku shkruhet: “Imzot Beninjo, ipeshkëvi i Kunavisë, fal Zotit dhe Selisë Apostolike, u lut për shpëtimin e shpirtit të besimtareve të dioqezës sonë dhe për ju, që do të merrni kete leter. Imzot Beninjo, duke predikuar para besimtarëve tha: Ne, si zyrë baritore, duhet të preokupohemi për të shpëtuar shpirtrat e besimtarëve dhe kjo bëhet duke u lutur të Madhit Zot mëshirplotë, t’iu dhuroi mirësi, për të gjithë ata që vuajnë ….. ”
E prezantova këtë fragment letre, për të treguar se këtë predikim në meshën e zhvilluar në kishën e Shen Kristosomit të Venecias, imzot Beninjo, ua shprehte dhe malësorëve të Kunavisë, kësisoj nga pulti i katedrales të Shen Gjon Pagëzorit dhe në 23 kishat e dioqe-zës, predikonte ungjillin dhe lutej për shpëtimin e shpirtit të malësorëve nga mëkatet.
Në letër tregohet se në meshë, Imzot Beninjo i përgëzoi prioret, murgjërit kryemurgeshat dhe murgeshat e Urdhërit Pendues të Shen Domenikut, të cilët kishin pranuar në rradhët e tyre virgjëre-shën Katerina e Sienës, e para vajzë e virgjër në këtë urdhër, pasi si rregull në urdhërin e të penduarve pranoheshin vetëm gra të veja e në moshë të pjekur. Ajo u bë e fameshme me shërbimet të sëmureve lebrozë dhe në veçanti me udhëtimin në Avinjon, duke e detyruar Papën të kthehet në Romë, kësisoj ndikoi në rivendosjen e autorite-tit të Vatikanit, pra bëri atë, që nuk e bëri këshilli i kardinalëve.
Katerina Beninkaza e Sienes, vdiq në 1380 e u shpall shenjetore
në 29 qershor 1461, nga papa Piu II.
Duke vlerësuar veprën e Shen Katerinës të Sienës, gjatë meshës Imzot Beninjo tregonte se u kishte folur dhe malësorëve të Kunavisë e në veçanti grave e vajzave, të cilave u transmetonte devotshmë-rinë, përkushtimin mëshirëmadh dhe mirësinë ndaj personave që vuanin, ndaj të sëmurëve dhe të varfërve.
Në letër theksohet se gjatë meshës Imzot Beninjo, kërkoi bashkëpunim të urdhërit Domenikan me urdhërin Françeskan: “… Ështe koha të rritet e të zgjerohet kulti i krishtërimit dhe i veprave hyjnore, gjithmonë duke ndjekur mësimet e të Madhit Zot, të transmetuara nëpërmjet bijëve të Shen Françeskut dhe të Shen Domenikut, që këshillojnë dashuri vellazërore, dhembshuri, bamirësi, mëshirë. Detyra e jonë është, që këto virtyte t’i kultivojmë e t’i ruajmë në përjetësi. Si ipeshkëv françeskan dëshiroj t’ i uroj Urdhërit të Shen Domenikut, të rritet e të forcohet me shumë, me besim në mëshirën e madhe të Plotfuqishmit dhe në mesimet e Shen Pjetrit dhe Shen Palit dhe lutem për të gjithë të penduarit, që kanë ndjekur rrugën e Zotit, duke u bërë pjesetarë të Urdhërit të Shen Domenikut”.
Në fund të letrës është shënimi: “… E divulguam këtë letër, për të dëshmuar çfarë tha në meshë Imzot Beninji. Specifikojmë se letra mbyllet me vulën e Ipeshkëvit të Kunavisë.
Shkruar në Venecia, në banesën tonë të Shen Gjon Gojarti, në vitin 1406, më 22 shkurt të vitit të dytë të pontifikatit të Atit të Shenjtë Inoçenci VII, në Krishtin – Zotin tonë”.
Zhvillimi i meshave nga Imzot Beninjo i Kunavisë, në kishën e Shen Giovanni Crisostomo (Shen Gjon Gojartit) dhe në kisha të tjera në Itali, kishte tërhequr vemendjen e kronikanëve dhe historianëve të kohës, si të Flaminio Cornelio, i cili në shënimet, në diplomën e At Bernardo de Rossi, në “Monumenta della Congregazione del Beato Jacopo Salomone”, në kapitullin 2, shkruan: “Kështu të bëhemi si dioqeza e famëshme e Kunavisë, ku ishte ipeshkëv Imzot Beninjo” (Diploma ruhet në vellimin VII të: Monumenta Ecclesiae Venetae, Sanctis Moysis. Nicolla Coletti, 203, p. 157)
Eshte Hera e parë qe ndershem me nje Studim të tille, me siguri qe mbas nje studimi të mire do të nxirret shume konkluzion qe I sherbejne Shqiptareve të sakte
Prof dr Lutfi Alia nje njeri shume i ditur e atdhetar.
Urime mik.
Urime per ket punim. Por duhet te cilesoj se fiset ilire te parthineve dhe kandaveve ishin te ndryshem dhe j sic paraqiten aty te njejte. Po keshtu Martaneshi nuk ka qene kurre pjese e Kandavise 9 Kunavise) .
Dardan, je i sigurte per kete opinion, pasi bie ne kundershtim me historianet e antikitetit dhe te mesjetes, ne se keni dokumenta per kete qe deklaroni ju lutem botojini te njihemi. Do te deshiroja t’iu njoh me emer e mbiemer jo me pseudonim, shkenctaaret nuk jane klandestine.