Kryetari i sapo zgjedhur i Shoqatës Vatra, ambasador i ish-presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova në zyrën e kongresmenit Bob Doll, biznesmeni i njohur Elmi Berisha ka folur sot për objektivat që ka si drejtues i një prej organizatave më të rëndësishme e më të vjetra të shqiptarëve në SHBA.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës nga New York-u, Berisha që ka qenë kontribuues i kësaj shoqate tha se energjitë pozitive të shqiptaro-amerikanëve në SHBA duam t’i vendosim në dispozicion në vendit tonë.
Ai theksoi se Vatra do të promovojë çdo lider që vjen nga Tirana zyrtare e Prishtina zyrtare dhe se do jetë në mbrojtje të interesave të shqiptarëve.
“Asnjë anëtar i Vatrës apo që e kanë suportuar Vatrën tash 50 vite nuk janë të përjashtuar. Është një keqkuptim në disa media dhe ju siguroj të gjithëve që një gjë e tillë nuk ekziston. Është një harmoni, ka mendime të ndryshme, ka një traditë që e lejon dhe krijon një thesar për bashkëkombësit tanë.
Shqiptarët-amerikanët janë themeltar të shtetit të parë shqiptarë. 100 vite më vonë shqiptaro-amerikanë janë pjesë e rëndësishme e krijimit të shtetit të Kosovë. Këto energji pozitive duam t’i vendosim në dispozicion në vendit tonë.
Kur është formuar Vatra nga Noli e Konica ka qenë ideja e tyre që të shërbejë si ombrellë. Mendoj që me energjitë e reja, me mentalitetin e shekullit të 21 që do ta krijoj unë dhe ekipi im do krijojmë infrastrukturë për gjeneratat e tjera që ta çojnë më tej Vatrën, të mbrojnë aspiratat dhe të drejtat dhe ta çojnë interesin e shqiptarëve aty ku meriton.
Vatra e shekullit të 21 do të përqendrohet pak më ndryshe, do të promovojmë çdo lider që vjen nga Prishtina zyrtare dhe Tirana zyrtare për të krijuar kredibilitet”, deklaroi Berisha.
I pyetur se çfarë roli do luajë Vatra në Amerikë dhe a mund të jetë influencuese pranë administratës amerikane, Berisha tha se Konica mendonte që Vatra duhet të ishte një ombrellë e gjithë shqiptarëve në Amerikë. “Pas ombrellës ata e kuptonin shumë mirë që Vatra duhet të lobojë, të influencojë ose më mirë të ketë përkujdesje më të mirë për interesat e shqiptarëve në Ballkan.
Unë mendoj që duhet të kthehet përqendrimi dhe përkushtimi i shqiptaro-amerikanëve, në këtë rast Vatra dhe t’i forcojmë edhe njëherë marrëdhëniet tona me SHBA, t’i vëmë atje ku duhet”, tha ai.
Berisha shtoi më tej se ndihet shumë mirë dhe komfort me politikën e presidentit të SHBA-ve Donalt Trump. “Mendoj që shqiptarët duhet të koordinohen si në Tiranë dhe në Prishtinë por edhe një koordinim me mërgatën shqiptare në Amerikë. Jemi të gatshëm të kontribuojmë rreth bisedimeve dhe mundësisë së ndërtimit të urave të reja dhe të ndihmojmë për forcimin e shtetit”, u shpreh Berisha.
Ai theksoi më tej se qëllimi i tij kryesor është ngritja e nivelit kulturor e arsimor të Vatrës dhe krijimi i një infrastrukture që është e kapshme për të rinjtë e të rejat që jetojnë në SHBA. “E vetmja rrugë që vatra të ecë është inkuadrimi i të rinjve e të rejave. Në të ardhmen e afërt e tërë Vatra do kalojë në duart e të rinjve e të rejave. Do të ketë jo vetëm një impakt dhe lidhje të ngushtë të shqiptarëve këtu por edhe impakt në zhvillimin e shtetit të origjinës”, deklaroi Berisha./gsh
Komentet