Nga Hysen Selmani
Pjesa e shtatëmbëdhjetë
Shpesh herë, shtypi evropian dhe ai amerikan, ka trajtuar temën e kujtimeve të Mbretit Shqiptar, Zogu I, të cilat, ai i shkruante dhe i diktonte, gjatë periudhës së mërgimit të tij nga Shqipëria. Duke pasur parasysh, shënimet dhe sintezat që ndihmësi i tij, kolonel Hysen Selmani, përpiloi gjatë viteve në shërbim të tij, – gjithmonë, pranë Mbretit të Shqiptarëve, si në atdhe, ashtu edhe në mërgim, këto shënime, pak a shumë me pjesë të shkëputura, pa ndjekur rreptësisht kriteret e zakonshme të kujtimeve, dhe pa pasur formën e prerë, e përfundimtare të një redaktimi, janë të përgatitura nga vetë Hysen Selmani, i cili i ka kushtuar pjesën më të madhe të jetës së tij, si në Shqipëri, ashtu dhe gjatë mërgimit, shërbimit ndaj Zogut I, Mbretit të Shqiptarëve.
Vijim
Istanbul, 25 qershor 1939
Mbreti Zog, pastaj m’u kthye – kujton adjutanti- dhe më shpjegoi mbi sa kishte biseduar me kryetarin e Republikës Turke, Ismet Inonue, në Yallove. Mbreti, ishte tepër i kënaqur mbi sjelljen burrërore e bujare të Presidentit Inonue. E si pasojë e këtyre bisedimeve, kishte vendosur të bënte një udhëtim për Francë dhe në Britaninë e Madhe. Gjatë kalimit, do të takohej edhe me Mbretin Karol të Rumanisë, për të biseduar për disa çështje, që ishte dakord me Presidentin Inonue. Zogu, nga ana e tij, mendonte se, po të dëshironte, do të bënte një takim në Detin e Zi. Kjo, se kjo çështje, është në interesin e Ballkanit, si edhe të Rumanisë e Turqisë. Për këtë arsye dhe nga kjo, Mbreti shpejtonte që të bënte vizita në Europë. Ndërsa, për sa i përket Qeverisë, do të qëndronte në Turqi. Dhe kur të kthehej Mbreti nga Evropa, kishte për të biseduar se, ku do ishte vendi më i përshtatshëm.
Pastaj adjutanti vazhdon: Si mbaruam këto fjalë, unë u ngrita dhe i kërkova leje Mbretit, që të shkoja pak për të shikuar Mbretëreshën dhe Princin. “Mirë, – më tha, – koloneli im, – shko se dhe Mbretëresha, do t’ju shohë. Por, do të hamë drekë, sepse këtu kam edhe Mehmet Konicën. Do të rrini edhe ju të dy, që të bisedojmë”. “Unë menjëherë hipa lart, kur Mbretëresha me buzëqeshje më tha: ‘Mirëserdhe kolonel i dashur, qenke mirë. Dhe keni kaluar shumë mire, sepse Mbreti është tepër i kënaqur, prej veprimeve tuaja në Jugosllavi. Me të vërtetë, keni bërë shumë punë të mira’. ‘Princi qenka shumë mirë’, – iu përgjigja. Pashë pak dhe Princeshat, e zbrita poshtë, ku ishin grumbulluar në sallon, plot Ministra dhe njerëz të tjerë”.
