Falenderoj perzemersisht Kishen e Shen Palit dhe Shoqatat Atdhetare ne Michigan, per respektin ndaj Shoqates Kastrati dhe ndaj meje, qe me zgjodhen per te mbajt fjalen ne emen te shoqatave, te Shtunen ne Darken Perkujtimore te Kryengritjes Malesise.
Fjala e rastit:
I nderuem i zoti i shpisë Dom Fred Kalaj,
Mirë se të gjetme!
I nderuem Këshilli Kishës, te nderuar të ftuar te nderit, përfaqësuses të shoqatave atdhetare, vllazën e motra, Mirë se u bashkeme në kyt darkë përkujtimore të Kryengritjes Malesisë!
Ma s’parit due te falenderoj Kishën e Shën Palit, që çdo ditë e ma shumë po ja rrit lavdin dhe krenarine shqiptarëve të Amerikës. Kisha e Shën Palit dhe Kisha e Zojës Pajtore, me aktivitetet e tyne të ushqimit të shpirtit dhe të dashtnisë për kombin, po na mbajnë ma afër më Zotin, por edhe ma afër më vendlindjen, ma afer me të parët tanë me historinë tonë të lavdishme.
Vllazën e Motra, Kryengritja e Malësisë, Dedë Gjo Luli dhe Flamuri i Gjergj Kastriotit janë trinomi i krenarisë Malësisë, dhe 6 Prilli i vitit 1911 shënon preludin e Pavarësisë së Shqipnisë. Trimat malësorë të mbushun me duhinë e trimnisë dhe afshin e dashtnisë për dheun e të pareve, arritën të marrin postat e ushtrisë turke në Hot, Grudë, Tuz, Triesh, Kojë, Kelmend, Kastrat, Shkrel e ma gjanë, dhe me 6 Prill 1911, kunorzuen majën e Deçiqit me flamurin e Kombit.
Sipas historianëve, kjo luftë zgjati plot 133 ditë (24 mars-04 gusht 1911) e cila përfshiu rreth 60 beteja heroike dhe tragjike. Përmend këtu betejat: në Qepu, Qafë Ungël, Qafë Kishë, Pikalë, Dhe te Zi, Kulla e Vranes, Zharnicë, Selishtë, Omerbozhaj, Bukovik, Pllanice, Bardhaj, Rraxe Rrase, Lugu i Drethit, Sukë ëe Mkushit, Përrua të Thatë, Katun të Kastratit , Dragan, në kala të Shipshanikut, por mbi të gjitha kujtojmë sot betejën heroike dhe të përgjakshme në Bajzë të Kastratit, në Suka të Moksetit me 7 prill 1911, ku ranë heroikisht 64 trima malesorë, nji ditë mbas ngritjes flamurit në Deçiq.
Në luftën në Suka të Moksetit, bijt e Kastratit e Shkrelit shkruan me gjak malesor një faqe të lavdishme të Malesise Madhe. Homeri shqiptar At Gjergj Fishta në revisten “Hylli i Drtitës“ e përshktuan kyt betejë me titullin “Lot Gjaku”, ndersa në “Lahutën e Malësisë” Fishta shkruan:
“…Veç, ndër Suka të Moksetit, Fort ma shumë zianë asht ba,
Ku mbi turq, ku m’asqer t’Mbretit, Që n’Malsi jyrish kín ra,
Rreth e okolle prej atij shpati Mësye kanë, Hot, Shkrel e Kastrat,
Edhe lufta , mana zgjati,
Rreth tridhjetë e gjashtë sahat.
Së mbramit Turqit kjenë thye,
E m’Rrasa t’Fikut shkuan me zatetë, Tue lane dekun krye më krye,
Mbi njëqindë e pesdhjetë vetë..”
Vllazën e Motra, Kjo darkë përkujtimore sonte asht një akt i lartë civil i juaji, që tregon mirënjohjen dhe respektin ndaj atyre që u vranë dhe u plagosën për pavarësinë e Shqipërisë, tuej kujtue ktu edhe të parët e mij, Zef Nish Lumaj, Nish Ula Lumaj e Marash Vata Lumaj .
Nder e lavdi përjetë herojve të Malësisë! Rrnofshin përjetë Kishat tona,
Rrnoft përjetë Kombi shqiptar
KRYENGRITJA E MALËSISË 1911-2024
Valentin Lumaj, Shoqata Kastrati
Fjala e rastit, Kisha e Shën Palit, 6 Prill 2024