Portret i gjigandit të skenës shqiptare dhe tek fotoja bashkëngjitur Luli, Ani dhe Timi tek obelisku i Muntaz Dhramit kushtuar Kujtim Spahivoglit
E dashur Luli, ti je mbesa e Kujtim Spahivoglit, vajza e motrës, pra je një njeri shumë i afērt.
Luljeta Minarolli: Po, është e vërtetë, kam qenë shumë e afërt dhe shumë e lidhur me dajën tim. Fillimisht ne jetonim në të njëjtën shtëpi, pasi prindërit e mi, kur u martuan, nuk ishin sistemuar ende me banesë dhe u strehuan tek gjyshja. Daja ishte me studime në Moskë, por natyrisht, kur vinte me pushime në shtëpi kimia me mbesën e vogël ishte shumë e madhe dhe e tillë mbeti deri kur ai u largua nga kjo jetë. Ka qenë shumë i pranishëm në jetën time, kurdoherë. Shumë koncepte për jetën, për mënyrën e sjelljes, për përballimin e vështirësive , madje edhe shumë vendime që kam marrë në jetë ia dedikoj këshillave të tij.
Pra ke pasur një lidhje shumë të veçantë me dajën, që në vetvete kishte një emër të madh, ishte Kujtim Spahivogli.
Luljeta Minarolli: Unë kam qenë mbesa e parë, dhe thonë që i pari ka privilegjet e gjyshërve, dajave, xhajave, hallave e tezeve. Fatmirësisht i kam pasur këto privilegje sepse kam qenë e para edhe nga ana e mamit, edhe nga e babit. Por Tani ishte djali i parë dhe ai gjithashtu ishte i privilegjuari. Nga ana e mamit ai mbeti i vetmi nip, pra kishte dy herë privilegj. Për gjyshen ishte i veçanti.
Tek familja e mamit ishin gjyshja dhe tre fëmijët e saj. Daja i madh, u martua shpejt, u bë me familjen e tij dhe me fëmije, por edhe jetoi edhe shumë kohë në Sazan. Ishte inxhinier nëndetëseje. Natyrisht dashuria ishte e madhe, por lidhja shpirtërore ishte jo si me Kujtimin edhe për faktin se e zgjati shumë beqarinë. Unë kam qenë 19 vjeç kur daja u bë me vajzë, me Anin.
Për rrethanat e jetës, ai e vazhdoi lidhjen e ngushtë me familjen tonë deri në fund.. Si i thonë: “Në të mirë dhe në të keq, dera e motrës është e hapur” dhe Kujtimi gjente gjithmonë dashuri, jo vetëm tek mami unë edhe Tani, që kishim lidhje gjaku, por edhe tek babi dhe farefisi i tij.
Në shtëpinë tonë kishte gjithmonë njerëz, shoqëri, farefis dhe Kujtimi e ndjente veten të rrethuar me dashuri, Atij i pëlqente zhurma njerëzore, e përfshinte brenda dhe e vinte në qendër të saj për aftësitë komunikuese që kishte.
Le ta fillojme këtë nga fëmijëria e Kujtimit, familja ku lindi dhe u rrit Kujtimi si dhe diçka edhe për rrethin familjar.
Luljeta Minarolli: Prindërit e mamasë sime, pra edhe të Kujtimit e Skënderit vinin nga një familje qytetare prej Elbasani. Gjyshi u rrit jetim, kurse gjyshja ishte një bijë nga familja Narazani, shumë e njohur në Elbasan.. Gjyshi ka punuar në administratën financiare dhe megjithëse shumë ri, ngjiti shkallët e hierarkisë financiare me shpejtësi. Në qershor 1934, transferohet me punë në ministrinë e financave dhe vendoset përfundimisht me familjen në Tiranë ku ble një shtëpi në rrugën Hoxha Tasin.
Kujtimi e ka vendlindjen në Lushnjë pasi ishin i transferuar familjarisht atje ku i ati punonte si n/drejtor i financave të qarkut.
Gjyshi vdiq në moshë te re, 40 vjeç dhe gjyshes iu desh të përballonte e vetme rritjen dhe edukimin e tre fëmijëve që mbetën jetimë të mitur. Ajo ishte një grua e fortë, autoritare, shumë e zgjuar dhe arriti t’i shkollojë të tre fëmijët e saj. Edhe kur ishin të rritur fjala e “momës” ishte ligj për ta.
Një herë e pyeta dajë Kujtimin që kishte natyrë rebele: “Si ka mundësi, që fjala e nanës ( kështu e quaja unë) është ligj për ju? Mirë mami dhe dajë Skënderi që janë të butë, po ti që je zjarr?” “Na ka mbetur që në vogëli- u përgjigj ai- që të na mbante lidhur me njeri-tjetrin , të kujdesshëm, sepse i duhej të punonte. Nga një herë dilte nga shtëpia dhe na thoshte se do të kthehej kur të bëheshim të mirë dhe të mos grindeshim me njeri tjetrin. Ne – tregonte daja- e mendonim se e ajo e kishte me tërë mend dhe betoheshim të tre se do ta dëgjonim momën, do të bëheshim të mirë dhe nuk do grindemi me njeri-tjetrin. Kjo na edukoi dhe na shoqëroi gjithë jetën”.
Familja e Kujtim Spahivoglit, Nëna, Babai, dhe tre fëmijët, Dhurata, Kujtimi dhe Skënderi
Kam lexuar se shtëpia e familjes të Kujtimit ishte bazë e luftës ?