Pasi vjen dreka, adjutanti shton: U ulëm në bukë, Mbreti, Mbretëresha, Princeshat e Kryeministri Kotta, unë, Asaf Xhaxhuli, Sotir Martini, Mehmet Konica dhe filluam që të hanim bukë. Mehmet Konica, i shpjegonte Mbretit: ‘Që kur erdhi koloneli në Beograd, në Hotelin “Sirbce Kral”, aty banoja dhe unë. Ky më tha se, kam ardhur të shikoj pak Beogradin, kur të nesërmen, në orën 9 të mëngjesit, vjen N/ministri i Punëve të Jashtme, Loitiçi, me makinën e vet dhe shkojnë. Kur u kthye në drekë, më tha; Mehmet Bej, merre Gani Begun dhe Bazin, e të hamë drekë së bashku. Mirë, po ku ishe, – iu drejtova. Po gjithnjë si në shaka, ai i ikte fjalës. Në mbrëmje, në orën 8.30, vjen adjutanti i gjeneral Nediçit, me gjithë makinat zyrtare, para Hotelit ku ndodhej Ganiu. Ai i njihte mirë kolonelin e gjeneral Nediçit dhe i thotë: Përse keni ardhur?! Ai i përgjigjet: Të marrim kolonel Selmanin, se ai sonte është për darkë, tek gjenerali në shtëpi. Pra, ky kurrë nuk më tregonte’.
Mbreti, duke qeshur iu përgjigj: “Është shumë zor me ushtarët. Por, ka kaluar shumë mirë e jam i kënaqur”. “Mirë, mirë, – përsëri e merr fjalën Mehmet Konica, – prapë të nesërmen, na thotë; do të hamë darkë bashkë me të gjithë. Por, ky nuk dukej askund, vetëm me Avni Derallën. Kur na vjen në orën 8 të mbrëmjes, bashkë me Loitiçin. Dhe, ne po e pritnim, siç na kishte thënë. Me të vërtetë, ai e mbajti fjalën dhe erdhi bashkë me Lotiçin, për darkë. U falëm me njëri-tjetrin dhe pastaj u prezantuam edhe me Bazin, sepse ai, nuk e njihte në tryezën e bukës”. Duke biseduar, Loitiçi na tha: “Na mbyti koloneli. Jo vetëm mua, por edhe Ministrin Çinçar Markoviç, derisa na bëri që të pranohen sugjerimet e tij. Unë, prapë i çova sytë tek koloneli, por ai nuk e përfilli fjalën e Loitiçit. Ai këtu, kuptoi se, ne nuk jemi në dijeni dhe nuk u hap më gjatë asnjë problem”. Mbreti dhe Kryeministri u këputën së qeshuri.
“Sa i keq është, – tha Mbreti, që nuk ju ka vënë në dijeni. Por, sidoqoftë, ka kaluar shumë mirë e, ka bërë punë të mëdhaja, sidomos me rregullimin e 800 e ca emigrantëve, me banim e ushqim, e të gjitha. Sepse, ne sot, me kushtet tona, kurrë nuk ishim në gjendje t’i ndihmonim. Kjo vetëm moralisht dhe ndonjë gjë të vogël”. Pasi hëngrëm drekë, pimë edhe kafe, u shpërndamë për të pushuar. Pastaj, Mbreti me Mbretëreshën, hipën lart dhe unë shkova në apartamentin tim. Aty pashë fëmijët e mi, që u kënaqën shumë kur më panë. Pushova pak, se isha edhe krejtësisht pa gjumë dhe fjeta, deri në orën 6 të mbrëmjes. Pasi u ngrita shkova direkt në Hotel “Pera Palace”.
Aty gjeta gjithë ministrat dhe Abdurrahman Matin, Abaz Kupin, Taf Kaziun dhe Murat e Miftar Kaloshin, vazhdon adjutanti. Si u falëm me të gjithë e duke biseduar më thirri Mbreti të shkoja lart. Shkova atje, por aty nuk kishte as një njeri. I parashtrova të gjitha mbi çdo veprim dhe biseduam bashkë për një raport me gjithë detajet e duhura. “Mbretit, më tepër, i pëlqeu fakti përsa i parashtrova mbi gjendjen e brendshme jugosllave. Sidomos mbi gjeneralin Nedel Koviç, kujton adjutanti. Kjo i interesonte shumë atij. Për këtë punë, më bëri që ta përsëris shpeshherë. Sidomos atëhere, kur i flisja për lidhjen e ushtrisë, me britanikët e francezët. Kjo e kënaqi Mbretin, pa masë. Arsyeja ishte se këtë, nuk e dinte as Iliçi. “Siç ta parashtrova, kjo është tepër sekret, e askujt mos ja thuaj”, me tha Mbreti, thotë Selmani.
