I madhi Zot në qiell të shtatë rrinte
Me engjëjt, kryeengjëj ky rrethuar;
Ish mez’ i natës, flinte e gërhinte
Si një gjyryk vigan i shkatërruar.
Po s’flinte Skënderbeu: me dylbi
Përposh planetin – mëmë ky shikonte,
Dhe sytë i vanë drejt në Shqipëri,
Ku fisi i tij në zgjedhë po lëngonte.
Ja Leshi e Kruja, Mati e Sopoti,
Ja Drini e Vjosa, malet Argjëndare
Ku prapë sokëllinin si qëmoti,
Kudo lëvrinin turma kordhëtare,
Po pa flamur. Sa s’qau Skënderbeu
Shën-Kostantinit, shokut ilirian,
Të gjitha një më një ky ia rrëfeu
I tha kështu viganit ky vigan:
Nga gjum’ i thellë, më duket Arbëria
Sikur po shkundet. A do ngrihet vallë
Që lart nga malet po e ndjell liria
Po njeri s’duket me flamur në ballë,
Sa herë që kam dashur e kërkuar
Të shkoj atje, në ballë të luftoj,
I madhi s’më ka lënë; kam duruar,
Po më nuk më durohet – do të shkoj.
U plaka, o Gjergj, – i tha ish perandori,
I fanitet me tmer kudo frëngjia,
Si djaj i duken vapori dhe motori,
Kujton ashtu mos bëhet Iliria.
Eja shkojmë t’i lutemi Shën-Pjetrit
Mos mbyll një sy. E gjetën tejtëhu
Tek po merrej me punën e një tjetri,
Kyçet në bres e mjekrën gjer në gju.
Po nuk dëgjoi. Atëhere si stuhi
Iu hodh Skënderi: “Kur thërret Atdheu,
Nuk pyes për Shën-Pjetr’ e perëndi,
Edhe Shën-Gjergjit ushtën i rrëmbeu
Dhe qerren Shënt-Elliut. Si rrufe
Zbriti në Mat, pështjellë në purpur
Po shkriu me të gdhirë nëpër re:
Mbeti vetëm një usht’ e një flamur.
(1968)
___
1)Shkruar me rastin e nëntëdhjetë vjetorit të Lidhjes së Prizrenit.
Komentet