Po thuhet, sipas një ekspozite fotografike patriotike të çelur këtë mes shtatori në Tiranë, në Galerinë e Arteve, se para 100 vitesh, në Shqipëri kanë humbë jetën 200 mijë ushtarë serbe!
Vini re 200 mijë ushtarë serbë. A thua kaq të tmerrshëm në dhunë paskan qenë shqiptarët! Kaq të fortë e të fuqishëm paskan qenë shqiparët dhe dimri e uria e tyre sa me vra e me mbytë e me i lanë të vdekur 200 mijë ushtarë serbë. Thua ku janë varrosë kaq shumë ushtarë serbë…
Kjo sipas një episodi që në historiografinë serbe quhet si “Tërheqja e Madhe” dhe sipas tyre kanë humbur jetën në Shqipëri rreth 200 mijë serbë, kryesisht nga uria dhe ftohti.
Ndoshta është e vërtetë, krejt e vertetë. Ndoshta kanë qenë 400 mijë, ndoshta një milionë ushtarë serbe, dy a tre milionë.
Kujtohet me bujë në Tiranë tash kjo ngjarje që besoj se është e shpikur, për me na pajtue me serbët, pasi po thonë se ka nisë vera e pajtimit shqiptaro – serb apo nisi vjeshta e pajtimeve shqiptaro-serbe. Dhe ky pajtim me serbët që don ta bëjë Tirana, i lyer pak në kokë edhe me ambasador serb në Tiranë, i lyer në kokë edhe me pak kryeministra, me pak artistë të shpikur amatorë, duke e fshirë kërkesën e zëshme e të pazëshme shqiptare se pajtimi mund e duhet të ndodhë por serbët t’i kërkojnë një ndjesë të madhe e të thellë Kosovës, duke harruar se tagrin e pajtimit e të faljes e ka Kosova dhe jo Tirana e cila në asnjë rrethanë nuk ka shpatulla ta mbajë Kosovën në supe. Pajtimi do të ndodhë e duhet të ndodhë mes shqiptarëve e serbëve si dy popuj të dënuar të bashkëjetojnë, por është e pafisme, për të mos thënë fjalë tjetër, që të ftohen shqiptarët të vajtojnë për serbët, për 200 mijë ushtarë serbë që paskan lënë kockat nëpër Shqipëri para 100 vitesh. Shqiptarët vajtojnë për veten e tyre dhe nuk ka të drejtë askush të na vejë në rrjesht e të na detyrojë të vajtojmë për ushtarët e humbur serbë. Kemi ç’të vajtojmë shqiptaërt e humbur edhe në luftën e fundit shqiptaro-serbe. Apo pajtuesve të mëdhej nuk u bëhet vonë për shqiptarët e humbur nëpër Serbi, për shqiptarët e masakruar prej serbëve dhe serbet nuk tregojnë as varret masive ku kanë groposur civilë shqiptarë.
Pajtuesit e mëdhej që duan benefice politike për pajtimin e madh shqiptaro – serb mos të përgjërohen, mos të shpenzojnë para të madhe për ekpozita pajtimi, për ekpozita mëshire për 200 mijë ushtarët e humbur serbë nëpër Shqipëri, të fotografuar bile edhe nga një fotograf rus, sepse nuk kanë qenë civilë serbë, gra e fëmijë serbe, por ushtarë serbë, nga ato që kanë masakruar gra e fëmijë shqiptarë siç masakruan edhe në luftën e fundit, jo para 100 vitesh por para vetëm 16 vitesh.
Ekspozitën e bujshme në Tiranë për me marrë mindilat e me vajtue 200 mijë ushtarët serbë që vdiqën nëpër Shqipëri, edhe pse të fotografuar nga një fotograf rus, e bën të mjerë dhe të shpëlarë ushtari serb Kosta Novakoviq në ditarin e tij Katër muaj nëpër Shqipëri në vitin 1913. Shkëlqimi i dhunës e mizorisë serbe në vitin 1913, si përfundoi me vdekjen e 200 mijë ushtarëve serbë dy vjet më vonë? Eh!
Por unë kot po pyes, kur paskan vdekë 200 mijë serbë, sa serbë kanë mbetë gjallë?
Sa ushtarë serbë paskan pasë mësy Shqipërinë para 100 vitesh?
Me vdekë 200 mijë ushtarë, sipas disa teorive ushtarake (me të thënë e kam këtë), duhet të kenë qenë këtu mbi dy milionë ushtarë serbë, që të vdisnin 10 përqind e tyre. Ose me pak, qe të vdisnin 6 përqind e tyre, aq sa thuhet se pranon një ushtri t’i vriten ushtarë.
Sa ka qenë forca ushtarake e Serbisë para 100 vitesh. Nuk besoj se është sekret dhe e paditur. Serbia ka arkiva dhe bota ka arkiva për Serbinë, siç ka për Shqipërinë, ani se shqiptarëve nuk u bie në mend për ato arkiva, se qeveritë tona duan të na bindin se jeta dhe historia jonë nis me ta.
Sa ushtarë ka pasë gjithsej Serbia para 100 vitesh. Sa fronte lufte ka pasë dhe a gjithë trupat e veta i ka mësy drejt Shqipërisë. Sa ushtarë i kanë mbetë Serbisë pasi i kanë vdekë 200 mijë trupa ushtarake në Shqipëri. Sa milionë njerëz ka pasë Serbia para 100 vitesh, kur paska pasë aq shumë ushtri, sa 200 mijë me i vdekë në Shqipëri? A po flitet për Serbinë apo për Kinën? A po flitet për luftë mbrojtëse ku mund të luftojnë edhe macet e shtëpisë apo po flasim për lufte pushtuese e sulmuese larg tokave e trojeve serbe. Pyetjet s’kane fund.
