Po shkruaj të vërteta e disa të dhëna për Kryengritjen e Postribës, që fatkeqësisht akoma nuk është zbardhë siç duhet dhe i kam të bazuara kryesisht në dokumente e për më tepër disa të vërteta që nuk janë publikuar deri sot. Me durim prej vitesh kam arritë të gjej dokumente nga Arkivi i Shtetit, ai i Min. Br. dhe studime e gjihashtu kam të thëna prej njerëzish të mi pjesëmarrës.
Jup Kazazi bashkoi tri forcat politike që e patën zgjedhë kryetar të Komitetit për shpëtimin e Shqipërisë dhe qe organizues kryesor i Luftës Reçit, një nga betejat më të mëdha kundër pushtuesit me 30-31 gusht 1943. Këtë e kam dokumentuar plotësisht.
Gjatë pushtimit gjerman, Jupi doli në mal me armë në dorë dhe bashkëpunoi me Misionin Ushtarak Anglez e ka dokumente. Letra e kolonelit Neel (Nil) komandant per veriun në Shqipëri shkruar motrës time Lirije me 29/10/1991 ndër të tjera thotë: “U kënaqa shumë që mora letër nga bija e mikut tim të vjetër dhe shokut të luftës Jup Kazazi, i cili na ndihmoi aq shumë gjatë kohëve të vështira qe unë dhe kapiteni Hibberdine kaluam në vendin tuaj me 1943-1944. Fatkeqësisht kapiteni Hibberdine vdiq gati dy vjet më parë, por jam i sigurt se edhe ai do të dëshironte të bashkohej me mua për me ju shprehë simpatinë tonë të thellë për rrethanat e trishtueshme që çuan në vdekjen e Babait tuaj dhe për të gjitha vështirsitë dhe humbjet mizore që ka pësuar familja e juaj, qysh kur komunistat morën në dorë vendin tuaj”. Jupi i ka pasë lënë të shoqes Nasibe emrat e tyre, që në rast se i ndodhte gjë atij, të kërkonte ndihmë ndërkombëtare nepërmjet tyre.
Jup Kazazi me vllezër vendosën të mos iknin jashtë, pse po të iknin të gjithë, ju a lëshonin krejtësisht komunistave. Ai thonte se ishte përpjekë veç për të mirën e vendit dhe mbasi patën filluar me folë komunistat, pati thënë se sa të mbaronte lufta, do të kërkonte vetë të delte në gjyq. (U panë si ishin gjyqet e komunizmit).
Me 23 nëntor 1944 Jup Kazazi organizoi arratisjen prej Shkodre nepërmjet Bunës me një anije të disa prej krerëve të politikës me në krye Mid’hat Frasherin. Ai shpëtoi ata njerëz, që po t’i kapnin do t’i pushkatonin të gjithë. Kanë pasë rast me ikë edhe më parë të 5 vllezërit, kur shoqruan kol. Neel me kap. Hibberdine në Shëngjin, ku erdhi e i mori nëndetsja në tetor 1944. Para se të niseshin, Neel i la si kujtim Jupit revolen e tij nagant dhe ajo qe arma me të cilën vrau vehten. Ata kanë pasë rast me ikë edhe dy herë të tjera. Të 5 vllezrit ndejën në Shqipëri kryesisht pse ai patën fjalën e kolonelit anglez, se po të organizonin lëvizje paqësore të konsiderueshme dhe në rast represioni të fortë, të bënin kryengritje e po ta mbanin pak ditë, do të ndërhynin menjëherë anglezët që kishin flotë në Mesdhe. Vendimi i Jaltës ishte që Shqipëria me Europën lindore mbeste nën influencën e B.S., por Anglia ishte kundra. Neel spjegonte se me Italinë e Shqipërinë aleate kontrollohej Kanali i Otrantos, pra Adriatiku e Joni, përndryshe hynte B.S. Kjo e bënte të besueshëm premtimin e tyre.
Me vlerë është ditari që Jupi mbajti për katër muaj rresht që prej daljes në mal. Aty është kopja e letrës që me 10/02/1945 i dërgonte Fiqiri Dines në Dibër. Dokumenti është një nga më të rëndësishmit që provojnë qëllimin kryesor për kryengritje të përgjithshme. Jupi mbasi i shkruan për rrethanat prej të cilave komunistët morën në dorë fatin e Atdheut e të Kombit, vazhdon: “Kjo gjendje e krijueme me anën e terrorit nuk mund të njasi (zgjasë) shumë, pse populli e ka kuptue se për çfarë qëllimit kanë luftue komunistat. Pra ardhja e këtyne në fuqi asht për dobinë t’onë e prandaj prej kësajë situate lypset të përfitojmë. Lypset të merremi vesht me njeni-tjetrin e të pregatisim nji lëvizje të përgjithshme para se të çarmatoset populli, përndryshe ka me kenë tepër vonë. Unë jam tue marrë kontakt me shokë e miq e kështu Ju lutem edhe Ju që të merreni vesht me krenë të Dibrës dhe të Matës e kështu të mund pregatisim nji lëvizje të përgjithshme në të gjithë Shqipninë. Këtu me mue asht edhe nji prej faktorve ma me randsi të çështjes Kombtare në jug. Po qe se pregatisim gja këndej, edhe ky drejtohet për në vendin e tij ku mund të bajë shum punë. Ju lutem të më jepni gjegje po sa të keni mundsi tue me spjegue edhe gjendjen e Kosovës e të Dibrës. Ju përshëndes me zemër. Jup Kazazi”. Personi për jugun ishte Abaz Ermenji dhe ndërmjet tij patën krijuar lidhjet kryesisht në Skrapar e në Vlorë. Në Vlorë e Durrës edhe Jupi kishte të njohur e lidhje.
