Arta Rama
Në zemër të Pedonales, fare pranë Qendrës Toptani me xhama të kaltër, pak në të djathtë, në brendësi të hapësirës së fundit të mbetur ende pa u prekur prej Parkut të Namasgjasë, strehohet pa rënë në sy një ndërtesë e vjetër dykatëshe me çati, fati i së cilës është lidhur ngushtë me historinë politike të Shqipërisë se re.
Fjala është për ndërtesën e Akademisë së Shkencave, muret e së cilës kanë strehuar Parlamentin e Parë Shqiptar, Selinë e Qeverisë së Zogut, Pallatin Mbretëror, Komitetin Nacional-Çlirimtar, Presidiumin Popullor dhe, prej kohësh, Akademinë e Shkencave.
Pikërisht këtu, në këtë ndërtesë historike, të saposhpallur monument i kategorisë I (më saktë, e ngritur në një nivel vlerësimi më të lartë: nga kategoria II në katgorinë I), Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro priti dje një grup intelektualësh e akademikësh, inxhinjerësh e arkitektësh, anëtarë të “Forumit për Gjirokastrën”, të cilët, të bashkuar në një shqetësim të përbashkët, kundërshtojnë bypass-in e projektuar në Qendrën Historike të qytetit.
Dy vjet më parë, Atelier Albania— agjenci publike projektimi urban e ngritur nga Kryeministri Rama— shpalli një konkurs ndërkombëtar për ndërtimin e tij për të shmangur trafikun në Qendrën Historike të Qytetit.
Fillimisht, ideja e shmangies erdhi si kërkesë prej UNESCO-s dhe Fondit Amerikan të Zhvillimit, të cilët sugjeronin shndërrimin e “Qafës së Pazarit” në një rruge këmbësorësh, por si ky vendim për ndërtimin e rrugës për këmbësorë u shoqërua më një kërkesë të Ministrisë së Kulturës për ndërtimin e një bypass-i me vlerë disa miliona eurosh mbetet enigmë! Ose, së paku, deri tani, askush nuk e merr autorësinë.
Kohë më parë, kur në vitin 1999, Shqipëria po përpiqej të ringrihej, pas konfliktit të 1997-tës, Kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës, Ylli Asllani, nënshkroi një marrëveshje binjakëzimi më bashkinë e Grottamáres, një qytet në Italinë qëndrore, me ngjashmëri me Gjirokastrën. Homologu i tij italian Luigi Merli kujton: “Ndërkohë që të gjithë në Shqipëri kërkonin ndihma, ne na u bë një kërkesë për administrimin e territorit dhe në veçanti për projektimin e një Plani Rikuperimi të Qendrës Historike dhe të një Plani Rregullues të Përgjithshëm, të cilat i mungonin qytetit”.
Rezultatet e Planit të Rikuperimit u prezantuan përpara autoriteteve lokale në vitin 2006, me titull: “Zbulimi i Qytetit të Gurtë”. Fatkeqësisht të dhënat dhe konkluzionet e kësaj pune shembullore, u shpërfillën sipas zakonit shqiptar!
“Nuk kemi mundur të kemi kopjen e ndonjërës prej qindra skicave ose të vizatimeve të ndërtesave historike të realizuara nëpër vite nga teknikët e Institutit… Përsa kohë që do të mohohet qasja për të pasur këto dokumenta, do t’u lihet liri e tepruar krijuese projektuesve, si në rindërtimin e shtëpive plotësisht të shkatërruara, ashtu dhe në rindërtimin e pjesëve të rëna apo ndërhyrjeve të gabuara ndër vite”, shprehet arkitekti Fabrizio Torresi, autori i Planit të Rikuperimit.
Profecia u përmbush! Dhjetë vjet më pas, askush nuk dyshon më. Por falë kësaj pune, në korrik të vitit 2005, Gjirokastra u regjistrua si Trashëgimi Botërore në UNESCO. Në një farë mënyre mundi italian mori shpërblimin e merituar.