A kanë qenë të gjallë këto 200 mije ushtarë serbë që kanë vdekë, apo kanë qenë të vdekur e kanë ardhë të vdekur. A i pruni Drini e Mati xhenazet e tyre drejt detit Adriatik-ëndrrës serbe.
Edhe një pyetje tjetër, a kanë qenë njerëz, ushtarë, apo kanë qenë pensionistë serbë me bileta të prera për vdekje?
Apo mos kanë qenë miliongona e kanë ardhë me tren për me u varrosë në Shqipëri e me e shpallë pas 100 vitesh Shqipërinë si varrezë serbe?
Ani, dam s’a kanë, dam s’a ba, shtojini edhe nja 50 mijë a 100 mijë ushtarë serbë të vdekur se nuk bëhet nami. Serbë janë në fund të fundit dhe na rritet nami, fama e lavdia që kemi 200 mijë varre serbësh në Shqipëri. Le të vijnë serbët e ta plugojnë me martela tokën tonë me gjetë eshtrat e 200 mijë ushtarëve të tyre të vrarë e të mbytur nga dimri e uria në Shqipëri.
Ky zmadhimi i qëllimshëm i shifrave sig a serbët si nga shqiptarët të bën me vjellë pa futë gishtat në gojë, të bën me vjellë e me nxjerrë zorrë e mushkëri.
E kur thonë se shqiptarët janë sjellë mirë me to. Jo po harrojnë të thonë se shqiptarët u kanë pre edhe nga një dash sejcilit e i kanë dhënë sejcilit nga një krye berri.
Për me e betonizue e për ta bërë të çeliktë urrejtjen shqiptaro – serbe janë kujdesë me kohë serbët por edhe shqiptarët.
Beteja më e madhe shqiptaro – serbe në fytyrë të tokës është bërë në Lumë në kohën e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Më falni për këtë mburrje labçe, por një kolonjar i ditur tha, kur përmend emrin Lumë, më thahet goja. Edhe pse e kanë varrosë me urrejtje e zell të madh edhe në tekstin e Historisë tonë të përkthyer nga rusishtja, nuk u varros kjo betejë, kjo lavdi e qëndresë e Lumës. Luma ngriti digën e qëndresës shqiptare disa kohë në nëntor – dhjetor 1912 dhe u ngrit flamuri në Vlorë, pa u lejuar serbët që të mbërrinin në Vlorë para ngritjes së flamurit shqiptar.
Kënga jonë shqipe thotë se ne në Lumë kemi vra 12 mijë ushtarë serbë dhe u kemi shkaktue deme kolosale, kemi shpartallue e nxjerrë jashtë luftimi një divizion ushtarak serb. Ndërkohë Luma ka ngritë në luftë me ligjin e saj nga 7 ne 70 gjithë njerzit. Sa luftëtarë lumjanë e dibranë e hasjanë duhet të mblidheshin me u përballë me një ushtri më të motorrizuar dhe t’i vrisnin asaj ushtrie 12 mijë trupa? Kur kemi vra 12 mijë, duhet të kenë qenë edhe 100 mijë më shumë që kanë ikë me shkue me tregue se çfarë na gjeti në Lumë, apo jo. Por në fakt nuk ka qenë gjithë armata serbe e drejtuar për Shqipëri 12 mije trupa. Kjo shifra 12 është hedhur poshtë nga studiuesit dhe më konkreti për atë betejë është Sali Onuzi, i cili e lartëson atë betejë si më të lavdishmen në trojet shqiptare, por e zhvesh nga hiperbola e dëmshme.
Ndërkohë që urrejtja jonë e çoi numrin e ushtarëve të vrare serbë në 12 mijë, serbët e çuan shifrën e të vrarëve të tyre në 18 mijë ushtarë serbë të vrarë në zjarrin e ferrit në Lumë. Ata, serbët e kanë më të madhe urrejtjen. Ne me çifteli këndojmë 12 mijë, serbët me gusëll vajtojnë 18 mijë.
Kështu edhe kjo shifra 200 mijë ushtarë serbë të vrarë e të vdekur në Shqipëri, megjithë bujarinë e shqiptarëve dhe trajtimin e mirë që u paskan bërë serbëve, siç po thuhet, me duket se bie ere të keqe kjo shifer. Ani, rrini mbi të, lexojeni mire, merrini erë, mësojeni përmendësh, kendojuani tuajve, shtoni zero sa t’u teket, pune e madhe, trimëria jonë nuk njeh masë, fama dhe lavdia jonë s’ka qiell, mashtrimi që i bëjmë vetes, historisë dhe brezave s’ka kufi.
Mund të përfitohet në mënyra më fisnike, mund të ketë masë në dashuri e urrejtje, se mjafton të thuash të dua e s’ka nevojë të thuash të dua shumë, mjafton të thuash të urrej e s’ka nevojë të thuash të urrej shume.
Ata që nuk kanë qenë trima në kohën e duhur, nuk mund ta kompensojnë mungesën e trimërisë së tyre as të të parëve të tyre as të atdheut të tyre, nuk mund të mbulojnë asgjë, nuk mund të fitojnë asgjë sepse para se të fitojmë pasuri, duhet të japim llogari te dera e varrit. Këtë po harrojme përditë e përnatë.
Unë ndoshta po prashis në det, ndoshta jam jerm, por hajde mbushma mendjen se kjo nuk është rrena më e madhe që kam dëgjuar qe 100 vjet. Pike.
Komentet