Ditari fillon me 25 nëntor e shkruan se erdhi Salvaror Kurti dhe i sjell jalmin se partia komuniste kishte deklaruar dënimin me vdekje të Jupit me 4 vllezërit. Kwshtu që u detyruan të marrin armë e të dalin në mal. E me ç’të drejtë dënonte një parti e pa gjyq?
Po në ditar del se Postribasit e patën treguar antikomunizmin e tyre, qysh se i kishin mobilizuar me forcë e me 29 nëntor deshën t’i futnin në paradën në Shkodër. Ata refuzuan e komandantët komunista gati donin t’i vritnin por i lanë të lirë me ndërhyrjen e Riza Danit e Nuh Kazazit, kushri i joni, qe bërë komunist por i moderuar e nuk pati funksione.
Në dosjen e Jup Kazazit prej 171 faqesh e Ministrisë Brendëshme ka mjaft dokumente komunikime të sigurimit Shkodër e kriminelave si Zoi Themeli me shokë me ministrinë e letra, relacione e raporte të komandantave e komisarëve të mbrojtjes si Mihallaq Ziçishti.
Në fq.2 -Relacioni përfundimtar i Min. Mbr.: – Mbi aktivitetin kriminal të Jup Kazazit. Aty ndër të tjera thuhet: … ky dërgohet nga Komiteti Qëndror i Ballit Kombëtar në Shkodër, për të penguar L.N.Çl. dhe ta luftonte këtë. … ka bashkëpunuar me okupatorët dhe Qeverritë kuislinghe si dhe me Misionet Engleze që qëndronin pranë Legalitetit si Major Nili e tjerë.- Në çlirimin e Shqipërisë arratiset e qëndron brënda Shtetit në Qarkun e Shkodrës me qëllim riorganizimi të mbeturinave të reaksionit dhe tue u mbështetur në politikën Imperialiste të Anglo-Amerikanëve, për nji zbarkim në vendin t’onë dhe për t’a rrëzuar Pushtetin Popullor.- Në janar 1945 ka organizuar Kryengritjen e Koplikut të drejtuar nga Llesh Marashi, Preng Cali etj. kriminelë. Po kështu me 9 shtator 1946 në lidhje me kriminela të tjerë dhe organizatën e Deputetëve trathëtarë të Ballit, dhe Klerin Katolik organizoi nji forcë kriminelash dhe sulmoi Shkodrën për tu dhënë rast Imperialistëve të ndërhinin në vendin t’onë, por mbasi qëllimi i tija dështoi plotësisht dhe forcat ju asgjësuan, gjindet i fshehun në nji shtëpi në Qytet të Shkodrës dhe vret vehten, mbasi u rrethua e skishte shpëtim.
Relacioni është ndryshej me Fq.3 të ditëve të para. Në Fq. 2 deputetët e kleri shtohen me vonesë mbasi u vendos eliminimi i tyre.
Për kryengritjen kanë qenë pjesëmarrës edhe të Legaliteti por nuk përmenden.
Fq. 9- Telegram tepër urgjent që Zoi Themeli i dërgon Drejtorisë Sigurimit Shtetit me datë 17/09/1946 ku thotë: Mbramë në ora dy mbas mesit të natës u zbulue në seksion se ku ndodhet Jup Kazazi. Ne rrethimin që i bëmë shtëpisë dhe mbasi e pa se neve gjetëm bodrumin ku ishte mëshefur dhe skishte shpëtim, vrau vehten. Këtu popullarizohet se e vramë neve. – Ne ministri kanë nënvizue “se e vramë neve” dhe shënimin “mirë”.
Fq.10- Telegram tepër urgjent Drejtorise Mbr. Popullit prej Fadil Kapisyzi /për shefin e Sek.M.P. me dt. 6/06/46. Aty shkruhet për informatë se: me Markun (Mark-gjoni Markun) ne Dibër ka shkuarë dhe Jup Kazazi. – Pra del se Jupi ka shkue edhe në Dibër.
Fq.11- Drejtorisë M.P. prej Zoji Themeli me 13/06/45: Sot në mëngjes forcat t’ona që ishin dërgue për të rrethue Jup Kazazin sa shkojnë ne vendin e caktuar perpiqen rrugës me Jupin. U zu i gjallë i vëllaj i Jupit Hamidi ndërsa Jupi dhe nji tjetër mundën të shpëtojnë. Është plagosë një nga ata por sdihet se kush Jupi ose shoku tjetër. Gjurmimet vazhdojnë.
Këtu Zoi Themeli gënjen ministrinë e tij nga frika pse nuk i kanë kapë. Në fakt 3 vllezërit Jupi, Zeneli e Hamidi i patën zbulue e rrethue natën në nji shpellë në Sumë. Ata pa pasë dalë mirë drita, sulmojnë duke shti papritmas, zbresin nepër grykën e prroit dhe çajnë rrethimin. Të nesërmen zbuluen Hamidin, mbas 3 ditësh Zenelin e plagosur e Jupi ju iku.