Luljeta Minarolli: Që kur filluan të depërtonin idetë komuniste, gjyshja i pëlqente ato. Si një grua e ve, me tre fëmijë të vegjël dhe me shumë vështirësi për rritjen e tyre, i dukej se do të vinte një epokë e re që do të zgjidhte dhe hallet e saj. Propaganda dehu edhe njerëz që jetonin më mirë se gjyshja ime me tre jetimë.
Me fillimin e luftës, në shtëpinë e gjyshes mblidheshin të rinj dhe ilegalë dhe zhvillonin mbledhje. Idealizmi i saj, pa qenë kurrë anëtare partie, ndikoi erdhe tek Skënderi dhe Kujtimi. Ata filluan që në moshën 10-12 vjeçare të merreshin me pune të vogla të lëvizjes. Në 1944 dolën partizanë dhe mbanin armë, daja i madh 14 vjeç, Kujtimi, i vogli 12.
Pas çlirimit në shtëpinë gjyshes u vendos një pllakë ku shkruhej se kjo shtëpi kishte qenë bazë e Luftës.
Çlirimi e gjen Kujtimin 12 vjeçar. Fillon faza e shkollimit të tij. Vokacionin për teatrin kur kishte filluar ta shfaqte. A mund të na e tregosh me hollësi?
Luljeta Minarolli: Pas Çlirimit, Kujtimi ndoqi shkollën fillore Hasan Prishtina, sot Kongresi i Lushnjës. Në 1945, ai u regjistrua në shkollën teknike, por mendjen e kishte tek teatri. Fshehurazi bënte plastikë përpara pasqyrës në dhomën e tij dhe mbyllej me çelës. Gjyshja e tij nga nena, që shpesh vinte të banonte tek e bija, u bë kurioze, vë syrin në vrimën e çelësit dhe sheh se ç’bënte. Vrapon duke bërtitur nëpër shtëpi: “Qyqja m’u çmend çuni, flet me vete dhe shtrembëron fytyrën!!! Por nuk e pranuan në Teatër, sepse nuk kishte përvojën e duhur. Ai e la shkollën teknike në vitin e dytë dhe u regjistrua ne Liceun Artistik “Jordan Misja”, që çel për herë të parë në 1946. Atje jepnin mësim profesionistë të atëhershëm të artit skenik. Si i pasionuar pas teatrit dhe regjisë që në rininë e hershme, ai filloi të bëjë shfaqje në oborrin e shtëpisë, nëpër fshatra, së bashku me djemtë e lagjes. Në 1951 niset për studime në Moskë.
Kujtimi adoleshent
Më 1958 Kujtim Spahivogli diplomohet ne Institutin e Lartë të Artit ne Moskë, cili është angazhimi i tij kur kthehet ne atdhe?
Luljeta Minarolli: Në 1956, punoi për Diplomën në Institutin Teatror të Moskës “GITIS” me temë vënien në skenë të pjesës “I çuditshmi”, të dramaturgut turk Nazim Hikmet, të cilën e realizoi në Teatrin e Tiranës, me aktorët Sandër Prosi, Ndrek Shkiezi, Drita Pelingu, etj. Kjo shfaqje, ku spikati regjia ndryshe, u cilësua si risi regjisoriale dhe bëri bujë në Tiranën e asaj kohe. Këtë punë diplome, pedagogët e tij rusë e vlerësuan shkëlqyeshëm. Një vit më vonë luan rolin e Xherxhinskit tek ‘orët e Kremlinit”, edhe ky një sukses tjetër, për plastikën aktoriale.
Por ky sukses i tij nuk u prit mirë nga partia. Kur Kujtimi u paraqit tek Ministri i Arsimit dhe Kulturës së asaj kohe, Ramiz Alia, për të marrë emërimin e punës, ky i komunikoi se duhej të shkonte në Korçë sepse ishte caktuar atje. Kujtimi refuzoi, sepse vuante nga një azëm e vjetër kronike, kishte nënën vetëm, dhe të vëllanë që shërbente si inxhinier nëndetëseje në Sazan. Ramiz Alia nuk i përfilli arsyet. Kujtimi nuk shkoi në Korçë. Drejtori i Teatrit asaj kohe Xhemal Broja e përkrahu shumë, edhe aktorët e atëhershëm gjithashtu, i ndenjën afër dhe ai u aktivizua me role të ndryshme dhe regji të pjesëve, duke u paguar me honorarë, jashtë borderosë.
Kujtim Spahivogli pati një sukses të jashtëzakonshem si aktor, autor, regjisor dhe pedagog. Kush ka parë rolet e interpretuara prej tij ka mbetur i mahnitur, po ashtu edhe regjite, per te mos lene pa nēnvizuar rolin si pedagog, krijues i Teatrit të Rinisë. Ishte poet dhe deklamonte poezi mrekullisht. Ishte nje talent dhe potencial i madh. Perse partia e futi menjëherë ne rreth te zi. Ai nuk merrej me politike veç me art?
Luljeta Minarolli: E sigurt që armik nuk ishte, por duke iu kthyer së shkuarës mendoj se ishte një xhelozi profesionale, e mbështetur nga persona politikë me pushtet të fuqishëm, e përforcuar edhe nga qëndrimi krenar dhe i patjetërsueshëm i Kujtimit. E ç’ishte jeta e një njeriu në atë sistem, ta merrnin i dhe nuk i dridhej dora askujt! Sa raste njohim, sa shembuj boton edhe ti. Daja gjithmonë thoshte se në të gjithë këtë kishte dorë Ramiz Alia. Dikur kishin qenë fqinjë, në një rrugicë.
