VOAL

VOAL

Kulla e Jasharajve po shembet, shteti e ka lënë pas dore

January 8, 2018

Komentet

Mbërriti sot në Shqipëri, kthehet mbrapsht anija me një nga 8 emigrantët që do të strehoheshin në kampin e Gjadrit

Një nga tetë emigrantët që u sollën paraditen e sotme në Shëngjin, do të kthehet mbrapsht.

 

Kthimi i tij sipas agjencisë së lajmeve Ansa bëhet sepse ai bën pjesë në kategorinë e pambrojtur për shkak të disa problemeve shëndetësore.

Ai do të kthehet në Itali, në Brindizi, nga e njëjta anije e Marinës.

Nga ana tjetër, 7 emigrantët e tjerë do të transportohen dhe strehohen në Gjadër.

Kujtojmë se anija me refugjatë u ankorua në port rreth orës 08:00. Emigrantët iu nënshtruan procedurave të kontrollit në qendrën në Shëngjin, dhe do të transferohen në kampin në Gjadër.

Emigrantët, egjiptianë dhe bangladeshas, janë kapur në ujërat ndërkombëtare të kanalit të Siçilisë. gsh

Opozita vijon betejën kundër kryehajdutit të kryeqytetit- Sot protesta e radhës kundër ErionVeliajt

Sot do të zhvillohet protesta e radhës para Bashkisë së Tiranës, ku qytetarët do të kërkojnë sërish dorëheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj.

Protesta do të nisë në orën 11:00. Aksioni organizohet nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, ku do të jenë të pranishëm edhe përfaqësues nga PD-ja si dhe figura të njohura të artit.

Protestat para kësaj bashkie po zhvillohen për skandalet që kanë ndodhur në këtë institucion, siç janë afera e inceneratorëve dhe dosja “5D”, ku janë arrestuar pas hetimeve të SPAK-ut, një sërë drejtorësh. Qytetarët kërkojnë me ngulm që Veliaj të vihet para drejtësisë.

Edhe vetë Veliaj u mor në pyetje nga SPAK-u për aferën e inceneratorëve, ndërsa janë thelluar hetimet për drejtorët e tij.

Qytetarët kanë paralajmëruar se protestat nuk do të ndalen. sn

UGSHPD: NJË TUÇ QË PRET VELIAJ (ORGANOG-RAMA E BASHKISË TIRANË)

                      SHESHI I TIRANËS PËR FESTA

Laundromati – Skicë nga LD-NY 2024

Apo e sfidon Erion Veliaj drejtësinë?

Veliaj vs SPAK është kjo ndeshja e tapetit të pritshëm, në qoftë se do të drejtoheshim me gjuhën e disiplinës së mundjes në sportet e rënda edhe për rastin kur për t’i mëshuar propagandës së Rilindjes Socialiste dhe të bërit lajme nga kryetari i bashkisë Tiranë edhe kur ai i fshihet kërkesave të qytetarëve dhe të opozitës të shprehura me protesta të vazhdueshme. Vetëm gjatë një jave e gjen Veliajn në sa në tapetin e “Botërorit të Mundjes” dhe sa në themelet mbi një simbol kulture të shkatërruar prej disa vitesh si Teatri Kombëtar deri sa arrijmë tek dy ngjarjet më të bujshme siç ishin riorganizimi i 12 drejtorive dhe Parada e 28 Nëntorit. Tek këto dy të fundit duhet ndalur pak më gjerë pasi propaganda shtyhet tinëzisht dhe gjithnjë fsheh shpenzimet dhe spekulon me datat.

Në rastin e Botërorit të Mundjes – jo olimpike, duke u shprehur se Bashkia e kryeqytetit i ka energjitë për ta kthyer Tiranën në një qytet për të gjithë, ky term sportiv i huazuar nga mundja, por mesazhi se Veliaj ka kënaqësi për të:-“pritur në Tiranë dhjetëra shtete, nga të gjithë cepat e botës, dhe pavarësisht se politika ka bindje të ndryshme, ca janë majtas, ca janë djathtas, ca janë në veri, ca janë në jug” etj. për të gjithë ata që e dinë se planeti është në sormë sfere, cepat në ligjëratën e këtij agjitatori përsëritës janë vetë koncepti i dijeve për të mashtruar. Termi sportiv për “ta kthyer”, pra  jo zhvilluar etj. etj. i huazuar nga mundja nënvizon forcën me të cilën Veliaj mendon se ka. Pasi duket qartësisht se ai është harruar se është nën hetim që prej vizitës së tij të parë në SPAK, 6 muaj më parë.

