Bën ftohtë në tokë- rëndon mbi ty bora e trashë,
aq larg, aq larg, veçuar, ftohtë në varrin tënd hata,
Kam harruar, dashuria ime e vetme, të të dua,
ndarë më në fund nga dallga e kohës që ndan gjithçka?
Nuk enden më, në vetmi, mendimet e mia
Përtej maleve, atje, mbi brigjet veriore,
duke palosur krahët ku shqopa e fieri, përgjithmonë,
përgjithmonë fshehin zemrën tënde burrërore?
Bën ftohtë në tokë- e akulli ka ngrirë pesëmbëdhjetë dimra,
nga ato kodrina të zeza, është shkrirë në pranvera:
po, është besnik shpirti që ende të kujton
pas viteve të sfiliteve e vuajtjeve të paprera.
Dashuri e njomë e vajzërisë, më fal, nëse të harroj,
ndërsa më përfshijnë rrymat e botës;
dëshira të tjera, shpresa tjera më thërrasin,
shpresa që errësojnë, por nuk lëndojnë!
Asnjë dritë e re nuk ndizet në qiellin tim,
asnjë mëngjes i ri për mua kurrë s’ka ardhë;
gëzimi i jetës sime vinte nga jeta jote e shtrenjtë,
gëzimi i jetës sime është me ty në varr.
Por, kur shuhen ditët e praruara të ëndërrës
të cilën nuk mund ta shkatërronte as dëshpërimi;
do të mësosh atëherë se mund të dashurosh ekzistencën,
e t’i japësh forcë e guxim, në mungesë të gëzimit.
Atëherë frenoi lotët e pasionit të kotë-
çmësoje shpirtin tim të ri nga dëshira për ty;
mohoja atij dëshirën përvëluese të rendë
për në atë varr që është më shumë se varri im.
Dhe ende nuk guxoj ta lë të fiket, nuk guxoj
ta lë nën mëshirën e vuajtjes së kujtimit të rrëgjohet;
nëse do ta pija me fund këtë ankth sublim,
nuk do të mund kërkoja zbrazëtinë e botës.
Komentet