Fq.14- Drejtorise M. Popullit prej Zoi Themelit me 29/05/1945 ku thuhet se nji të arratisun që asht dorzue para disa ditësh Zef Gjergji nga Mazreku, e kanë lanë të lirë, mbasi mori përsipër të gjurmojë grupin e Jup Kazazit. Në fakt këtë herë nuk ka funksionuar.
Fq.19- 9/II/1946. Cen Elezi, banues në Dibër. Ky strehon dhe ndihmon per strehimin e t’arratisurve Fiqri Dines dhe Hysni Demës. Ju jep t’arratisurve në fjalë drejtimet me kalu prej një vendi në një vendë tjetrë dhe se këta qënkan në lidhje me Gjon Marka Gjonin dhe me Jup Kazazin. – Provë për lidhjet me Dibrën e Mirditën.
Fq.33,58,69,125- letra të Llesh Marashit bashkëpunimi e veprimi së bashku me Jupin.
Fq.36,36-1,37,37-1- Dt. 25/7/1944 letra Jup Kazazit prej Misionit Ushtarak të Aleatëve në Shqipninë veriore që fillon me ”I dashtuni Z. Kazazi” e mbaron me “Të fala të përzemërta. Juaji i sinqertë Major R.A.F. Neel”. Përsëri në Fq.39,39-1 dt. 16-12-1943 e në Fq.106-1 prova tjera për bashkëpunimin e Jupit me majorin Neel.
Fq.44- Letër e Mid’hat Frashërit drejtuar Jupit me 3/11/1944: I dashur Zoti Jup Kazazi -Me qenë se do të rrini në Malsinat e Shkodrës, ju lutem të keni kujdes të hyni në korespondencë me krenat e fuqive nacionaliste që gjinden në Vlorë e Shijak (e Durrës). … Këta janë burra që kanë dhënë prova të gjalla për ndjenjat e tyre nacionaliste dhe të cilët mund të paraqiten si grumbull përpara fuqive aleate, kur të zbarkojnë në Shqipëri. Ju urojmë punë të mbarë dhe të vlefshëme për Shqipërinë dhe sukses. –Të fala –Kryetari –Midhat Frashëri. – Pra ishte parashikuar me kohë qëndrimi i Jupit e përgatitja për zbarkim të aleatëve.
Fq.66- Në një letër që i shkruan Enver Bushati me 17/10/1944 ku edhe e njofton se Grupi Aglez është kthyer me nëndetse në Itali. Jupi ka shënuar me dorë të vet: Lajmëron edhe nisjen e Misjonit Ushtarak Anglez që u largue prej Shqipnijet, mbasi nuk e dinte se e kam percjellë unë. – Ata i përcolli në Shëngjin, ku i mori nëndetësja, Jupi me vllezër.
Fq.127- Me dt. 6/08/1946: Informomatë se Jup Kazazi asht ulë nga Dukagjini, asht nisë për Vorfë ku dyshohet se ka shkue tek Qerim Baculi, Mem Sadrija, Çek Selmani.
Fq. 128- Informacion Sek. II-te: Me dt.20/04/46 Jup Kazazi tue ardhë prej Sumet ka shkue në shtëpine e Ram Metës, asht takue dhe e kanë percjellë për në Zhup e dyshohet se ka shkue në shtëpinë e Sadik Zyberit deri në mbramjen e 22-shit e nuk dihet çfarë drejtimi ka marrë. Me 20/04/46 në shtëpinë e Halil Hysejnit në Bardhej janë ba lëvizje e dyshohet se asht ba nji mbledhje. Me 22/04 po ky person asht takue me Tahir Metin nga Mesi, ky person ka pasë lidhje direkt me Jupin dhe dyshohet mos kanë dijeni për lëvizjet e Jupit.
Fq. 130- Shkrue me dorë e pa datë tre informacione: Jup Kazazi simbas informatavet të sigurta prej tashti gjindet ne Sumë dhe rrin gjithashtu në Likaj. – Njerzit që mbajnë lidhje me Jupin janë: 1. Zyber Cafi, Kala 2. Dul Osja dhe i biri Muho Dyli nga Myselimi. – Jupi gjindet vet i treti tashti janë: Nexhat Boriçi dhe një farë Abaz.
– Raporti informativ i major Mihallaq Ziçishti komandant i qarkut M. Popullit – Min.Br. thotë: “…. kokat udhëheqëse të kriminelavet që u vranë ose u kapën si Jup Kazazi, Seit Kazazi, Pashuk Biba, Bajraktari i Shoshit, Murat Haxhija, Osman Haxhija (udhëheqësit e Postribës)”….
Po të analizohen dokumentet e dy arkivave e të tjera, del se i vetmi person që ka lëvizë në të gjithë veriun, është Jup Kazazi. Përveç Postribës e rreth Shkodrës, ka pasë lidhje e shkuar në Malësi të Madhe, Dukagjin, Pukë, Mirditë, Dibër, nën Shkodër e Lezhë. Ka pasë lidhje me Gjonmarkajt, Mirakajt e Dinet e dalin lidhje me Matin, me Durrësin e Shijakun, Skraparin e Vlorën. Pra ishin lëvizje për të përgatitë kryengritjen e përpiqej t’i bashkonte të gjithë. Dalin bashkëveprim e kontakte me njerëz me influencë si Sulçe Beg Bushati e në Lezhë Xhemal Beg Mlika miq të familjes, Dedë Shabani, Kol Ashiku etj. Del se Jupi ka qëndrue kryesisht në Postribë, ku ka pasë miq bajraktarë e shumë njerëz të thjeshtë.
