DISA TË DHËNA E DËSHMI PËR JETËN E VEPRËN E PROFESOR
Dr. HAJRULLAH GORANI
*E DJATHTA SHQIPTARE NË MBROJTJE TË SHQIPËRISË ETNIKE Nr. 5 Faqe. 469-484 Viti 2007.
Lindi dhe u rrit në Pejë.
I njohur me qetësinë njerëzore dhe kujdesin që kishte në çdo drejtim, sidomos në të folur ishte i qetë apo siç thuhet në popull i prajshëm për njeriun e urtë me dituri e maturi për mendime, vendime, veprime dhe qëndrime.
I arsyeshëm dhe bindës, udhëzues e këshillues i mrekullueshëm.
Të gjitha këto cilësi dhe të tjera, burimin e kanë nga edukata familjare dhe dashuria njerëzore, tek shprehit për punë dhe përgjegjësit ndaj punës. Të gjitha këto veti e cilësi s’bashku në vazhdimsi kanë pasur lidhshmëri mes veti, jetësoheshin në përditshmëri në mënyrë të ndërsjelltë, si pasuri e veçantë e traditës dhe trashëgimisë familjare dhe atdhetare.
Si bashkësi familjare në Pejë, janë marrë me mirëmbajtjen dhe përpunimin e pushkëve në veçanti dhe armëve tjera të zjarrit dhe të ftohta si brisçi, thika etj. Kanë pasur punëtorinë e tyre dhe shitore si briskaxhi, që kanë qenë të vetmit dhe janë ende të njohur për këtë lloj mjeshtrie në Pejë.
Në veçanti ka qenë me zë jo vetëm si mjeshtër në mirëmbajtjen dhe përpunimin e armëve Profesor Rashit Gorani, por edhe si mësimdhënës ka mbajtur mësimin e orëve praktike në punëtori, me nxënësit e shkollës së mesme për profesione (zanate) si metalgdhendës, saldues, elektriçist dhe drejtime tjera të ngjajshme të kësaj natyre në shkollën e mesme për profesine të ndryshme në Pejë.
Pasardhësit e familjes Gorani në Pejë ende merren me këtë zeje dhe janë të vetmit në Pejë të njohur me këtë veprimtari, si biskaxhi, pa lënë anash edhe drejtimet tjera të ndryshme profesionale që ushtrojnë anëtarët e tjerë të familjes, që në vazhdimsi me përkushtim e përgjegjësi kanë kryer e kryejnë punë për vete, familje, shoqëri me kujdesë të veçantë edhe për atdhe.
NË MOSHËN 18 VJEÇARE U BURGOS PËR VEPRIMTARI ATDHETARE
Si veprimtar i çështjes kombëtare për liri e pavarësi të atdheut, është burgosur në moshën 18 vjeçare më datën 19.02.1950 në Pejë.
Disa të dhëna plotësuese :
Më 25 dhe 26 korrtor (korrik) 2006 në Rrëshen të Shqipërisë është mbajtur Sesioni i pestë shkencor me rradhë, me temën Mirdita dhe shqiptarët gjatë shekullit XX organizuar nga: E DJATHTA SHQIPTARE NË MBROJTJE TË SHQIPËRISË ETNIKE
Autori i këtij shkrimi (A.F) ka marrë pjesë në këtë Sesion, me punimin i cili është publikuar dhe botuar në vitin 2007 në vëllimin e librit nr. 5 E DJATHTA SHQIPTARE NË MBROJTJE TË SHQIPËRISË ETNIKE – me titullin në vijim:
* “VEPRIMTARIA ATDHETARE E ARIF HOXHËS NË SHËRBIM TË SHQIPËRISË ETNIKE”, nga faqja 469-484, ku mes tjerash si burim i të dhënave me dëshmi është edhe letra me kujtimet e të nderuarit Profesor Dr. Hajrullah Gorani, për Arif Hoxhën, të cilën letër ia ka dërguar autorit të shkrimit sipas kërkesës (pyetësorit), që tani si dëshmi plotësuese i shtohet shkrimit të shoqëruar edhe me një fotografi që po ashtu lidhet me rrjedha e ngjarje historike në kohë dhe hapësirë dhe me veprimtarinë atdhetare të Profesor Dr. Hajrullah Gorani.
