Pas dyshimeve se viktimat e konfliktit të armatosur në Kumanovë, mund të jenë vrarë pasi janë dorëzuar në polici, familjarët e tyre pritet ta çojnë çështjen drejt organeve të larta hetimore.
Familjarët e nëntë kosovarëve të vrarë në Kumanovë mund ta padisin Maqedoninë për keqtrajtim të trupave të pajetë. Sapo të varrosin trupat e viktimave, ata do të bëjnë padinë në Shkup. Për këtë çështje, mësohet se familjarët e të vrarëve janë konsultuar me Ministrinë e Jashtme dhe atë të Drejtësisë në Prishtinë, të cilat u kanë premtuar ndihmë këshilluese për padinë.
Ende nuk janë publikuar rezultatet e autopsisë së kryer në fundjavë, në Prishtinë. Drejtori i Departamentit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, tha se nuk i lejohet të flasë për gjendjen e kufomave, por faktin se në ç’gjendje janë dorëzuar trupat, atë e kanë parë edhe vetë të afërmit.
“Aspekti etiko-profesional nuk më lejon të flas për këtë çështje, por kemi qenë transparent për familjarët dhe ata kanë pasur mundësi, që vetvetiu të shohin çdo ndryshim në trupin e familjarëve të tyre të afërt”, tha Arsim Gërxhaliu, drejtor i Mjekësisë Ligjore, Kosovë.
Autoritetet në Kosovë tashmë i kanë përfunduar autopsitë dhe janë në pritje të rezultateve nga pala maqedonase për të bërë krahasimet.
“Është filmuar çdo gjë dhe do të jepen në raport në formë të shkruar. Gjërat që ne kemi gjetur në trupat e viktimave do t’i shenjëzojmë, duke i hedhur më pas në raportin e shkruar”, tha më tej Arsim Gërxhaliu.
Tetë kosovarët e vrarë, që ndodhen në Mjekësinë Ligjore në Prishtinë, do t’u dorëzohen mëngjesin e së martës familjeve të tyre, për të bërë më pas përgatitjet në kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në Prishtinë, ku do të prehen kosovarët e vrarë në Kumanovë, më 9 dhe 10 maj.
Komentet