Para pak ditësh lexova në Voal.ch një bisedë në formë interviste të znj. Elida Buçpapaj me znj. Luljeta Minarolli Hana me titull “Kujtim Spahivogli, jeta tragjike e gjigandit të madh të skenës shqiptare, shëmbur nga diktatura”. Aty për aty i bëra një koment relativisht të gjatë figurës së artistit dhe njeriut, për të cilin në formë prekëse dhe realiste flitej në intervistë e cila, si e famëshmja “Bijë e Lalës” që e çoi poetin Dara në “monë e shkuar” edhe mua më ktheu gjashtëdhjetë vite mbrapa, në kohën e rinisë sime të parë…
Ishte vera e vitit 1960. Sapo kisha mbaruar gjimnazin e familja më dërgoi, si një farë shpërblimi për përfundimin e mirë të maturës, në qytetin e Pogradecit ku atëherë punonte si mjek pediatër xhaxhai i babait tim, i nderuari doktor Asllan Merlika. Së bashku me djalin e tij moshatar, Hektorin, në plazh u bashkuam me një grup të rinjsh nga Tirana, një grup që binte në sy për gjallërinë e tij e për bisedat e ndryshme me sfond kulturor. Ishin të gjithë t’arsimuar, madje tre prej tyre ushtronin veglat muzikore në orkestrën e Hotel “Turizmit”.
Ishte një grup antarët e të cilit kishin prejardhje të ndryshme, por që i bashkonte një mendësi e hapur, në të cilën nuk gjenin vënd koncepte të kohës të tilla si “dallimi klasor”, që ishte aq në modë në Gradishtë të Lushnjës, një sektor ferme e njëkohësisht kamp internimi në të cilin banonja un. N’atë mjedis të këndshëm me ngjyra njerëzore un pata fatin të njihja Kujtim Spahivoglin. Ai ishte në qendër t’atij grupi, ku bisedoheshin, në breg të liqenit piktoresk të Ohrit, tema nga më të ndryshmet të lidhura me artin e letërsinë, muzikën, teatrin e kinematografinë, sigurisht edhe ato mbi jetën reale, mbi marrëdhëniet djem-vajza, mbi ëndërrat e iluzionet e secilit për të. Kishte aty një rregull të pashkruar por të respektuar në heshtje prej secilit, që përkonte më respektimin e karakterit e të historisë së secilit e që ishte shprehje e fisnikërisë së lashtë shqiptare: në biseda kurrë nuk lëndohej askush për prejardhjen e tij apo kushtet në të cilat jetonte aktualisht. Ishte si një formë e pashpallur belegu që i bëhej hapur filozofisë zotëruese të kohës të mishëruar në famëkeqen “luftë të klasave”.
Njohja me Kujtimin pasonte njohjen me këgëtaren legjendare të qytetit tim, Vaçe Zelën e të dyja përbënin ngjarje nga më të rëndësishmet e jetës sime rinore. U miqësova shpejt me Kujtimin në sajë të karakterit të tij të sinqertë, të çlirët e pa asnjë farë prirjeje për të shfaqur epërsi ndaj bashkëbiseduesit. Ai vinte nga Moska në të cilën kishte studjuar art dramatik, tregonte episode të jetës së tij atje thjesht, pa asnjë farë kompleksi e tek ne të tjerët sillte, nëpërmjet përshkrimeve të tij, përfytyresën e një tjetër bote, sidoqoftë aq larg prej botës sonë të përbashkët, për të mos folur për atë timen të veçantë. Përmasat njerëzore të karakterit të Tij, dinin në pah menjëherë, duke sjellë tek bashkëbiseduesi atë ndjenjë afërsie e miqësie të ngrohtë që zgjonte tek ai mirënjohje e dashamirësi.
Faleminderit Kujtim, për këtë ndjenjë njerëzore që më kumtove nëpërmjet mirëkuptimit Tënd e më ngjalle shpresa të cilat binin ndesh me kushtet në të cilat jetonja un. Faleminderit për respektin e ngrohtësinë që gjeta tek Ti, një personazh i njohur e i respektuar i jetës shqiptare, në ato çaste, kur shihnja para jetës sime prej gjashtëmbëdhjetëvjeçari, vetëm mure të larta e të pakapërcyeshme…. Ishe Ti një nga të paktët që në heshtje më ngulite idenë se asnjëherë nuk është gjithshka e humbur, se duhet luftuar gjithmonë.
