Kryeministri palestinez, Mohammed Shtayyeh, tha të hënën se ai po jepte dorëheqjen për të lejuar krijimin e një konsensusi të gjerë ndërmjet palestinezëve mbi marrëveshjet politike pas luftës në Rripin e Gazës.
Kjo sinjalizon një gatishmëri nga udhëheqja palestineze e mbështetur nga perëndimi për të pranuar ndryshime që mund të çojnë në reforma, të cilat shihen si të nevojshme për të rigjallëruar Autoritetin Palestinez.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës duan një Autoritet Palestinez të reformuar që do të qeverisë Rripin e Gazës pasi të përfundojë lufta mes Izraelit dhe Hamasit, të cilin SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian e konsiderojnë organizatë terroriste.
Presidenti Mahmud Abbas duhet të vendosë nëse do të pranojë dorëheqjen e kryeministrit Shtayyeh dhe Qeverisë së tij dhe mund t’i kërkojë atij të qëndrojë në detyrë derisa të emërohet një zëvendësues i përhershëm.
Në një deklaratë për qeverinë, Shtayyeh, një ekonomist akademik që mori detyrën në vitin 2019, tha se faza tjetër duhet të marrë parasysh realitetin e ri në Rripin e Gazës, i cili është shkatërruar pas gati pesë muajsh luftime të rënda.
Ai tha se përveç aranzhimeve të reja politike, “duhet shtrirja e autoritetit të administratës (palestineze) në të gjithë vendin, Palestinë”.
Autoriteti Palestinez, i formuar 30 vjet më parë sipas Marrëveshjes së Përkohshme të Paqes të Oslos, ka autoritet të kufizuar mbi pjesë të Bregut Perëndimor të pushtuar, por humbi pushtetin në Gaza pas luftimeve me Hamasin në vitin 2007.
Fatah, i cili kontrollon Autoritetin Palestinez, dhe Hamasi, kanë shtuar përpjekjet për të arritur një marrëveshje për një qeveri uniteti dhe do të takohen në Moskë, të mërkurën. Një zyrtar i lartë i Hamasit tha se masa duhet të shoqërohet me një marrëveshje më të gjerë për autoritetin mbi territoret palestineze.
“Dorëheqja e Qeverisë Shtayyeh ka kuptim vetëm nëse është në kontekstin e një konsensusi kombëtar për marrëveshjet për fazën tjetër”, tha për Reutersin zyrtari i lartë i Hamasit, Sami Abu Zuhri.
Izraeli është zotuar të shkatërrojë Hamasin dhe thotë se për arsye sigurie nuk do të pranojë sundimin e Autoritetit Palestinez mbi Gazë pas luftës, që shpërtheu pas një sulmi të Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor, në të cilin, sipas të dhënave izraelite, u vranë rreth 1200 njerëz.
Nga përgjigjja e Izraelit me sulme ajrore e tokësore në Rripin e Gazës deri tani janë vrarë afro 30.000 palestinezë, sipas autoriteteve shëndetësore të kontrolluara nga Hamasi. REL