Mënyra se si u shkatërrua ky monument është një etalon i poshtërsisë, i vjedhjes, dhe denatyrizimit të kryeqytetit nga Sali Berisha
Së pari krejt sinqerisht do tju uroja dhe falënderoja për punën e madhe që keni bërë dhe po bëni për Tiranën. Pa e egzagjeruar fare dhe krejt sinqerisht do doja tju thoja se ndoshta në historinë e këtij vendi ndigjoj për herë të parë vetëm lavdërime dhe fjalë të mira për një kryetar bashkie. Nuk dëgjova asnjë pakënaqsi në drejtimin tuaj.
Dhe kjo më duket një gjë unikale për opinionin shqiptar që më entusiazmon për të ardhmen. Kam lexuar dhe parë kohë më përpara shkatërrimin mizor që iu bë hotel Dajtit. Më ka krijuar një vuajtje që sa herë e mendoj apo e shikoj nëpër foto më pikon si helm në zemër. Unë kam ndjekur me interes punimet e Dajtit që nga fillimi dhe mbaj mend si tani kur u mbollën ato dy pishat para tij që ishin fare të vogla e që u sollën nga Italia. Hotel Dajti për popullin e Tiranës sëbashku me historinë e tij është një monument jo vetëm hotelerie por dhe arkitekturale dhe historike në të njëjtën kohë. Mënyra sesi u shkatërrua ky monument më ka mbet në mendje si një etalon i poshtërsisë, i vjedhjes, dhe denatyrizimit të Kryeqytetit nga Sali Berisha për të realizuar poshtërsitë e tija. (dhe kjo është më e vogla!!!).
Duke pasur parasysh se shitja e tij kushtoi 30 milion euro të cilat u përdorën nga Sali Berisha për fushatën e tij elektorale të radhës (kështu u tha në popull!!!!!) del hapur se nga kjo shumë është vjedhur dhe abuzuar në mënyrën më maksimale Alla Shqiptarçe. Duke bërë një krahasim: Në Anglinë me popullsi 53 milion banore, 3 partitë politike më të mëdha kanë shpenzuar në zgjedhjet e vitit 2010 gjithësej 31.1 milion sterlina, më shumë se gjysmën e kësaj sasie e përfitoi Partia Konservatore, Laburistët 25% dhe LibDem 15% të totalit. Bëjini vet llogaritë sesa shumëfish është shuma e shpenzuar në Shqipërinë me 3 milion banorë të Sali Berishës, ku gjysma i përkasin PD-së dhe ku kostua e makinës propagandistike është shumë herë më e lirë sesa në Angli. Me këtë llogari dyshoj shumë se ¾ kanë përfunduar në dispozicion të Familjes Berisha. Sigurisht ky ishte një pretekst për të justifikuar në publik një megavjedhje që s’kishte si fshihej.
Pak histori: Hotel Dajtin e projektoi arkitekti italian Gherardo Bosio arkitekti më i mirë i kohës së tij në Italinë e shquar për arkitekt dhe arkitekturë dhe ky arkitekt më vonë u muar me arkitekturën e Kryeqytetit Brazilia në Brazil që vazhdon të habisë gjithë botën.
Zoti Veliaj shpjegoi se çfarë do të bënte me Hotelin fatkeq dhe nuk shpjegoi një gjë: pse nuk duhet ta restauronte pikërisht ashtu si ishte projektuar nga gjeniu italian me të gjitha detajet dhe me ngjyrat e mermerit të asaj kohe. Bota ka restauruar të gjitha veprat e prishura nga lufta, nga injoranca dhe nga kriminaliteti. Unë kam frekuentuar Dajtin me dëshirë pas çlirimit për vite me radhë. Kam parasysh hyrjen impozante dhe origjinale, banakun madhështor të recepsionit dhe të barit, kualitetin e dyerve, dritareve, pllakave, banjove, arkitekturën e shkallëve, tavernën e mrekullueshme, të gjitha dhomat që edhe sot besoj se asnjë nga hotelet e tjera nuk e ka cilësinë e shijen e këtyre detajeve të studjuara me talent dhe me art.
