Vjeshtë, 2024
1. Astropolitikë
Ndërsa tjerrja fijëfillin e shkrimit, gjurmoja, shënoja përanësh dhe kaloja nëpër ide që prisnin.
Por, krejt lehtësisht, doli në pah fitueshëm një varg poetik.
E si mund t’i prijë epokës së re të fuqive në botë, arti i vargnimit të bukur?
Por ishte pikërisht i tillë. Paralajmëtar që nga thellësia e largësisë.
Është vargu i Ali Podrimjes: “ku je nisur admiral, s’ka më dete të papushtuar”!
Tani gjeopolitika e yllit tokë, po vdes. Sepse, a nuk tha poeti se s’ka më dete të papushtuar?
Ndaj dhe fuqitë e mëdha, Amerikë, Kinë e, poaq, Rusi, zhvendosin ngadalë betejat në gjithësi. Dhe gjeopolitika ripërmasohet në të magjishmën astropolotikë. Një kompeticion i ri për gjetje e ngulime yjësh ku, edhe atje, do të ketë jetë, minerale, ujë e pasuri përrallore…
Gjeopolitistët e njohur nga dy shekujt e ikur, Admirali Alfred Thayer Mahan dhe Halford Mackinder, nënvizonin teorinë se për të qenë i parë në influencën ndërkombëtare, duhet të zotërosh detra, lumej, gryka e male…
Me gjasë, po ky parim është përkitshëm i njëjtë me caksundimin e yllnajës rreth botës….
Kështu, së paku, arsyeton Tim Marshall, një publicist i shquar brit.
E Kosova vuan ende dhimbjen e vet të vjetër.
Një rrip i ngushtë Dhéu emërlashtë, për paradoks, mbahet peng nga trualli i vet. Dy-tri vendbanime serbësh që kurrë më parë ndër vite nuk ishin të banuar prej tyre, bëjnë viktimën.
E, tutje, alarmojnë Europën. Ndërkaq ajo, e lodhur në udhëkryq, ndjek me ofshâmë vuajtjen shtihane të tyre.
2. Doktrinë
Mora në dorë këto ditë Lao Tzenë. Në fakt e rishfletoja për të satën herë. Sepse kështu, si librat e zbritur Qiellit, lexoj autorët e mëdhenj.
Dhe, do të ndaloja tek nënvizimi im i hershëm: pushtuesi më i madh, luftës i shmanget ngaherë.
E, fill më poshtë, gurçmuari tjetër: Fjalët e vërteta bukur s’tingëlllojnë dhe fjalët që tingëllojnë bukur të vërteta s’janë…
I mrekulluar do të thoshja në heshtje: sa vështirë t’i afrohesh këtij Lisi të madh të mëndjes njerëzore!
Ndaj mbetesha larg. Kurreshtar i djegur. I varfër. Jashtë rrezes së një mëshire të Naltësisë.
Por, sërish, në të parë, a s’duket pak e huqur? Ndaj dhe vogëlsisht pyesja: si ndodh që një pushtues të ketë namin e tillë dhe t’mos ketë bërë asnjë mësymje legjendare?
Apo, mbase, janë Aftësia rrënimtare dhe, njëkohësisht, Refuzimi fisnik i saj që shpjegojnë nyjëtimin e pandehmës së filozofit të shquar larglindor.
E pra, pushtuesi i mundshëm posedon fuqinë e luftës, por kundërshton përdorimin e saj për pushtime pragjesh, fatesh e gëzimesh të huaja.
Ajo mbahet, kështu, e rezervuar vetëm për Atdheun. Agimet a muzgjet e tij të kuqëlimta!
Por historia njerëzore kumton deshpërim sa herë kronistët hapin fletët e saj. Ndër mijëra vjetët e kësaj bote, vetëm rreth dy a treqind të tyre, njeriu do të jetojë paqen e denjë të lumnisë.
Sa pushtues rendnin të ndërkryer, ashtu si sot, të afërt e të largët, territoreve e atdheve të huaj?
Sepse, mjerisht, Rendet botërorë mbështeten në Fuqinë e jo në të drejtën e Lao Tzesë. Tri herë jemi zgjëruar nga favoret e aleatëve, pohonte me lavd “politikani folklorik e shkrimtari mediokër” serb
(portret i shtypit gjerman), Vuk Drashkoviq. Madje, pikërisht për këtë, Zhorzh Klemanso e quante Serbinë e luftës së parë botërore, një ngordhësirë të aleatëve.
