Eureka: pas 14 vite negociatash dhe pas shfuqizimit nga Gjykata Kushtetuese të një marrëveshjeje të gabuar, si dhe abortimit të një marrëveshjeje të padeklaruar, Shqipëria dhe Greqia njoftuan se për të lehtësuar zgjidhjen e mosmarrëveshjeve do t’i drejtoheshin Gjykatës Ndërkombëtare për përcaktimin e kufirit detar mes tyre. Lajmi u bë i ditur gjatë vizitës zyrtare në Shqipëri të ministrit të Jashtëm të Greqisë, Niko Dendias, dhe u rikonfirmua nga dy kryeministrat.
Në dukje të parë çdo gjë ngjason logjike dhe legjitime, pasi sipas së drejtës ndërkombëtare të detit, shtetet bregdetare, kur ndajnë hapësira detare midis tyre dhe nuk gjejnë zgjidhje e pajtim me marrëveshje të negociuar, u drejtohen institucioneve të tjera paqësore për zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare, siç është Gjykata Ndërkombëtare. Sigurisht që dakordësia nuk e zgjidh çështjen, por është shumë e rëndësishme që u ra dakord për domosdoshmërinë e rifillimit të negociatave të reja për përgatitjen e kësaj marrëveshjeje.
Në Athinë kjo është konsideruar si një arritje diplomatike. Në Tiranë kjo ka ngjallur mjaft reagime. Prej ditësh, opinioni publik shqiptar u bombardua me akuza mbi tradhti dhe tradhtarë. Në lojë hynë personifikimet me “Skënderbe” dhe “Hamza” të shitjes së territoreve të kombit. U ngritën skenarë tragjikë për ndërhyrje të hamendësuar turke. Vërshuan komente folk-patriotike dhe, për sa kohë që kjo rrymë kishte fuqi, mua “m’i lidhi duart” këshilla e Faik Konicës, kur i lutet Zotit: “… jepna fuqinë të mbajmë gojën mbyllur kur s’kemi gjë për të thënë. Falna durimin të thellojmë një punë përpara se të shkruajmë mbi të!”
Shitja e interesave kombëtare nuk është e panjohur për historinë tonë, por unë nuk dua të besoj se pushtetmbajtësit tanë i shesin interesat e vendit për interesat momentale. Mbetem i palëkundur se klasa politike shqiptare, me gjithë shumë të meta dhe gabime që mbart, e ka integritetin, moralin dhe përgjegjshmërinë për të mbrojtur interesat e vendit. Dhe një ndër interesat më sublime kombëtare është tërësia territoriale. Dhe sot, kur vendosa të shkruaj, jam i mendimit se nga kjo marrëveshje duhet mbajtur larg edhe retorika edhe propaganda. E nderoj lirinë e fjalës, por çështja duhet mbajtur larg edhe nga joprofesionistët, që mbushin gazetat dhe ekranet, ku u jepet e drejta të flasin e të shkruajnë edhe kur nuk kanë gjë për të shprehur.
Paprekshmëria e territoreve nuk është thjesht një çështje etike apo morale. Ajo gjendet e sanksionuar në Kushtetutën e Shqipërisë, përmes Nenit 3, që përcakton se: “Pavarësia e shtetit dhe tërësia e territorit të tij, …. janë baza e këtij shteti, i cili ka për detyrë t’i respektojë dhe t’i mbrojë”. Aq qartë është shprehur kjo në dokumentin themeltar, sa çdo brezi të shtetasve shqiptarë i është ndaluar kategorikisht shprehja e vullnetit për të vendosur mbi ndryshime të tërësisë territoriale. Për ta fuqizuar këtë, Neni 151 i Kushtetutës e ka ndaluar bërjen e referendumeve për “çështjet që lidhen me tërësinë territoriale të Republikës së Shqipërisë”.
Vlen të kujtojmë se, jo vetëm territori detar, si çështje kufitare, por edhe pasuritë detare kanë qenë dhe mbeten me rëndësi strategjike. Shqipëria është një vend detar, me një “vijë bregdetare prej 420 km dhe ushtron sovranitetin kombëtar në rreth 6000 km2, si dhe të drejtat sovrane në rreth 11000 km2. Hapësira kombëtare detare e Shqipërisë përbën rreth 40% të territorit të saj tokësor”. Kjo nuk është fantazi, as folklor, por një realitet i njohur dhe i mbrojtur. Historikisht, deti ka pasur, siç do të ketë, rëndësi jetike për zhvillimin ekonomik dhe prosperitetin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Burimet detare, nëndetare dhe ato që lëvizin përmes detit përbëjnë një pasuri me vlera të mëdha për zhvillimin tonë ekonomik.