Ti kthesh këto dhoma në zyra banke të duket kaq absurde aq sa me imagjinatë mendoj revoltën e arkitektit të madh sikur të jetonte. Por këtë revoltë ju siguroj që do ta kenë të gjithë ato shqiptarë e të huaj që kanë një njohje së paku minimale për arkitekturën dhe të bukurën.
Zotëri, arkitekti në fjalë ka ndërtuar një hotel dhe ky hotel shihet mirë që është i tillë që nga pamja e jashtëme. Eshtë e tepërt të shtoj krahasimin e këtij hoteli me Bankën Kombëtare të ndërtuar nga arkitekti tjetër shumë i njohur italian Vittorio Marpurgo që imponohet si ndërtesë bankë madhështorë që nga pamja e jashtëme. Mendoni Zoti Veliaj për një minutë dhe lexuesi gjithashtu me pak imagjinatë ta mendoni bankën shqiptare të kthyer në një hotel. Do ishte po aq qesharake dhe e pamëshirshme që hoteli po kthehet në bankë.
Ky lloj shartimi është bërë në komunizëm ku bazamenti i grupit skulpturor të Kolonel Tomsonit u kthye në bazament për skulpturën e Mujo Ulqinakut. Një akt i turpshëm dhe i pa ndershëm për dy njerëz që sakrifikuan jetën për Shqipërinë.
Komunizmi ka shkatërruar e djegur mjaft, kisha, ikona etj vlera historike e monetare. Qytetarëve të Tiranës do u kujtoj sesa me dhimbje është hedhur në erë Bashkia e Tiranës për ti hapur rrugë përmendores së E. Hoxhës.
Meritë do ishte si edhe një dëshirë e përgjithëshme e gjithë tiranasve besoj dhe e gjithë shqiptarëve që e kanë njohur dhe frekuentuar atë Hotel ta kthenit ashtu si ishte deri në detajet më të imta ashtu si e bëri Kryeministri Edi Rama me Kryeministrinë. Kam qënë shumë entuziast kur dëgjova që mobiljet e hedhura në bodrumet e Kryeministrisë Edi Rama i mori dhe i bëri ashtu si ishin në origjinal dhe siç dëgjova i dërgoi në Itali atje ku ishin bërë fillimisht, nëse është e vërtetë. Kur qënka e domosdoshme kthimi në identitet i një karrikeje apo tavoline të Kryeministrisë, shumë herë më tepër është kategorikisht e domosdoshme kthimi i Hotel Dajtit në identitet si vlerë arkitekturore historike për Tiranën.
Personalisht kam ngelur i mahnitur kur kam parë fotografitë e Varshavës të shkatërruar në mënyrë totale e të rindërtuar më vonë në bazë të planeve e fotografive origjinale deri në detajet më të vogla të ornamenteve, buste e skulptura të përmasave të vogla. Polakët mburren dhe kanë bërë albume ku janë fotot e qëndrës së kryeqytetit të para 45sës dhe ato të mëvonëshmet të rindërtuara pas luftës që janë 100% identike. Po kështu qëndra e Berlinit dhe qyteteve të tjera gjermane që u rindërtuan njëlloj si ishin përpara bombardimeve. Mendoni çfarë vështirësie ka paraqitur rindërtimi i katedraleve gotike për tu kthyer në identitet.
Zoti Veliaj, duhet të kemi mëshirë për të bukurën se jo pak na ka dalë nami që, shqiptari ka më shumë pasionin e shkatërrimit sesa ndërtimin e së bukurës. E thënë ndryshe (shpesh e dëgjuar) “E bukura ia vret sytë shqiptarit” ose “shqiptari nuk e duron dot të bukurën”.
