Tashmë pothuajse të gjitha qytetet e mëdha të Kosovës janë bërë me universitete publike (politike) dhe private, kolegje dhe shkolla tjera (jo) profesionale.
Por si duket ky numer do te rritet akoma më tepër, ngase janë në rritje “kërkesat” për universitete publike edhe në qytete tjera,…e mbase mund të dalin edhe kërkesa të tjera për universitete rajonale si; Drenicës, Dukagjinit, Llapit apo Pashtrikut, e gjetiu ku ishin zonat operative te luftës,…për të shkaktuar kështu ndarjen e dijes në bazë të përkatësisë rajonale politike dhe fuqisë elektorale të liderëve aktual,…për t’i lënë vendin në fund ndoshta edhe universitetit të Shtimjes për prodhimin e kuadrove me të meta mentale për përmbushjen e “mozaikut” universitar në Kosovë!
Kërkoj falje për ketë të fundit, që e përdora si metaforë që i shkon për shtati asaj metaforës së pasluftës në Kosovë; “po të kisha ditur se është kaq lehtë më kryer fakultetin, do ta kisha mbaruar edhe shkollën e mesme…”, flitej kështu për të “diplomuarit” në universitetin e Tiranës e Prishtinës në periudhen e pasluftës e liderëve të ndryshem politik të asaj kohe pa diplomë të maturës!
Kosova është një territor tepër i ngusht gjeografik për absorbimin e të gjitha këtyre universiteteve e kolegjeve, që janë bërë sikur objektet fetare të pasluftës,…që mbinin ngado e kudo, edhe aty ku nuk ishte nevoja fare për to!
Po u shkua tutje më ketë ritëm të hapjes së universiteteve, mund të vie shpejtë deri të “rebelimi” i bujqëve nëpër qendrat rurale për hapjen e fakulteteve të bujqësisë, si një mundësi tashmë e re për hapjen e vendeve të “reja” të punës nga qeveria aktuale!
Kjo logjikë e mbrapsht e hapjes e vendeve të “reja” të punës, është logjikë e kthimit mbrapa e jo e ecjes përpara, ngase kuantiteti nuk e përcakton asnjëherë kualitetin në arsim. Nga të gjitha këto universitete publike (politike) që veprojnë aktualisht,…nerër mund të bëhen edhe pesëdhjetë sosh dhe asnjëherë të mos arrihet kualiteti që dikur ishte në Universitetin e Prishtinës.
Thellësisht jam i bindur së shumica e akredituesve të këtyre institucioneve të larta arsimore në vend nuk e kuptojnë fjalën Universitet (njohuri të gjëra), ngase me siguri do të përmbaheshin pak nga “fabrikimi” i këtyre institucioneve të larta arsimore në vend, të quajtura “universitete”.
Po ndodhë kështu në mungesë të një strategjie nacionale për arsimin e lartë, për çka çdo vit kemi rritje të titujve “akademik e shkencor”, rritje enorme të të diplomuarëve dhe rënje të cilësisë e të kualitetit në arsim.
Më gjithë ketë shtim të universiteteve, analfabetizmi në Kosovë ka shënuar ngritje enorme, si pasojë e udhëheqjes së antivlerave me këto universitete në njërën anë, dhe në anën tjetër të rënjes së cilësisë së studimeve në këto universitete, kemi degradim edhe të sistemit shëndetësor, juridik, kulturor, pse jo dhe politik të vendit tonë.
Janë të shpeshta rastet kur nxënësit më sukses të shkëlqyeshëm nga shkollat e mesme, të mbesin jashta “amfiteatrove”,…ndërsa në anën tjetër nxënës të nivelit të mesëm dhe të ulët i zëjnë vendet e tyre në këto universitete,…duke e patur të sigurtë që në fillim diplomimin dhe “specializimin” në afatin e parapar të këtyre “akademive” universitare, si rezulat i privilegjeve; nepotizmit, familjarizmit, korrupsionit e dukurive tjera negative të përhapura në shoqërinë tonë këtyre 7-8 viteve të fundit.