Por duke iu kthyer detajeve të marrëveshjes detare mes Shqipërisë dhe Greqisë dhe dërgimit të çështjes së saj në Hagë, vërejmë se pas një klime të tendosur në marrëdhëniet midis dy shteteve, bisedimet e fundit treguan se ato kanë filluar të kenë frymë evropiane, ku barazia, interesi i ndërsjellë, transparenca, respektimi i tërësisë territoriale, përjashtimi i presioneve, mashtrimeve apo kërcënimeve, nderimi mes kombeve, respekti ndaj kulturave, janë themelet e një fqinjësie të mirë.
Nuk dua ta fsheh se ndjeva kënaqësi qytetare dhe profesionale që pala greke u tërhoq nga logjika e forcës dhe iu kthye forcës së logjikës, që uli zërin dhe ngriti argumentin, duke u ulur në tryezë si bashkëbisedues i barabartë. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Fqinjësia e mirë dikton të tilla zgjidhje të urta.
Kjo miqësi i ka rrënjë te bashkëjetesa shekullore mes shqiptarëve dhe grekëve dhe ka bërë që fqinjët e lashtë të Ballkanit, të përjetojnë shpesh të njëjtin fat historik e të kenë rrjedha kulturore të përafërta. Si të mos kujtojmë me keqardhje se kjo histori bashkëfqinjësimi nuk ka qenë si një romancë dashurie? Ajo ka momentet e saj të hidhura, disa herë tragjike. Ajo që ka ndërmjetësuar për t’i zbukuruar ato nuk ka qenë kërcënimi, por kultura dhe fjala e mençur.
Për të mos e shpërqendruar lexuesin me kohën kur Homeri në “Iliadë” rrëfen se pellazgë, ilirë dhe grekë ishin pjesë e të njëjtit koalicion, po ndalem shkurtimisht në historinë moderne mes shqiptarëve dhe grekëve. Do veçoja miqësinë e poetit kombëtar Naim Frashëri me eruditin grek I. Karalidhisi, të cilit ai i kushtoi përmbledhjen me vjersha, shkruar greqisht, “Dashuria”; takimet e patriarkëve të poezisë së kohës, Gjergj Fishtës dhe Ali Asllani me personalitetet e kulturës greke etj. Nuk mund të lihet jashtë vëmendjes roli i gjimnazit “Zosimea” në Janinë, që u bë vatër dijesh për formimin e një brezi të shkëlqyer atdhetarësh shqiptarë, të cilët u arsimuan aty dhe krijuan lidhje intelektuale me Perëndimin, e prej këtej punuan për Rilindjen kombëtare, duke ngulmuar jo në ndasitë, por bashkëpunimin mes grekëve dhe shqiptarëve.
Por kjo panoramë do të ishte e mangët dhe disi inferiore nëse edhe nga ana greke nuk do të vinte i njëjti nderim. Duke lënë paksa mënjanë këtë radhë luftëtarët e nderuar të revolucionit të 1821, kujtojmë letrat e bukura për Korçën, Pogradecin, Tiranën dhe Krujën, që nobelisti Jorgos Seferis dërgoi nga “qyteti i serenatave”, ku ishte Konsull i qeverisë greke. Për ta mbyllur, kujtojmë studiuesin minoritar Jani Lili, që botoi në shtypin shqiptar dhe grek artikuj promovues për Kutelin, Lasgushin, Koliqin, Migjenin, S. Spassen, V. Koçën etj. Të gjitha këto fakte kanë domethënien e vet në krijimin e klimës së mirë të bashkëpunimit.