Në sallën e vogël të Biblotekës Shkencore, në oborrin e pasëm të Akademisë, Zonja Kumbaro u drejtohet të pranishmëve… Pjesëmarrësit janë personalitete të spikatura në fushën e trashëgimisë dhe pjesë e parisë së komunitetit lokal. Ka mes tyre ndërtues, arkitektë të nderuar, ku pesha e titujve dhe e fjalëve meriton vëmendje, ndaj dhe fjalori u përzgjodh me kujdes. Një teknikë par exellence e komunikimit publik.
Duket sikur kjo qeveri paguan enkas edhe për pagëzimin e projekteve. Ndryshe, nuk mund të shpjegohen emrat joshës: Itinerari i besimit (një udhëtim nëpër kishat dhe manastiret bizantine), Itinerari i shtëpive të shkrimtarëve (Kadare, Kokalari) apo Gjirokastra e bardhë (projekti i fasadave).
Natyrisht, projektet nuk e dëmtojnë Gjirokastrën. Aq më pak emrat tërheqës, por parashtrimi i zbut kundërshtarët, ul alarmin që shkakton një aprovim i mundshëm për ndërtimin e bypass-it.
“Kolegë të nderuar,” ndërhyn akademiku Emin Riza, njohësi më i mirë i banesës gjirokastrite, “nuk po hedhim poshtë projektin tuaj. Unë nuk jam dakort me atë trajektore që keni zgjedhur. Është një qafore që i vihet vlerave të qytetit-muze. Gjirokastra ruhet për vlerat e saj historike, arkitektonike dhe mjedisore”.
Përfaqësuesit e Atelier 4, studios fituese për projekt-zbatimin e bypass-it, përgatiten për të marrë fjalën. Sportiviteti dhe siguria e inxhinjerëve të rinj dallon dukshëm në këtë sallë akademike.
Në mur, në një fotografi të përbashkët panoramike, duket Asambli i Akademikëve në mbledhjen e tyre të parë, në vitin 1973, pikërisht, kur pjesa më e madhe e banesave dhe objekteve në Gjirokastër sapo ishin shpallur monumente.
Inxhinjeri Ylli Gjoni, përfqësues i Seed Consulting, bashkëhartues i projektit të bypass-it me Atelier 4, merr fjalën. “Zgjidhja në këtë zonë historike të mbrojtur është e sforcuar, është zgjidhje e vështirë dhe ky projekt bëhet invaziv, por është e vetmja mënyrë për t’u bërë i qëndrueshëm. UNESCO është shprehur me superlativa”.
Inxhinjeri nuk kishte dilema. Për studion fituese gjithçka ishte në funksion të qendrueshmërisë dhe sigurisë. Muret e larta do të visheshin me gjelbërim, ose me një lloj imitimi të mureve të Kalasë.
Projektuesit vazhdojnë të sqarojnë, ndërsa kundërshtarët kanë zgjedhur një taktikë të përbashkët: edhe projekti më i mirë e dëmton Gjirokastrën. Pra, nuk duhet asnjë projekt bypass-i! Palët nuk tërhiqen! Veçaneërisht burokratët e ministrisë, ku funksionon sistemi i hierarkisë të qëndeërzuar dhe bindjes absolute.
“Unë nuk jam inxhinjere”, thotë Ministrja. “Qëllimi i Ministrisë është të zbatojë politikat e qeverisë, t’i realizojë ato. Nuk e mbroj unë projektin teknik”. Por Zonja Kumbaro është kërkuesi, ose porositësi, sidoqoftë. Përplasja vijon…
Mrekullitë janë të shumta në këtë qytet të gurtë. Por ata që i krijuan janë larguar, duke marrë përgjithmonë me vete emigmat e krijimit. Po, atëherë, si mund ta zbulojmë Gjirokastrën? Si mund ta ç’kodojmë këtë mister? Nëse nuk mund t’ia arrijmë, nuk mbetet veçse t’i nënshtrohemi.
Vite më parë, kur qyteti sapo u shpall Trashëgimi Botërore, në përpjekje për ta kuptuar atë, arkitekti italian, autor i Planit të Rikuperimit, Fabrizio Torrezi zbuloi: “Më kujtohet edhe sot se si na befasoi modelimi i planit tredimensional të terrenit që na la me gojë hapur kur shikonim rrugët e Pazarit, që ngjasonin me kanalet për rrjedhjen e ujrave që vijnë prej malit në qytet”.
