“Nuk mund të dimë cilët jemi pa ditur cilët kemi qenë”. Këtë pohim studiuesja dhe përkthyesja Donika Omari e bën në librin e saj « Kulturë e ndërprere”, ku përmblidhen, kujtime, shkrime publicistike dhe shkrime letrare. (Botim i vitit 2009 (Shtepia Botuese Elena Gjika).
Qëllimi i këtij refleksioni nuk u ndez aq për të analizuar materialin që përfshin ky libër, sesa për të kuptuar njeriun që e jetësoi atë. Ishte si një ngasje e kahershme për të zbritur në shpirtin e Donika Omarit dhe për të kuptuar brengën e saj. Përtej kënaqësisë kulturore estetike që gjeneron, libri të jep mundësinë të njohësh figurën e autores, në shumë aspekte. Sapo nis të shfletosh faqet e para, të krijohet ndjesia që Donika Omari është ulur pranë teje dhe po tregon. Me një fraze të thjeshtë, plot mendim, shoqëruar nga një dhimbje, që mbase për ty është e panjohur dhe pse, jo dhe e pavend. Dikush tjetër mund të pushtohet edhe prej habisë. Të dimë se cilët kemi qenë ? Po kujt i hyn në punë kjo ? Ne jemi këta që jemi…Ka studime në botë që thonë se kemi qenë të parët, më të mirët, më trimat, kemi mbrojtur qytetërimin, kemi heronjtë tanë të lavdishëm…kemi e çnuk kemi, vlera pa fund që na i kanë zili dhe sot e kësaj dite. Fjalët kanë fuqi, por derisa mbërrijnë te pragu i provave. Këtë e di dhe autorja dhe nxjerr nga “sënduku i dëshmive” rrëfenja që na shpien në vitet e para pas Pavarësisë. Pastaj thërret në ndihmë autorë shqiptarë të Rilindjes, përpiqet të “nxjerrë floririn” nga shënimet e udhëtareve të huaj, që i hidhte këtyre anëve ose detyra ose kureshtja për të vizituar vise të panjohura…
Donika Omari i merr gjërat me radhë, derisa mbërrin në kohën e pasluftës së dytë botërore, ku ndër shqiptarë zë vend një sjellje e programuar në sfondin social. Shfaqet njeriu i ri, që përshtatjen e ka elementin bazë të mbijetesës. Në këtë realitet te ri, nuk ka vend për të shkuarën. Kultura borgjeze shpallet armik, asgjësohet. Një tjetër kulturë duhet të mbillet, por toka duhet pastruar. Për këtë shkak emrat e një aradhe krijuesish vetëm rreshtoheshin, ose injoroheshin në tekstet e letërsisë. Duke i përmendur , Donika Omari është e ndërgjegjshme për vendin qe ata zënë në kulturën shqiptare dhe në përgjithësi në historinë e Shqipërisë, dhe që ata meritojnë studime të mirëfillta. Por ajo i sjell në libër si dëshmi se kultura e një populli nuk mund të kultivohet me kapërcime dhe kamuflime, sipas orekseve politike të njërit apo të tjetrit. Lexuesi kupton se bisqet e brengës kane shumë kohë që kanë hedhur rrënjë tek ajo. Prandaj nuk është e rastit që Donika Omari ngulmon se shqiptarët duhet të mos i kthejnë krahët së kaluarës, nëse duhet të njohin vetveten. Autorja nuk e braktis bindjen e saj se “një komb nuk ka nevojë vetëm për një pjesë të anëtarëve të vet, por për të gjithë”. Këta “të gjithë” kanë nevojë të njohin arritjet e djeshme, personalitetet qe i realizuan dhe kjo jo vetëm si qasje kulturore artistike, por si vështrim në të gjitha fushat e jetes. Fatkeqësisht kjo nuk ndodh dhe brenga e Donika Omarit shton shtjellat e saj. Aq më shumë kur koha përvijoi një realitet njerëzish që arsimin dhe kulturën e panë si mall që mund të blihej dhe shitej. Gjithsesi, duket sikur përmes shtjellave regëtin një dritë shprese se gjërat mund të ndryshojnë. Ajo këtë e bën duke na sjellë figura të ndritura të historisë, letërsisë dhe të kulturës sonë në përgjithësi. Ata që i dhanë zë shqipes për më shumë se 100 vjet. Donika Omari i ysht shqiptarët të shohin përpjekjet e paraardhësve të tyre, që rrezikuan deri dhe jetën, për t’i dhënë formë këtij vendi dhe për ta mbrojtur atë. Ajo kërkon të qartësojë të vërtetën midis pushkës dhe fjalës. E para vlen, por e dyta vendos.