Vetë Mbreti, më foli për Gani Kryezinë, sepse i kishte folur Mehmet Konica. Iu përgjigja se: “Nuk pata shumë kohë që të bisedoja me të. Vetëm në drekë e në darkë, që e kam pasur. Ai u soll shumë mirë dhe natyrisht jugosllavët, e besojnë. Si edhe i përsërita fjalët që më tha, kur më shoqëroi në aeroport. Kujtoj se ka për të ardhur, kur të ktheheni këtu nga Evropa”. Pas kësaj, me pyeti mbi Lleshajt dhe për mbarë njerëzit, si: Naim Starova, Myslim Pezën, Profesor Mustafa Gjinishin, Profesor Hasan Reçin, e të tjerë. Po ashtu, mbi oficerët. Këtu i shpjegova se: “Profesor Gjinishi, është një element shumë i vlefshëm, me gjithë shokët. Natyrisht se, ata anojnë nga e majta, por sot, janë të bashkuar e të betuar dhe nuk i ndan asgjë. As që shikojnë tendenca të ndryshme, vetëm interesin e Atdheut. Ata kanë shumë respekt për ju dhe janë kryekëput nën udhëheqjen e Madhërisë suaj”.
“Gjithashtu, Akif Lleshi, Himçe Kaba, Haxhi Lleshi, janë shumë mirë dhe kanë marrë përsipër, siç e shihni në programin e veprimeve, gjithë përgjegjësinë e Qendrës së Kreshnikëve, me qendër në Dibër, – i shtova Mbretit. Si edhe rregullimin e lajmëtarëve, që dy herë në javë, do të dalin e të hyjnë brenda në Shqipëri. Janë betuar e janë tepër të kënaqur. I kam patur gjithnjë pranë vetes, në Shkup e Gostivar. Po ashtu, Mehmet Ali Bajraktari dhe Zenun Binaku, Gani Serdari e Jashar Lela, si edhe Jusuf Selmani, janë së bashku, po të lidhur me Akif Lleshin. Oficerët janë shumë mirë dhe tepër aktive. Natyrisht, me një bindje e disiplinë të forte, nën urdhrat e N/kolonel Kuçuk Ullogajt e, major Murat Bashës. Janë më tepër se 400 oficerë, mjaft të aftë. Major Murat Basha, punon shumë mirë me një vullnet e disiplinë të kënaqshme”.
Për më poshtë, adjutanti i raporton Mbretit Zog se: “Për çdo eventualitet në Qeveri, si edhe në Komandën e Armatës së Shkupit, e tek Shefi i Policisë, kam caktuar përgjegjësit përkatës të emigrantëve shqiptarë. Sepse, duhet thënë që për ditë, ikin e dalin në Jugosllavi. Për administrimin e tyre, janë caktuar: për ushtarët, N/kolonel Kuçuk Ullogaj e major Murat Basha; për intelektualët, profesorët, studentët e nëpunësit: Profesor Mustafa Gjinishi; e për Kreshnikët, bajraktarët e civilë të tjerë: Akif Lleshi e Himçe Kaba. Të tre grupet përgjegjëse, kanë nga një lidhje, me të tre autoritetet e Shkupit në dorë. Që për çdo nevojë, do të jenë ngushtësisht të lidhur me seksionin, që merret me këtë detyrë të emigrantëve shqiptare. Për të filluar punën: Çdo qendre, i dhashë një shumë të hollash, për të blerë nga një shaptilograf dhe një shpenzim të vogël, për udhëtimet e lajmëtarëve; qendrës së oficerëve, i dhashë 200 napolona letër; qendrës së kreshnikëve, 100 napolona letër; qendrës intelektuale, 300 napolona letër.