Gjatë boshllëkut ndërkombëtar që Rama krijoi me vizitën në Selanik si një takim me diasporën, Veliaj u gjend pikërisht në mjedisin ndërtues të Teatrit duke “garantuar” se ky projekt bëhet për të jetuar deri në 100 vitet e ardhme. Një mesazh mjaft i fortë që i kundërpërgjigjet protestave popullore që duan ta largojnë Velinë nga Bashkia e Tiranës si kreu i korrupsionit dhe pastrimit të parave në ndërtime.

Një reagim i tretë vjen nga lëvizja e ristrukturimit të administratës. Zgjedhjet janë përpara kështu që formacioni i ri i zgjedhur duhet të ndryshojë taktikën e 5D-ve për të arritur rezultatin për zgjedhjet e ardhshme  nga e njëjta strategji e përdorur më parë në në 2021 dhe 2023. Pikërisht në këtë pikë duke patur parasysh se ashtu sikurse Kuvendi drejtohet me frymë parti-shtet, të njëjtën frymë Veliaj e përcjell në Këshillin Bashkiak Tiranë. Në qoftë se në faqen zyrtare të Bashkisë Tiranë juve do të kërkoni ORGANOG-RAMA, (Organograma), aty do të gjeni qindra qoshet e rrjetës administrative. Nëpunës apo patronazhistë kjo tashmë ka pak rëndësi sepse në çdo njërën prej tyre është një vend pune me rrogë shteti dhe me përfitimet e saj që lidhet me partinë-shtet. Pas Kryetarit, Nënkryetarëve, Kabinetit dhe Sekretariatit, Organog-Rama Veliaj ka 72 Drejtori, 159 Sektorë, 24 Njësi administrative, 3 Lagje dhe vetëm një Zyrë të Gjendjes Civile. Mendoni Tiranën, kryeqytet me gati 1 milion banorë dhe ku mbi 40 mijë apartamente, produkt i ndërtimit, janë bosh dhe të pa jetuar.

E fundit në këtë analizë jo për t’ia thjeshtuar SPAK-ut dhjetra kallëzimet që janë depozituar ndërkohë, por mos përgjegjësia dhe mashtrimi i vazhdueshëm të kthyera në propagandë e kanë lodhur publikun për gjetjen e zgjidhjeve të duhura. Besojeni ose jo, por është Veliaj ai që shtron dreka bamirësie për pensionistët dhe tashmë po i largohet kauzës së tij sepse kryeministri po kujdeset për rritjen e pensioneve jo vetëm në Tiranë, por në mbarë vendin. Një elektrizim propagandistik elektoral i shëmtuar që shkon deri në tallje me publikun kur krerët e korrupsionit janë ata që organizojnë 112 vjetorin e Pavarësisë.

Sa e kujdesshme është gjuha e propagandës kur thotë për Paradën e 28 Nëntorit:-““me kostumet e këngët nga çdo trevë shqiptare, në një bashkim vëllazëror festimesh të paharrueshme”. Në pamje të parë duket si festa e Ditës së Flamurit, por të valëvitet flamuri për gjatë gjithë muajit Nëntor  kudo, ky mesazh bëhet gjithëpërfshirës ashtu sikurse edhe agjenda e Rilindjes Socialiste ka punuar për të qendruar në pushtet gjatë këtyre 11-12 viteve.

Ku e ka Veliaj ditën e Çlirimit të Tiranës?

A është ai kryetari i Bashkisë që veç qytetit edhe Sport Klub Tiranën po përpiqet ta fundosë?

Veliaj është Kryetari i Bashkisë më të madhe të vendit ku jeton thuajse 1/3 e popullsisë së vendit. Kryetari i disa dhjetra sektorëve dhe drejtorive i një kryeqyteti ku mbrëmja bie duke zgjuar mbi 40 mijë fantazma apartamentesh të cilat nuk harxhojnë ujë, energji elektrike apo të prodhojnë plehra. Një krahasim me fantazmën e inceneratorëve që rrëmben çdo ditë 80 mijë €.

Nuk ka patriot më të përgjegjshëm se sa Erion Veliaj, njeriu i rrjetës së mijëra fijeve që e lidhin korrupsionin me pushtetin vendor të kryeqytetit, me administratën shtetërore dhe qeverinë, sheshi “laundromat” ku pastrohen paratë të cilat synojnë vazhdimësinë e pushtetit pas çdo lloj zgjedhjesh.