Letra e Profesor Dr. Hajrullah Gorani për Arif Hoxhën në vijim:
**Letra e Profesor Dr. Harrullah Gorani e publikuar tek e Djathta Shqiptare në Mbrojtje të Shqipërisë Etnike Nr. 5 Viti 2007.
** ” Do të përpiqem t`i rikujtoj disa ngjarje nga e kaluara që ka të bëjë me Arif Hoxhën ose Bac Arifin si e quajshim në atë kohë’’.
Arif Hoxha ka ra në burg më 18 shkurt 1950 e unë më 19.02 1950 në Pejë. Me bacin Arif jam njohur në burgun e Prishtinës në dhomën nr.9 ku ishin të vendosur të burgosurit e dënuar me burg të rëndë. Aty i kam njohur të gjithë ata që i përmendni në pyetësorin tuaj por edhe shumë të tjerë që kanë qenë të dënuar si ‘’Grupi i Prizrenit’’ d.m.th burgosurit e tjerë politik.
Arifi në burg (në Prishtinë) kishte një autoritet të veçantë. Të gjithë e respektonin për qëndrimin dhe mençurinë e tij. Në biseda ishte shum i matun dhe i qetë gjë që më ka lënë përshtypje të një patrioti të bindur dhe konsekuent në realizimin e synimeve kombëtare. Meqenëse në burg kam qenë mjaft shëndetlig, me keqësimin dramatik të shëndetit më kanë dërguar në spital…, Pas kthimit sërish në burg nuk më kanë vendosur në dhomën nr.9 por në nr. 8 që do të thotë se nuk jam takuar ma në burg me bacin Arif. Në burgun e Nishit nuk jam parë meqë te dytë kemi qenë në “Zavod të Nishit” si e quanim ne burgun e Nishit.
Pas lirimit nga burgu më ka rasti ta takoj disa here. Rasti i fundit ka qenë kur kam vizituar Nezën (Nezir Hotin) nuk më kujtohet data. Përveq Arifit ka qenë edhe Uka (Ukshin Hoti) dhe disa të tjerë që nuk më kujtohen emrat. Kemi biseduar gati tërë natën, kuptohet tema e bisedës ka qenë politika.
Vdekja e bacit Arif më ka pikëlluar pamasë, sepse Arif Hoxha ishte një symbol i rezistencës sonë kombëtare. Nuk kam mundë të marrë pjesë në varrimin e bacit Arif, sepse kam arritur me vonesë pasi që ishte varrosur, dhe kam qëndruar në të Pame së bashku me vllaun Rashitin
Hajrullah Gorani “
9 Qershor 1991 Suharekë
Ulur nga e majta Arif Hoxha ,Sadik Tafashiku, Zekë Bajraktari, Hajrullah Gorani mbrapa në këmbë Jashar Bajraktari vëllai i Zekës.
***/“VEPRIMTARIA ATDHETARE E ARFIF HOXHËS NË SHËRBIM TË SHQIPËRISË ETNIKE”, nga faqja 469-484 -ESHMSHE. Nr. 5
Profesor Dr. Hajrullah Gorani ka qenë i burgosuri më i ri më 1950-02-19.
Pas vuajtjes së dënimit, si ligjërues në Universitetin e Kosovës, dhe kryetar i BSPK vazhdimisht i ka nderuar dhe vizituar shokët e burgut qoftë me rastin e gëzimeve apo ngushëllimeve. Si dëshmi është edhe fotoja sipër që ka edhe një histori të veçantë që do e paraqesim shkurimisht në vijim:
HISTORIKU I FOTOGRAFISË SIPËR
Në Bajrakli Xhamin e Prizreni, janë organizuar e zhvilluar punimet e LSHP në Qershor të vitit 1878. Më 10 qershor 1991 në shenjë nderimi e kujtimi të ngjarjeve me rëndësi historike, siç ishte LSHP organizoheshi tubime e veprimtari përkujtimore ku lexoheshin e mbaheshin referate dhe fjalime, edhe pse në rrethana e kushte të jashtëzakonëshme nën mbikqyrjen dhe përcjelljen e çdo organizimi dhe veprimtarie atdhetare, nga milicia dhe shërbimet tjera të pushtuesit serb.