Pra në harmoni të plotë me natyrën, “urbanistët” e parë të qytetit, për të shmangur ujërat prej themeleve të shtëpive, i ndërtuan rrugët pikërisht në vendkalimet e rrjedhave të këtyre ujërave. Çfarë mrekullie! E kush mund të marrë me mend se çfarë teknikash, të fshehtash apo vëzhgime të pandërprera kanë venë në funksionim, në të shkuarën, ndërtuesit e parë të këtij qyteti-përrallë!
Ne nuk i njohëm ata, as nuk ua dimë emrat; nuk dimë asgjë rreth tyre. Por një gjë mund ta themi me siguri të plotë: të gjithë kanë qënë kryemjeshtra. Tavane druri të të punuara, pikturura murale, oxhaqe të veshura me dekoracione edhe përgjatë faqeve anësore të murit dhe gurë të gdhendur, janë të gjitha objekte me bukuri të rrallë.
“Kalaja është një vepër e papërsëritshme!”. Fjalën e merr Maksim Muçi, Kryetar i Shoqatës së Ndërtimit dhe Kryetar i Komiteti të Digave. “Po shpati mbi të cilin mbështetet, është i rrëshqitshëm! Le të shihen mundësi të tjera zgjerimi! Zonja Ministre, nuk ka rëndësi respektimi i procedurave. Shqetësimi ynë është të garantojmë Kalanë, të mos bëjmë punime që mund ta rrezikojnë atë dhe mundësisht të gjejmë një zgjidhje tjetër. Gjirokastritët do ta gjejnë një zgjidhje, sepse kanë bërë gjithë atë qytet”.
“Mos ma prishni Korijen”, thotë Vasil Muka, banor i Pazarit të vjetër. “Ajo është e mbushur me Kumbulla, me Vidhe, me Akacie e me Lofata. Kam luajtur qysh kur kam qënë i vogël në atë kodër. Në 67-n, te Koço Meksi ka rrëshqitur shtëpia përposhtë dhe ka ikur për te Pedagogjikja; ka rrëshqitur tek ura e Zerzebilit, lart në Manalat; ka rrëshqitur te shtëpia mbrapa Kalasë. Atje te Shehu, ka rrëshqitur komplet kodra, ka rrëshqitur mbi “Turizëm”. Përse bëhet kjo rrugë? Bëhet për Dunavatin, që makinat e Dunavatit të mos kalojnë në mes të Pazarit? Sepse Manalati e ka të zgjidhur, por Dunavati e ka rrugën nga Zinxhirat, kalon te Nazmi Gorrica, tek Zerposhi, poshtë shkollës Manalat. … Zgjeroni aty se janë bahçéra, janë bahçéra të thom’ dhe del te shkolla… Kjo rrugë është një përbindësh prehistorik që do t’ia hajë themelet Kalasë! Ju lutem, mos ma prishni Kalanë! Mos ma prishni bukurinë!”
Gjirokastritët nuk po e japin qytetin! Eh, e si mund ta mendosh! Gjithë ai mund, tërë ajo përpjekje dhe histori 500-vjeçare! Ndërkohë kanë kaluar tre orë.
Në mbyllje, Zonja Kumbaro propozon një tjetër takim, mes teknikësh. “Disa ndryshime, …qoftë dhe anullim. Dua të them se jemi në një projekt dhe nuk jemi në një zbatim. Nuk do të doja që ta agravojmë apo ta rëndojmë opinionin publik me terma që u prish apo u shkatërrua Gjirokastra, e shkatërroi ministrja apo kryeministri. Këtu jemi për një qëllim të përbashkët, unë jam sot ministre, nesër…”.
Kjo sallë e vogël e freskët plot dritë në biblotekën shkencore të Akademisë u zbraz. Lexuesi mund ta përfytyrojë se diskutimi vazhdoi edhe për pak kohë në oborr. Por diçka e pathënë, një si ndjesi a shqetësim, endej në ajër…
Zhurma ubane dhe ekzaltimi që shkaktonte stina e re premtonte një hapësirë tjetër.
Komentet