6 Nëntor, 2024

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)

Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)

Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)

L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)

Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)

Vdekja e nënës shqiptare në maternitet, mijëra qytetarë protestojnë në Mal të Zi

Drita Tafa, një grua 36-vjeçare nga Ulqini i Malit të Zi, humbi jetën pas lindjes së fëmijës në spitalin e qytetit të Barit. Familjarët e saj pohojnë se shkaku i vdekjes ishte një mjekim i gabuar. Prej tre ditësh, familjarët dhe opinioni publik kërkojnë drejtësi dhe hetime për të zbardhur rrethanat e kësaj tragjedie.

Çështja është ngritur edhe në parlamentin malazez dhe nga ish-kryeministri Dritan Abazoviç. Familjarët e të ndjerës, e cila ka lënë pas tre fëmijë jetimë, thonë se Drita Tafa nuk kishte pasur probleme shëndetësore më parë. Pas presionit nga opinioni publik, një gjykatë malazeze ka urdhëruar zhvarrimin e trupit të saj për kryerjen e autopsisë. Ministri malazez i Shëndetësisë ka deklaruar se hetimet kanë nisur, megjithatë nuk është publikuar ende një version zyrtar mbi shkaqet e vdekjes.

Sot, qindra qytetarë në Ulqin dolën në një marshim proteste, duke kërkuar drejtësi për Drita Tafën. sn

Zelensky: Koncesionet me Putinin, vetëvrasëse për Evropën

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se do të ishte “vetëvrasëse” për Evropën nëse i ofron koncesione Kreminit për të ndalur pushtimin e Ukrainës.

Duke folur në samitin e liderëve evropianë në Hungari, Zelensky kritikoi ata që po i bëjnë thirrje Ukrainës që të plotësojë disa nga kërkesat e presidentit rus, Vladimir Putin, dhe i bëri thirrje Evropës dhe Shteteve të Bashkuara që të mos i dobësojnë raportet pas zgjedhjes së Donald Trumpit president të SHBA-së.

“Ka pasur shumë zëra lidhur me nevojën që t’i nënshtrohemi Putinit, të tërhiqemi, të bëjmë disa koncesione… Kjo është e papranueshme për Ukrainën dhe vetëvrasëse për gjithë Evropën”, tha Zelensky.

Ai akuzoi disa udhëheqës evropianë, pa përmendur ndonjë me emër, se “fuqishëm” po e shtyjnë Ukrainën “të bëjë koncesione” me Putini, diçka që, sipas udhëheqësit ukrainas, do të inkurajonte edhe më shumë agresion.

“Na duhen më shumë armë, jo mbështetje në bisedime. Përqafimet me Putinin nuk do të ndihmojnë. Disa prej jush e keni përqafuar atë që 20 vjet dhe gjërat vetëm po përkeqësohen”, tha Zelensky gjatë samitit, sipas fjalimit të siguruar nga AFP-ja.

Mikpritës i samitit është kryeministri hungarez, Viktor Orban, i cili vazhdimisht ka kundërshtuar mbështetjen perëndimore për Kievin.

Zelensky po ashtu i kërkoi Evropës që të mbajë raportet e forta që ka me SHBA-në, pas fitores së Trumpit në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit.

Trump ka kritikuar vazhdimisht ndihmën amerikane për Ukrainën dhe ka deklaruar se do t’i japë fund luftës – që Rusia nis kundër Ukrainës më 2022 – brenda orësh, pasi të marrë detyrën. REL

Osmani në Hungari: Nuk e shoh Trumpin kërcënim, ne u bëmë të pavarur kur republikanët ishin në pushtet, të lirë kur ishin demokratët

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është për vizitë në Hungari në Samitin e Komunitetit Politik të Evropës.

Ajo para fillimit të samitit theksoi se beson fuqishëm që do të vazhdojë bashkëpunimi ndërmjet Evropës dhe SHBA-së edhe nën administratën e presidentit Donald Trump.

E para e shtetit të Kosovës është pyetur edhe lidhur me raportet Kosovë-SHBA, pas zgjedhjes së Trumpit president.
“Kosova e ka pasur mbështetjen dypartiake të secilës administratë të SHBA-së që në fillimet e viteve ’90. Jemi bekuar me atë mbështetje dhe për këtë kemi çdo arsye të besojmë se mbështetja do të vazhdojë edhe me administratën të presidentit Trump”, u shpreh presidentja.