Në Bajrakli Xhaminë në Prizren, më 10 qershor 1991, u mbajt tubim me qytetarë në shenjë nderimi e kujtimi të LSHP ku mori pjesë edhe i nderuari Profesor Dr. Hajrullah Gorani që ishte edhe Kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Republikës së Kosovës tani më të Shpallur nga Kuvendarët e Kuvendit të KSAK në Kaçanik më 7 Frytor ( Shtator) 1990.
Në këtë organizim u lexuan disa punime kushtuar LSHP, Fjalimi i mbajtur nga Profesori i nderuar Dr. Hajrullah Gorani, kushtuar rëndësisë historike të LSHP dhe lidhshmërinë që bëri me gjendjen ekzistuese nën pushtimin serb, këshillat e udhëzimet për organizimi dhe qëndresën që duhet bërë ndaj pushtuesit u mirëprit dhe në shenjë falënderimi u duartrokit nga pjesëmarrësit.
Pas përfundimit të këtij organizimi në shenjë nderimi e kujtimi të LSHP, bëmë një ndeje të veçantë me Profesorin e nderuar Hajrullah Gorani, me atdhetarin e mirënjohur të çështjes kombëtare dhe të burgosurin politik Arif Hoxhën , me Skënder Berishën veprimtarin e LDK-së e në kohë lufte ushtarin e vendosur të UÇK-së (Që në fillim pranverën e këtij viti ndërroi jetë edhe Skënderi vëllai i heroit Xhemajli Berisha, të cilin e mbyten në burgun e Prizrenit, më 1989-04-06 deri sa në burg ishte edhe Skënderi bashkë me autorin e këtij shkrimi) Xhemajli Berisha ka qenë student i Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Kosovës, si student ka mbajtur Ditarin me shënime për rrjedha e ngjarje dhe ka diplomuar te Profesor Dr. Hajrullah Gorani në muaj Lulëzor (Maj) 1992.
STUDENTËT E BASHKËPUNËTORËT PËR PROFESORIN
STUDENTI DHE BASHKËPUNËTORI I PROFESOR Dr. HAJRULLAH GORANIT |
Nexhmedin’ Shaqiri lindi më 26 tetor 1957 në Përlepnicë të Gjilanit. Ka mbaruar studimet postdiplomike ne Fakultetin Ekonomik në Prishtinë dhe ka marrur titullin magjistër në shkencat ekonomike në Universitetin e Prishtinës. Në vitin 2019 në Universitetin Europian të Tiranës merr titullin Doktor i shkencave ekonomike drejtimi Financë.
Qe nga viti 1990 deri në vitin 1999 ka qene i angazhuar në mbrojtje te interesave te punëtorëve si sindikalist në Bashkimin e Sindikatave te Pavarura të Kosovës Në BSPK, ka përfaqësuar interesat e Sindikatës së Pavarur të Industrisë së Tekstilit dhe të Lëkure Këpucëve të Kosovës, duke u pozicionuar si anëtar i Këshillit Ekzekutiv te BSPK.
Nexhmedin Shaqiri në vijim me rastin e ndarjes nga jeta e profesor Dr. Hajrullah Gorani shkruan në faqen e vet të Librit- Facebook si në vijim:
NGA Faqja e Librit- Facebook 6 korrik ·
Eshte krenari të jetosh me dinjitet të lartë njerëzor. Është vlerë të i kontribosh atdheut, duke edukuar studentët. |
Eshte patriotizem të angazhohesh për të mbrojtur e zhvilluar atdheun. është fisnikëri të nderosh njerezit me të cilët punon e jeton. Është bujari të ndihmosh të tjerët e të i duash ata. Prof. Dr. Hajrullah Gorani është simbol i rezistencës kombëtare… Pra, i tillë ishte Prof. Dr. Hajrullah Gorani. Shembëlltyra e tij do të mbetet gjatë në mendjet tona. Nga sot do të kemi nje Yll më shumë në qiellin e Kosovës. Ky yll do të jetë i pashuar përgjithmone, sepse do të shëndrris dhe rrezatojë përgjithmonë.
KUJTIME NGA BASHKËPUNIMI ME PROFESORIN
ABAS TË GJITHË VRAPOJN ME U FOTOGRAFU E ME DAL NË GAZETË… E TI THUA: HIQMI QAFE GAZETARËT ..!?