Sepse, këto kanë më tepër punë dhe janë të gjithë aktivë, si shkrimtarë. Ashtu si gjeneral Nediçi në Beograd dhe po ashtu edhe Guvernatori në Shkup, e Komandanti Armatës Shkupit, gjeneral Nedel Koviç, me kanë siguruar se, nuk do t’u priten këto ndihma. Edhe kur buxheti të mbarohet, sipas vendimit të Këshillit Ministror, deri në daljen e buxhetit të ri, sipas vendimit, që është për 6 muaj: Në këto, do t’i përballojmë nga shpenzimet e tjera tonat. Dhe kur autorizimi të dalë i plotësuar, mos të keni asnjë merak. Këtë sigurim, ma jepnin në premtimin e tyre personal”. Ndërsa për në Shqipëri, adjutanti i kujtoi Mbretit se: “Qendrat në Shqipëri, rreth kohës përsa qëndrova në Shkup, janë të lidhura me Librazhdin. Kapiten Ahmet Cami, Mati, Lura, Çermenika dhe Belshi i Elbasanit, Krraba, Shëngjergji, Bulqiza, Bllaca, Reçi, që këto në saktësi, janë duke u organizuar në fshehtësi, për të qenë për çdo gjë të gatshëm. Kurse ushtria më vete, kreshnikët më vete, shkollat më vete, shtuar këtu se, deri tani shkollat, e disa mësues, kanë treguar një vullnet më të gatshëm se të tjerët, besojmë se edhe të tjerët, brenda një kohe të shkurtër, kanë për të qenë në rregull”.
Istanbul 26 qershor 1939
Në bisedime në “Pera Palace”, me Madhërinë e Tij, Mbretin Zog, Kryeministri Kotta, ministri Asaf Xhaxhuli, kolonel Husein Selmani, u rrah i gjithë problem, mbi vizitën e Mbretit në Europë. Kishte ardhur tek Mbreti dhe Justin Goudardi, me gjithë një tjetër. Këtij, kurrë nuk i ishte mbushur mendja se, do të kemi një luftë të shpejtë. Sidoqoftë, kujton adjutanti,- Madhëria e Tij, Mbreti, përsa i kishte thënë dikur edhe Kontit Çiano, u kujtoi të pranishmëve, se: “Kur armatimi gjerman, ka mbërritur kulmin, ajo do të përgatiste planet për një luftë. Kjo sepse, akoma shtetet e tjera, si; Franca e Britania e Madhe, nuk janë aspak të gatshëm. Dhe Gjermania, do të përfitojë sot me këtë armatim të madh, që ka përgatitur. Prandaj, ka shpenzuar gjithë rezervat e financën. Sepse, po mos të përfitojë për momentin, me këtë armatim, atëhere, nuk do të jetë në gjendje që ta vejë në vend. Kështu, – më tha edhe Çiano, duke më shtuar se, me 1940-ën, Gjermania është në luftë, dhe si shkak për këtë, do të zërë Dansingun”, tha Mbreti.
Më poshtë ai vazhdoi: “Po kështu, edhe Presidenti Inonue, nuk beson për një luftë të shpejtë. Por, sidoqoftë, është krejt e nevojshme, që të shkoni në Francë, më tha – po ashtu dhe në Britaninë e Madhe. E gjithë çështja e të ardhmes, varet atje. Dhe, ambasadorët e Turqisë, i keni në dispozicion për t’ju ndihmuar, për çdo problem. Se, po ju njohën si aleanca, këto dy Shtete të Mëdhaja, e gjithë bota demokrate, ju ka njohur, më shtoi Inonue”, tha Zogu I-rë. “Dhe takimin me Mbretin e Rumanisë, Karolin, e kini parasysh. Se ai po të dha fjalën, nuk e luan. Megjithëqë, ai mundet të anojë me kohë, nga ana gjermane. Nuk duhet harruar se, ai ka mjaft influencë në Jugosllavi e ky, ka mundësi të ndryshojë gjendjen e sotme jugosllave”. Më poshtë, Mbreti vazhdon: “Presidenti Inonue, më shtoi se: Kur do të bisedoni me Mbretin Karol, mund t’i thoni edhe mendimin tim, që është i domosdoshëm. Ndërrimi i shtetit të sotëm jugosllav, është i mundur, sepse ai ka mbërritur në një krizë shumë të keqe. Por, është më e mira, ta marrë ushtria në dorë, e tjetra, po të dëshirojë, me u takua me mua, unë jam gati kur të dojë. Me një vend në Karadenize, më këshilloi përfaqësuesi i lart turk, – u tha Mbreti.