A i ke ndjekur shfaqet e dajës, që ishte nje aktor dhe regjisor aq i shquar por që ne moshën 40 vjeçare regjimi komunist ia shkaterroi jetën.
Luljeta Minarolli: Nuk mund te pretendoj se kam ndjekur të gjitha shfaqjet. Në 1958 u shfaq premiera e pjesës “Majlinda”. Si autor ishte Xhemal Broja dhe regjia nga Zina Andri. Kujtimi kishte rolin kryesor, Agronin,ishte një dramë familjare. Duke banuar në të njëjtën shtëpi, për herë të parë më mori tek kjo shfaqje. Isha rreth 5 vjeç, por më ka mbetur gdhendur rruga kur po shkonim në teatër, daja më shtrëngonte dorën fort dhe e bëmë në këmbë, ndaluam tek fillimi i rrugës dhe morëm edhe Ora Pelingun, vajzën e Drita Pelingut, që ishte një vit më e madhe se unë. Ajo luante rolin e fëmijës në dramë.
Edhe një rast tjetër. Isha gjashte vjeç e gjysmë, përgatitesha për t’u futur në klasën e parë. Përsëri më kishte marë me vete, por përpara se të shkonim në teatër ndaluam tek Dyqani i Pionierit dhe më bleu çantën e klasës së parë.
Në vogëli nuk me kujtohen shfaqjet e tjera, por daja me merrte me vete dhe më vinte në lozhën e projektorëve në katin e trete. Aty ishte edhe sufleri.
Nuk numërohen titujt. Në Teatrin Popullor ai vuri dhe luajti afërsisht 25 pjesë, pa përmendur shfaqjet me studentët. Asnjëra nuk ngjasonte me tjetrën, zgjidhja regjisoriale gjithmonë ishte e ndryshme. Vetëm në vitet ’60-‘70 ai vuri në skenë 19 shfaqje duke luajtur edhe role në to. Ai u lartësua shumë lart si personalitet në fushën e artit skenik
Veç kësaj, me hapjen kursit të parë të artit dramatik 1959 Kujtimit iu shtua ngarkesa, ishte ndër pedagogët kryesorë. Në 1960 arti dramatik kaloi në ndërtesën që është sot dhe krijohet Instituti i Lartë i Arteve Kujtimi u caktua dekan detyrë që e la pas 2 vitesh me pretekstin se kishte shumë burokraci. Ai ishte i lidhur vetëm me skenën. Vetëm në vitet ’60- ‘62 ai vuri në skenë 4 drama.
Luli në ditën e parë të klasës të parë me dajën e saj, të madhin Kujtim Spahivogli
Cili rol i tij të ka mbetur në mendje?
Nuk mund të veçoj ndonjë rol, pasi kur aktronte unë isha e vogël për të veçuar ndonjë rol, nuk kisha shije artistike, shikoja vetëm dajën. Kur fillova të kuptoj ai merrej kryesisht me regji dhe rrallë luante ndonjë rol episodik. Fillova t’i kuptoj më e rritur, 12- 13 vjeç e lart. Mbaj mend “Ngjarje në fabrikë”, “Drita” e Mimika Lucës e shume të tjera. Kishte përfunduar koha kur viheshin pjesë të huaja. Në mesin e viteve ’60 ishte ndikimi i revolucionit kinez.
Me ka pëlqyer shumë “Karnavalet e Korçës”, vënë me trupën teatrore të Shkupit, 1972. U shfaq edhe në Tiranë. Risi regjisoriale! “Një shok i klasës sonë”, shfaqur ne teatrin e Rinise, në Institutin e Arteve. Luante edhe e madhja Vaçe Zela. ( Shkruar nga vetë Kujtim Spahivogli). Dramën “Banja” e Majakovskit e kam parë në prova gjenerale në Institutin e Larte të Arteve. Kjo shfaqje u ndalua, nuk u shfaq për publik. Kam shijuar shumë rolin e Selimit tek filmi artistik “Familja e peshkatarit”. Edhe tashti kur e shoh me pëlqen loja e tij. Më kujtohet, premiera u shfaq tek kinema Republika. Unë isha me gjyshen, mamin, Tanin. Më kujtohet që gjyshja e përjetoi shumë keq fundin e filmit, kur personazhi i Selimit vritet..
Sipas një shkrimi të botuar me të dhëna nga Dosja e tij del se zanafilla e kalvarit mban datën e gushtit 1972, pra përpara Festivalit të 11-të, me një karakteristikë të nxirë që gjendej në degën e kuadrit të Komitetit të Partise të Tiranës firmosur nga sekretari i partise i organizatës bazë me inicialet S.B. A e keni parasysh se kush e drejtonte atë kohë Komitetin e Partisë të Tiranës, kush eshte S.B., a kujtoni diçka nga viti 1972 që ka lidhje me dajën tuaj, aktorin dhe regjisorin e shquar Kujtim Spahivogli?
Luljeta Minarolli: Ndoshta këto të dhëna kanë dalë tashti, pasi janë hapur dosjet.. Kujtimin mund ta kenë survejuar, por ai në asnjë rast nuk ishe armik. Çdo gjë mund të jetë e vërtetë, por ishte nën rrogoz sepse deri në 1972 nuk ishte ndjerë asgjë. Në prill të 1972 lindi Ani, familja ishte shume e lumtur. Unë shkoja shpesh sepse kishte ardhur një vajzë e vogël ne shtepi. Çdo gjë ecte normalisht. Në vjeshtën e vonë të 1973 filloi lufta kundër liberalizmit. Që aty nisin edhe mbledhjet në Institutin e Arteve kundër Kujtimit dhe përfundojnë në Plenumin e 4, kur Enver Hoxha e quan mbartës të liberalizmit. Datat nuk i di me saktësi.
