Myftiu i Tiranës, Lauren Luli, ka njoftuar nëpërmjet një statusi në rrjetet sociale se eshtrat e ish prefektit të Tiranës, Qazim Mulleti, do të kthehen në Tiranë për t’u varrosur në Tufinë.
“Të dashur motra dhe vëllezër të komunitetit tirons
Qazim Mulleti do të prehet më në fund në dheun që e lindi dhe rriti, në Tiranë.
Qyteti për të cilin dha gjithë kontributin e tij intelektual e shoqëror deri kur hijet e regjimit komunist e detyruan të largohet nga vendi, do të mirëpresë të hënën, më 28 gusht 2023, eshtrat e birit të vet, ish prefektit e intelektualit të shquar Qazim Mulleti.”,- shkruan Luli në rrjetin social Facebook.
Postimi i plote i myftiut të Tiranës:
Të dashur motra dhe vëllezër të komunitetit tirons
Qazim Mulleti do të prehet më në fund në dheun që e lindi dhe rriti, në Tiranë.
Qyteti për të cilin dha gjithë kontributin e tij intelektual e shoqëror deri kur hijet e regjimit komunist e detyruan të largohet nga vendi, do të mirëpresë të hënën, më 28 gusht 2023, eshtrat e birit të vet, ish prefektit e intelektualit të shquar Qazim Mulleti.
Në orën 13:00 të ditës së hënë në xhaminë e “Kokonozit”, Pazari i Ri do të falet namazi i xhenazes së të ndjerit.
Është një privilegj për mua që të jem në faljen e namazit të xhenazes së Qazim Mulletit.
Më vjen mirë që familjarët dhe shoqatat tiranase arritën realizojnë amanetin e kthimit të eshtrave të Qazimit në Tiranë.
Kush ishte Qazim Mulleti
Qazim Mulleti lindi në lagjen “Sulejman Pasha” në Tiranë, më 20 dhjetor 1893 – 28 gusht 1956 Vicolo delle Grotte Romë. Ka qenë prefekt i Tiranës gjatë pushtimit fashist. Studimet e para i kreu në Manastir, i vazhdoi në gjimnazin “Zosimea” të Janinës dhe së fundmi kreu studimet e larta në kolegjin perandorak “Gallata Saraj” të Stambollit, me medalje ari. Ai ishte poliglot. Dinte turqisht, osmanissht, arabisht, gjermanisht, frëngjisht, italisht, latinisht, serbo-kroatisht dhe greqisht. Në 1912-ën, bashkë me shumë studentë të tjerë shqiptarë merr pjesë në ngritjen e flamurit në Tiranë dhe Vlorë. Në 1914-ën është një ndër katër adjutantët e Princ Vidit. Largohen së bashku në Vjenë, ku jetoi aty deri në vitin 1920. Aty, me ndërhyrjen direkte të mareshalit austriak Trolman, i cili mbulonte rajonin e Ballkanit, Qazim Mulleti vijoi studime specializimi shtesë në fushën e diplomacisë ushtarake të luftës. Në vitin 1920 merr pjesë në Kongresin e Lushnjës. Qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjës u pengua të hynte në Durrës, ku kishte destinacionin për të ushtruar funksionet e saj, pasi Kongresi e kishte zgjedhur Kryeqytet. Me ndërhyrjen e dajës së Qazimit, Mytesim Këlliçit, Abdi Toptanit dhe Qazim Mulletit, si dhe të delegatëve të tjerë të Tiranës në kongres, qeveria u vendos provizorisht në Tiranë. Shumë patriotë të Tiranës hapën shtëpitë e tyre në dispozicion të qeverisë së re. (Një shtëpi e Mulletëve u bë Ministria e parë e Bujqësisë). Më vonë, në bisedat e Kuvendit Kombëtar, Qazimi mbron dhe argumenton pse Tirana duhet të ishte Kryeqytet i Shqipërisë. Pozita gjeografike, strategjike dhe klimaterike ishin më të favorshme se ato të qytetit të Durrësit. (Tirana, de jure u bë Kryeqytet i Shqipërisë në vitin 1925). Në shtator të vitit 1920, është Komandant i Forcave Vullnetare kundër Serbisë. Më 25 Prill – 3 maj 1921, ai merr pjesë në Kongresin për Bashkimin Kombëtar në Vlorë, si përfaqësues i Tiranës, në të cilën funksiononte shoqëria patriotike “Vllaznia–Zgjimi”, së bashku me z.Hafiz Ibrahim Dalliu dhe z.Musa Maçi, si përfaqësues të shoqërisë “Lidhja Kombëtare” dhe z.Avni Rustemi të shoqërisë “Bashkimi”. Në Qeverinë e Sulejman Delvinës dhe Fan Nolit, pati një detyrë të rëndësishme, si prefekt në Dibër. Mbas dështimit të Revolucionit largohet nga Shqipëria.
Familja e Qazim Mulletit vuajti persekutimin e përndjekjen më të egër nga regjimi komunist vetëm për shkak të bindjeve dhe idaleve të tyre të lirisë e besimit.