Ajo tutje shtoi se nuk e sheh si kërcënim për Kosovën zgjedhjen e Trumpit president pasi Kosova gjithnjë ka pasur mbështetje si nga republikanët, po ashtu edhe demokratët.

“Nuk e shoh si kërcënim. Kosova, në fakt, ka përfituar për dekada nga një mbështetje dypartiake nga Shtetet e Bashkuara. Ne u bëmë të pavarur kur republikanët ishin në pushtet. Ne u bëmë të lirë kur demokratët ishin në pushtet… Ne kemi punuar shumë ngushtë me çdo administratë dhe besoj fuqimisht se do të vazhdojë të jetë kështu”, tha ajo.

Presidentja tutje duke folur për Samitin e Komunitetit Politik të Evropës tha se është një mundësi e mirë për të diskutuar dhe gjetur zgjidhje për sfidat. bw

Osmani uron Trumpin: Pres me padurim të punoj me administratën e re

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar Donald Trump për fitore në garën presidenciale kundër demokrates Kamala Harris në SHBA – fitore që ende nuk është konfirmuar.

“Në emër të popullit të Republikës së Kosovës, i shpreh urimet tona më të përzemërta Donald Trumpit dhe [kandidatit për zëvendëspresident] JD Vance, për zgjedhjen e tyre si president dhe zëvendëspresident të Shteteve të Bashkuara”, shkroi Osmani.

Ajo theksoi se SHBA-ja mbetet partner dhe aleat “i palëkundur dhe i pazëvendësueshëm” për Kosovën.

“Pres me padurim të punoj me administratën e re për të thelluar më tej lidhjen tonë unike dhe aleancën strategjike”, shkroi Osmani në X.

Edhe pse fitorja e Trumpit ende nuk është konfirmuar, ai duket të jetë pranë fitores pasi ka siguruar shtetet kyçe si Pensilvania dhe Karolina e Veriut dhe ka avantazh në katër të tjera, sipas sondazhit të Edison Research.

Vetë Trump e shpalli fitoren në një fjalim të mbajtur përpara mbështetësve të tij në Florida.

Kosova, ndër vite, ka qenë vazhdimisht në vëmendjen e SHBA-së, pavarësisht nga udhëheqësia e saj politike.

Nën presidentin demokrat, Bill Clinton, në vitin 1999, SHBA dhe aleatët e tjerë të NATO-s bombarduan objektiva të ushtrisë së atëhershme jugosllave për të ndaluar dhunën në Kosovë. Pothuajse dhjetë vjet më vonë, nën presidentin republikan, George W. Bush, Kosova shpalli pavarësinë.

Edhe administrata aktuale ka inkurajuar vazhdimisht Kosovën që të normalizojë marrëdhëniet me Serbinë si një kusht për të ecur përpara në rrugën e integrimit evropian, ndërsa Trumpi, sa ishte president, ishte dëshmitar i nënshkrimit të një marrëveshjeje midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike.

Megjithatë, Richard Grenell, i cili gjatë administratës Trump ishte përfaqësuesi amerikan në dialogun Kosovë-Serbi, shtyu përpara marrëveshjen për shkëmbimin e territoreve, të cilën qeveria aktuale e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, e kundërshton.

Gjatë presidencës së Trumpit, ai dhe administrata e tij kanë paralajmëruar disa herë për mundësinë e tërheqjes së trupave amerikane nga Kosova. Prania e tyre brenda misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR, shihet si një garanci për sigurinë e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në vitin 2020 kishte akuzuar Grenellin se ishte “drejtpërdrejt i përfshirë” në rrëzimin e qeverisë së tij më pak se dy muaj pasi mori detyrën si kryeministër.

Në atë kohë, Grenell tha se Albin Kurti është anti-amerikan dhe se ai ka qenë kundër politikave amerikane të sugjeruara nga ish-presidentët amerikanë: Bill Clinton, Barack Obama dhe Donald Trump. REL

Osmani: Kosova ka përkrahjen e të gjitha partive amerikane

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka komentuar zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke u shprehur se Kosova është e bekuar që ka përkrahjen e SHBA-së, si nga demokratët ashtu edhe nga republikanët.

Osmani nënvizoi se ShBA-ja është aleati strategjik i Kosovës dhe do të vazhdojë të jetë i tillë edhe pas zgjedhjeve presidenciale.