Pas Festivalit të 11-të nisi kalvari per Kujtim Spahivoglin, pasi e shohin si bashkëunetor me Todi Lubonjën dhe Fadil Paçramin. Në nje mbledhje te organizatës bazë te partisë të Institutit të Lartë të Arteve të firmosur nga sekretari me inicialet Xh.S., propozohet që Kujtim Spahivogli të shkarkohet nga detyra e shefit të katedrës dhe propozohet t’i jepet vërejtje me shënim në kartën e regjistrimit e të dergohet dy vjet për riedukim në një teatër në rrethe, por Komiteti i Partisë i Tiranës vendosi që ai të shkonte për riedukim si punëtor bonifikimi në Fier. A e kujton atë periudhë, pasi që keni qenë tepër e re. Kush ishte në krye të Komitetit të Partisë asaj kohe? Kujtim Spahivoglit i ishte përgatitur largimi prej një viti më parë.
Luljeta Minarolli: Të gjitha këto dihen janë të shkruara dhe të rishkruara, në një intervistë një ish-student, thotë se Kujtimi ishte naiv. Jo, kjo nuk është fare e vërtetë. Kujtimi ishte i drejtë, i ndershëm, i njihte të poshtrit, i përbuzte hapur, madje edhe me fjalë, por nuk mendonte se do bëhej pre e tyre. E konsideronte veten te paprekshëm, shumë i talentuar, shumë i përkushtuar profesionalisht, kishte vetëm suksese, ishte anëtar partie, politikisht i përfocuar, pra nuk mund ta ngiste asnjeri.
Gjithmonë besonte se do vinte dita që ai do rikthehej. Besonte në madhështinë e vet. Një herë më tha: “Të gjithë këta, një ditë do të krenohen që më kanë pasur “të njohur”.
Dhe u vërtetua profecia e tij..
Nga një intervistë e bashkëshortes Vllosava Musta mësohet se ajo shkoi nē KQPPSH të kērkonte ndihmë për Kujtimin, por Sevo Tarifa, sekretari i Enver Hoxhes e priti me këmbët e para dhe i tha se Kujtimin e priste arrestimi. Gjyshja juaj që kishte dhënë aq shumë për lëvizjen antifashiste a trokiti në ndonjë derë?
Luljeta Minarolli: Po është e vërtetë. Ky ishte opinion i përgjithshëm se ”Kujtimin do ta burgosin!”. Edhe ndodhte atëherë! Sevo Tarifa e njihte mirë familjen e Kujtimit. Kishte punuar me gjyshen gjatë luftës.
Gjyshja, grua e zgjuar, aktiviste, e fortë, sikur u shastis nga e gjithë kjo, rrinte me një stol ulur tek dera e shtëpisë në rrugën Hoxha Tasin dhe ndoshta me heshtjen e saj bluante atë që kishte ndodhur. Kurrë nuk e kisha dëgjuar të fliste për atë që ndodhi, veç për ankesa ekonomike.
Sa zgjati periudha e riedukimit e Kujtimit, vetëm si punëtor bonifikimi në Fier punoi apo punoi edhe tjetër kund. Gjatë kohës të dënimit a vinte në Tirane të takohej me vajzën, nënën dhe ju?
Luljeta Minarolli: Kur e dënuan për “liberalizëm”, “faji” i Kujtimit ishte se nuk kishte plotësuar regjistrat. Dënimi ishte të vihej në dispozicion të Teatrit Popullor. Kur vajti të marrë në Komitet fletën e punës, i thanë se nuk ka vend ne Teatrin Popullor, por do të shkosh në dispozicion të Teatrit te Fierit. As atje nuk e pranuan dhe i thanë do shkosh për riedukim, në shkresë shkruhej për pesë vjet
Zakonisht vinte në Tiranë çdo dy javë, por ndonjëherë edhe çdo javë. Vinte tek ne, sillte rrobat që ia lante mami. Mami shkonte merrte edhe Anin e ia çonte në shtëpi. Kur Ani u u bë 7-8 vjeç, daja e merrte vetë.
Pasi kreu “riedukimin” për 5 vjet dhe nuk kishte ndonjë shenjë që do ta rehabilitonin, Kujtimi e kuptoi se do ta linin përgjithmonëë atje, braktisi punën dhe u kthye në Tiranë.. Gjithmonë besonte se do ta rikthenin ne Teatër.
Kam lexuar shumë për Kujtimin, kudo kam vënë re se atë e deshi i madh dhe i vogël. Kolegët, artdashësit, punetoret kur ishte i denuar – si e shpjegon gjithe kete simpati e respekt për të si një “mit”.
Luljeta Minarolli: Kujtimi ishte kolos si artist dhe shumë njerëzor në jetën e përditshme. Atë e gjeje me mekanikë, punëtorë, njerëz të thjeshtë dhe po ta shihje nuk e mendoje që ky është ai njeriu i madh. Kur punonte për “t’u riedukuar”, njerëzit e thjeshtë me të cilët rrinte e pyesnin:”Pse të kane dënuar ty Kujtimo, ti je rob zoti”. Dhe daja merrte shume gëzim nga dashuria e këtyre njerëzve që kanë qenë miqtë e vërtetë të tij.