Eppur si muove: Politika i njeh, por nuk i përdor emocionet. Rinegocimi i marrëveshjes detare sot shfaqet jo pak e vështirë, por jo pa rrugëdalje. Pala shqiptare këtë radhë ka si busull vendimin historik, patriotik e doktrinal të Gjykatës Kushtetuese, e cila hodhi poshtë marrëveshjen e parë, duke u shprehur më se qartë se: “Kufijtë shtetërorë, përfshi natyrshëm edhe kufirin e Detit Territorial ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë, kanë ekzistuar”; mendimi përforcohet edhe nga vijimi logjik: “Prandaj, duhej të ishin verifikuar vetëm rastet e mbivendosjeve të pretenduara ose nevoja e saktësimit të këtij kufiri shtetëror (vijës së jashtme të Detit Territorial), në përputhje me dispozitat e Konventës së OKB-së mbi të Drejtën e Detit”. Pra sipas këtij vendimi, këto negociata nuk përfshijnë Detin Territorial.
Ajo që është me vlerë të theksohet e t’i bëhet e njohur opinionit është fakti se të dhënat mbi këtë kufi ekzistojnë. Dhe ekzistojnë jo prej pak vitesh, por prej më shumë se 100 vitesh. Historia e kësaj ndarjeje fillon shumë më herët sesa mendohet. Për të kapur fillin, duhet të kthehemi në vitin 1800.
Si dokument fillestar mund të paraqesim “Traktatin e Konstantinopojës” (një marrëveshje mes Perandorisë Ruse dhe asaj Otomane, që krijoi një republikë sui generis të ishujve jonianë) dhe, prej këtej në “Traktatin e Londrës”, më 1864 (mes Greqisë, Britanisë së Madhe, Francës dhe Rusisë ku ishujt Jonianë i kaluan Greqisë). Faktet janë sanksionuar në bisedimet dhe rakordimet përfundimtare mes Fuqive të Mëdha, para dhe pas Luftës së Parë Botërore.
Por, për të qenë i sistemuar në kronologji, po rendisim në vijim disa dokumente historike, që flasin në dobi të qartësimit të fakteve. Dokumentet janë si në vijim:
– Kufijtë e Shqipërisë u përcaktuan nga Konferenca e Ambasadorëve të Londrës me vendimet e 22 marsit dhe 11 gushtit të 1913, si dhe nga dy Komisione të Posaçme. Ato u fiksuan në Protokollet e Firences në 17 dhjetor 1913, 27 janar 1925 dhe 26 korrik 1926.
Protokolli i Firences për Delimitimin e Kufirit Jugor të Republikës së Shqipërisë, në Aneksin III të tij sanksionon vijën e kufirit detar shqiptaro-grek: “Duke filluar prej shenjës kufitare Nr. III/79, vija e kufirit drejtohet nga Jug-Jugperëndimi, zbret shkëmbinjtë shumë të pjerrët dhe pas rreth 10 metrash, takohet me bregun e detit. Pastaj ajo vazhdon deri në kufirin e ujërave territoriale, duke ndjekur një vijë normale me drejtimin e përgjithshëm të bregut të detit. Ishulli i vogël i Tongos, i ngelet Shqipërisë”.
– Dosja e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, në vitet 1947-1949 gjatë shqyrtimit të “Çështjes së Incidentit të Kanalit të Korfuzit”, përmban shumë informacione dhe një numër hartash që dëshmojnë se kufiri midis Shqipërisë dhe Greqisë edhe në atë kohë ishte i qartë. Pala britanike i paraqiti ato në Gjykatë për të argumentuar pretendimet e saj kundrejt Shqipërisë.
Në vendimin e kësaj gjykate të datës 9 prill 1948 lidhur me regjimin e lundrimit të anijeve britanike nëpër detin territorial të Shqipërisë, thuhet shprehimisht se: “Mbretëria e Bashkuar nuk e dhunoi sovranitetin e Republikës Popullore të Shqipërisë me veprimet e Marinës Britanike në detin territorial të Shqipërisë në datën 22 tetor 1946”, ndërsa “Republika Popullore e Shqipërisë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare është përgjegjëse për shpërthimet e ndodhura në datën 22 tetor 1946 në detin territorial të Shqipërisë si dhe për dëmet dhe humbjet njerëzore të shkaktuara”.
– Protokolli shqiptaro-grek mbi tralimin e kanalit të Korfuzit. Më datë 29 janar 1958, ministri i Jashtëm i Republikës Popullore të Shqipërisë, zoti Behar Shtylla nxjerr autorizimin për kapitenin e rangut të parë Abdi Mati, shef i shtabit të Flotës Luftarake Detare, që të zhvillojë bisedime dhe të nënshkruajë protokollin shqiptaro-grek mbi masat praktike për spastrimin e Kanalit. Abdi Mati ishte personaliteti kryesor ushtarak detar i Shqipërisë, i cili arriti deri në rangun e kundëradmiralit.
