Shëngjini ka mbetur vazhdimisht dashuria ime!

Që atherë kur isha fëmijë dhe babai im më çoi për herë të parë pranë detit, mi futi këmbët e brishta në turrin e valëve dhe më mësoi ti luaj ato dhe duart në lojën e frikshme të dallgëve, më pas kur si student i biologjisë gjuaja gjarpërinj në kodrat e thata mbi portin e vjetër, ndërsa netëve kridheshim në ujin e freskët, të shuanim zjarre…
Vij tash edhe me fëmijët e mi, të cilëve u pëlqen më shumë se kudotjetër ti kalojnë pushimet, me një mall fëminie si babai i tyre, përzier padyshim me nostalgji dhe respekt ende të fortë ndaj prindërve, anipse raportet njerëzore kanë ndryshuar aq shumë dhe ndoshta së shpejti keto mund të duken aq arkaike…
Një vend, përtej lidhjeve të vjetra shpirtërore, bukurisë natyrore dhe shumë pasurive të tjera ta bën gjithmonë më të ngrohtë dhe të paharrueshëm prania e miqve të mirë, e miqve të vertetë, të cilët ndonse më pak, bëjnë përherë diferencën në mënyrën e perjetimit të gjërave.
Ka mbi dhjetë vite që Gjakovën time, ku ka lindur nëna ime, ma bën më të dashur miku im, poeti Tahir Bezhani, shtëpia e të cilit është një vatër e dashur mikpritje, ku menuja vazhdimisht është tradita, historia jonë krenare, poezitë e mira dhe përpjekjet e përditshme të integrimit tonë jo vetëm kulturor.Së bashku edhe me miq të tjerë të mirë si krijuesi Muharrem Kurti etj.
Pejën, qytetin të cilin e adhuroj më së shumti në Kosovë bashkë me Prizrenin, ma bën më të afërt dhe më të bukur prania dhe marrëdhëniet e mrekullueshme me mikun, poetin dhe studjuesin e mirënjohur Sejdi Berisha.
Lezhën prej vitesh ma bën më të afërt dhe të dashur prania e mikut tim të vjetër, aktorit dhe krijuesit të njohur tropojan Azem Balia, i cili jeton atje familjarisht, por gjithmonë mbart në vete Tropojën dhe shndrrohet çdo ditë në një avokat të papërtuar të vlerave të saj.
Tash disa vite, i kthyer prej Amerike,pas 18 vitesh, ka ndërtuar shtëpinë dhe jetesën e tij familjare, miku, poeti, studjuesi dhe gazetari i njohur Zeqir Lushaj.Mbi port, pak mbi rrugën që të çon tek Rana e Hedhun, ai ka ndërtuar shtëpinë e tij katër katëshe, e cila nuk është si të tjerat përrreth, vila me shumë dhoma për plazh dhe bazene përpara.