Fillimisht sa për sqarim:
Një veprimtari e veçantë organizative për të ju ndihmuar familjeve skamnore të xehtarëve të larguar nga puna dhunshëm nga ana e pushtuesit serb, ishte edhe themelimi i Aksionit gjithëpopullor “Familja ndihmon familjen” – “FNF” (ide e autorit të këtij shkrimi) që më vonë u shëndrrua në shoqatë bamirëse SHB” FNF”.
Jetësimi praktik i kësaj veprimtarie të veçantë filloi në Prizren dhe u shtri në tërë Kosovën e jashtë saj dhe në kurbet. Lidhur me këtë veprimtari autori ka zhvilluar biseda me Profesorin sepse kjo ide e vet autorit të këtij shkrimi tani më kishte përkrahje dhe kishte filluar të jetësohet në praktikë por që në vazhdimsi kërkohej shtrirje dhe përkrahj më e madhe, që të përfshihen sa më shumë bëmirës për të ndihmuar sa më shumë skamnorë. Bisedat e zhvilluara me profesor Dr. Hajrullah Goranin që ishte edhe kryetar i BSPK ishin të afërta por edhe të frytshme pasi që edhe profesori ishte shumë i interesuar që sa më shumë punëtorë skamnorë e në veçanti xehtarët të përfshihen në këtë lloj ndihme. E njoftojsha me të dhëna në terren dhe me bashkëpunimin që kisha me kryesinë e SP të xehtarëve të Trepçës: Me një rast gjatë bisedës mes tjerash tha: Abas ide shumë e qëlluar dhe kam shpresë se do të dalim faqebardhë edhe ndaj punëtorëve skamnorë që deri më tash kanë qëndruar mirë përkundër gjithë kësaj trysnije e dhune serbe. Unë të përkrahu në këtë drejtim dhe aty ku ti mendon se fjala dhe prania ime ka peshë e mundësi për të ndihmuar lirisht më thuaj e ndihma ime s’ka për të munguar asnjëherë.
NJË RAST INTERESANT NGA BASHKËBISEDIMI ME PROFESORIN:
Po sa u ktheva nga terreni në lokalet e BSPK në Prishtinë, sa hyra në zyren e administratës ku punonte Mustafë Garaj e Adil Fetahu sekretar i përgjithshëm, pas përshëndetjeve të zakonshme menjëherë Mustafa dhe Adili më thanë. Mirë bëre që erdhe, se para mbledhjes që po mbahet në sallë profesori të permendi , se si bash sot ju kishe dashur shumë, se kanë ardhur disa gazetarë vendor dhe nga shtetet e Europës perëndimore të KSBE dhe ju ke dashur për të dhënë lidhur me “Familja ndihmon familjen” eja të shkojmë bashkë, unë po hy në sallë e po lajmëroj Profesorin se je këtu.
Faleminderit për këtë i thash. Po vie afër te dera por ti hyn e thuaj profesorit le të dalë jashtë te dera për pak kohë, se e kam një porosi dhe kërkesë për te.
Pasi Mustafa hyri dhe lajmëroi Profesorin, për kërkesën time, Profesori doli nga mbledhja. Pasi u përshëndetem, Mustafa shkoi në punë të vete ne filluam bisedën: Profesori , tha, bash mirë ke bërë që ke ardhur sot se na u ke dashur për të dhëna e shpjegime lidhur me aksionin “FNF” nga terreni se po merresh me këtë punë. Brenda ka plotë gazetar vendor e të huaj si nga Gjermania, Zvicëra Italia, Franca etj. janë të interesuar për organizimin dhe punën e BSPK dhe veprimtarive tjera për ndihma të punëtorëve të larguar me dhunë nga puna. Bile para mbledhjes e patem fjalën tënde me Azizin dhe Burhanin se ti ke të dhëna për aksionin “FNF”. Po kemi të dhëna Profesor, por kam një lutje për Ju apo kërkesë si të doni mund ta merrni:
Hajde hajr qoft Abas tha Profesori, me një zë të ulët e të qetë si zakonisht kur flet, këshillon e udhëzon. Çfarë kërkese apo lutje ke ?