Në vitin 2014 u përurua një relief me fytyrën e Kujtimit, punuar nga Mumtaz Dhrami, vendosur në afërsi të urës së Mbrostarit, buzë rrugës për Fier. Me këtë rast, një banor i zonës, dikur punëtor me të si hekurkthyes, që kishte hapur një lokal, shtroi një drekë të madhe për të gjithë të pranishmit, duke quajtur Kujtimin mikun e tij të madh.
Prej 1978 deri 1983, Kujtimi u kthye në Tiranë por ishte pa punë. Ku rrinte? Gjyshja jetonte? E kujton atë kohë? Si mund të lihej pa punë një artist sikur ai?
Luljeta Minarolli: Ajo ishte koha kur ai ishte pranë nesh më shumë se kurrë. Jetonte me gjyshen në shtepinë në rrugën Hoxha Tasin. Kujtimi pati shumë miq e shokë që nuk iu ndanë për asnjë çast. Më i rëndësishmi prej tyre ishte Ferdinand Radi. Aq e madhe ishte dashuria sa edhe vajzës të parë Ferdinandi ia vuri emrin Andeta, sikur e ka emrin edhe vajza e Kujtimit dhe Vllasovës, që unë e kam si motrën time.
Kujtimi gjente qetësi në familjen e tij. Vinte tek ne me dy pasta në dorë, aq kishte mundësi, dhe kur ngrihej për të ikur thoshte se po i çonte tek Nandi. Një gjest mirënjohjeje e një njeriu që jetonte vetëm me pensionin e së ëmës. Sado përpiqej familja ime t’i jepte diçka, por nuk mund të mbahej gjatë. Ai kishte dhe shumë miq që përpiqeshin ta ndihmonin, por ishte shumë krenar, nuk pranonte. Një herë ishim tek një pastiçeri tek Pazari i Ri. Kujtimi kishte marrë diçka për të pirë. Një dashamirës, i thotë banakieres: “Mos i merr lekë Kujtimit, e ka nga unë”, daja u kthye dhe i tha se “Kujtim Spahivogli, nuk i shtrin dorën askuj”. Edhe kur vinte tek ne në kohën e drekës, mami shtonte edhe një pjatë, kurrë nuk pranonte që mund të mos kishte ngrënë: ”Kam ngrënë, por po e marr që mos ta prish qejfin”.
Dy vitet e fundit i kaloi i metodist ne shtëpinë e kulturës në fshatin e Bërzhitës në rrethin e Tiranës. 15 vjet tortura, largimi nga teatri dhe instituti i arteve, denimi si punetor ne fshatrat e Fierit, shkaterrimi i familjes deri sa dha frymën e fundit në moshën 55 vjeçare duke mos pasur asnjë faj. E kujton atë ditë korriku te vitit 1987?
Luljeta Minarolli: Mami im në tetor të vitit 1985 u operua dhe e diagnostikua me kancer. Atë ditë, ndërkohe që prisnim të dilte mami nga salla e operacionit, Kujtimi nuk po dukej. U shqetësuam. Pas operacionit unë vajta në shtëpi, duhej të përgatitesha të rrija natën me mamin. Ndërkohë bije zilja e telefonit dhe një zë më thotë: “Familje e Kujtim Spahivoglit? Flasim nga spitali, Kujtimit i ka renë infarkt.” U nis në spital dhe daja tjetër.
Ditën që ndërroi jetë Kujtimi, unë isha me nxënësit tek liqeni në kamp veror, organizoheshin në atë kohë. Atje vijnë një grup aktorësh dhe më thonë se duhet të vish, Kujtimi eshtë shumë keq. Nuk di si më kishin gjetur, por mbaj mend vetëm Xhemil Taganin. Kur erdhëm tek ish- kinema Partizani, ata më thane se duhej të shkoja të vishesha në shtëpi. E kuptova që nuk jetonte më. Një vit e gjysmë më parë kisha humbur mamin, në moshën 52 vjeçare.
Kur shkuam tek shtëpia e dajës, në fund të Tiranës së Re, sapo ishte larguar mjeku që kishte konstatuar vdekjen. Kujtimi dergjej në toke dhe në dorë mbante ilaçet e zemrës.
E kishte gjetur ashtu Ani, vajza 15- vjeçare. Ai nuk iku, e vrau regjimi. Ishte shumë krenar për të shprehur dhimbjen, por zemra nuk ia duroi. Dhe ishte vetem 55 vjeç.
Çfarë u bë me shtëpine e gjyshes, ku lindën dhe u rriten tre fëmijet, Kujtimi me vellain dhe motrën, zysh Dhuratën, mamanë tuaj, që ishte baze e levizjes antifashiste në rrugën Hoxha Tahsin. Kush jeton aty tani?
Luljeta Minarolli: Në 1982, kur Kujtimi ishte ende i papunë, pa ndonjë vendim Komiteti, pa asnjë copë letër, vjen njëë person që merrej me lagjen dhe lajmëron se shtëpia do të prishej. Ishte një tragjedi e vërtetë. Erdhi kamioni mori gjyshen time dhe e çuan në një apartament të vogël, atje ku u gjet pa jete Kujtimi. Aq i madh ishte hidhërimi i gjyshes sa humbi mendjen dhe ndërroi jetë pak muaj me vonë, në mars 1983.
Kujtimi që nuk e pranonte dot prishjen e shtëpisë, për ditë me rradhë flinte në renojat e saj, tragjedi. Në 1988, në atë truall filloi ndërtimi i një pallati nga punonjës të Uzinës së autotraktorëve. Tre vjet më parë ne morëm një kompensim për truallin,
Kam dëgjuar se aq respekt dhe simpati gëzonte Kujtim Spahivogli sa ditën e varrimit, Teatri anulloi shfaqjen, po keshtu edhe estrada dhe cirku, a mori shumë pengje me vete Artisti i madh?