Qeveria e Mbretërisë së Greqisë u përfaqësua me një delegacion të kryesuar nga Kapiteni i Marinës Mbretërore, Emanuel Dhimotaqis. Është për t’u theksuar gjithashtu se nënkryetar i grupit ishte himarjoti Spiro Milo, Kapiten i rangut të dytë në marinën mbretërore greke, kurse si përkthyes ishte Konstandin Cigos, i cili është rritur në Sarandë dhe bashkë me familjen e tij është larguar legalisht për në Greqi më 1946.
Raportet dëshmojnë se delegacionet u mblodhën në qytetin e Korfuzit prej 3 shkurt 1958 deri më 8 shkurt 1958 dhe, pasi shqyrtuan masat e nevojshme praktike, që duheshin marrë nga të dyja palët, vendosën nënshkrimin e “Protokollit të përfunduar midis përfaqësuesve të qeverisë së Republikës Popullore të Shqipërisë dhe qeverisë së Mbretërisë së Greqisë mbi tralimin e kanalit të Korfuzit”.
Sipas Nenit 1 të këtij protokolli duhej që: “Të dy Palët do të kryejnë në Kanalin e Korfuzit, secila në ujërat e veta territoriale dhe pa asistimin e përfaqësuesve dhe mjeteve të Palës tjetër, tralimin për pastrimin e minave që eventualisht ndodhen në këtë zone”.
Tralimi për të dyja palët do të kryhet brenda periudhës prej 15 marsit 1958 deri në 15 gusht 1958.
Pas renditjes kronologjike dhe paraqitjes së këtyre dokumenteve është po aq e rëndësishme të vërejmë se në këtë protokoll bien në sy koordinatat e veçanta (shiko faksimilen e protokollit), ku të dyja palët, si ajo shqiptare, ashtu edhe ajo greke, kishin si kufi ujërash ku do të kryhej tralimi “UJRAT TERRITORIALE”, ndërkohë që në zonën e ngushticës së Korfuzit (pjesa më e afërt me tokën shqiptare, pranë Ksamilit), të përcaktuar me shtatë koordinata, pastrimi do të kryhej me radhë nga të dyja palët, njëra pas tjetrës.
Operacioni i pastrimit nisi në datën 15 mars 1958 dhe përfundoi më 7 korrik të këtij viti. Pala shqiptare përdori për këtë qëllim 2 dragamina, 1 anije që vendoste shenja, 1 helikopter dhe në rast nevoje, do të përdorej 1 anije palombare. Kurse pala greke përdori 5 dragamina të mesme, 3 dragamina të vogla rade, 2 anije për vendosjen e shenjave dhe 1 anije ofiçinë. Minat që kërkoheshin nga koha e luftës ishin të llojit mina me spirancë, mina akustike dhe manjetike.
Bisedimet dypalëshe përfunduan më 2 gusht, kur u firmos edhe protokolli përfundimtar mbi punimet për pastrimin e Kanalit të Korfuzit, bashkë me komunikatën e përbashkët për shtyp, e cila shpallte se: “…përfaqësuesit e të dyja qeverive deklarojnë se: duke filluar nga ora 12.00 e datës 2 gusht 1958, Kanali i Korfuzit është i lirë për lundrimin e anijeve të mbiujshme”. Në të njëjtën orë të datës 4 gusht, mund të kryhej shpallja me të gjitha mjetet e informacionit, për të njoftuar lundërtarët.
Ajo që e bën shumë të rëndësishme këtë marrëveshje, është fakti se Shqipëria dhe Greqia ia kanë njohur njëra-tjetrës ujërat përkatëse territoriale me koordinata të përcaktuara qartë, edhe pse bëhej fjalë për dy vende pa marrëdhënie diplomatike dhe në gjendje lufte.