Por, për çudi, viktima e përsëritur luftëhumbëse, vijon teatrin ku lot prapë rolin kryesor të ngordhësirës duke keqermuar rretherrotull saj…
Dramaturgu i pambërritshëm Shekspir, thoshte se rastis të fillosh me rol të parë, pastaj të vijosh me të dytin dhe, së mbrami, të përfundosh në pëshpëritës. Mirëpo, Serbia ishte përherë e tillë: vetëm një pëshpëritëse në skenë të madhe që përçonte ngordhërisht rrëzomën e saj të shpifur…
Ndaj, nuk di një komb (i ndërtuar, si ky, mbi fenë) që ka ngritur në nivel kulti apo doktrine shtetërore, mjeshtërinë e Pëshpërimës. E pra, të Gënjeshtrës së përsëritur pafundësisht, deri në transformimin e saj, kur si reflekset mashtruese të dritës nordike, nis t’i ngjasojë rrejshëm të vërtetës…
3. Orëndalje
Ç’ëndrra kanë e ç’plane thur njeriu në rende regjimesh, kur e drejta e shtetit rrëzon prorë të drejtën e qytetarit?
Më frymëzoi për paralelen Benjamin Balint, një autor hebre nga Jerusalemi tek (për festën Simchat Tora) shkruan: lufta tashmë na mësoi se, teksa orët vijojnë të tikojnë, koha pushon së rrjedhuri natyrshmërisë së saj.
Mirëpo s’është lufta e vetmja planprishëse e kohës që nuk vjen.
Tiranitë e krimokracisë promovojnë një kulturë ende më të përsosur të së Keqes. Vjedhnajë, shtypje, mashtrim elektoral, burgje politike, varfëri dhe panjëjtësi shansi jetik, a nuk janë armaturë që ngrejnë murin e pamundësisë?
Një mur që, poashtu pjesë e përbetimit, mban hapur një vrimë shpëtimi. Është porta e ikjes!
Pa mundur të lidhë fijet e një ëndrre për të ardhmën, madje as të mendojë atë, njeriu bën çfarë i ka mbetur e fundme: braktisjen e atdheut, të shndërruar tash sa mote në fatkeqësi!
Madje, për njeriun e vogël edhe muri, kalimi i tij, është i paqasshëm. Ditës së nesërme, si do thoshte Agolli, mund t’i lë takim vetëm në varrezë.
Vërtet jetojmë epokën e globalizmit, por cinike gjithnjë, s’merr përgjigje pyetja: bashkëjeton në këtë epokë dhe Zvicra, Luksemburgu ose këtej më poshtë, Sllovenia?
E pra, janë regjimet, ashtu si formati tipik i Ramës në Tiranë, që jetimërojnë shpresën e njeriut dhe vyshkin si lulen thatësira, ëndrrën e tij…
Dhe koha, ndryshe nga ndjenja e Benjaminit që i bëhej t’mos rridhte natyrshëm, ka ndaluar fare. Është ngrirë në një formë pa prekje, pa ngjyrë e pa lëvizje dhe as orë që tikon…
4. Drejtpeshim
Bota, natyrisht, përplaset në trekëndëshin mes forcës e interesit. Dhe unë, anise nuk jam proletar marksist që të mallkoj këtë ligj historie, ndonjëherë klith më vete për vulën e të Padrejtës.
Por, do t’më ndodhte të provoja, një çast, të ëmblën e ligështisë. Një rënje të pabesueshme që më ndrynte pastaj në kodin e pendesës.
Tek Montefiore, libri i tij “Jerusalemi, një biografi” gjeta një të vërtetë që, i krusmuar vitesh, fluturoja pëmbi retë e mashtrimit e poshtërisë.
Një kapitull i librit i kushtohej pushtimit dhjetëvjeçar të Jerusalemit nga Mehmet Ali Pasha, shqiptari që sfidonte madhërisht Portën sulltanore. Dhe titulli ishte diellësisht i qartë: “Pushtimi shqiptar i Jerusalemit” (“Albanische Eroberung”). Aspak i një qyteti të rëndomtë. Periferik. E të humbur diku yrtesh të shkretë. Por i qytetit më mistik e më të amshuar të botës.
Isha sfilitur së dëgjuari një jetë: invadime, plojë, dëbime, masakra, tokë e djegur, fëmijë të therur…e të gjitha nga shpatë armiku mbi shqiptarë.
Dhe tani një galdim i smerladtë më kapullonte krejt. Ja pra, edhe ne, shpatarë të rrallë, paskëshim marrë në dorëzim kështjella e rrëmbyer kalorsisht gra të gjindjes së huaj…
Por do të ndihesha keq, më pas, për prapësitë e të birit të Pashait shqiptar, Ibrahimit ose leshkuqit, si i thoshin, meqë bjond ishte nga viset e Arbërit.
Por, sërish, disi fshehur, njëlloj krenie për drejtpeshimin e munguar që sëmbonte, e ndiej akoma sot…
r.