Luljeta Minarolli: Ajo ishte një ditë shumë e trishtuar, mbushur me emocion dhe dhimbje dhe une nuk i mbaj mend keto hollësi. Di vetëm qe ishte një varrim madhështor, nuk kisha pare ndonjëherë aq shume njerëz. Gjatë 7 ditve, siç ishte zakoni, aty pashe te vinin njerëz tufa tufa, SI DUKET VDEKJA E KUJTIMIT UA KISHTE VRARË FRIKËN
Kujtimit ia shembën të gjitha karierën, ëndërrrat, familjen dhe në fund jetën. A mund të jenë indiferent shqiptarët me mijëra e mijëra jetë të shkatërruara nga regjimi mizor?
Luljeta Minarolli: Daja u bë tjetër njëri kur u martua. Nga një beqar moskokëçarës, që gjente çdo gje gati, filloi të merrej me probleme që ka njeriu në familje. Një herë gatoi Sova (Vllasova) byrek dhe ky, që nuk dinte ku ishte furra, e mori tepsinë dhe me shaka bërtiste nëpër lagje se sa e veshtirë ishte të ishe burrë i martuar se duhej të çoje edhe byrekun në furrë. Kishte shume humor dhe nuk e kuptoje nëse mërzitej ndonjëherë apo jo. Jeta e një artisti të madh, e një fenomeni, e një njeriu të gjitha shkuar dëm, vrarë nga regjimi. Kush i harron bëmat e atij regjimi është njeri pa gjak. Kam përshtypjen se ne shqiptarët kemi memorie të shkurtër.
Sa zgjati periudha e suksesit dhe e lumturisë e Kujtimit, periudhë gjatë së cilës ai krijoi edhe familjen, u martua me Vllosavën dhe lindën vajzën?
Luljeta Minarolli: Kujtimi ishte një talent i lindur , një punëtor i jashtëzakonshëm për profesionin e tij dhe nga 1956, kur mbrojti diplomën deri kur vuri në skenë dramën e Majakovskit “Banja”, që godiste burokracinë në pushtet që ishte edhe shfaqja e fundit e tij, karriera profesionale pati vetëm ngritje. Një parantezë. “Banja” është vënë në skenë në sallen e Akademise se Arteve në korrik të vitit 2000 me regji të Altin Bashës në nder të Kujtim Spahivoglit. – (13 Korrik 2000). Për “Banjën” Kujtimin e akuzuan edhe mbledhjet e Institutit të Lartë të Arteve.
Nga bisedat me aktorë, atë e cilësojnë si fenomen në artin skenik shqiptar.
Megjithëse beqaria i zgjati, daja mbeti deri në fund një djalosh me shpirt rinor. Më kujtohet që erdhi dhe më tha se ishte njohur me një vajzë të talentuar, poeteshë nga Gjirokastra, që studionte në vitin e fundit për gjuhë-letërsi. Unë isha gjimnaziste. E solli per vizitë në shtëpinë tonë dhe ne u miqësuam shumë. Dilnim të dyja, shkonim në kinema, estradë. Daja bëri dasmë të madhe, unë isha krushkë në Gjirokastër, me dajën e madh dhe të shoqen. Pastaj erdhi Andeta, emrin ia vuri Kujtimi, në kujtim të muajit të mjaltit kaluar anes detit, Kujtimi ishte dashnor i detit. Po ta kërkoje në verë e gjeje vetëm buzë detit. Ishe nje çift i sapomartuar, sapo ishin bërë prindër, lundronin në qiellin e shtatë, por tak lumturia e tyre, këputet në mes! Sova 24 vjeç, me një fëmijë të vogel, me një presion psikologjik të jashtëzakonshëm kudo, shoqet e punës, njerez të afërt…
Kam lexuar se djali i Anit, vajza e Kujtimit, e ka amrin Tim, pra mban emrin dhe i ka sytë e kaltër si të gjyshit, po talentin e tij e ka?
Sytë e kaltër, Kujtimi dhe mamaja ime, i kishin trashëguar nga gjyshja e tyre. Ajo ishte turke nga Stambolli dhe kishte fytyrën ngjyre gruri, me sy te kaltër, si xixa. As fëmijët e saj, nuk i trashëguan ata sy si xixa, por asnjë e nga ne të brezit të tretë. Vetëm daja, mami im dhe Timi i ka bojë qielli, si xixa.
Timi, kur ishte i vogël me syçkat si të Gjyshit të tij Kujtim Spahivogli
Qeverisja antikombëtare e Edi Ramës shembi Teatrin Kombëtar dhe Teatrin Eksperimental që mbante emrin e Kujtim Spahivoglit. Të dy monumente të kulturës shqiptare qe i kishin rezistuar tërmeteve që u shembën me aq barbari sikur jeta e pafajeshme e artistit te madh e shume e shume kolegëve të tij. Apo jo?
Luljeta Minarolli: Shembja e teatrit ishte jo vetëm një krim kombëtar kundër kulturës, trashëgimisë, por edhe goditje për nostalgjinë e brezave e gjithë brezave. Për mua, ishte një dhimbje tmerrësisht e madhe tek shikoja makinën shkatërruese që tërhiqte zvarrë suvanë e teatrit Eksperimental që mbante emrin Kujtim Spahivogli.