Kulturat shkodrane dhe korçare e kanë treguar veten më me nivel, merreni shembull. E kanë restauruar qëndrën e Shkodrës dhe atë korçare me pazarin tradicional ashtu si ka qënë përpara barbarisë, u punua me dashuri dhe respekt për traditën për disa vite me punë artizanale dhe tani janë qytetet që na nderojnë e pëlqehen më shumë nga turistët shumë më tepër sesa nga qytetet e tjera.
Zotëri Veliaj ky arnim i një kryevepre ju siguroj që anon shumë më tepër nga shkatërrimi sesa rikonstruksioni. Do ta konsideroja sinqerisht pa dashur me ju ofendu as Juve dhe as ekipin tuaj që zgjidhja më e mirë dhe me e ndershme dhe e denje historikisht është që të bëhet si ka qënë. Unë uroj që Hotel Dajti të rikthehet në gjendjen e ditëve më të mira të tij dhe banka e Fullanit që ia pamë hairin të bëhet diku tjetër..
Përfundimisht mendoj që edhe për të ardhmen Shqipëria do jetë e nderuar nga Hotel Dajti që mban emrin simbolik të malit Dajti, të rikthehet në origjinal, pavarësisht sesa kushton dhe sesa zgjat. Hotel Dajti dhe hoteli i gjuetisë në Lezhë janë konsideruar si dy ndër më të bukurit në Ballkan. Më mirë të zgjasi koha e riparimit dhe kthimit në identitet edhe për respekt të arkitektit me famë botërore dhe evitimin e një turpi të pa diskutueshëm dhe tashmë të pa riparueshëm. Kjo ju nderon po aq edhe ju më shumë sesa ndoshta të gjitha ato që po bëni dhe jo e kundërta. Imagjinoj që në inaugurimin e tij duhet të thërriten autoritetet arkitekturore italiane si shprehje respekti qytetërues dhe për arkitekturën italiane që i ka shërbyer si model gjithë botës mbasi sigurisht janë në dijeni për masakrën që iu bë Hotel Dajtit si nga ambasadat dhe vizitorë të tjerë të shumtë përgjatë 45 viteve. Imagjinoni që shumë ambasadorë, studjues të huaj, delegacione qeveritare, turistë, etj, që e kanë frekuentar dhe banuar në atë hotel se çfarë përshtypje u krijon në këtë gjëndje shkatërrimi dhe çfarë habie do u krijojë kur të hyjnë brenda dhe në vend të hotelit të gjejnë një bankë. Unë mendoj pa dyshim që nëse realizohet, ky shartim banal nuk do kaloj pa jehonë në shtypin italian dhe të vendeve përreth që e njohin mirë jetën e Hotel Dajtit, këtij bashkëudhëtari disa brezash të qytetarëve të Tiranës e të Shqipërisë.. Kështu që diskreditimi do i kaloj kufijtë e Shqipërisë.
Eshtë rasti unik që qeveria shqiptare të restaurojë një vepër të masakruar duke u bërë edhe si shembull e simbol edukativ për brezin e ri dhe për të ardhmen për të respektuar të bukurën dhe traditën.
Një gjë që fillon me mashtrim si blerja e Hotel Dajtit vështirë është që të mbarojë e të kthehet me lavdi. Historia e njeh mirë që asnjëherë korigjuesi nuk mund të dali më lart sesa krijuesi i vërtetë. , etj. Kjo është njëlloj si për pikturën, skulpturën, arkitekturën, muzikën. I vetmi rast suksesi që njihet në botë për vazhdimin e një pune fillestare është requiemi i Moxartit që u përfundua nga ndihmësi i tij mbasi autori vdiq para kohe, pa e mbaruar.. Shartime të tilla gjithmonë kanë dalë dështime historikisht. Shartimi i Bulevardit me stilin arkitekturor të Rognerit nuk qëndron normalisht në Bulevard ashtu si qëndron madhërisht Hotel Dajti në harmoninë neoklasike të Bulevardit. Të paktën e ruani sa të mundeni Bulevardin, e keni mundësinë, mos u ngutni, keni kohë për prerje shiritash.