“Kosova ka qenë e bekuar me përkrahjen e jashtëzakonshme amerikane të të gjitha partive. Në kohën kur ne e kemi fituar lirinë në qeveri kanë qenë demokratët. Në kohën kur e kemi arritur pavarësinë në qeveri kanë qenë republikanët. Kosova vërtet ka qenë shtet i bekuar me përkrahje mbi partizane amerikane. Është vendim i popullit amerikan. Ne do të vazhdojmë bashkëpunimin me këdo që zgjedhjet. Me rëndësi është që Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të jenë lider të botës së lirë dhe aleati më i rëndësishëm strategjik i Kosovës. Ashtu do të vazhdojë do të jetë edhe pas kësaj date”, “, ka thwnw Osmani tw martën, raportoi KSP.

Amerikanët janë duke votuar për të zgjedhur presidentin e ri. Kandidates demokrate Kamala Harris dhe atij republikan Donald Trump u duhen nga 270 vota elektorale për të fituar. Shtetet e papërcaktuara Arizona, Georgia, Michigan, Nevada, Karolina e Veriut, Pensilvania dhe Wisconsin, janë vendimtare për zgjedhjen e presidentit të 47-të të shtetit më të fuqishëm në botë.

Sondazhet paraqesin rezultate aq të ngushta sa që gara po konsiderohet si ndër më interesantet ndonjëherë. sn

Amerikanët zgjedhin mes Harrisit dhe Trumpit

Qytetarët amerikanë më 5 nëntor votojnë për zgjedhjet historike presidenciale, për të cilat votuesit janë të ndarë në nivel vendi, por edhe në shtatë shtete kryesore që pritet të përcaktojnë rezultatin mes ish-presidentit republikan, Donald Trump, dhe nënpresidenten demokrate, Kamala Harris.

Qendrat e votimit nisin të hapen nga ora 05:00 (11:00 sipas kohës lokale në Kosovë) në disa shtete lindore dhe votimet do të vazhdojnë në mbarë vendin, përfshirë në Alaskë dhe Havai, deri në orët e mbrëmjes në shtetet që gjenden në perëndim të Shteteve të Bashkuara.

Rezultati i kësaj gare të ngushtë nuk pritet të dihet për ditë të tëra në disa shtete sikurse Pensilvania, ku numërimi i votave me postë është proces më i ngadalshëm. Dalja në zgjedhje pritet të jetë e lartë, sipas Byrosë së Regjistrimit.

Mbrëmjen e 4 nëntorit zyrtarët federalë zgjedhorë paralajmëruan se me një garë kaq të ngushtë, Rusia dhe Irani po intensifikojnë fushatat e tyre të ndikimit me synimin që të ndjellin përçarje në mesin e votuesve amerikanë me qëllim që të nxitet dhunë ndaj zyrtarëve zgjedhorë, pas një fushate të ashpër.

Trump po garon për herë të tretë, pasi humbi zgjedhjet më 2020 ndaj presidentit aktual, Joe Biden, i cili u tërhoq nga gara presidenciale në korrik pasi sondazhet treguan se ai kishte pasur një paraqitje të dobët gjatë debatit me Trumpin dhe kishte shqetësime lidhur me moshën e tij.

Zëvendësimi i tij nga radhët e demokratëve, Harris, nëse zgjidhet do të bëhej gruaja e parë presidente e SHBA-së dhe personi i parë me prejardhje nga Azia Jugore. Trump do të bëhej presidenti i dytë në histori që do të fitonte mandat presidencial në mënyrë jo të njëpasnjëshme. I vetmi president që e kishte bërë këtë ishte Grover Cleveland, në fund të shekullit 19-të.

Harris, 60-vjeçare, e ka paraqitur veten si ndryshim brezash nga Bideni, 81 vjeç, dhe Trumpi 78 vjeç.

Ajo ka shprehur mbështetjen e saj për të drejtën e abortit pas vendimit të vitit 2022 të Gjykatës Supreme që i dha fund të drejtës kushtetuese për abort. Ajo po ashtu e ka cilësuar Trumpin si rrezik për demokracinë dhe ka përmendur rolin e tij në sulmin e 6 janarit ndaj ndërtesës së Kongresit amerikan dhe refuzimit që të pranojë humbjen nga Bideni më 2020.

Trump ka përdorur thirrjet e tij populiste për të përçuar mesazhin se gjatë mandatit të dytë ai do të bëjë më shumë për të përmirësuar ekonominë, për të frenuar valën e migrantëve që hyjnë në SHBA dhe ka thënë se do të ishte më i ashpër kundër kundërshtarëve të shtetit, sikurse Kina.

