Në rastin e Goran Bregoviçit na janë shpalosur dy kampe.
Buonistët dhe ata që kanë mbajtur qendrime realiste e të përgjegjëshme.
Në rastin konkret “buonizmi” nuk është një pleonazmë, shprehje gjuhësore për të rritur fuqinë e fjalës, nisur nga rrënja në gjuhën italiane “buono” – “i mirë”.
Buonizmi në vetvete është një demonstrim tolerance e pajustifikuar që barazohet me fallsitetin dhe hipokrizinë.
Ka buonizëm që rrjedh nga injoranca. Injorancë ad literam do të thotë “mungesë e ndërgjegjies” ose mungesë e dijeve që normalisht do të duhej t’i ketë çdokush, kur lidhen me historinë e kombit tënd.
Ka buonizëm që rrjedh nga indiferenca, nga distancimi me atë që ndodh për rreth, për shembull në realitetin shqiptar, kur dikush ka arritur një standart të lartë jetese, qoftë edhe suksesin personal si individ dhe thotë “e ç’më duhet mua” duke u bërë shitës tezge i tolerancës.
Ka buonizëm që rrjedh direkt nga interesi personal, mban anën e palës prej së cilës përfiton, sikur profiteri Mustafa Nanos me shokë në kohën e kjametit, kur s’ka shtet dhe bëjnë pallë në kohë rumpalle, duke mbushur xhepat me fytyrë blozë dhe ndërgjegje zgjyrë.
Por ka edhe buonizëm naiv, për shkaqe të ndryshme, kur njeriu vërtetë nuk ka kohë apo mundësi të thellohet, sepse mungon informacioni apo se informacioni është kontravers, pra ka një kaos total kundërthëniesh, kur një palë i bie gozhdës e tjetra patkoit, pra je tolerant pa njohur objektin përse bëhet fjalë apo e njeh në mënyrë të sipërfaqëshme, të përciptë. Në këto raste vlen proverbi “silence is golden” – “heshtja është e artë” ose “shut up” “mbylle gojën”.
Në Shqipëri nuk ka rregull, nuk ka strategji kombëtare për të edukuar kulturën demokratike, kulturën kombëtare, për të përcaktuar limitet. Në Shqipëri ka shtet rumpallë të katandisur nga një kryeministër rumpallë, që ka uzurpuar çdo shtyllë të sistemit hibrid, i rrethuar nga shpura e vartësve rrogëtarë puthadorë dhe pa integritet.
Kosova është një realitet tjetër.
Në Kosovë ndërgjegjia e shoqërisë nuk bën kompromise me sjelljet sharllatane të kryerumpallës të Tiranës, kur është në fjalë historia apo tragjedia që kjo shoqëri e ka përjetuar në lëkurë, aq më tepër kur nga Serbia nuk ka patur kurrë kërkesë ndjese, pranim të fajit të shtetit barbar të Milosheviçit!
Edhe në Kosovë ka buonistë! Buonistët janë zakonisht lëpirësit e kryeministrit rrumpallë të Tiranës! Për shembull, kur është fjala të analizohen krimet e diktaturës gjysmë shekullore në Shqipëri, ka edhe nga që thonë: “Po ne për “Enver Hoxhën kemi bërë burg”!
Pra buonizmi është në disfavor të asaj që duhet të mbrohet, që është e vërteta.
Për rastin e Goran Bregoviçit, i cili ka një dekoratë nga Vuçiç dhe çelësin e Tiranës nga Edi Rama, duhej të shtrohej pyetja: A meriton ky artist të mikpritet në Shqipëri si i Ftuar Nderi?
Jo, nuk e meriton!
A ka dashamirësi kryerumpalla për Artistët shqiptarë, për artin shqiptar ? Mjafton të kujtoni Teatrin Kombëtar dhe rrëmimtarin e tij! Mjaft të kujtoni nëpërkëmbjen që kryerumpalla u bëri aktorëve shqiptarë, të gjallëve dhe të vdekurve!
Përse Edi Rama nuk i dha çelësin e Tiranës ish gjeneralit serb Jovan Divjak, që mbrojti qytetin e Sarajevës dhe iu kundërvu ushtrisë serbe?
Përse Korça të mos mikpriste aktivisten serbe të të drejtave të njeriut Sonja Biserko si Mike Nderi?
Është e qartë se qendrimet buoniste të Edi Ramës ndaj Bregoviçit lidhen direkt me interesat personale të rumpallës së Shqipërisë! Sikur romanca e tij me Vuçiçin, “Mini-Schengeni” apo “Open Balcan”.
Kryeministri rumpallë është rrezik për paqen në rajon, sepse me buonizmin e tij sadist i mban të zgjuara iluzionet e nacionalizmit serbomadh që e kalli Ballkanin në flakë e zjarri!
Kryeministri rumpallë harron, por Kosova nuk harron kurrë!
Plagët shërohen me dhëmshuri, drejtësi jo me arrogancë!
A e keni parë Vuçiçin të tregojë dhëmshuri për mbi 1600 viktimat e shqiptarëve që vazhdojnë të rezultojnë të zhdukur edhe 22 vjet pas agresionit serb në Kosovë? Bregoviçi e konsideronte barbar sulmin e NATO-s në mbrojtje të Kosovës! Por nuk e denoncoi kurrë barbarinë e makinerisë serbe kundër civilëve dhe fëmijëve shqiptarë të Kosovës sikur gjenerali serb Jovan Divjak, të cilin Franca në vitin 2001 do ta vlerësonte me Urdhrin e Legjionit të Nderit, ndërsa kur do të largohej këtë pranverë nga kjo jetë, filozofi, shkrimtari dhe gazetari francez, Bernard-Henri Levy do të shkruante se Jovan Divjak ishte njeriu i vetëm që ai e kishte quajtur ndonjëherë “Gjenerali im”!
Kjo është e vërteta!
Nëse në Shqipëri do të funksiononte shteti i së drejtës apo shtypi i lirë, kryerumpallës do t’i thuhej “ndal” ndërsa opinioni shqiptar do të informohej se kush është Goran Bregoviçi. Marrëdhëniet ndërshtetërore midis dy vendeve demokratike ndërtohen në bazë të barazisë, të respektit të ndërsjelltë. A kemi parë ne respekt të Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës? Jo! Kemi parë vetëm diktat, pengesa, e kemi parë diplomacinë serbe në agresion për të ndalur njohjen e shtetit të pavarur të Kosovës!
Në marsin e 2015, Goran Bregoviçi ishte i ftuar në një koncert në Krimenë, që ishte aneksuar nga Rusia, ndërsa një muaj më pas, Polonia do ta shpallte Bregoviçin të padëshiruar në Festivalin e Jetës që mbahej në Oświęcim për shkak se deklaratat e Bregoviçit ishin “në kundërshtim me vlerat të cilat i kishin të shtrenjta themeluesit e Festivalit të Jetës.”
Liria, paqja, demokracia, shteti i së drejtës, marrëdhëniet ndërshtetërore ndërtohen mbi themelin e parimeve dhe vlerave! Shkelësit e këtyre vlerave nuk janë nder për askënd, përkundrazi.
Ky shkrim duhet botuar ne disa gazeta te Shqiperise dhe te transmetohet ne Zeri i Amerikes e DW qe te njohin te verteten shume shqiptare qe i mbajne anen fteses se ketij kengetar serb, i cili ka mbeshtetur politiken antishqiptare te shtetit serb nen Miloshevicin, etj.