Fatkeqësi për liridashësit e fat per komunizmin ka qenë dështimi i parë për fillimin e kryengritjes, që ishte organizue mjaft mirë. Ishte vendosë me sulmue Shkodrën me 21 janar 1946 në mbledhjen e 80 krerëve në Vukatanë nën kryesinë e Jupit, por sulmi i një kollone ushtarake në Beltojë parakohe prej Hasan Isufit, bëri të organizohen e të mbledhin forca me mbrojtë Shkodrën. Gjithashtu filloi terrori, arrestime e pushkatime në këtë zonë dhe morën vesht për kryengritjen. Për këtë ka edhe dokumente.
Prof. Oran Butka në librin “Kryengritjet e para kundërkomuniste”, shkruan në bazë dokumentesh për përgatitjen që në janar se “…. qyteti do të ngrihej nga brënda, por do të mësyhej menjëherësh edhe nga jashtë prej kryengritësve të katundeve e krahinave për rreth: Postriba, Ana e Malit, Guri i Zi, Oblika, Beltoja, Rranzat, Ragami, Sheldija, Dukagjini etj. Per organizimin e saj me nismën e Jup Kazazit, u mblodhën në Vukatanë përfaqsuesit e ketyre katundeve e krahinave dhe vendosën që në daten 21 janar të sulmonin Shkodrën.” Kolë Ashiku, komandant i 9 katundeve deponon: “…. më erdhi një letër nga Jup Kazazi dhe Hasan Isufi. Ata më shkruanin se kishin krijuar lidhje me Mark Gjon Markun, i cili kishte komunikuar edhe me të tjerët për të përgatitur kryengritjen. Mati, Dibra, Lura e Luma ishin caktue me sulmue Tiranën, ndërsa prej urës së Mbretit e përpjetë do të mësyhej Shkodra. Hasani me shkruante se ai vetë do të mësynte nga ana e Bahçallekut, Halit Kazazi nga Tepja, Jupi me Pashukun nga Ura e Mesit, mua me caktuan si objektiv dhe prefekturën. Por do të ngrihej edhe qyteti…”. Këto janë të vërteta të rëndësishme, pse provohen e koinçidojne edhe me dokumente të tjerë dhe prej thënieve të mbijetuarve e nuk dalin as klerikë, as deputetë e as grupet e organizatat pothuaj totalisht të sajuara prej “sigurimit”.
Me shumë rëndësi e për t’u studiuar janë dokumentet e Arkivit Qendror Shtetnor e sidomos raportet që sekretari i Komitetit Qarkut PKSH të Shkodrës Spiro Pano por edhe Bilal Parruca i çojnë Komitetit Qendror, Koçi Xoxes etj. e anasjelltas. Aty dalin edhe udhëzimet e veprimet për diskriminimin në opinion, të dënuarve më vonë me vdekje, sidomos të klerit, të deputetëve Riza Dani, Kolë Prela etj.
1) Shkresa Nr.503/1 – 11/9/1946 Komiteti Qarkor i PKSH për Shkodrën: Komitetit Qëndror të PKSh Tiranë.
Në vijim të shkresës s’onë Nr.503 dt.9.9.1946, ju japim këto njoftime të reja rreth goditjes s’ilegalëve afër kazermave t’ona. Si del sot dhe në bazë të informatave të fundit, numri i atyrëve që kanë marrë pjesë në aksion nuk ka qenë 50 por gati 300 vetë nga katundet e komuneve Postribë e Gur’ i zi. Udhëheqësi i aksionit del Jup Kazazi dhe rreth tij një pjesë e mirë kulakësh, tipa kapadaijsh, tregtarësh të tatuar, oficerash të Zogut etj. Këta nuk ishin të gjithë të armatosur. …. ditët e fundit informohemi se të tilla aksjone do të bëhen gjoja në Lesh, Koplik e gjekët. … … Bazat t’ona janë të dobëta këtu, fshatarët e mesëm dhe pasanikë janë të lidhur me Jupin dhe këta kanë me vehte dhe fshatarë të varfër injorantë e të lëkundur. …. Ne tashti kemi marrë masat e para dhe goditjet tona vazhdojnë si në qytet si në fshat; njëkohësisht vazhdon demaskimi i kriminelit Jup Kazazi dhe dëmi që ju erdhi fshatarëve nga ky aventurjer. Është mirë që operacioni i rreptë kundra krerëve e bajraktarëve të Dukagjinit (e miqëve të tyre) të fillojë sa më parë e të paralizohet Shllaku i cili përbën një krah për Postribën. Njëkohësisht vazhdojnë masat në qytet e periferi duke patur kujdes që të goditen pronarët, tregtarët e tatuar, ish oficerat e Zogut se sa masa e varfër. …. P. Komitetin Qarkor të Partisë (Spiro Pano).
Ky dokument është shumë domethënës sepse autoritetet komuniste pohojnë vetë dobësinë e tyre, që fshatarët i kanë kundra të pasur e të varfër dhe pohojnë influencën e Jupit. Gjithashtu del se do të sulmonin edhe krahina të tjera.
2) Shkresa Nr.10/12 Res. – 3/10/1946
Komiteti Qarkor i PKSH për Shkodrën: Komitetit Qëndror të P.K.Sh. Tiranë.