Rezultati i zgjedhjeve amerikane mund të prekë Ukrainën më shumë se çdo vend tjetër i huaj.

Kandidatët kanë dy qëndrime shumë të ndryshme sa i përket mbështetjes për Ukrainën, mbrojtja e së cilës kundër trupave pushtuese ruse varet shumë nga mbështetja ushtarake, financiare dhe diplomatike që i jep SHBA-ja.

Harris ka thënë se ajo do të vazhdojë politikën e Bidenit për të ndihmuar Ukrainën, duke shprehur dëshirën që ta shohë të mposhtur Rusinë.

Trump ka vënë në pikëpyetje mbështetjen amerikane për Ukrainën, duke thënë se Evropa duhet ta bartë pjesën më të madhe të barrës së mbështetjes të Ukrainës kundër pushtimit të nisur nga Rusia, dhe po ashtu e ka vënë në dyshim të ardhmen e NATO-s.

Dy kandidatët presidencialë kanë tentuar që në ditët e fundit të fushatës të fitojnë sa më shumë mbështetje dhe secili prej tyre e kanë portretizuar veten si vendimtar për të ardhmen e Amerikës.

Më 4 nëntor, Harris qëndroi në Pensivlani, ku 19 votat zgjedhore janë të rëndësishme në mesin e shteteve kryesore që pritet të përcaktojnë rezultatin e Kolegjit Zgjedhor.

“A jeni gati për ta bërë këtë?”, u tha Harris mbështetësve të saj në Skranton, duke qëndruar para një mesazhi të madh ku shkruhej “Voto për Lirinë”.

Trump e nisi ditën e 4 nëntorit me një fushatë në Karolinën e Veriut, para se të merrte pjesë në dy tubime në Pensilvani dhe më pas e përmbylli fushatën në Miçigan.

“Nëse fitojmë Pensilvaninë, do t’i fitojmë zgjedhjet”, tha Trump.

Këto tri shtete së bashku me Viskonsinin, Xhorxhian, Arizonën dhe Nevadën janë shtetet që pritet të përcaktojnë se kush do të jetë presidenti i ardhshëm i SHBA-së.

Sipas sistemit amerikan, nuk është vota popullore ajo që përcakton se kush do të jetë president, por Kolegji Zgjedhor prej 538 anëtarësh, në të cilin secili shtet ka një numër të përcaktuar paraprakisht të zgjedhësve, që është numër i barabartë me numrin e përfaqësuesve që shtetet kanë në Kongres.

Çdo shtet, me përjashtim të Nebraskës dhe Mejnin, ua japin votat në Kolegjin Zgjedhor kandidatit që ka më së shumti vota popullore në shtetin përkatës.

Nëse Harris dhe Trump dështojnë të arrijnë shumicën prej 270 votash në Kolegjin Zgjedhor, Dhoma e re e Përfaqësuesve në janar do të zgjedhë presidentin dhe Senati i ri po ashtu do të zgjedhë nënpresidentin.

Më shumë se 77 milionë votues veçse kanë votuar, por zgjedhjet e 5 nëntorit do të jenë test kritik se cili kandidat ka bërë punë më të mirë për të bindur mbështetësit e tyre që të votojnë.

Harris veçse ka votuar përmes postës. Trump planifikon të votojë në Florida në ditën e zgjedhjeve. REL

Gërvalla në prag të zgjedhjeve në SHBA: Nuk shoh sinjale të ndryshimit të përkrahjes për Kosovën

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka thënë të hënën se nuk ka parë ndonjë shenjë se mbështetja e Shteteve të Bashkuara për Kosovën mund të pësojë ndryshime pas zgjedhjeve presidenciale të 5 nëntorit në SHBA.

“Jemi me fat që në SHBA kemi pasur mbështetjen e të dyja kampeve, pra të atij republikan dhe atij demokrat. Prandaj, nuk shoh asnjë sinjal që një gjë e tillë të ketë ndryshuar gjatë rrugës”, tha Gërvalla kur u pyet në një konference për media se çfarë pret në marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA-së pas zgjedhjeve atje të martën.

Në garë për të presidentin e ardhshëm amerikan janë Kamala Harris, nga Partia Demokratike, aktualisht nënpresidente, dhe Donald Trump, nga Partia Republikane dhe president nga viti 2017 deri më 2021.

