KUJTESË E VRARË MALLI…
Morën dallgë kujtimet e nxehta
Fërkimet e përmalla nuk ndalnin vrapin
Dielli përcëllonte lëkuren e hijeve
Rëra kokrrize piqte si çerep i prushtë
Valët e detit valëviteshin brenda zemrës
Koshi kraharorit përplasej dënesjeve
Si astmagji kronik i pashëruar dhimbjeve
Sytë shëtisnin syprinës pafund të detit
Atje larg shikoj aniet në hapësirë pafund
Lundronin mbi valët tërbuese
Dëgjohej piskamë sirenash n’ankorim
Përmes shkumëzimit të valëve të njelmëta
Dëgjoja frymëmarrjet e ngrira n‘parzëm
Dridhesha nga prushi nostalgjik
Lotët rrëshqisnin lëkurës së plasaritur
Sa përcëlluese kjo stinë vjeshte
Fola me vete…
Tërhoqa shikimin nga valët shushuritëse
Lodrova me pamje kërshnajës së djegur vetëtimash
Atje lartë mbi det, mes pishave
Një kulm shtëpie vezullonte me tjegulla të kuqe
Eh!
Sa më ngacmoi kujtesa e vrarë malli
Më përfytyrohej miku, Zeqir Lushaj
Në sofrën prej guri dikur mbushur plot
Si në Grinë e vetë n‘Malësi të Gjakovës
Sa pikëlluese ishte kjo stinë në Shëngjin!…
(Gjakovë, 30 dhjetor 2023)
NGARENDJE FESTIVE
(Ose, sa egoiste është kjo jetë)
Diç nga brenda furishëm ushton
Lëvizje drithëruese gjymtyrëve të trupit
Këtë ditë festive të fundvitit plak
Do zëra diktojnë bredhjen rrugëve pafund
Fushës së meditimeve të shpirtit kryeneç
Ajo kuti magjike dëshirash të vrara
Palosur mjegullnajave nëpër mote të brishta
Ku edhe vetëtimat përgjonin dhimbjet
Deri në mykje të kuptimit të fjalës…
E, kjo shëtitje rrugëve të qytetit tim
Ditën e fundit të vitit festiv
Me hedhë në lavrat e jetës së thinjur
Gëzimeve të thyera rrezeve të plasaritura
Viteve të burgosura trarëve të heshtur
Flasin pëshpërimat në gjuhën e mllefosur
Vazhdat e lotimit dëshmojnë zjarrminë
Germat përvidhen ndrydhjeve të nxira
Reflektim i fisnikërisë ngushëlluese të durimit
Kotësive deri në pafundësi…
Ngadalë eci rrugëve të qytetit tim
Të ripërtërirë moshe
Ndalem padashur te Ali Podrimja në bronz
Buzë lumit Krena që e deshi aq shumë
E shikoj mallëngjyeshëm poetin e madh
Më duket ende me etje të pashuar
Për jetën, për “Lum Lumin”!…
Kthehem me kujtime të shkrumbuara
Në strehën e vetmisë
Në mbrëmjen festive të pa festuar
Sa egoiste është kjo jetë!…..
(Gjakovë, 31 dhjetor 2023)