Më kujtohen bisedat që silleshin rreth profesionit të tij të aktorit, të cilin Ai e kishte shumë për zemër. Më tregonte se si e përjetonte veprimtarinë e tij të skenës. Mbaj mënd mirë se si e përshkruante zotimin e tij prej aktori: mbas një shfaqjeje të “Majlindës”, thonte, më duhen tre orë që të vij në vehte, kur luaj “Hamleti”-n nuk më mjaftojnë as tri ditë. Njëmendësimi me rolin, zhytja e Tij në dramën e personazhit, ishin aspekte të zakonshme të jetës së Tij profesionale. Sigurisht të barte mbi supe për tre orë, “botën e shthurur” të Hamletit, me dyshimin e hidhur se “un s’paskam lindur të të ndreq”, me të gjithë kompleksin e tij tragjik nuk ishte një shëtitje në skenë, ishte një proçes tepër i vështirë, për të cilin ai fliste thjesht, pa asnjë lloj shfaqjeje të meritës.
U miqësuam shpejt me Kujtimin e megjithëse ajo miqësi qe e shkurtër, sa lulja e akshamit, sepse nuk u pamë më, mbasi jeta ime mori hullinë e paracaktuar, ajo mbeti në zemrën e në mëndjen time si njëra nga kujtimet më të bukura e më të paprekëshme. Por nga bisedat tona që, megjithë ndryshimin e moshës, ishin me shumë interes për mua, kuptova se Kujtimi ishte një “mizë e bardhë” në realitetin e shëmtuar të Shqipërisë së kohës. Mendimet e Tij i përkisnin një sfere intelektuale që ishte tepër larg ngurtësisë dhe errësirës t’atyre që drejtonin këtë Vënd.
Prandaj përplasja, shpejt a vonë, do t’ishte e pashmangëshme e miku im Kujtim Spahivogli, siç e përshkruan me dhimbje mbesa e tij, znj. Luljeta Minarolli Hana, u kthye në njërin nga viktimat e rradhës t’atij sistemi, që nuk mund të pranonte gjatë në gjirin e tij modele të tilla të gjalla humanizmi e kulture. Ajo politikë kriminale me të cilën u detyrua të ballafaqohej Artisti i madh e t’i paguante edhe tributin e rëndë të prishjes së familjes e të kthimit në pluhur të ëndrrave për jetën e për artin, e privoi Shqipërinë nga një talent të arrirë e tepër premtues, por edhe nga një Qytetar me Q të madhe, që ishte një nga shpresat më të mëdha për përparimin e qytetërimin e mbarë shoqërisë shqiptare, sidomos në këtë periudhë kalese mbas komuniste, në të cilën njerëz me mendësinë e hapur të Kujtim Spahivoglit do të kishin qënë shumë të vlefshëm në përparimin e saj.
Duke u kthyer në kujtimet e e largëta t’asaj vere të jashtzakonëshme, me hidhërim të thellë sjell ndërmënd ata djem të mrekullueshëm që, fatkeqësisht nuk jetojnë më. Vitet kanë bërë punën e tyre dhe ai djalosh që shihet në fotografi është sot një burrë i thinjur, që kujton me mall e dashuri ata shokë të atëhershëm të rritur. Nga jeta u larguan para kohe si Kujtimi, ashtu edhe Ariani e Gramozi.Ndoshta ata janë bashkuar përsëri me njëri tjetrin në botën e së vërtetës e presin edhe ne të tjerët për të plotësuar grupin e hershëm të plazhit në liqenin e Pogradecit.
Respekt e nderim pa fund kujtimit të ndritur të Kujtimit, një miku të dashur e të paharruar të rinisë sime të parë.

Këtë foto e solli për voal.ch zoti Eugjen Merlika, ku ai ka dalë në pogradec në vitin 1960 së bashku sipas rradhës me Gezim Peshkepine, Kujtim Spahivoglin dhe Platon Nevirin.
Kujtim Spahivogli, jeta tragjike e gjigandit të madh të skenës shqiptare shembur nga diktatura – Bisedë me Luljeta Minarolli Hana Nga Elida Buçpapaj
Komentet