Gërvalla tha gjatë konferencës së përbashkët në Prishtinë me ministrin e Jashtëm të Luksemburgut, Xavier Bettel, se Kosova do t’i forcojë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara duke i kryer “detyrat e shtëpisë”.

“Duke çuar përpara agjendat e reformave dhe duke vendosur ligjin në çdo cep të Kosovës, duke luftuar krimin e organizuar, kështu forcohet partneriteti me SHBA-në. Nuk forcohet me fjalë dhe deklarata, por me punë konkrete”, tha ajo.

Administrata e tanishme amerikane, ku bën pjesë Harris, ka inkurajuar vazhdimisht Kosovën që t’i normalizojë marrëdhëniet me Serbinë, si kusht për të ecur përpara në rrugën e integrimit evropian, ndërsa Trump si president ka qenë dëshmitar i nënshkrimit të një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike.

Për analistët në SHBA, situata nuk do të jetë aq e thjeshtë, megjithatë. Fillimisht, me luftën në Ukrainë, konfliktin në Lindjen e Mesme dhe kontestin territorial në Detin e Kinës Jugore, Kosova nuk do të depërtojë lart në agjendë, sipas tyre.

Frank Wisner, ish-emisar i SHBA-së për statusin e Kosovës, tha për programin Expose të Radios Evropa e Lirë javën e kaluar se problemi më i madh i Kosovës është mosmarrëveshja me Serbinë, e cila vazhdon të mos ia njohë pavarësinë, edhe gati 17 vjet pas shpalljes.

Wisner nuk pret ndonjë lëvizje në këtë drejtim, nëse Harris zgjidhet presidente.

David Phillips, drejtor i Programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtat e Njeriut në Universitetin e Kolumbias, ndan pikëpamje të ngjashme për Harrisin, pasi nuk pret ndonjë veprim domethënës prej saj në lidhje me marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Por, për Trumpin, pritshmëritë janë dukshëm më shqetësuese.

Të dy ekspertët druajnë se qasja e tij “transaksionale” mund të çojë në pasoja të paparashikueshme dhe potencialisht të rrezikshme për të ardhmen e Kosovës.

Wisner nuk e përjashton mundësinë që Trump ta eksplorojë ndarjen e Kosovës si zgjidhje të shpejtë për konfliktin e saj të vazhdueshëm me Serbinë, duke e kujtuar një marrëveshje për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë, përgjatë vijave etnike, e përfolur në vitin 2020, gjatë mandatit të parë presidencial të Trumpit.

Phillips tha, po ashtu, se Trump e sheh ndarjen e Kosovës si zgjidhje të shpejtë për marrëdhëniet e saj të trazuara etnike dhe kjo, sipas tij, jo vetëm se do ta destabilizonte Kosovën, por do ta hapte Kutinë e Pandorës edhe në shtete të tjera multietnike të Ballkanit, si Maqedonia e Veriut, Bosnje e Hercegovina apo Serbia. REL

Baerbock në Kiev, premton vazhdimin e mbështetjes për Ukrainën

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, është zotuar se aleatët perëndimorë do të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën, teksa nisi vizitën e tetë në Kiev, që kur Rusia nisi pushtimin e shtetit fqinj më 2022.

Kjo vizitë më 4 nëntor po zhvillohet një ditë para mbajtjes së zgjedhjeve amerikane, rezultati i të cilave është kritik për Ukrainën.

“Gjermania, së bashku me partnerët në mbarë botën, qëndron fort në anën e Ukrainës”, tha Baerbock përmes një deklarate, teksa lufta në Ukrainë është duke shkuar drejt vitit të katërt.

“Ne do të mbështesim popullin e Ukrainës për aq kohë sa të jetë e nevojshme, në mënyrë që ata të shkojnë drejt rrugës së një paqeje të drejtë”, shtoi kryediplomatja gjermane.

Presidenti amerikan, Joe Biden, është zotuar se shteti i tij do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën. Në garën presidenciale amerikane janë nënpresidentja demokrate, Kamala Harris, që ka premtuar vazhdimin e mbështetjes së Ukrainës, dhe ish-presidenti republikan, Donald Trump, i cili ka përmendur një zgjidhje të shpejtë për luftën.

Baerbock përmendi rëndësinë e mbrojtjes së infrastrukturës së energjisë së Ukrainës nga shkatërrimi gjatë sezonit të dimrit.

Ajo tha se Gjermania do të ndihmojë në luftimin e fushatës “brutale” të Rusisë, në mënyrë që “ukrainasit jo vetëm të mbijetojnë gjatë dimrit, por edhe shteti i tyre të mund të mbijetojë”.