- Reaksioni dhe ne. – Nga proçesi që zhvillohet, sot del se reaksioni është përpjekur për një organizim më të mirë dhe për një veprim me të gjerë se ai i 9 shtatorit. Si duket, ilegalët, në kombinim me miqtë e tyre nëpër qendrat, mateshin të bënin aksione të kombinuara në Shkodër, Lesh, Koplik e ShënPal pas 15 shtatorit duke vazhduar njëkohësisht veprimtarine e tyre në Dukagjin. Mobilizimi shpejtoi veprimin e Postribës dhe masat e marruna nga ne, pas këtij veprimi, i çrregulluan planet e tyre.
Tashti del se reaksioni (koka e të cilit në qarkun tonë është kleri dhe prapa tij Int. Servi-si) ka marrë lidhje me elementin parì të së kaluarës, …. ky element parì mundi të gënjëjë fshatarët e Postribës e të Gurit të Zi e t’i hedhin kundra nesh. Përveç kësaj demagogjije, reaksioni ka përfituar dhe nga influenca që ushtrojnë Kazazët me shokë në fshatrat e Shkodrës, po ashtu dhe nga mungesa e një pune tonë serioze në këto fshatra. .
Kleri. – Punon në heshtje dhe në mënyrë shumë konspirative… Ne kemi filluar një demaskim sistematik kundra gjithë atyre klerikëve që duan ta bëjnë kishën vatrë reaksioni (në bazë të udhëzimeve që patëm nga lartë) që hedhin parulla kundra nesh dhe që mundohen ta ftohin fshatarin t’onë nga pushteti. Bashkë me demaskimin kemi marrë edhe masa dhe mendojmë të godasim akoma ata priftërinj ose klerik që nuk heshtin… Organizata u udhëzua në lidhje me demaskimin e gjithë atyre klerikëve katolik e musulman (mbasi na del se edhe disa hoxhallarë kanë punuar kundra nesh të nxitur nga Kazazi me shokë) që hedhin parulla, që flasin kundra pushtetit ….
Qyteti. – Goditjet e Mbrojtjes këtu në qytet kanë dhënë gjer diku rezultate të mira (shumica e të arrestuarve implikohen) po akoma sot nuk kemi arritur të zbulojmë kokën drejtonjëse të këtij organizimi. Proçeset vazhdojnë, merren masa të rrepta, po rezistenca që ndeshim është e madhe. Ka raste që proceset vazhdojnë 4-5 ditë rrjesht (ndoshta edhe më tepër) pa mbritur në një përfundim. (d.m.th. torturat). … Organizata është mobilizuar e tëra në mënyrë që… të demaskojë përpjekjen e reaksionit, … të demaskojë Riza Danin, Kol Prelën dhe shokët e tyre, të shtojë informacionin dhe të skjarojë opinionin e popullit për goditjet t’ona, në mënyrë që këto goditje të aprovohen nga masa. …. Goditëm rëndë në Postribë (me pushkatime e djegëje shtëpijash), …. Por bashkë me axhitacionin është nevojë dhe për masa të repta (pushkatime në vend të elementit në se kemi informata se është armik i ynë e ka armë). / P. Komitetin Qarkor të Partisë (Spiro Pano)
Pra me 3 tetor del se kanë filluar me udhëzim nga lart demaskimin e klerit e të deputetëve.
Po të ishte për kryengritjen, ata i arrestonin menjëherë e jo të fillonin e vazhdonin demaskimin. Shumë e rëndësishme është se nuk dalin fakte, dokumente, komunikime, informacione të sigurimit, të mbrojtjes etj. me mininistrinë e brendëshme e anasjelltas ose komiteti i partisë me KQ para ose menjëhere mbas kryengritjes, siç e ka publikuar edhe Autoriteti i Dosjeve të ish-sigurimit: nuk ju del asnjë fakt ose provë e megjithatë janë dënuar me vdekje.
3) Shkresa Nr.10/14 Res. – 2/11/1946
Komiteti Qarkor i PKSH për Shkodrën: Komitetit Qendror të Partis K. Shqiptare Tiranë
.… 1. Proçesi i ngjarjeve pas “Postribës”…. Ndërsa përpara ngjarjes së Postribës vërehesh një aktivitet i gjerë i reaksionit (aktivitet ilegalësh në Pukë, Dukagjin, Malsi të Lezhës e Koplik-Këlmend, aktivitet klerikësh e bajraktarësh, … aktivitet kapadainjësh dhe intelektualësh në qytet etj.) sot vrehet një mpirje e tij dhe një tërheqje. Armiqt u goditën rënd në Dukagjin… Në qendër, me vrasjen e Jupit, të Seitit (vllai i Jupit), me vrasjen e njërit dhe kapjen e tjetrit të vëllezërve Hardolli, me dorëzimin e disa të tjerëve (Shefqet Muka, Xhemal Naipit, Musa Gjylbegajt etj), me arrestimin e një pjesë të mirë të atyrëve që janë implikuar në këtë proçes (Dom Nikoll Deda – prifti i Jubanit, Myzafer Pipa, Paulin Palaj, PjetërPalaj, Guljelm Suma e të tjerë) vazhdon tashti një pastrim i mirë i gjithë atyrve që kanë lëvizur dhe kanë punuar kundra, përpara ngjarjes së 9 shtatorit. Janë bërë në qark përmbi 270 arrestime, por këto arrestime janë me vend (vetëm fare pak mund të jenë pak fajtor) … / P. Komitetin Qarkor të Partisë (Spiro Pano)
Del se kanë filluar “të pastrojnë personat e rrezikshëm”, ata që i dinë kundërshtarë para kryengritjes. Ata donin të eliminonin elitën e vendit e qenë viktima të terrorit komunist.