Por edhe diçka tjetër. Në hapësirën midis dy ndërtesave, në korrik 1992, me rastin e 60-vjetorit te lindjes së Kujtimit dhe 5-vjetorit të vdekjes, me kujdesin e Ferdinand Radit, u mboll një pemë me emrin e Kujtim Spahivoglit dhe nga një pemë për të gjithë aktorët e Teatrit që nuk jetonin më. Me duket se mbjellja e tyre vazhdoi sa herë qe largohej nga kjo jetë një aktor(e). U shkatërrua edhe ky oz përkujtimor i figurave të ndritura të artit skenik.( Por mos mërzitemi se kemi shtëpine me gjethe…).
Kujtim Spahivogli ishte daja e regjisorit aq të talentuar Artan Minarolli, vëllait tënd, i cili u nda papritmas nga jeta duke u gëdhirë 31 dhjetor i vitit 2015. Artani e trashëgonte talentin e Kujtimit, filmi me skenarin e tij “Delegacioni” fitoi Grand Prix ne Festivalin e 34-ert Ndërkombëtar të Varshavës që u shfaq postum ne 2018. A kishte lidhje te madhe mes dajës artist të madh dhe nipit?
Tani kishte lidhje që i vogël me dajën. Kujtimi vinte enkas, me kujtohet, thërriste mamin nga poshtë (ne banonim në katin e pestë të një pallati tek rruga Durrësit , përballë Kafe Florës), dhe i thoshte ta bënte Tanin gati se do ta merrte në ndeshje futbolli, kur luante Tirona, skuadra e zemrës.
Kur Tani ishte në gjimnaz, tek Sami Frashëri, e aktivizuan në një pjesë teatrale. Si duket, dëshira e fshehur u zgjua dhe filloi të këmbëngulë për të ndjekur Akademinë e Arteve. Filloi të mësonte me Kujtimin. Mami ishte e shqetësuar dhe e pyeti dajën: ”Kujtim vlen për teatër ky djalë, apo jo? Ndërkohë Tani kishte mesatare 9.7 dhe mund të kërkonte degë tjetër, Daja, më kujtohet, iu përgjigj: Si mendon ti Dhurata, do ta linte Kujtim Spahivogli nipin e tij të studionte dramë, nese nuk ishte 100% i sigurt se ky vlen?
Dhe koha tregoi se ai ia vlente, u bë regjisor i suksesshëm, por edhe shkrimtar i talentuar. Tani i ngjante shumë dajës në entuziazmin kur tregonte për projektet e veta, entuziazmin kur shkruante diça, entuziazmin dhe këmbënguljen kur punonte. Të dy tregonin plot patos dhe duhej t’i dëgjoje me vëmendje, sepse mërziteshin, njëlloj fare!
Në përfundim dua të shtoj, unë e falënderoj dajën tim për shumë mësime që më ka dhënë, për praninë e tij në jëtën time, por më e rëndësishmja është se më ka falur një motër të pakrahasueshme. Daja e kishte shume merak që unë ta mbaja afër Anin që ishte dashuria e madhe e jetës së tij. Çdo njeri do të ishte e lumtur te kishte një motër si kjo imja. Por këtë dashuri që na lidh të dyja ia dedikoj edhe Sovesqë ia ka ushqyer që në fëmijëri për mua dhe për Tanin.
Kujtimi dhe Ani disa muajshe
E dashur Luli, të flam shumë për këtë intervistë me kaq emocione. Unë e kam peng që nuk kam mund ta kem parë në skenë Kujtim Spahivoglin, se padyshim që do të isha edhe unë krenare, por kam patur fat të kem njohur Zysh Dhuratën, motrën e Kujtimit mësuesen time të fiskulturës në Gjimnazin Sami Frashëri, një grua e jashtëzakonshme me zemër të madhe, Artan Minarollin, nipin e tij, talenti i të cilit i mungon sot skenës shqiptare dhe ty, mbesën e Kujtim Spahivoglit, që e mban gjithmonë në zemër dajën tënd dhe nuk i harron kurrë vuajtjet e tij!
Uroj që një ditë të jemi bashkë kur të inagurohet Teatri Eksperimental me emrin e Kujtim Spahivoglit, krahas Teatrit Kombëtar, që duhet të jenë identikë me ata që shembi fatkeqësia e shqiptarëve Edi Rama!
Jam i befasuar per sa lexova nekete shkrim te shkurter per nje njeri te madh. Eshte shume bukur nderthurur grimcat e jetuara te mardhanies tradicionale daje-mbesa ku spikat dashuria qe lidh njerzit e gjakut Nepermjet ketyre detajeve del ne pah figura e madhe e ketij gjeniu qe ne teater eshte i paaritshem dhe ne jete eshte i dhembshur e njerezor Eshte per tu vlersuar kjo perpjekje e znj. Luljeta Minarolli per te na e sjellur te gjalle figuren e ketij artisti te madh. Po keshtu ajo nuk le pa permendur qe ai me kontributin e tij pregatiti edhe artiste si Artan Minarolli qe ne vazhdim krijoji me artin e tij te vlersuar si regjizor vazhdimsine e ketij brezi . Te falenderoj znj. Luljeta per shkrimin tuaj e uroj qe per te dy keto figura ju te punoni per te na dhene me teper per ta Te jetoni e punoni per te mos i haruar Ju dhe gjithe artdashesit shqiptar keto figura te nje gjaku qe i dhane kaq shume Shqiperise e nuk morren asgje ne kompensim !