-Për të vijuar në këtë logjikë të ftohtë dokumentesh që flasin, theksojmë se Traktati i Miqësisë, Bashkëpunimit, Fqinjësisë së mirë dhe i Sigurisë mes dy vendeve, nënshkruar më 26 mars 1996, i rikonfirmoi pa pretendime të tjera kufijtë ekzistues në tokë dhe në det, si edhe në lumenjtë dhe liqenet, që lagin territoret përkatëse të Shqipërisë dhe Greqisë. Traktati në fjalë saktësoi se të dyja vendet “njohin dhe respektojnë integritetin territorial të njëri-tjetrit”.
-Dokument tjetër i kësaj rëndësie është edhe Protokolli i Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Rendit Publik të Shqipërisë dhe Ministrisë së Marinës Tregtare të Greqisë, në lidhje me patrullimin e përbashkët nga policia kufitare dhe trupat greke për një mbrojtje efikase të kufirit bregdetar midis dy vendeve. Ky protokoll është nënshkruar në Athinë, më 9 mars 1998 dhe rinovuar në Tiranë, më 24 gusht 1999. Këtij i bashkohet edhe protokolli për bashkëpunimin ndërmjet Policisë Kufitare Shqiptare dhe Rojës Bregdetare Greke, për kontrollin e hapësirave detare ndërmjet dy vendeve, nënshkruar në vitin 2005, në Tiranë.
Në këto dy protokolle, vija e mësipërme e kufirit është njohur zyrtarisht nga palët nënshkruese. Duke lënë dokumentet të flasin, po risjell vetëm disa fjali me vlerë domethënëse të pakundërshtueshme që përligjin njohjen, ku shkruhet: “…brenda ujërave territoriale të Shqipërisë….”, “…në ujërat territoriale Shqiptare…”, “…hapësirat detare të dy vendeve…”, “…përgatitjen e planeve për ruajtjen e kufirit detar Shqiptaro-Grek…”
-Po ta kalojmë çështjen nga “një problem mes dy shteteve kufitare” në një subjekt të politikës së lartë ndërkombëtare, do të shtonim se tashmë është fakt i njohur se gjatë Luftës së Ftohtë, në kanalin e Korfuzit, së paku deri në vitin 1968 (kur pala shqiptare denoncoi “de jure” Traktatin e Varshavës) ndaheshin jo vetëm kufijtë detarë shqiptaro-grekë, por edhe kufijtë e NATO-s dhe të Traktatit të Varshavës. A mund të besohet se dy blloqet ushtarake më të fuqishme të kohës i paskan pasur jo të njohura kufijtë e tyre të veprimit, kur juridiksioni i këtyre blloqeve shtrihej sipas vijës kufitare të shteteve anëtare? Dihet fare mirë se në cilin kamp bënte pjesë Greqia dhe pjesë e cilit kamp ishte Shqipëria. Pra kufijtë ekzistonin. Si rezultat i gjeopolitikës së kohës, jo vetëm Shqipëria e Greqia i kishin të përcaktuar kufijtë, por edhe Gjermania u nda në dy shtete me kufij të mirëpërcaktuar mes dy Berlinëve.
Në këtë logjikë precedentësh edhe kufiri detar shqiptaro-grek ka ekzistuar dhe ekziston. Ai është jo vetëm në dijeni, por i njohur dhe i pranuar nga të dyja shtetet kufitare dhe nga institucionet ndërkombëtare. Në këtë linjë mendimi është edhe qëndrimi i qeverisë shqiptare, shprehur përmes kryeministrit, zoti Edi Rama, i cili deklaroi për kufirin detar se: “Shqipëria e ka bërë dhe e ka depozituar në mars të vitit 1990 në Kombet e Bashkuara, çka nuk është kontestuar asnjëherë nga fqinjët tanë dhe qëndron në fuqi sot e përgjithmonë. Kjo e drejtë e jona, nuk është çështje negociate dhe negociatat për delimitimin e hapësirave detare nuk e cenojnë dot asesi të drejtën në fjalë”.
Si konkluzion mendoj se Shqipëria i ka pasur dhe i ka si ujërat territoriale ashtu edhe kufirin shtetëror. E vetmja gjë që sugjerohet të bëhet si hap i parë do të ishte demarkimi i kufirit detar shqiptaro-grek (pasqyrimi i tij nëpërmjet koordinatave), por pa ndryshuar sipërfaqet detare që u përkasin të dyja shteteve dhe pa devijuar vijën ndarëse.
(Vijon nesër)
Komentet