4) Domethënës për temën tonë, sepse provon synimin e forcave nacionaliste për një kryengritje të përgjithshme, është gjithashtu dokumenti: Datë 24/03/1946, ku Spiro Pano i shkruan Koçi Xoxes: “… Mark Gjon Markaj me pas dhjetë të arratisur ka hyrë në mëhallën Ndër Shetiroshit… Ka thënë që Rusija e pat e mbaroji… asht formue me ne Qeverija Shqiptare me të cilën kemi lidhje, Ballistat Zogistat po përgatiten për kryengritje, mbrenda dy ose tre muajve fillon lufta e përgjithëshme. Partija Komuniste nuk ka ma forca me dërgue në Mirditë. Na jemi me Anglo Amerikanët…”.
Edhe kur po jepte shpirt diktatura me 1990, historiani Demir Dyrmishi në librin e Institutit Historisë – Lufta për likuidimin e bandave kriminale dhe organizatave tradhëtare ne Shqipëri (1944-1948), fq. 81 e 82, pohon se kryengritja ishte per tu bërë e përgjithshme. Ai thotë: “Në mbrëmjen e 8 shtatorit të vitit 1946 iu afruan Shkodrës 450 kriminelë lufte klerikë, mbeturina të Ballit e Legalitetit, armiq të pushtetit popullor. Në mëngjesin e 9 shtatorit ato e sulmuan nga verilindja e jugperëndimi. Brenda qytetit armiqtë e pushtetit filluan të qëllojnë me armë. …. dhe në vazhdim: “Shpërthimi i goditjes kundërrevolucionare para kohe bëri që kriminelët e Luftës dhe armiqtë e pushtetit popullor në qarqet e rrethet e tjera të mos vepronin e të mos koordinonin planet kriminale me ata të Shkodrës…. Shkodra nuk u mor, kështu që anglo-amerikanëve, ashtu si një vit më parë iu pre mundësia për të zbarkuar trupat e tyre. …”
Për zhvillimin e Kryengritjes së Postribës do të shkruaj shumë pak, mbasi në gazetë nuk ka aq vend e shkrimi del i gjatë dhe për këtë është shkruar prej vitesh. Mendoj se ka rëndësi të madhe paraqitja e dokumenteve e provat për të vërtetën e gjëra që nuk njihen e të thellohen e të kërkojnë edhe historianët që nuk i dinë.
Për kryengritjen kishte kordinim me anët e tjera të Shqipërisë. Plani ka qenë i studiuar ushtarakisht kryesisht nga Zeneli akademist e Haliti oficera, pra specialista e me ta Jupi e Saiti dhe mbas janarit 1946 modifikuar simbas kushteve të reja prej Jupit. Kjo e sigurtë.
Me 9 shtator 1946 pa dalë drita, pse po merrnin djemët ushtarë, u dha kushtrimi e filloi Kryengritja e Postribës, e Postribës heroike e antikomuniste, e Postribës dhe e katundeve per rreth, prej ku u nisën edhe të pa armatosur burra trima e gati me dhanë jetën për liri me në krye bajraktarët. Ata u futën deri në qytet e jo deri tek kazermat. Për sulmin komunistat nuk dinin datën, por një fare përgatitje e kishin. Kryengritja u shua me terror e pasoja te tmerrëshme për luftarët e familjet e tyre. U vranë në luftime 12 vetë, pushkatuen menjëherë 18 vetë e u dogjën 30 shtëpi. Vetëm per Postribën janë 64 të pushkatuar dhe u mbushën burgjet e shumta të Shkodrës. U burgosën menjëherë në Shkodër 26 vetë dhe në katundet 69. Në qarkun e Shkodrës u bënë mbi 270 arrestime. Duhet të sqaroj se për këtë ngjarje është hapur fjalë se e ka ditë sigurimi, dhe e kanë lejuar, që të benin terror. Kjo është lojë e vetë sigurimit. Nuk është e vërtetë dhe dokumentohet.
E vërteta është se fillimi i kryengritjes ishte lënë me 16 shtator. Ishte planifikuar dhënia e alarmit nepërmjet kordinimit te përgatitur e lidhjeve me krahinat tjera të Shqipërisë e kryesisht të veriut. Po të fillonte kryengritja e përgjithshme, populli do të shtonte rradhët, mbasi e provoi “lirine” që fitoi.
E rëndësishme është që Jupi i pati lajmëruar se nuk duhet të fillonin sulmin, pse ishte lënë data 16 e nuk mbërrihej lidhja me krahinat tjera deri me datë 9 dhe vetëm një pjesë e zonës së Shkodrës nuk mund te përballonte një ushtri, si të nesërmen që mbërritën përforcime, topa e ata tanksa, që kishin në Tiranë me Beqir Ballukun në krye. Kështu nuk sulmoi as Kopliku, Shllaku, Dukagjini, Lezha e krahina. Këto i di të sigurta. I patën çuar fjalë që të vinte, por si mund të dilte në Shkodër ku e njifnin? Ai ju kërkoi të çonin 4-5 vetë me armë të fshehura e po t’i zbulonin e tek kontrolli të kalonin me forcë.