Përderisa shtetet më të zhvilluara ekonomike, të shtyrë nga kriza financiare në Eurozonë, përditë bëjnë shkurtime të shpenzimeve buxhetore, ne në Kosovë, në vendin më koeficientin më të ulët të zhvillimit ekonomik në Evropë, i rrisim shpenzimet buxhetore pa asnjë kriter, pa asnjë strategji të qartë zhvillimore,…thuajse jemi më të pasurit e më të mënçurit e globit tokësor!
Në të kaluaren jo shumë të largët, Kosova mburrej më kuadrat e dalura nga Universiteti publik i Prishtinës, në veqanti me nivelin e lartë profesional, shkencor dhe akademik, që nivelizoheshin më kuadrat e universiteteve më prestigjioze evropiane e botërore.
Kosova si një vend i vogël, do t’i mjaftonte një universistet publik (shtetëror), i konsoliduar mirë, i pajisur më infrastruktur akademike, më kushte të volitshme për studentet; me konvikte bashkëkohore, me transport të organizuar mirë për studentet nga qendrat e tjera e shumëçka tjetër,…që do ta kishin koston më të ulët buxhetore se sa hapja e universiteteve në çdo pjesë të vendit, dhe ajo çka është më e rëndësishmja do të kishim prodhim të kuadrove cilësore për nevojat e vendit e jo fabrikim të tyre sipas orekseve partiake!
Zhvillimet e fundit në Universitetin e Prishtinës, fillimisht me kërkesën për shkarkim, më pas edhe vendimi i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës për shkarkimin e rektorit të Universitet të Prishtinës janë të nxitura nga politika e lartë në vend, që për qëllim kanë zhvendosjen e krizës institucionale nga Kuvendi i Republikës së Kosovës në Universitet në njërën anë, ndërsa në tjetrën për pengimin e reformave të filluara nga Rektori Ramadan Zejnullahu.
Politizimi i Universitetit të Prishtinës dhe të gjitha institucioneve tjera kishte filluar në kohën e Qeverisë së përkohëshme, me emrimin e sekretarëve “Permanent”, siq i quanin atë kohë të dërguarit politik në institucione.
Rektori Zejnullahu nga qytetarët e vendit vlerësohet si shkëndija e parë e shpresës për ndryshime pozitive jo vetëm në Universitetin e Prishtinës, por edhe më gjerë në institucionet tjera publike dhe shtetërore.
Mirëpo, Rektori duke mbrojtur kritetret dhe parimet profesionale, ra ndesh me shantazhet dhe presionet e plagjiatëve, pseudoprofesorëve, “magjistrave” dhe “doktorëve” të fabrikuar nga paslufta e këndej,…që në universitet veprojnë si sekretar partiak të maskuar me emra “senator” dhe antar të Këshillit Drejtues të UP-së,…duke mbrojtur interesat e një klase të shëmtuar politike, që Universitetin e Prishtinës e shëndrruan në çerdhe të analfabetëve partiak.
Kujt tjetër, pos grupeve të sipërpemendura të interesit ju pengon depolitizmi i universiteteve publike, reformat dhe mbarëvajtja e procesit arsimor në nivelet e larta akademiko-shkencore të vendit tonë.
Vetëm grupeve të interesit, antivlerave, injorantëve, bandave të politikës dhe parapolitikës ju konvenon mjegulla në tempullin e dijes, që të përdorin grupe njerëzish të shantazhuar për rrënimin e reformave të filluara nga Rektori Zejnullahu, shkarkimi i të cilit mund të jetë me pasoja afatëgjata për Universitetin e Prishtinës.
Që kjo të mos ndodhë, të gjithë duhet të ngrihemi në mbrojtje të Rektorit Zejnullahu, për të mbrojtur vlerat, nderin dhe dinjitetin, përkushtimin njerëzor, idealin për çlirim shpirtëror,…mbi të gjitha të ardhmën e shumë gjeneratave në vendin tonë.
Komentet