Gjermania, mbështetësja e dytë më e madhe e Ukrainës pas SHBA-së, ka dhënë 170 milionë euro ndihmë emergjente për të ndihmuar vendin që të mund t’ia dalë gjatë dimrit.

Për një kohë të gjatë, Ukraina i ka kërkuar Gjermanisë që t’i japë raketat me rreze të gjatë veprimi, Taurus, por kancelari Olaf Scholz, ka refuzuar që të plotësojë këtë kërkesë të Kievit, nga frika se konflikti mund të përshkallëzohet dhe zgjerohet.

Scholz po ashtu ka refuzuar kërkesën e Ukrainës për anëtarësim të menjëhershëm në NATO. Një kërkesë e tillë është bërë nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, teksa ai ua ka prezantuar “Planin e Fitores” aleatëve të tij perëndimorë. REL

Shqiptarët e Luginës së Preshevës protestuan në Medvegjë mes shqetësimeve për fshirjen e adresave

VOA/Leonat Shehu

Me moton “ma kthe adresën” grupe qytetarësh protestuan të dielën në qytetin e Medvegjës, komunë e banuar edhe me shqiptarë në jug të Serbisë, mes shqetësimeve për fshirjen e adresave të banorëve shqiptarë.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Bujanoc, Nevzat Lutfiu tha se Medvegja është qyteti me numrin më të madh të qytetarëve në Serbi, të cilëve u janë fshirë adresat e banimit.

“Një komunë sipas statistikave të fundit zyrtare janë 6 mijë e 360 banorë, janë pasivizuar mbi 4 mijë e 214 qytetarë. A e di bashkësia ndërkombëtare se shumica e këtyre personave kanë qenë shqiptarë të Medvegjës?. Viti 2024, shteti Serbi, komuna e Medvegjës, vetëm brenda një periudhe 4 vjeçare këtu janë fshirë nga listat e votuesve afër 4 mijë persona. A e di bashkësia ndërkombëtare se shumica e këtyre personave të fshirë, pa dijeninë e tyre nga listat e votuesve, ishin shqiptarë të Medvegjës?”, tha ai.

Zoti Lutfiu tha se ky diskriminim sistematik nuk po mjafton për Bashkimin Evropian dhe OSBE-në për të nisur hetime mbi siç tha shkeljet ndaj shqiptarëve në Medvegjë dhe Luginë të Preshevës në përgjithësi.

“Bashkësia ndërkombëtare po promovon me ngulm themelimin e një Asociacioni për komunat me shumicë serbe në Kosovë ndërsa në të njëjtën kohë po i mbyllë sytë sot ndaj fushatës shpopulluese të Beogradit zyrtar në Luginën e Preshevës”, tha ai.

Protesta në Medvegjë

Protesta në Medvegjë

Deputeti shqiptar në parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi tha se diskriminimi po ndodh për shkak të përkatësisë etnike.

“Mirëpo kjo po ndodh dhe kjo është fotografia e diskriminimit në Ballkanin Perëndimor më së shumti që shihet në Medvegjë. Medvegja është simbol i metodave perfide të pastrimit etnik të një komune nga komunitetet tjera. Mjerisht kjo po ndodh në sytë e BE-së”, tha zoti Kamberi.

Deputeti Shaip Kamberi tha se shqiptarët e Luginës së Preshevës duhet të vazhdojnë angazhimin politik, institucional dhe qytetarë për të kundërshtuar fshirjen e adresave.

Kjo është hera e tretë brenda tre muajve që shqiptarët e Luginës së Preshevës hidhen në protestë me kërkesat si ndalimin e pasivizimit të adresave të tyre, kthimin e gjykatës në komunën e Preshevës, respektimin e marrëveshjeve politike, njohjen e diplomave të të rinjve që përfundojnë studimet në universitetet në Kosovë si dhe angazhim më të madh për integrimin institucional të tyre.

Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë në Serbi, rreth 60 mijë shqiptarë jetojnë në Luginën e Preshevës.

Përfaqësuesit politik thonë se situata në rajonin e Luginës së Preshevës vazhdon të jetë e rëndë dhe se nuk është shënuar përparim që nga përfundimi i konfliktit në vitin 2001 ndërmjet forcave qeveritare serbe dhe kryengritësve shqiptarë që luftonin për më shumë të drejta të shqiptarëve në atë zonë.


Send this to a friend