Po kemi të dhëna, këtë punë po e bëjmë për nevojë që po kërkohet e puna po na shkon mirë, të lutem hiqmi gazetarët qafe… se mund të na bëjnë sherrë me shkrimet e tyre tue përmend emra e vende dhe ta pengojnë veprimtarinë. Ështe qëndrim me arsye mendoi, mos me dhënë të dhëna për gazeta, mos me përmend emra e vende…! Profesori u kujtua pakëz, qeshi e tha mes tjerash :
“… Abas, të gjithë vrapojnë me u fotografu e me dal në gazetë… e ti thua: Hiqmi qafe gazetarët…!? Po pajtohem plotësisht me ty, ke të drejtë më tha. Në vazhdim e tha një thënie që për herë të parë e ndëgjova nga ai: “ Gazetarët shpeshëherë mundohen gjëja me ta krue vetullen e ta nxjerrin syrin…” Profesori shkoi në mbledhje, unë në punët e mia…
Me profesorin e ndreuar Dr. Hajrullah Gorani, jemi njohur më për së afërmi në Kongresin e parë të BSPK mbajtur më 30 qershor 1990 dhe 1 korrtor (korrik) 1990 në Gjakovë si delegat dhe sekretar i SP të IT. “Printeks” në Prizren. Policia serbe provonin ta pengonin mbajtjen e Kongresit ku salla e Shtëpisë së Kulturës “Asim Vokshi” ishte përplot mbi 600 pjesëmarrës , gazetarë vendor edhe të hauj. Policia serbe e moren Profesorin e mbajten për një kohë jashtë salle para fillimit të punimeve të Kongresit. Po sa u kthye në sallë mes tjerash tregoi: Policia serbe kërkon që të mos quhet Kongres i BSPK, por t’ i jepet çfardo emri tjetër vetëm Kongres jo…
Profesori i qetë, tha na e bëjmë tonen e ata le ta bëjnë të tyren. Doli në foltore dhe hapi punimet e Kongresit të parë të BSPK ku u lexuan referate e kumtesa të shumta për dy ditë me rradhë dhe mbylli punimet me sukses tue i parapri lëvizjes tjetër me rëndësi të veçantë për Kosovën 2 Korrtorit (Korrikut) 1990 ku para dyerve të mbyllura të Kuvendit nga regjimi Serb, Kuvendarët e Kuvendit të KSAK lexuan Deklaratën Kushtetuese.
Ndërsa me 17 Veror (Gusht) 1990 veprimtarët e BSPK janë tubuar në ndërtesën e KK. në Kaçanik dhe kanë biseduar për format dhe mënyrat e organizimit për jetësimin e kundërshtimit ndaj pushtuesit serb, përmes grevave të punëtorëv, të njejtën ditë me të kthyer nga takimi në Gjilan burgoset veprimtari i BSPK Nexhmedin Shaqiri.
Me datën 3 Frytor (Shtator)1990 BSPK jetësoi sipas të gjitha udhëzimeve dhe këshillave të dhëna paraprakisht grevën, për ndërprerjen e punës në të gjitha organizatat punuese në Kosovë ditën dhe orën e caktuar. Greva u përkrah dhe u jetësua nga të gjithë punëtorët shqiptarë sipas kërkesave dhe udhëzimeve të dhëna nga BSPK. Shtypi vendor dhe i huaj, shkruajti në hollësi e i dha shumë rëndësi grevave, mënyrës së organizimit e jetësimit të tyre dhe disciplinës kolektive që kundërshtonin dhunën e regjimit pushtues serb në Kosovë tue vlerësuar si pushtet paralel.
Greva e 3 Frytorit (Shtatorit) 1990 i parapriu poashtu datës me rëndësi historike 7 Frytorit (Shtatorit) 1990 ku në Kaçanik, kuvendarët e Kuvendit të KSAK, Shpallën Kosovën Republikë dhe miratuan Kushtetuten e Republikës së Kosovës.
Me Profesorin sa here që takoheshim në lokalet e BSPK-së në Prishtin apo diku tjetër në terren, tema kryesore ishte forma dhe mënyra e organizimit Sindikal kudo e kahdo nëpër të gjitha organizatat punuese në Kosovë dhe se si të ndihmohen punëtorët e larguar dhunshëm nga puna nga regjimi serb, përmes anëtarësisë së punëtorëve sindikalist, grumbullimin dhe shpërndarjen e ndihmave nga organizata e shoqata të ndryshme bamirëse dhe në veçanti lidhur me organizimin dhe jetësimin praktik të ndihmave përmes aksionit “FNF” që kishte arrijtur shtrirje në tërë Kosovën, jashtë saj edhe në kurbet.