Për fillimin e kryengritjes e vërteta është se Dulo Kali ju mbushi mendjen bajraktarëve të sulmojnë dhe i bindi se mund ta merrnin Shkodrën. Bashkë me Dulin per fillimin, me sa di unë, ka qenë edhe Pjetër Shan Deda, por nuk jam krejt i sigurtë. Akti qe shumë i guximshëm e heroik, por i pa studiuar mirë. Atyre ju dha guxim dëshira e madhe për të fituar lirinë e per të rrëzuar diktaturën. Ky veprim nuk duhet parë sipërfaqësisht por duhet thelluar pse kuptohet qartë sa e rëndë ishte diktatura, derisa ishin të gjithë të gatshëm të sakrifikonin jetën për të fituar lirinë. Dulo Kali qe dënuar me pushkatim. E them me keqardhje se për Pjetër Dedën me të shoqen Marije pothuaj se nuk flitet. Ata të dy mbas kryengritjes i rrethuan, edhe ajo nuk pranoi të dorzohej e luftuan të dy deri sa u vranë heroikisht. Të luftojnë e të vriten burrë e grua së bashku, është akt shumë i rrallë në botë.
Mbas kryengritjes e torturave çnjerëzore ndaj të arrestuarve, arritën të zbulojnë ku ishte Jupi. E rrethuan në shtëpinë e dajës tij Rifat Koplikut me 17 shtator 1946. Arrestuan menjëherë Rifatin, djemët e tij Ahmeti 16 vjeç e Sadedini 14 vjeç e vllain Shyqyri. Ata i thirrnin të dorzohej e kishin frikë të afroheshin. Më vonë ndihet zëri që ju thotë: “Jup Kazazi nuk ju dorzohet i gjallë komunistave. Rroftë Shqipnija e lirë!”. U ndëgjua një krisëm arme, pra sakrifikoi vehten.
Ne të njëjtën mënyrë sakrifikoi vehten edhe vllai i katërt Saiti i zbuluar me 6 tetor.
Duhet të sqaroj edhe rolin e rëndësishëm të Abdullah Kazazit. Ai ka kryer në përgjithësi lidhjen e komunikimin e krahinave dhe të personave t’aktivizuar për kryengritjen me Jupin. Roli i Abdullahit si dhe Rifat Koplikut e Shyqyriut ishte se ata do delnin për të mobilizuar e të ngrinin shkodranët. Kanë qenë edhe të tjerë, e edhe nga ana katolike me sa di së paku tre vetë, që do të ngrinin njerëzit, por nuk kujtoj emra.
Dihet se Kryengritja e Postribës u bë preteksti per të akuzuar e eliminuar pjesën më të mirë të patriotëve, klerin, kryesisht atë katolik, e deputëtet opozitarë, që kërkuan të ndryshojnë e përmirsojnë gjendjen në mënyrë demokratike. Qenë viktima një pjesë e konsideruar e të dënuarve me burgje e me vdekje.
Këtë e dimë, e gjykon e ma thotë vetë i mbijetuemi Prof. Sami Repishti si dëshmitar i ngjarjeve e viktimë dhe as nuk e ka ditë se do të bëhej kryengritje. Në “Almanak” Nr.1, viti 2011 i Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, kapitulli “Kryengritja e Postribës”, fq.43, thotë: “Faji joekzistues për të pafajshmit u krijua me propagandë dhe tortura. Këtë detyrë monstruoze e mori mbi vehte sigurimi kriminel që vepron akoma sot. Vetëm gjatë muajit shtator 1946, u arrestuan më shumë se 1200 qytetarë, 99% e të cilëve ishin të pafajshëm. Të tjerët ishin kundërshtarë të njohur të regjimit. Numri i burgjeve në Shkodër e kaloi shifrën 20. Me torturat më çnjerëzore viktimat e arrestimeve u detyruan të deklaronin se kanë qenë pjesëmarrës, ose të paktën kanë patur dijeni për Lëvizjen e Postribës. Unë kam qenë njeri nga këto viktima. Kështu pushteti filloi të flasë për qytetarët shkodranë, tregtarë, pronarë tokash, itelektualë perëndimorë e, sidomos për klerin katolik, si organizatorë të Lëvizjes, dhe për kryengritësit si fshatarë të gënjyer”. Gjithashtu ka shkruar në “Panorama” me 9/09/2016.
Po në atë almanak fq.48-49 Prof. Kolec Topalli thotë: …“Megjithëse nuk pati asnjë aktivitet dhe asnjë lidhje me Lëvizjen e Postrribës, Cin Serreqi u vra se i përkiste një familje me emër në Shkodër, u vra pa asnjë faj, u vra për kulturën perëndimore, për antikomunizmin dhe qëndresën e tij. Ai nuk pranoi asnjë nga akuzat e rreme që ngriti për të Sigurimi, sepse ai nuk qe as organizator, as pjesëmarrës i Lëvizjes së Postrribës, e cila shpërbeu vetëm si pretekst nga pushteti gjakatar për të zhdukur elitën shkodrane, intelektualët më të spikatur të qytetit verior. Dhe mënyrat më barbare me të cilat u torturuan dhe u vranë, janë dëshmi e pafajësisë së tyre”. Prof. Repishti ka shkruar se Cin Serreqi i ka pasë konfidue kur ishin në qeli së bashku, se po e torturojshin tmerrësisht për me pranue për mbledhjen gjoja të bërë në shtëpinë e tij për fillimin e kryengritjes e të jepte emra, ndërsa ajo mbledhje as nuk ishte bërë. Po këtë deklaronte e mbesa Dorotea dhe i nipi Guljelm Serreqi. Theksoj se sigurimit ka sajue se gjoja në mbledhjen në shtëpinë e Cin Serreqit, që nuk asht bërë absolutisht, u planifikue Kryengritja dhe me këtë akuzë u denuen me vdekje Cini, Riza Dani e persona që deshtën të eleminojnë me gjithë ndonjë pjesemarrës si Dulo Kali. Aty përmendin edhe Rasim Gjyrezin, që në atë kohë ishte në mal me çetën e tij, pra e pa mundun të ishte në Shkodër.