Duke iu kthyer qëndrimit të Turqisë, Mbreti, iu tha: “Përsa i përket Qeverisë Mbretërore Shqiptare dhe Legatës, do të funksionojë rregullisht, në programet e tyre. Legata, është po me të njëjtat të drejta që ka pasur. Pra, është baras me Legatat e tjera. E Madhëria Juaj, më tha: Vendin e keni këtu në Turqi, e ju presim sa më shpejt, të ktheheni me të gjitha plotësimet e duhura, për interesat e Atdheut tuaj. Keni vëmendje shumë me britanikët, se e gjithë puna, aty varet. Bisedimet me Presidentin Inonue, prej 6 orësh, në Yallove, kanë qenë krejt të përzemërta e miqësore, me plot zemër. Ai vetë më përcolli deri tek vapori, e pasi u përshëndetëm, me këto fjalë u ndamë”.
Duke iu kthyer gjendjes së Jugosllavisë, Mbreti kujton se: “Sa i përket gjendjes jugosllave, kjo piqet me sa na thotë edhe koloneli. Që Inonue, është mirë në dijeni, se Mbreti Karol ka motrën, që është Mbretëresha e Jugosllavisë. Dhe ushtria, është besnike e Mbretëreshës. Këtu në është se Mbreti Karol, do ta ketë me gjithë, atehëre ai me zemër, mund të lozë një rol të shpejtë, në këtë situatë. Kjo, duke ndryshuar Qeverinë e sotme. Por, unë, gjithsesi, në bisedimet që kam patur me Mbretin Karol, do ta kuptojë mire, qëndrimin e Tij, a është pro gjerman, a pro anglo-francez”. Mbreti, si mbaroi mbi bisedimet me kryetarin e Republikës Turke, Ismet Inonuen, në Yallove, tha: “Në lidhje me bisedimet e Yalloves, vërtetohen krejtësisht, me sa keni pohuar ju kolonel. Në Jugosllavi, është e vërtetë ajo që thatë. Sepse, gjeneral Nediçin, e njoh mirë. Dhe meqë ai ju ka pritur e folur sinqerisht, unë dua të them, se: ai është vërtetë një ushtar i madh dhe sot Ministër i Luftës. Por, nga që sot ndodhet i bashkuar me këtë Qeveri, ai, e ka humbur rëndësinë në ushtri. Dhe sot, vërtetë personi më i fortë dhe ai që ka për të luajtur një rol të madh, është gjenerali Nedel Koviç, komandanti i Armatës së Shkupit.
Të gjitha sa përbënte raporti i juaj, në lidhje me bisedimet në Jugosllavi, ishin me të vërtetë të mëdhaja. Saqë në fillim, nuk e besoja, derisa këtë ma vërtetoi Milo Iliçi, në bisedimet që kam patur me to, dhe bile Iliçi, më shtoi se: Kurdo që nevoja do ta lypë, të dërgohet kolonel Husein Selmani. Kjo sepse, të gjithë e njohin dhe e respektojnë. Ata kanë besimin në fjalët e pakta, por të sakta, që ju keni thënë”. Mbreti, pastaj u kthye nga Kryeministri Kotta dhe tha se: “Fatkeqësisht, Kryeministri, me gjithë përpjekjet e tij të mëdhaja, nuk pati mundësi të arrijë asnjë gjë, me Qeverinë Greke. Ata janë shumë të frikësuar nga fashizmi, e siç duket,, edhe anglezët e këshillojnë pa pasë, që mos t’i japin asnjë shkak zemërimit fashizmit.