Profesori kujdes të veçantë i ka kushtuar ndihmave shoqërore (sociale) të organizuars e shpërndara në forma dhe mënyra të ndryshme për punëtorët e larguar dhunshëm nga puna, në mënyrë që të mos dorëzohen e gjunjëzohen për shkak të skamjes para pushtuesit.
I ka çmuar e falënderuar të gjithë bamirësit, që në çfarë do forme kanë ndihmuar, sepse me ndihmat e tyre kanë forcuar qëndresën në vazhdimësi ndaj pushtuesit serb dhe pengimin e jetësimit të planeve të tyre që me kushtëzime edhe përmes urisë të dorëzohen e gjunjëzohen shqiptarët dhe këtë projekt serb ndihmat e ndërsjellta e bamirësia në kohën e duhur ndër shqiptarë tue ndihmuar njëri tjetrin e ka bërë të pamundur që Serbia ta jetëson si ka planifikuar e menduar.
***
Shkrimi është bazuar edhe në burimin e të dhënave në viji,
- * E DJATHTA SHQIPTARE NË MBROJTJE TË SHQIPËRISË ETNIKE 5 Faqe. 469-484 Viti 2007.
- **Letra e Profesor Harrullah Gorani e publikuar tek e Djathta Shqiptare në Mbrojtje të Shqipërisë Etnike Nr. 5 Viti 2007.
- Nga Ditari studentor i viteve 1979-1981 i Xhemajli Berishës- hero i Kosovës;
- Nga Wikipedia më 2020-07-15 Nexhmedin Shaqiri dhe bashkëbisedimi me te dhe me Reshat Gogen, bashkëvendas dhe bashkëpunëtor i Profesor. Dr. H. G në BSPK.
- Nga Faqja e librit-Facebook-u i Nexhmedin Shqirit dhe Nevzat Nuhiut
- Kujtimet e autorit gjatë bashkëpunimit me Profesor Dr. Hajrullah Goranin
- Lajmi i shpërndarë në mjetet e ndryshme të shkruara dhe elektronike se më datën 6 Korrtor (Korrik) 2020 Profesor Dr. Hajrullah Gorani u nda nga jeta dhe kaloi në amshim na preku thellë andaj si shtesë me këtë rast ia bashakngjesim edhe ngushëllimin e BISHZ në vijim:
- N G U SH Ë LL O N FAMILJEN E NDERUAR GORANI NË PRISHTINË E PEJË, TË AFËRMË E FARESIS, MIQËSI, SHOKË, DASHAMIRË E BASHKËPUNËTORË KUDO QË GJINDEN
Bashkimi i Intelektualëve Shqiptarë në Zvicër, ndanë dhimbjen bashkë me Ju e nderuara familje, me shpresë, se për aq sa është e mundur në këto raste pikëllimi ta përballojmë dhimbjen bashkë, për Profesor Dr. Hajrullah Goranin, kryefamiljarin tuaj, ligjëruesin e mrekullueshëm në Universitetin e Kosovës, themeluesin e BSPK në vitet 1990, udhëheqës e kryesues i Kongresit të parë të BSPK mbajtur në Gjakovë më datën 1990-06-30 dhe 1990-07-01 në kushte dhe rrethana të jashtëzakonshme, të krijuara nga Serbia pushtuese dhe organizimin e pushtetit paralel dhe qëndresës afatgjate ndaj pushtuesit me qëllimin kryesor deri tek arrijtja e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
Me Ju përherë qëndroftë pranë qëndresa e arsyeshme, paqi nderimet dhe kujtimet më të mira për Profesor Dr. Hajrullah Goranin, që tani më prehet në amshim.
Dheu i atdheut i qoftë i lehtë e i shërbeftë si mbulojë e roje e përhershme… për të cilin gjatë jetës me kujdes e përkushtim veproi në të gjitha drejtimet që të jetë i lirë i pavarur dhe me mirëqenie e zhvillim ekonomik ashtu siç e deshi dhe dëshiroi në vazhdimësi.
Për: BISHZ
Abas Fejzullahi, kryetar dhe Dr.Sc. Ahmet Xhigoli, anëtar i kryesisë
Komentet