I nderuar Z.Njazi Shehu,
keni shumë të drejtë, është një intervistë që sjell copëza jete reale të gjigandit të skenës treguar nga e mbesa me të cilën Kujtim Spahivogli kishte një lidhje shumë të ngushtë.
Po të gjithë kollosët e kulturës vazhdojne të persekutohen!
Ju përshëndes
Elida Buçpapaj
Pergezimet me te ngrohta intervistueses dhe te intervistuares per kete bisede teper prekese dhe realiste qe nxjerr ne pah portretin e nje Njeriu te shquar te shoqerise shqiptare, i cili, fatkeqesisht paraqet edhe nje nga shprehjet me te dukeshme te vete tragjedise se saj te brendeshme.
Kujtim Spahivoglin kam patur fatin t’a njoh personalisht ne Pogradec ne veren e vitit 1960. Sapo kisha mbaruar gjimnazin dhe njohja me Te i shtohej njohjes me te paharruaren kengetare Vaçe Zela, dhe perbente nje nga ngjarjet me te rendesishme te jetes sime n’ato vite. Me gjithe ndryshimin e moshes bisedat me Te ishin me shume interes per mua qe me terhiqte letersia e madhe te cilen Ai e njihte mjaft mire. Nga ato biseda kuptova qe atehere se Kujtimi ishte nje “mize e bardhe” ne realitetin aspak te bukur te Shqiperise se kohes. Mendimet e tij i perkisnin nje sfere intelektuale qe ishte teper larg ngurtesise dhe erresires mendore te atyre qe qeverisnin . Shpirti i Tij fisnik e mendje e Tij e hapur me frymezonin besim e shprese edhe mua qe jetonja ne nje kamp internimi te Lushnjes.
Formimi i Tij ishte i papajtueshem me regjimin ne fuqi, sado qe ai nuk i shprehte hapur opinionet e Tij politike. Por ai ndryshim i brendshem solli edhe perplasjen e pashmangeshme e miku im i mire, Kujtim Spahivogli, u kthye ne njerin nga viktimat e rradhes te sistemit, duke u detyruar te braktiste profesionin e Tij, te cilin e kisha admiruar ne shfaqjet e njohura te “Majlindes” e te “Hamletit”, per t’i u neneshtruar idiocive ala kineze te “riedukimeve”.
Jam i bindur se ajo politike kriminale, me te cilen Ai artist i shquar u detyrua te ballafaqohet e t’i paguaje edhe tributin e prishjes se familjes e te kthimit ne pluhur te endrrave per jeten e per artin, e privoi Shqiperine nga nje talent teper premtues, por edhe nga njw Qytetar me Q te madhe, qw perbente nje nga shpresat e ndritura per perparimin dhe qyteterimin e mbare shoqerise shqiptare, sidomos ne kete periudhe kalese mbas komuniste, kur njerez me mendesine e hapur te Kujtim Spahivoglit do te kishin patur nje rol te veçante ne zhvillimin e demokratizimin e saj.
Respekt e nderim pa fund kujtimit te ndritur te Kujtimit, nje miku te dashur te rinise sime!
Shumë i nderuar Miku jonë Eugjen,
Të falenderoj për këto kujtime që sillni rreth të madhit Kujtim Spahivogli.
Mbresat tuaja jetesore plotësojnë portretin e Artistit dhe jane shume të vyera. Mendoj se mund t’i botojme veçan nëse jeni dakord.
Te falat tona me respekt
Elida
Përgëzime, urime e suksese tejet
profesionale për intervistën me
kolosin e paarritshëm i papërsëritshmi Kujtim Spahivogli
regjisorin Evropian. Kujtimin e kam
njohur kur erdhi në Shkup
lnë Teatrin
e nacionaliteteve dhe i inskenoi
Dramën “Karnevalet e Korçes” të Spiro Çomores,që e gjithë Maqedonia
Perëndimore(shqiptarët) e shikonin
pjesën me plus minus gati dy javë. Kujtimi ishte një shqiptarë pika e burrit për aq kohë sa qëndroi AI e hapi zemrën dhe shpirtin dhe fliste
sa 124 burra të odave pa i bërë iu dridhur qepalla. Unë nje djalosh nonja 22 vjetë mrekullohesha me
eruditizmin dhe kulturen e pakufishme të Kujtimit… Mbiemrat i
kishim të njejtë… Kurreshtja profrsionale nuk po më lën të qetë, pse koreografi Shaban Hysa rrinte si
vuv dhe zhbironte me sy?!? Askund
nuk po përmendet se Kujtimi ka inskenuar një dramë edhe në Teatrin
nacionaliteteve në Shkup? Pastaj me ofshe e kuptova meselen e Kujtimit se Ai kishte ra viktimë e sistemit të tmerrit. Ty mbarësi në pune se je një
Oriana Fallaçi. Kujtimit i pushoftë shpirti në parajsën dhe qoftë i paharruar kujtimi për të madhin
Kujtim Spahivogli!
PS. Kexuesit le të vlerësojnë dhe të gjykojnë se kush e morri në qafë
engjëllin e paharruar! Amin!
I nderuar Z.Mustafë Spahiu,
Ju falenderoj për komentin tuaj.
Keni shumë të drejtë, askund nuk kam lexuar që i madhi Kujtim Spahivogli ka vënë në skenë karnavalet e Korçës të Spiro Çomores në Shkup. Kemi 75 vjet censurë, komunizëm plus postkomunizëm. Kujtim Spahivogli vijon të jetë viktimë deri sa Shqipëria të bëhet shtet i vërtetë.
Ju flm shumë për vlerësimin.
Nderimet tona
Elida Buçpapaj