“Filloi të ndërtohet në vitin 1822 me iniciativën e Haxhi Et’hem Beut i ndihmuar edhe nga qytetarët e Tiranës dhe përfundoi tetë vjet me vonë, në vitin 1830. Ndërtimtarët tiranas dhe gollobordas, përdorën gurin të sjellë nga Piska (fshat afër Tiranës). Shkallët e gurta, pastaj u zëvendësuar me shkallë të metalta. Nga brenda Kulla është e veshur me gur zalli sjellë nga lumi Erzen. Në lartësi të ndryshme Kulla është e pajisur me frëngji të vogla, me funksion mbrojtës, të ndriçimit dhe ajrosjes. Fillimisht, lartësia e Kullë ishte tridhet e pesë metra. Gjatë ndërtimit, nga tregtarët venedikas u inauguruar Sahati, i cili ishte pa fushë me akrepa, por përbëhej nga një kambanë prej tunxhi i gërshetuar me material të çmuar si dhe nga një mekanizëm kurdisjeje dhe goditje, rëniet e të cilit, me një tingull të fuqishëm që dëgjohej në gjithë zonën, tregonin orën. Montimin e orës e bënë specialistët e familjes Tufina, të udhëhequr nga Islami. Gjatë Luftës se Parë Botërore, tingujt matës të kohës nuk u dëgjuan për shumë kohë, pasi që kambana dhe mekanizmat e saj u grabitën. Më 1928, Bashkia e Tiranës bleu në Gjermani, një sahat modern me volum të madh mekanizmash dhe me katër fusha pamjesh të orës me akrepa, ndryshe nga ora e parë. Edhe gjatë Luftës Dytë Botërore ora u godit dhe u dëmtua. Në muajin korrik të vitit 1946, pasi që një pjesë e mekanizmave të saj u zëvendësuan me ato që u morën nga Sahati i Kishës së Madhe të Shkodrës, Kulla e Sahatit në Tiranë, u ngrit edhe për pesë metra. Me pas u shpallë Monument Kulture dhe, me një vendim të posaçëm të Bashkisë, është bërë Qendër shumë e vizituar”.
*
Kur pyet për toponimin Zogu i Zi, shumë njerëz rrudhin krahët e shumë të tjerë shprehen me nënqeshje. Banorët e Tiranës se hershme, japin variante të ndryshme të toponimit Zogu i Zi. Disa tregues e lidhin me kohët e reja, por duket se nuk është krejt ashtu.
Në një revistë të vitit 1942, flitet për një çezme, që kishte të gdhendur një zog. Pikërisht te kjo çezmë duket se del dhe toponimi i Zogut të Zi. Çezmën e mbajnë mend edhe banorët e sotëm. Ka qenë një krua, i ndërtuar me gurë. Në një gur ishte gdhendur një zog, mbi një gur të zi. Ky është fakt. Në ketë krua vinin e mbushnin ujë shumë familje që banonin rreth e për çark. Edhe një krua tjetër ishe nga ana e Fushës së Aviacionit të sotëm, që i thoshin Kroi i Shnjinit. Sipas disa banorëve, nga zogu që ishte gdhendur në gur të zi, i mbeti Zogu i Zi.
Ka edhe një tregim tjetër më popullor. Një banor i hershëm ka dhënë këtë dëshmi: “Aty ku sot i thonë Zogu i Zi, ka qenë në çezmë. Ishte e ndërtuar me gur dhe mbushnin ujë shumë familje. Kroi kishte një histori të vjetër. Aty kish ndërrua jetë një djalë i ri. E varrosën aty. Thonë se ishte nga një fshat i Tiranës, si duket nga Ahmetaqi. Një vit rresht nana e vet vinte nga larg e qante mbi vorrin e tij, që thonë se pas një viti vdiq edhe ajo. Pasi ajo s’ishte ma, vinte e ulej mbi atë vorr një zog i zi. Edhe deri vonë asht knue një kangë: “Ku po knonte zogu i zi?/ N’shpinë të vorrit djalit ri”.
Nga ky fshat erdhën njerëz dhe ndërtuan një çezme me gurë të zi, ku gdhendën përsipër një zog. Kështu këtij vendi i thanë Zogu i Zi, prej këtij zogu që gdhendën mbi çezme”. Në kulturën popullore zogu i zi është konsideruar dhe si pasqyrim i shpirtit, i dhimbjes, i lotëve, i vështirësive, etj.
Në kohët e vona, toponimi “Zogu i Zi” filloi të lidhet me një klub prostitucioni, që u ngjan moteleve të sotme, por qëndroi për pak kohë (deri në 1944). Në ketë tregim thuhet: “Tirana ishte e vogël. Shtëpitë shkonin deri ku janë sot ambasadat. Prej aty, ku sot kalon Rruga e Durrësit, fillonte një përrua i vogël që derdhej në Lanë. Në breg të këtij përroi ishte një klub. Kati i parë shërbente edhe për kafe, edhe për ushqim. Kati i dytë kishte anekse për të ba qejf. Bash për ketë arsye filluan t’i thonë Zogu i Zi. Në ketë klub, kishte edhe shqiptarë, por ma shumë italianët që punonin në Tiranë…”.
*
Jo, pra, në këtë shënim riprodhues, nuk është fjala për Zogun e Zi të politikës që, për një kohë aq të gjatë, mbarë opinionit publik shqiptar, ia ka qarë kryet dhe nxirë jetën, me polemika të pambarim, rreth ndërtimit të mbikalimit, apo jo. Fjala është për legjendën, ashtu si e mbajnë në mendë tiranasit, që dëshmojnë se si këtij vendi i mbeti emri pikërisht Zogu i Zi!
———————————
Gaillard, shtator 2020
Komentet