Me rëndësi per t’u studiuar, thelluar e për t’u zbardhur janë akuzat për denimin e grupit të deputetëve. Të gjithë ata, per t’i denuar me vdekje, kanë akuzën “për organizim kryengritje t’armatosur”. E si mund t’i denonin? Pse donin demokraci, përmirësim të gjendjes ekonomike të popullit dhe qenë kundër kushtetutës së diktatorit? Ata u bënë heroj pse duke ditë rrezikun që i priste, dolën kundër diktaturës. Akuzën e ka pasë edhe kumbara im Shefqet Beja, pra miku më i respektuar i Jupit megjithëse me ide të ndryshme, që në gjyq ka thenë se ka ditë që kishte përgatitje për kryengritje, sikurse e ka ditë shteti shqiptar, por ai as kishte të bënte fare dhe se ka firmosë nga torturat e tmerrëshme fizike e psikilogjike. Po kështu edhe Riza Dani, mik i familjes, si pak persona ju ka rezistuar torturave dhe nuk ka pranuar asgjë.
Në Arkivin e Shtetit ka dokumenta me shumë interes, si për demaskimin e klerit e të deputetit Kol Prela etj. Me datë 16 shkurt 1946, Spiro Pano i shkruan Koçi Xoxes dhe i kërkon udhëzime veprimi për Kol Prela dhe don Luigj Pici. Ndërsa me 18 shkurt Koçi Xoxe i shkruan: Konspirative.- …. Për don Luigj Picin të fillohet demaskimi direkt duke u mbështetur në deklaratën e lëshuar pro kriminelave të luftes dhe fashistave. .. (që akuzonin priftat dhe i kishte mbrojtë). Për Kol Prelën (deputet) pregatitni terrenin në mënyrë të atillë qe t’i presim rrënjët nga populli …. Koçi Xoxe. Shtoj se don Luigj Picin e vrau sigurimi pabesisht në Koplik në nëntor 1946, ndërsa Kol Prela qe denuar me vdekje.
Në librin “Deputetët”, i Autoritetit të Dosjeve të ish sigurimit, 2016, del qartë dhe e sigurtë se për deputetët nuk del asnjë fakt e provë për implikimin e tyre me Kryengritjen dhe megjithatë me akuza falso janë dënuar me vdekje. Po ashtu dhe në “Akte gjyqësore politike 1946” i Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit, 2018.
Për veprën e sakrificën e Jupit, forcat shqiptare qe përgatiteshin në perëndim e dërgonin të quajturit diversantë, kanë çuar për të na marrë Nënën me ne dy fëmijët. Ne vitin 1948-49 ka ardhë një ditë vonë në shtëpi Hazizi, djali i Taip Halit Rrustja nga Bërdica i pushkatuar si bashkëluftar i Jupit dhe i ka thënë Nënës se e kishin çuar ta merrnin me gjithë dy fëmijët, se ishte i përgatitur mirë dhe i sigurtë për të kaluar kufirin e do të vinte të nesermen për përgjigje. Të nesërmen Nëna i tha se nuk mund të rrezikonte sadopak fëmijët. Mbas gati dy muajsh e zbuluan në Cukal. Ai djalosh luftoi e nuk u dorëzua.
Jup Kazazit me 2009 Qyteti i Shkodrës i dha titullin “Qytetar Nderi” dhe me 2017 Presidenti i Republikes Bujar Nishani i dha “Dekoratën e Artë të Shqiponjës.
Kryengritja e Postribës konsiderohet e para në Europë kundër komunizmit. Ajo mbetet heroike e simbol i luftës kundër komunizmit jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Botë dhe ka rëndësi të jashtëzakonshme për qëllimin që ishte jo vetëm marrja e Shkodrës, por e gjithë Shqipërisë. Ajo nuk duhet të quhet lëvizje, por kryengritje, mbasi ishte populli që ngriti kryet. Nuk bjen me poshtë e duhet kujtuar Kryengritja e Malësisë së Madhe me 1945. Mendoj se konsiderohet e para Postriba pse ata sulmuan e Malësinë e sulmuan.
Unë kam nga Babai 7 të vrarë, 10 të burgosur, 1 internim e 2 internime mbas burgut, nga Nëna kam 2 të vrarë, 4 të burgosur e 1 internim mbas burgu. Prej të vrarëve janë 7 të zhdukur që vazhdojmë t’i kërkojmë e duhet të impenjohet shteti që nuk don të ja dijë.
Mendoni e gjykoni çka kaloi një nënë, gjyshja Hamide, që për pak muaj i vranë 3 djem, vllain, kunatin me djalë e burgosë dy djemët tjerë.
Thirrje historianëve e sidomos brezit të ri: Keni detyrën e rëndësishme të bëni siç duhet historinë e vendit tonë të martirizuar. Kërkoni e dokumentoni me durim e guxim.
Hamza Kazazi
Shtator 2020
Komentet