Vetëm po ju them, – na u drejtua Mbreti – në rast se Italia, mësyn Greqinë, Britania e Madhe, qenka gati. Por edhe nëse nuk qenka gati, ajo do të hyjë në luftë, kundër Italisë, sepse, Flota Britanike në Mediteranë, ka bazat më të rëndësishme në Ishujt Grekë. Këtu nuk ka për të duruar. E pra unë, habitem pse trembet kaq fort Greqia – tha Mbreti Zog. Dhe nuk marr vesh se; ç’është arsyeja, që kryeministri grek, Metaksai, të njohë menjëherë okupimin e Shqipërisë prej Italisë. Ai deklaron se, është i kënaqur sepse, u bë i afërt me fashizmin. Mbreti Zog, iu kthye kolonel Selmanit, duke i thënë: “Si mendoni për personelin që kemi në Greqi. Ata nuk i ndihmojnë dhe i përdorin jo mirë. Ç’mundemi të bëjmë për këto”? Kolonel Husein Selmani, i parashtroi atëhere Mbretit, se kur ishte në disa bisedime me gjeneral Nedel Koviç, i kishte referuar gjendjen e këtij personeli, duke i dhënë edhe një listë.
Ai i ishte përgjigjur, sipas fjalëve të adjutantit: “Po të dëshironi, mundeni me i sjellë edhe ata këtu. Sepse, zaten për ditë, po kalojnë kufirin e vijnë. Dhe ata nuk qenkan një shumë e madhe. Por, më tha tjetër, duke më kujtuar se: A nuk do të ishte më mire, për çdo eventualitet, që ata të ndodhen atje, se ka për të ndryshuar kjo situate, si edhe në Greqi, edhe tek ne. Prandaj, më tha – mendoje mirë këtë gjë”. Unë i parashtrova Mbretit, që, hëpërhë, le të mbeten atje. “Le të presim se, për çdo ditë, kemi të reja dhe me sakrifica të vogla, do t’i mbajmë atje”. “Shumë mirë kolonel, që paskeni fol edhe për ata. Dhe, kjo që thoni, është me plot arsye. A mendoni hëpërhë, të rrinë atje? Edhe unë, kam bindjen se, kjo gjendje, shumë shpejt, ka për të ndryshuar, e bile, në bisedimet që do të kem me francezët, po ashtu me Britanikët, do të flas mbi personelin në Jugosllavi dhe në Greqi e Turqi. Vetëm, më përgatitni një kuadër se: sa oficerë, sa profesorë e nëpunës dhe sa bajraktarë, janë.
Kjo shifër, duhet që të shërbejë, që ta kem më vete. Sepse, kam shpresë për një ndihmë. Sidomos me francezët, që mund të na ndihmojë ushtria, për mbajtjen e tyre. Nuk është një gjë e madhe për francezët dhe atyre mund t’ju nevojitet, për t’u ndërlidhur me informacionin tonë. Kjo, sepse me ato që më thoni, ata janë të lidhur, me ushtrinë jugosllave”. Pas këtyre, Madhëria e Tij, Mbreti Zog, foli mbi delegacionet e kolonive shqiptare. “Që sa më pare, lipset të merren masat e mbledhjes së këtij kongresi kombëtar. Ky kongres, do të jetë kompetent për të biseduar dhe shqyrtuar çdo gjë, që i përket punimeve politike, e administrative dhe financiare. Qeveria është e lidhur ngushtësisht me këtë problem. Për këtë, tha se: Kongresi, do të jetë siç janë dispozitat në mes Parlamentit dhe Qeverisë. Po, në atë mënyrë, do të funksionojnë, edhe eventualisht, lidhjet e marrëveshjet me Shtetet dhe me Lidhjen e Kombeve, do të jenë të përbashkëta.