Për intelektualen Omari, kultura është Maja e Olimpit. Dhe këtu nuk e ka fjalën vetëm për auditorët e shkollave, për referatet kumbuese, për kapakët e ndritshme të librave. Koncepti i saj për kulturën është gjithëpërfshirës. Në raportet midis familjarëve, midis mësuesit dhe nxënësit, midis fqinjëve, midis shitësit dhe blerësit, midis faturinos dhe udhëtarit, midis nëpunësit dhe qytetarit, midis shtetarit dhe shtetasit. Në ato qëndrimet që shpesh na duken të papërfillshme, në ballafaqim me hallet e përditshmërisë….Duket si tepri, por është fakt. Një fëmijë në autobus, që le gjurmën e baltës së këpucëve mbi ulëse, një grua pranë tij që kundron peizazhin përtej dritares, nuk është një kuadër idilik për Donika Omarin. Është një brengë plus. I flet fëmijës, nuk ia kursen qortimin e matur së ëmës, si gjithmonë me synimin t’i trokasë ndërgjegjes…merr aprovimin e disave dhe habinë e pjesës tjetër, zbret në stacionin tjetër, pa asnjë mëdyshje se ka bërë gjënë e duhur. Ashtu siç do të donte ta shihte te çdo qytetar tjetër i këtij vendi. Nuk është ballafaqim force. Është thjesht çështje kulture. Heshtja do ta bënte të ndihej fajtore.
Për Donika Omarin, mungesa e kulturës shkon krahas me mungesën e ndjeshmërisë. Këtu intelektualja Omari i referohet sjelljes absurde të aplikuar dikur në shoqërinë shqiptare, sipas së cilës, qëndrimet politike mbizotëronin mbi vlerat njohëse, filozofike, shkencore, morale, patriotike, letrare-artistike. Një qasje të tillë, disi të kamufluar, e shohim dhe sot në ballafaqimin dhe veprimet tona ndaj individëve të caktuar. Mungesa e tolerancës ndaj kundërshtarit politik, trajtimi i tij si armik që duhet asgjësuar, janë një provë e gjallë e kësaj mangësie. Ndaj dhe autorja i ve kaq shumë rëndësi formimit kulturor të njeriut. Por që ky proces të jetë i plotë, ajo i kthen sytë te qeliza e shoqërisë, familja. Pikërisht te vatra ku fëmija merr njohuritë e para per komunikimin, për mirëkuptimin, për respektin dhe nderimin. Ne nuk na mungojnë ndodhitë e hershme, që kanë ardhur gojë pas goje, që tregojnë për cilësi të spikatura të individëve që edhe pse nuk e kanë pasur fatin të rriten mes librash, kanë dëshmuar se janë rritur dhe edukuar nga gjyshër dhe prindër që e kapërcenin boshllëkun kulturor, me fjalën e urtë dhe të mençur të të parëve të tyre. Po sot? Krahasimi midis mundësive dhe interesimit e nxjerr opsionin e dytë, në nivele të papërfillshme. Mungon vullneti për t’i alternuar këta dy elemente. Ja përse brengoset Donika Omari. Ngjan me një përpjekje titanike përfshirja në librin e saj, të shumë emrave të shquar, jo vetëm në letërsi. Duket sikur rreket të përvijojë te bashkëkombësit e saj ndjenjën e krenarisë, jo si mburrje, por si realitet. I fton shqiptarët të njohin veten, duke njohur vlerat e së shkuarës. U kujton atyre përpjekjet që kanë bërë protagonistet e historisë sonë, për gjuhën dhe letërsinë, si truall ku zhvillohet kultura me të cilën identifikohet një komb. Donika përpiqet të sjellë në vëmendje të të gjithëve talentin e kolegëve të saj, përkthyes të kryeveprave botërore, që u dhanë mundësi shqiptarëve të hapin dritare të reja mbi realitetet e panjohura për ta deri atëherë. Ajo kërkon përmes kësaj të trokasë në ndërgjegjen e secilit. Dhe këtu ngre kokë një tjetër brengë e studiueses. Gjuha shqipe. Ajo ngre zërin. Kundërshton amullinë, indiferencën, paaftësinë. Shqetësimi i saj për gjuhen shpaloset edhe kur flet për cilësinë e përkthimit, por autorja e shtron më hollësisht shqetësimin e saj në shkrimin “Për gjuhën e njehsuar dhe dialektin”. Është e kuptueshme. Gjuha dhe kultura nuk mund të shihen të ndara. Prandaj në libër ato ecin krahas njëra- tjetrës. Cënimi i njerës, ciflos dhe tjetrën. E ndërgjegjshme për këtë, Donika Omari nuk lodhet t’u dalë në mbrojtje të dyjave, duke u thelluar te burimi i së keqes. Jo rastësisht nën titullin “Mjerimi i kulturës” , ajo e ve theksin te: “Mjerimi i kritikës”, te “Mjerimi i informacionit” dhe te “Mjerimi i arsimit”. Ne këtë përballje ajo ka marre si armë të saj fituese shembuj pa fund që demaskojnë rrënimin e tri fushave, objekt i shkrimeve te saj. Por mos mendoni se ndihet fitimtare. Është një brengë plus në ndërgjegjen e kësaj intelektualeje elegante, jo vetëm në dukje. Ajo është e tillë edhe në marrëdhënie me të tjerët. E qetë, e mençur, argumentuese; fjala e saj ka peshë. Ajo nuk kërkon të lëvdohet për sa ka bërë. Dëshiron vetëm të dëgjohet. Synimi i saj në këtë libër është jo vetëm të tregojë brengën e saj, por ta bëjë atë pjesë të shoqërisë shqiptare. Sepse kultivon një ëndërr të ndritshme. Një Shqipëri që t’i flasë kulturës dhe që jehona e saj t’i kthehet shqiptarëve me meritë.
Raimonda Belli Gjençaj
1 mars 2022
Komentet