Ajo ka hapësirë, madhështi dhe një konstrukt arkitekturor, ku dallon menjëherë hijen e kullave të malsisë, karakterin dhe joshjen e tyre të veçantë të shtëpisë së tij tek Blini I Grisë.
Atje ku baba i tij,Sadik Selmani i Grisë, mbetur në kujtesën popullore si përfaqësuesi më i spikatur i mençurisë dhe tejpamësisë së filozofisë popullore, përcillte brezat e miqve dhe shkruante historinë e njohur të bujarisë dhe mikpritjes së rrallë malësore.
Sapo e vizitova, duke e hapur portën e jashtme, të mbyllur jo me një dry metalik, por nga një boçë misri, hija e saj e madhe ra mbi mua, e rëndë, ashtu siç binte e rëndë fjala domethënëse dhe vendimtare e Sadik Selmanit, në oda dhe kuvende malësore.Muret me gurë , oborri me gurë, oxhaku me gurë, tavolina e ngrënies me gurë, gurë të vendlindjes në studion krijuese të Zeqirit…
Tavane me dru brenda, plot interiere dhe vendendenje me dru, portrete me dru, kanoe e vjetër me dru, barka me dru dhe bash mbi të gjitha sapo ka mbrritur dera e vjetër e shtëpisë së Sadik Selmanit në dru dhe me plot nënshkrime dhe shënime historie mbi ballinën e saj të rrudhur moteve…
Sadik Selmani i Grisë është kudo, në foto, në çibukun e tij mbi oxhak, në 12 librat e botuar së fundmi të Zeqirit, në rrefimin fisnik të bashkëshortes së Zeqirit, Sabries, në kujtimet e fëmijëve, në bisedat e çdo dite këtu në oborrin e madh mbushur lule, ku miqtë nuk mungojnë kurrë, sidomos ata nga Kosova, në psherëtimën e zgjatur karakteristike të Zeqirit, e cila ka brenda aq shumë refleksion, mall dhe nostalgji.
Sabria, e shoqja, gatuan bukë n’dore, shërben raki me mjaltë gështenje, fli dhe pite dhe mbahet me dashurinë e fëmijëve të djalit, Lulit, I cili jeton në Zvicër, por vjen çdo vit dhe bashkë me fëmijët sjell vazhdimisht objekte dhe relike arti, copëza të dashurisë dhe dhe ankthit të mergimtarit, të cilat plotësojnë ngapak hapësirat e mëdha të shtëpisë plot ajër, ku gjëmon historia krenare e fisit dhe e atdheut.
Në vënde të dukshme çiftelia dhe sharkia, Zeqiri njëri ndër autorët më të njohur të hiteve folklorike, sidomos të grupit të mirënjohur të Hasit dhe atij të Tropojës.Bash një kullë gjigante, kulla e babës, si metaforë e kujtesës për të kaluarën e lavdishme të traditave tona dhe për ironi të realitetit fals ku paraja blen gjithçka, përveç kujtimit të tij…
Në fillim vitet ’90, rrënojat e ndrrimit të sistemit, shpirtërore dhe fizike, pastaj zhgënjimet jo të pakta nga politika e ditës, sikurse devijacionet sociale, e detyruan Lushajn të ndrrojë mjedis, pavarësisht mungesës madhore të atdheut dhe vendlindjes, nga e cila kurrë nuk ishte kujtuar se mund të largohej.Gazetari i njohur, poeti dhe studjuesi, aktivisti I njohur i shoqërisë civile, në përpjekje për të ruajtur dinjitetin e tij moral dhe integritetin e familjes, fjalës dhe nderit, largohet drejt kontinentit amerikan, ku me vështërsi dhe sakrifica, me një filozofi specifike, dhuratë gjenetike e familjes, arriti ta jetojë jetën me kokën përpara.

Të gjitha ngjyrat e jetës, ky është besimi dhe kaleidoskopi I tij jetësor, ku padyshim prin e para si vlerë, atdhedashuria, një përmasë brilante jo vetëm e jetës së tij, por edhe e krejt krijimtarisë letrare, në të drejtën e zotit dhe të vertetës, pas vargjeve të ngjeshura dhe të latuara si guret e qosheve të kullave, poeti potencon çeshtjet më immediate të kombit të vet. Diku ai ka shkruar:
“Kthe kokën mbrapa
Shih gjurmët tua pas
Po përbuze rrugën tande
Bota shkrihet në gaz…”
Shëngjini është tash ma i dashur për mua edhe për shkak të Zeqir Lushajt, i vendosur me kullën e babës dhe kullën e vet në kodrën poseduese karshi tij, skaj një rruge që të çon kah Rana e Hedhun, një kordinatë mes veriut dhe detit, ku ai pret miqtë e tij, ju tregon rrëfenjat e veta dhe të babës, por edhe një copë Amerikë, ku përbuz harrimin e traditës dhe vdekjen e parakohshme të mallit për njëri tjetrin në vorbullën e frikshme të globalizmit, duke besuar se mund të jetë akoma ndryshe…
Një komunikim i ëmbël, një copë bukë e afruar si gjyshja ime dikur, flakët ndjellëse të oxhakut motivojnë fjalët dhe mallet, dikur kridhemi në det të shuajmë zjarrin e pikellimit njerëzor për fatin tonë dhe të atdheut.
Dhe kthehem përsëri në Kullën e Babës ta lë një shënim zemre, të cilin sapo u mundova ta them me keto fjalë për, kolegun dhe mikun e nderuar të letrave Zeqir Lushajn, për të cilin baba im pat thanë se i ngjet trollit të vet!
SHENGJIN, SHTATOR 2016
Komentet