Perëndimi duhet të angazhohet me Rusinë, por duhet të ketë kujdes ndaj qëllimeve të Moskës, ka thënë mbrëmë vonë në Filadelfia kryeministrja britanike, Theresa May, pak para takimit të parë më presidentin e ri amerikan, Donald Trump.
Duke iu drejtuar ligjvënësve republikanë amerikanë, May e ka kujtuar qasjen e ish presidentit amerikan, Ronald Reagan për bisedimet me homologun sovjetik, Mikhail Gorbachev, duke e propozuar të njejtën strategji për tu marrë me Rusinë dhe presidentin e saj të tashëm.
“Kur është fjala për Rusinë, shpesh është punë e mençur të kujtosh shembullin e presidentit Ronald Reagan, i cili gjatë negociatave me liderin sovjetik, Mikhail Gorbachev, i është përmbajtur fjalës së urtë, “beso, por verifiko”, ka thënë kryeministrja britanike.
“Me presidentin Putin, këshilla ime është “angazhohuni, por keni kujdes”, ka thënë May.
May e ka mbajtur fjalimin e saj disa orë para takimit me Trumpin, që i bie edhe takimi i parë me një lider të huaj për presidentin e ri amerikan, prej inaugurimit të tij më 20 janar.
Ajo e ka shfrytëzuar fjalimin e saj për të nënvizuar rëndësinë e “marrëdhënieve speciale” në mes të dy shteteve në trajtimin e sfidave siç është terrorizmi.
“Pra ne – vendet tona së bashku – e kanë përgjegjësinë për të udhëhequr. Sepse kur të tjerët ndërhyjnë pas tërheqjes tonë, kjo është diçka e keqe për Amerikën, për Britaninë dhe botën”, May ka thënë në fjalimin e saj që rregullisht është ndërprerë nga duatrokitje entuziaste nga audienca.
Ajo ka bërë kritika të ashpra ndaj Rusisë, në veçanti për aneksimin e gadishullit ukrainas të Krimesë, një veprim që ajo e ka quajtur “ilegal”.
Trump ka thënë se ai dëshiron bashkëpunim më të madh me Rusinë në çështje si lufta kundër terrorizmit dhe çështjen e Sirisë, duke sygjëruar se ai mund të heq sanksionet që administrata e Obamës ia ka vendosur Moskës si reagim ndaj aneksimit të Krimesë.
Zgjedhja e Trumpit gjithashtu është karakterizuar nga dyshimet e ngritura prej komunitetit amerikan të inteligjencës se hakerët rusë kanë ndërhyrë në fushatën zgjedhore me qëllim që ta ndihmojnë atë për të fituar presidencën amerikane.
Kremlini i ka hedhur poshtë akuzat. Trump e ka pranuar se Rusia me gjasë qëndron prapa sulmeve kibernetike që kanë pasur cak rivalen e tij demokrate, Hillary Clinton, por ka insistuar se sulmet nuk kanë pasur ndikim në rezultatin e zgjedhjeve.
Trump gjithashtu ka shqetësuar anëtarët e Evropës Lindore të NATO-s kur aleancën ushtarake e ka vlerësuar si “të vjetëruar”.
Në fjalimin e saj, May ka ofruar përkrahje të fuqishme për aleatët e atij rajoni, duke thënë se perëndimi duhet të japë “garanci për vendet fqinje të Rusisë se siguria e tyre nuk është në dyshim”.
“Ne nuk duhet të rrezikojmë liritë që presidenti Reagan dhe ish kryeministrja britanike Margaret Thatcher ia kanë sjellur Evropës Lindore duke e pranuar pretendimin e presidentit Putin se tani ajo pjesë është zona e tij e ndikimit”, ka thënë shefja e qeverisë britanike.
May megjithatë ka shtuar se nuk “ka asgjë që ta pa evitueshme në konfliktin në mes të Rusisë dhe perëndimit, por ka paralajmëruar se po aq lehtë mund të kthehemi në ditët e Luftës së Ftohtë.
“Por, ne duhet të angazhohemi me Rusinë nga një pozicion i fuqisë, dhe ne duhet të ndërtojmë marrëdhëniet, sistemet dhe proceset që e bëjnë bashkëpunimin më të mundshëm se sa konfliktin”, ka thënë ajo. (A.H)
Komentet