Mos harroni se, kolonitë do të sjellin rolin kryesor, në botën demokrate”. Mbreti, vazhdoi pastaj: “Jam i mendimit dhe shpresoj se, unë nga vjeshta, do të jem këtu. Deri në atë kohë, do të keni përgatitur të gjitha programet dhe dispozitat përkatëse. Menjëherë, të mblidhet ky kongres, në mënyrë që gjithnjë, të jeni në kontakte të ngushta. Pra, në këtë kohë, të jeni gati për t’u nisur. Po sa të behët thirrja, në këtë kohë, do të dimë edhe qëndrimin e Britanisë së Madhe dhe të Francës, kundrejt njohjes të Qeverisë Mbretërore Shqiptare, në mërgim”. Pas kësaj, Mbreti foli mbi gjendjen e përgjithshme në bazë të bisedimeve që ka patur me Justin Goudardin, kujton adjutanti. Ky, erdhi direkt nga Parisi, tek Mbreti Zog, për të biseduar mbi situatën e sotme. Ky siç dihet, është një personalitet i lartë dhe mik i ngushtë i Shqipërisë. Por, ky me këmbëngulje, pohonte se: Lufta, është ndaluar edhe për 5 vjet. Se ditën që jam nisur për Turqi, kam patur shumë bisedime me Ministrin Daladier. Luftë, nuk ka, hë për hë. E kur unë i thashë se: Lufta nuk ka për të kaluar vitin, në asnjë mënyrë, ai nuk e besonte. Më vonë, Goudardi, i kishte shtuar se: “Ministri Daladier, më tha se Franca, kurrë nuk e njeh okupacionin e Shqipërisë.
Prandaj, ka marrë vendimin, e njeh Legatën Mbretërore Shqiptare në Paris, me të drejtat që ka pasur gjithnjë”. Mbreti u shpreh më poshtë: “Kam shpresë, si me Francën, ashtu me Britaninë e Madhe, të mbërrijmë me një akord, që të njohin Qeverinë Shqiptare, në mërgim. Kjo është ajo që më shtyn më tepër, që po ju them, që: T’i jepni të gjithë rëndësinë e duhur, përgatitjes për thirrjen e delegacioneve të kolonive, në formë kongresi. Ashtu, siç e përmendëm, që në kthimin tim këtu, menjëherë të bëhen thirrjet. Siç ju thashë: Të gjitha programet e dispozitat, të jenë të mbaruara, kur do të thirren”. Madhëria e Tij Mbreti, vuri në dijeni Këshillin Ministror, për itinerarin në nisjen për Europë: Ne Rumani, aty do të kemi një takim me Madhërinë e Tij, Mbretin Karol. Natyrisht, vazhdoi Mbreti – mund të pres dhe koloninë shqiptare e, t’ju flas mbi sa biseduam. Pastaj, do të shkoj në Poloni dhe aty do të dëshiroja, të kem një takim me kryetarin e Republikës e, Ministrin e Jashtëm, kolonel Beg. Prej këtej, do të shkojë në Suedi. Aty, jam vetëm për një pushim dhe dua vetëm që të shoh atmosferën e Mbretit, prej Suedije. Pastaj, direkt do të shkoj për në Francë. Gjithsesi, kam për t’ju vënë në dijeni, gjithkund që të shkojë”.
Po në këtë ditë, kishte Justin Goudarde, me gjithë një profesor francez, për drekë. Goudardi, do të nisej pasdite direkt për në Jugosllavi dhe Itali. “Do të takohemi në Francë”, i kishte thënë Goudardi. Bashkë me Goudardin, Mbreti, mbajti edhe kryeministrin Kotta e ministrin Asaf Xhaxhulin për drekë dhe i urdhëroi, që ta shoqëronin deri në “Jesil Koy”, aeroport. /Memorie.al/