S’duhet harruar që pamja e jashtëme e një ndërtese është e lidhur harmonikisht me pamjen e brendshme. A nuk ju duket qesharake Zoti Veliaj që nga jashtë duket hotel e nga brenda bankë, duket pak si ato sirenat e përrallave që dalin nga deti gjysma peshk e gjysma grua.
Gjeni një shembull që një ndërtim i bukur të jetë transformuar dhe të ketë dalë më i mirë se origjinali. E gjithë bota mundohet që ti qëndroj sa më besnik projektit fillestar.
500 vjet më parë ja si shprehej gjeniu Mikelanxhelo: “Nuk egziston asnjë kryevepër arti atje ku nuk egziston një popull që është në gjëndje t’a ndiejë bukurinë; arti buron nga nevoja për të parë të materializuar idealin e bukurisë ose të shenjtërisë. Arkitektura e cila duket se është krijuar për të plotësuar një nevojë elementare-për të patur një strehë- nuk u bindet megjithatë kërkesave praktike. Dhe me të vërtetë ka popuj të cilët nuk kanë arkitekturë. Vetëm popujt e lidhur ngushtë me tokën kanë një traditë të madhe arkitekturore. Në arkitekturë shprehet përpjekja për ta “zotëruar” së afërmi tokën. Piramidat, obelisket, tempujt e egjiptianëve janë simbole të gjalla të një populli i cili donte ti tregonte vetvetes “zotërimin” e truallit mbi të cilin jetonte Të njëjtit instikt i bindeshin edhe grekët kur ngritën akropolin. Ja përse në origjinë të arkitekturës nuk është nevoja për të ndërtuar shtëpi apo strehë për perëndi, por nevoja instiktive për të ngritur mbi to diçka madhështore, për ti dhënë ndërtimit një formë të bukur, për të lëmuar gurët, për të ngritur kolonada.
Me shpresë që fjalët e mija të shkojnë në vesh të Perëndisë.
Unë kur shikoj disa fotografi të shkatërrimit të kësaj ndërtese më krijon idenë paralele të shkatërrimit të Shqipërisë nga Sali Berisha. Ndoshta s’ka faj fukarai. Pronën e tij në Viçidol e restauroi ashtu si ka qënë, dhe kjo për atë përbënte kryevepër arkitekturore për mentalitetin dhe nivelin kulturor që ai ka. E vetmja punë e vërtetë ndërtimore restaurese e Sali Berishës është Kulla e tij në fshatin Prifç të Viçidolit se të gjitha të tjerat, duke filluar nga Rruga e Kombit janë një vajmedet turpi dhe vjedhjeje të viteve të tij si drejtues shteti.
I nderuar dhe i dashur Zoti Veliaj, ju kërkojë ndjesë për revoltën time por më besoni është krejt e sinqertë. Ju lutem edhe një herë ta merrni seriozisht restaurimin e vërtetë të Hotel Dajtit që të mos zbehni sadopak sukseset tuaja të admirueshme. Zotëri Veliaj, ai që ka forcë ligjore ekzekutive edhe gabon. Nuk është funksion i qeverisë që të mbajë njerzit larg nga gabimet, por është detyrë e njerëzve që të mos lejojnë që Qeveria të bjerë në gabime.
Përfitoj nga mosha e madhe për tju thënë shumë dashamirësisht se, në biografinë tuaj të nderuar si:” Shërbëtori dhe qytetari Numër 1 i Kryeqytetit” mos rikthimi në identitet i Hotel Dajtit do tju mbetet si një njollë historike paaftësie kulturore e cila do e kaloj disa herë moshën tuaj jetëgjatë.
*Prof. Skënder Gjoni
Komentet